BBC: Shqipëria, e mbërthyer nga korrupsioni dhe varfëria

0
138

ja-kush-jan-euml-t-euml-arrestuarit-p-euml-r-korrupsion-n-euml-up_hd

Agjencia britanike e lajmeve jep një profil të Shqipërisë. Vend me shenja progresi, por me korrupsion dhe papunësi shumë të lartë

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë, por edhe me një numër shumë të lartë të të papunëve. Kjo është pamja që jep agjencia e lajmeve BBC për Shqipërinë. Po ashtu, BBC, referuar raporteve të ndryshme ndërkombëtare që janë bërë për Shqipërinë, nxjerr në pah faktin se vendi ynë, përveç korrupsionit të lartë, edhe infrastruktura shumë e keqe largon investitorët e huaj. “Papunësia mbetet shumë e lartë dhe infrastruktura e korrupsioni vijojnë të pengojnë investimet e huaja”.

Në profil bëhet një rezyme e zhvillimeve politike e ekonomike në vend pas viteve `90, ndërsa nënvizohet fakti se Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë. “Papunësia mbetet kokëfortësisht e lartë dhe infrastruktura dhe korrupsioni vazhdojnë të pengojnë futjen më shumë të investimeve të huaja. Sipas një raporti të publikuar nga mbikëqyrësi i ryshfetit, Transparency International, të vitit 2012, Shqipëria është aktualisht vendi më i korruptuar në Evropë”, – shkruhet në profilin për Shqipërinë nga BBC-ja. Në vijim profili, për Shqipërinë jep të dhëna për ekonominë. Sipas analizës së BBC-së, megjithëse ka shenja të progresit ekonomik, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë. “Shqipëria është shndërruar në një ekonomi tregu, por është larg nga standardet e Evropës Perëndimore. Bujqësia është një sektor i rëndësishëm dhe një vend punësimi i madh”, – thuhet në këtë monitorim.

Anëtarësimi

Në profil thuhet se Shqipëria aplikoi për statusin e vendit anëtar në BE në vitin 2009, në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe e mori statusin në qershor të vitit 2014. Nëpërmjet afrimit me Bashkimin Evropian, inkurajohen reforma të reja në luftën kundër korrupsionit dhe për lirinë e shtypit. “Bashkimi Evropian inkurajon reforma të tjera, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në lirinë e shtypit, të drejtën e pronës dhe të drejtat e minoriteteve”, – shkruan agjencia britanike e lajmeve.

BBC është ndalur edhe në zgjedhjet e qershorit, fitoren e socialistëve dhe premtimet e Kryeministrit Edi Rama. Një prej premtimeve, citon BBC, është anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda 10 viteve të ardhshme dhe rritjen e standardeve të jetës së qytetarëve, që sipas agjencisë së lajmeve, do të jetë diçka e vështirë për t’u arritur nga qeveria. Dhe kjo lidhet me faktin se në vendin tonë mbizotëron papunësia dhe të ardhurat më të shumta që hyjnë në vend janë nga emigrantët. “Edi Rama ka premtuar që Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së brenda 10 vjetësh. Premtimi i tij për të përmirësuar standardet e jetesës, në një vend ku shumë qytetarë varen nga të ardhurat e emigrantëve që jetojnë në BE e SHBA, do të jetë veçanërisht i vështirë për t’u realizuar”, – shkruan BBC.

 

Takimi në Beograd

Nga ndërkombëtarët vizita e shefit të qeverisë shqiptare në Beograd mbështetej fuqishëm. Ata, pavarësisht nga konfliktet, inkurajojnë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.

Këtë fakt e gjejmë të pasqyruar edhe tek profili që i ka bërë BBC Shqipërisë, ku ndër të tjera përmendet vizita e kreut të qeverisë në Serbi mbas gati 70 vitesh. “Në frontin e politikës së jashtme, një prej sfidave më të mëdha, me të cilat ai përballet është rivendosja e urave të bashkëpunimit me Beogradin, që ka qenë shumë dyshues ndaj synimeve të Tiranës drejt Kosovës. Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, e parë si një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, u shndërrua në një rast të tensionuar, në të cilin kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë sulmuan njëri- tjetrin teksa folën mbi statusin e Kosovës”, – thuhet në vëzhgimin e BBC-së për Shqipërinë.

 

 

Nishani: Dyert e Presidencës, të hapura për zgjidhjen e problemeve

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, dje, gjatë një vizite në qytetin e Sarandës, u ka shprehur qytetarëve mbështetje të plotë për shqetësimet që kanë. Ai u ka thënë sarandjotëve se dyert e Presidencës janë të hapura për të gjetur zgjidhje të problemeve që i mundojnë.

Presidenti shprehu besimin se qeveria shqiptare ka vullnetin që në vijimësi të mbështesë zhvillimin e Sarandës, por edhe kreu i shtetit si President do të vijojë të jetë një zë i fortë dhe zyra e Presidentit do të jetë në vijimësi një derë e hapur për të bashkëpunuar me Bashkinë e Sarandës dhe kryetarin e saj, për ato probleme dhe çështje që i shërbejnë qytetit dhe qytetarëve. Në këtë pikë u vlerësua edhe kthimi i emigrantëve si dhe politikat e hartuara nga shteti për integrimin sa më të shpejtë të tyre në jetën shoqërore dhe ekonomike. Kryetari i Bashkisë, zoti Çipa, i dorëzoi Presidentit të Republikës në shenjë respekti dhe mikpritjeje simbolin e qytetit.
Presidenti Nishani ndodhej në Sarandë për të nderuar dhe vlerësuar personalisht dhe institucionalisht sarandjotët që kanë kontribuar për këtë qytet. Ai u prit nga kreu i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, dhe nga autoritete të tjera vendore, deputetë si dhe qytetarë.
Gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e qytetit, Presidenti Nishani vlerësoi sarandjotët si një bashkësi me njerëz punëtorë, me zemër të hapur, të urtë, të mençur dhe të zgjuar për mënyrën se si e kanë ndërtuar jetën.
Titulli “Mjeshtër i Madh” Vasil Partalit

Më pas, kreu i shtetit së bashku me delegacionin që e shoqëronte u drejtuan për në kinoteatrin “Butrinti”, ku u zhvillua ceremonia e dekorimit të disa personaliteteve të shquara të Sarandës.
Kreu i shtetit i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” Vasil Partalit, me motivacionin: “Për punën e shquar dhe ndihmesën e dhënë në konsolidimin e arsimit në rrethin e Sarandës”; Theofil Haxhijanit me motivacionin: “Për punë të shquar dhe vlera të veçanta artistike si aktor, në gjininë e humorit”; si dhe Agim Matos me motivacionin: “Një nga figurat e spikatura të krijimit poetik në qytetin e Sarandës, botues e veprimtar i shquar në fushën e kulturës”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency