Sondazhi/ Gjyqtarët dhe prokurorët pro ndryshimeve në Kushtetutë

0
117

Sonila Mesareja

Kundërshtia, jo shkrirjes së Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë në një të vetme. Propozimi, kryeprokurori i Shqipërisë duhet të ketë një zëvendës

foto sonila kryesore gjyqtaret gjykatesit dhe prokuroret tryezaGjyqtarët dhe prokurorët në vend janë të mendimit se ka ardhur koha e ndërhyrjes në Kushtetutë, asaj që u votua brenda një nate në vitin 2008 me konsensus nga dy forcat më të mëdha politike në vend. Por, ata kanë shprehur edhe kundërshtitë e tyre, një prej të cilave është pikërisht një Jo e prerë për idenë e shkrirjes së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë në një të vetme. Sipas një sondazhi të bërë me 388 prokurorë dhe gjyqtarë nga 649 që janë gjithësej, ata kanë shprehur mendimin se ndryshimet duhet fokusohen në pjesët që lidhet me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit, duke përfshirë prokurorinë, institucionet e pavarura dhe pozitën kushtetuese të Presidentit të Republikës. Ndërkohë që pati edhe një mendim nga kreu i shoqatës së prokurorëve të Shqipërisë, Shkëlqim Hajdari, i cili në fjalën e tij, tha se ka ardhur koha që Prokurori i Përgjithshëm të ketë tashmë një zëvendës. Të mbledhur në një tryezë të përbashkët në kuadër të nismës për reformën në Kushtetutë, ekspertët publikuan sondazhin e organizuar me prokurorë dhe gjyqtarë në gjithë vendin. Gjatë diskutimit u arrit në një përfundim se në çdo rast ndryshimet duhet të kryhen mbi bazën e një diskutimit gjithëpërfshirës dhe jo vetëm pozitë dhe opozitë por edhe grupet e interesit, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe profesionistë të fushës. Sondazhi është zhvilluar përgjatë muajve qershor – korrik 2014, në kuadër të nismës për reformë kushtetuese, nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë. Të pyetur nga sondazhi i Fondacionit Soros, 63.7 përqind e aktorëve të drejtësisë janë shprehur pro rishikimit të Kushtetutës, 27 përqind jo plotësisht dakord dhe vetëm 6.5 përqind kundër.

 

Reagimet

“Shumica e pjesëmarrësve në anketim dhe diskutime janë të mendimit që është e nevojshme, ndërhyrja në Kushtetutë, veçanërisht në pjesët që lidhet me pavarësinë dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, përfshi këtu Prokurorinë, institucionet e pavarura dhe pozitën kushtetuese të Presidentit të Republikës”, thotë Andi Dobrushi, drejtor i fondacionit “Soros”. “Ajo që tërheq vëmendjen është se gjyqtarët dhe prokurorët janë të mendimit që gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, duhet të vazhdojnë të ekzistojnë, të qëndrojnë si gjykata më vete. Por, mendojnë se juridiksioni i tyre duhet rishikuar nga pikëpamja kushtetuese”, thotë eksperti Artan Hoxha. Ndërsa ish-prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi u shpreh se “më bën përshtypje diçka serioze, rezultati i përgjigjes së prokurorëve, nuk prek thelbin e Prokurorisë. Ata kërkojnë të ruajnë këtë sistem, që në tavolina e kritikojnë si sistem i cili po dëmton”. Të pranishëm në tryezë, deputeti socialist Subashi dhe ai demokrat Bylykbashi, ranë dakord se ndërhyrja në Kushtetutë kërkon gjithëpërfshirje. “Për vetë rëndësinë që ka kjo reformë do donim që reforma të jetë sa më shumë gjithëpërfshirëse. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike në këtë reformë dhe kontributin e tyre, sepse kjo do të ishte elementarja, fillesa e gjithë kësaj reforme. Por kam parasysh gjithë kontributin e aktorëve dhe faktorëve që realisht kanë shumë për të thënë” tha Subashi. “Nëse do ti hyjmë një reforme kushtetuese duhet që ajo reformë të jetë terësore në aspektin e çështjeve që do të diskutohen. Pra të mos ndërhyhet në Kushtetutë në mënyrë të vazhdueshme sa herë një krah politik mendon, por mbi të gjitha të jetë gjithëpërfshirëse” deklaroi Bylykbashi. Në diskutim, edhe një here është hedhur propozimi që Presidenti të zgjidhet nga Populli.

 

Propozimi/ Hajdari: Domsodoshmëri në Prokurorinë e Përgjithshme pozicioni i zëvendësit

Për kryetarin e Shoqatës së Prokuroreve, ndryshimet kushtetuese për Prokurorinë duhet të vendosin edhe për figurën e zëvendësprokurorit të Përgjithshëm një pozicion ky që mungon aktualisht. “Eshtë e domosdoshme që prokuroria të ketë zëvendësprokuror të përgjithshëm të Republikës, pasi ashtu sikundër e dini edhe ju, Prokuroria është organ jo thjesht administrativ, por edhe organ ligjor. Qenia e një zëvendësprokurori të përgjithshëm do të shmangte historitë e delegimit të firmave, kur prokurori i përgjithshëm, për arsye pune nuk ndodhet në ushtrim të detyrave të tij”, tha kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari.

 

Ersida Sefa/ Shumica dëshiron ndryshime në emërimet e Gjykatës Kushtetuese, të Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm

“Një ndër çështjet të cilës i kemi kushtuar vëmendje në pyetësor ka qenë pikërisht ndryshimet e vitit 2008. Të gjithë jemi koshientë që këto ndryshime kanë qenë një pikë kontraversale, një pikë e cila ka hasur debate dhe diskutime të gjera në opinionin publik. Që ka pasur një faturë pikërisht në gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht sistemi ynë, faturë e cila nga një pjesë e mirë e klasës politike është marrë përsipër, është pranuar përgjegjësia. Për këtë arsye Fondacioni ka shtruar pyetjen nëse rishikimi i Kushtetutës, nënkupton thjesht kalimin në Kushtetutën e përpara ndryshimeve të 2008 ose jo? Ajo çfarë është interesante nga gjetjen e këtij sondazhi, nga përgjigjet e të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve rezulton se 62.5% e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të anketuar kundërshtojnë rikthimin e Kushtetutës në variantin përpara ndryshimeve të 2008. 24.7% e tyre mendojnë se duhet kthyer në variantin përpara këtyre ndryshimeve dhe 13% nuk kanë opinion të caktuar në lidhje me këtë çështje” tha Ersida Sefa, menaxhere programi në Fondacionin Soros. Më tej ajo shtoi se “tre të katërtat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mendojnë se formula e zgjedhjes të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuesve, të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe ajo e Prokurorit të Përgjithshëm ka nevojë të ndryshojë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency