Basha në Elbasan: Qytetarët pa punë dhe pa drita

0
159

144415

Erneta Shevroja

Kreu i opozitës ka vijuar turin e takimeve me qytetarët. Problemi më i theksuar mbetet punësimi

Kreu i opozitës ka vijuar dje takimet me qytetarët e Elbasanit, pas atyre të Kukësit dhe të Lushnjës. Panorama e problemeve është e njëjta si në qytetet e tjera. Njerëzit ankohen për mungesë të vendeve të punës por edhe për fatura abuzive të energjisë elektrike.

Sipas atyre që i thanë kreut të PD-së, ata e kanë të vështirë të sigurojnë edhe bukën e gojës, ndërsa çdo ditë përballen me terrorin policor për faturat e energjisë elektrike të cilat në shumicën e rasteve janë abuzive. Fëmijëve përveç se të mësojnë nën dritën e qirinjve, u duhet të përballojnë dhe terrorin policor, tha Basha. “Më mirë të na vrasë, se sa kështu; më mirë poshtë tokës se sa sipër! Ilaçe nuk marrim dot. Kam 100 mijë lekë ilaçe, një vit që i kam marrë e nuk i kam larë. Ço 5 mijë lekë sot, 3 mijë lekë nesër. Kështu do jetojmë ne?!”, – ka thënë një qytetar. “Çfarë kërkon Edi Rama? I kemi njerëzit, në punë asnjë. Unë me një pension jam. 30 mijë lekë i dua ilaçe. Ku ti gjej unë?”, – shprehet një tjetër. “Unë jam e sëmurë, me dy çuna beqarë në shpi, pa punë. Unë… do e vras veten, nuk duroj dot ma”, – tha e dëshpëruar një nënë. “Unë jam në klasë të parë. i bëjmë mësimet me qiri. Na ka ardhur policia në shtëpi, na ka tremb natën”, – tha një vajzë e vogël. “Vetëm kriminelët bëjnë kështu. Edhe Enver Hoxha ishte kriminel, po ta jepte një shpi. Ky as shpi, as punë, asgjë”, – akuzoi një qytetar tjetër. “Këta s’po kapin kriminelët, vijnë te ne se s’kemi drita”, – tha një qytetar.

 

Fermerët në vështirësi

Basha ka shkuar edhe në zonat rurale të Elbasanit. Fermerët prodhues të duhanit thonë se çdo premtim që u është dhënë në fushatë ka rezultuar mashtrim dhe se që pas zgjedhjeve, askush nuk ua hap më dyert. Asnjë ndihmë apo mbështetje nuk kanë parë nga shteti, ndërsa vazhdojnë të përballen me rritje taksash dhe çmimesh. Nga ana tjetër, studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” shprehin shqetësimin për dyfishimin e tarifave dhe pamundësinë e prindërve për t’u paguar vijimin e studimeve. “Unë e quaj sistem enverist këtë. Sepse e ka shkatërru këtë popull, e ka çu mu në fund”, – thotë një qytetar. Basha: Vende pune jo, rritje rrogash jo, rritje pensionesh jo, këtej rrit çmimet dhe faturat. “Kam hallin e djalit, se mos ma heqin nga puna. E kanë thirr dhe i kanë thënë je i padëshirueshëm për komunitetin se ke bërë propagandë për Ahmet Zogun”, – u ankua një banorë. “Kush mbyll një shkollë, hap një burg, këtë po bën kjo qeveri”. “Unë kam votuar për të majtën se thashë ndoshta do bëjë ndonjë mrekulli të madhe. Jo vetëm mrekulli që nuk bënë, po më morën bukën e kalamajve”, – u shpreh një elbasanas.

 

Takimet me qytetarët në vend të Parlamentit

Kreu i opozitës prej më shumë se një jave është duke zhvilluar takime në qytete të ndryshme të vendit për të parë nga afër shqetësimet e tyre. Kjo duket se është forma e zgjedhur nga kryeopozitari për të bërë opozitën jashtë sallës së Parlamentit, që u vendos të bojkotohej, pasi një prej deputetëve të PD-së u dhunua nga një koleg i tij socialist. Që prej atëherë, duket se kreu i opozitës vendosi të dilte nga Kuvendi pa mendim për një kthim të shpejtë. Këtë qëndrim ai e shprehu fortë edhe gjatë emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut të enjten. Ndërkohë, Kryeministri Rama jo një herë është shprehur publikisht se përball tij mungon një opozitë që ai do të dëshironte të kishte. PD-ja ka kundërshtuar politikat e qeverisë nëpërmjet të gjitha formave, përveç Parlamentit. Në një situatë, sipas Bashës, e përkeqësuar si pasojë e rritjes së të gjitha taksave, ai ndërmori zhvillimin e takimeve me qytetarët.

 

Vendimi për takime

Ndërkohë që gjatë dy javëve të fundit, Basha ka zhvilluar disa ture në qytete. Turin e takimeve me qytetarët e nisi në Lushnjë, kaloi në Divjakë, Vlorë, Kukës, Shkodër dhe së fundmi në Elbasan. Panorama e shqetësimeve është e njëjta. Në çdo qytet theksohet problem i papunësisë dhe i varfërisë e nga ana tjetër, projektbuxheti dhe paketa fiskale e vitit të ardhshëm, që denoncohet vazhdimisht nga demokratët, parashikon rritje të shumë taksave. Qytetarët në takimet me kreun e opozitës janë shprehur se janë të pafuqishëm të paguajnë më shumë taksa. Ata nuk kanë të ardhura. Ndërprerja e energjisë elektrike është një problem tjetër i shprehur nga qytetarët, ku më i theksuar u pa në qytetin verior të Kukësit. Për shkak të pamundësisë për të paguar faturat, qytetarëve iu është ndërprerë energjia dhe ata kanë ngel në terr. Po ashtu fermerët janë ankuar se u është rritur kostoja e prodhimeve bujqësore si pasojë e rritjes së çmimit të naftës. Në Lushnjë doli në pah edhe problem i mungesës së tregut. Ata i thanë Bashës se shumë prodhime të tyre kalben dhe hidhen pasi njerëzit nuk kanë të ardhura të mjaftueshme dhe po ashtu ka mungesë tregu.

 

 

Basha premton shpërblime për kampionët e sportit

Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe i PD-së, Lulzim Basha, ka premtuar përmirësimin e kushteve të stërvitjes për karateistët dhe shpërblimin për arritjet e tyre. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti dje nënkampionin e botës dhe kampionin e Evropës në karate, versioni shotokan, 15-vjeçarin Bekim Basha dhe trajnerin e tij. Basha vlerësoi arritjet e sportistëve të sport-klubit “Tirana” që kanë ngritur lart flamurin shqiptar në kompeticione ndërkombëtare, duke u shpallur kampionë Evrope e bote. “Rezultatet e jashtëzakonshme të të rinjve, mes të cilëve dhe Bekim Basha”, – the kryebashkiaku janë garanci për të ardhmen e sportit dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë edhe në të ardhmen”. Basha premtoi se do të vazhdojë t’u kushtojë vëmendje të veçantë trajtimit të sportistëve dhe ambienteve të tyre të stërvitjes. Në këtë kuadër, kryebashkiaku Basha bëri të ditur nisjen e menjëhershme të punës për përmirësimin e ambienteve sportive në të cilat stërviten edhe karateistët. Krahas shpërblimeve për kampionët e tjerë të Evropës dhe botës, Basha bëri të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak dhënien e një shpërblimi të veçantë dhe për nënkampionin e botës dhe kampionin e Evropës në karate, Bekim Basha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency