Rrugëtimi i kombëtares së Shqipërisë në Evropë ndër vite

0
182

23764_315633998545191_1277645227_nShumë vite kanë kaluar nga organizimi i Evropianit të parë. Edhe fituesi i parë nuk ekziston. Bashkimi Sovjetik tashmë është një ish, por Rusia ka trashëgiminë e fitimit të trofeut të parë. Kampionati i parë Evropian, ai i vitit 1960, i cili u zhvillua gjashtë vjet pas themelimit të UEFA-s, kishte një formulë tjetër nga ky sotmi. Mirëpo edhe Shqipëria ka historinë e saj në këtë kampionat. I pari që ka shënuar në këtë kompeticion për skuadrën tonë kombëtare është një ndër më të mëdhenjtë. Bëhet fjalë për Panajot Panon. Ndërsa kulminacioni erdhi në 1968, kur Shqipëria i dha fund shpresës për gjermanët.

 

Goli parë i shënuar nga kuqezinjtë në 1964-ën

Madhështia e finaleve të Euro 1960-ës prodhoi edhe audiencën katër vite më pas, në Kampionatin e dytë Evropian. Nga 17 ekipe që morën pjesë në eliminatoret e Francë 1960, në Spanjë 1964 shkoi në 29 ekipe, por më të veçantën se skuadra e 30-të përfaqësuese, Greqia, nuk pranoi të luante me Shqipërinë. Surpriza e madhe e ka emrin Luksemburg. “Liliputët” eliminuan një gjigant si Holanda (1-1, 2-1), përpara së të eliminoheshin në çerekfinale nga Danimarka me një ndeshje të tretë ekstra (3-3, 2-2, 0-1), që kishte eliminuar nga e saj në çerekfinalet eliminatore pikërisht Shqipërinë, për të përfunduar e katërta në Evropë. Në finale mbërritën Bashkimi Sovjetik, Spanja dhe Hungaria. Në gjysmëfinale Bashkimi Sovjetik shkatërroi Danimarkën 3-0 në “Kamp Nou” të Barcelonës dhe Spanja mposhti 2-1 pas 120 minutave lojë Hungarinë në “Santiago Bernabeu” të Madridit. Në prani të më shumë se 79 mijë shikuesve në “Santiago Bernabeu”, Spanja mundi 2-1 Bashkimin Sovjetik me një gol të minutave të fundit të realizuar nga Marcelino. 45 vjet më parë, më 29 qershor 1963 në Kopenhagen nisi edhe aventura e Shqipërisë në kampionatet evropiane, atë Euro 1964, finalet e të cilit u zhvilluan në Spanjë, dhe u fituan po nga toreadorët. Në fakt, shorti i eliminatoreve të Euro 1964-ës e vuri Shqipërinë përballë Greqisë, por fqinjët tanë refuzuan të luanin kundër nesh, duke vendosur si pretekst “Ligjin e luftës”, që ekzistonte midis dy vendeve. Me një “kualifikim” të dhuruar, kombëtarja jonë u vu përballë Danimarkës në Kopenhagen, njëherësh edhe ndeshja e parë e luajtur në fushë në Kampionatin Evropian. Humbje tronditëse 4-0, më 29 qershor 1963, ku goli i parë i danezëve si për “tersllëk” u realizua nga pika e bardhë nga ana e Jens Petersenit (16’). Madsen (35’), Klauzen (40’) dhe Enoksen (49’) mbyllën hesapet me portierin Sulejman Maliqati dhe skuadrën e trajnerit Loro Boriçi në aventurën e parë. Katër muaj më pas, më 30 tetor 1963, Shqipëria u paraqit në “Qemal Stafa” me Zyber Konçin në bankinë dhe Shefqet Topin në portë. Entuziazmi i jashtëzakonshëm në një stadium tërësisht të shitur prodhoi edhe golin e parë historik të Shqipërisë në Evropë. Goli i parë në eliminatoret e një Kampionati Evropian i përket legjendës Panajot Pano (atëherë 24 vjeç), vetëm tri minuta nga fillimi i takimit, i cili vulosi edhe fitoren e parë të Shqipërisë në Evropë. Për “sportistin shqiptar të shekullit të kaluar” ai konsiderohet edhe si goli më i bukur i tij, që përkoi me ndeshjen e parë me përfaqësuesen, karrierë që përfundoi pas 20 vjetësh, më 7 nëntor 1973, në ndeshjen miqësore me përfaqësuesen kineze. Legjenda Panajot Pano e përshkruan kështu atë gol historik. “Sa ka vlerë një gol! Nuk ka gol pa vlerë se fundja për atë luhet futboll: për të shënuar apo për të mos pësuar… Goli im me Danimarkën në Tiranë pati një vlerë të madhe se u shënua shumë shpejt (3′) dhe publiku i pranishëm në “Qemal Stafën” tonë dhe e gjithë Shqipëria e kanë ndjekur me shumë kënaqësi ndeshjen deri në fund si fitimtarë… Ka qenë një pasim i Lin Shllakut nga e majta e sulmit tonë. Kam dribluar dhe sa i jam afruar tek zona e 16-shes në krahun nga tribuna qendrore, kam gjuajtur rrufeshëm në krahun e djathtë të portës daneze nga ana e qytetit. Portierit i ka kaluar topi nën duar, se ishte fare rrafsh me tokën dhe me shpejtësi shumë të madhe e godita plotësisht… Ishte goli i parë në shkallë evropiane dhe ndaj një skuadre shumë të fortë, e cila u rendit e 4-ta… Të mos harrohet edhe fakti tjetër: ne nuk pësuam gol…”, – përfundon lojtari shqiptar i shekullit. Në 24 ndeshje (12 për kampionatet evropiane) “Pushkashi i vogël” shqiptar realizoi 4 gola me përfaqësuesen dhe nga 34 gola ndërkombëtarë të “stilit Pano” me kombëtaren, Tiranën e Partizanin, ku 11 gola i përkasin “vitit të artë 1963”. Sa për statistikë, nga takimi i parë kundër Danimarkës në Kopenhagen, që nisi me një humbje 4-0 dhe deri te ai i fundit, 44 vjet më pas, ai me Rumaninë të përfunduar po më një humbje 6-1 në Bukuresht, Shqipëria ka zhvilluar 73 ndeshje, një më pak se ato në eliminatoret e kampionateve botërore, 74. Bilanci i Shqipërisë në ballafaqimet në kampionatet evropiane ofron këto statistika: 10 fitore, 7 barazime, 57 humbje; 47 gola të shënuar dhe 151 të pësuar (- 104, diferenca e golave). Euro 1964, 29 qershor 1963, Danimarkë-Shqipëri 4-0 golat: Jens Petersen 16′ pen, Ole Madsen 35′, Eyvind Clausen 40′, Henning Enoksen 49′ 30 tetor 1963 Shqipëri-Danimarkë 1-0 Golat: Panajot Pano 3’. “Evropianët” e parë kuqezinj Danimarkë-Shqipëri 4-0 Sulejman Maliqati, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Lin Shllaku, Lorenc Vorfi, Mehdi Bushati, Pavllo Bukoviku, Panajot Pano, Fiqiri Thoma Duro. Trajner Loro Boriçi. Shqipëri-Danimarkë 1-0 Shefqet Topi, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Lin Shllaku, Andon Zaho, Mehdi Bushati, Panajot Pano, Pavllo Bukoviku, Enver Ibërshimi. Trajner Zyber Konçi.

 

1968, Shqipëria eliminon Gjermaninë

Për Shqipërinë, Euro 1968 do të kujtohet si një nga kulmet e futbollit shqiptar. Nëse në Euro 1964 kaluam “traun” helen, pasi Greqia refuzoi të luante me Shqipërinë, e më pas Panajot Pano me golin e tij kundër Danimarkës, firmosi edhe fitoren e parë në Evropë, në Kampionatin e tretë Evropian, kuqezinjtë e drejtuar nga Loro Boriçi arritën rezultatin më të rëndësishëm në Evropë, teksa me barazimin 0-0 në Tiranë, i “hoqën qafe” Italisë, kampiones së ardhshme të Euro 1968, një nga pretendentët më të mëdhenj, Gjermaninë. Shqipëria bënte pjesë pikërisht në grupin 4, i vetmi me tri ekipe, kur shtatë të tjera ishin të gjithë me katër. Përballë kombëtares sonë dy kundërshtarë të mëdhenj: Gjermania, kampione e botës në vitin 1954 dhe Jugosllavia, që do të mbërrinte më pas deri në finalen e Euro 1968-ës. Në katër ndeshje nuk arritëm të shënonim asnjëherë, teksa pësuam 12 gola. Por, pikërisht në këto eliminatore është arritur edhe një nga rezultatet më të mëdha të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, i cili solli edhe fundin e aventurës së një kolosi si Gjermania në kualifikueset e Euro 1968-ës. Është pikërisht barazimi i vetëm i Shqipërisë në 14 takime të luajtura historike me Gjermaninë, në debutimin e saj të parë në një Kampionat Evropian. Një barazim 0-0 në Tiranë, si hakmarrje e asaj humbje poshtëruese 6-0 në Dortmund, pikërisht në ndeshjen hapëse eliminatore të turneut e ku, Gerd Myleri i famshëm, 7-herë golashënuesi më i mirë i Gjermanisë, 1-herë i Botërorit 1970 dhe 1-herë i Evropianit 1972, në debutimin e tij me fanellën e Gjermanisë na shënoi jo pak, por 4 gola. Sulmuesi i Këlnit, Johanes Lohr me dy golat e tij, kompletoi “shifrën tenistike”. Jugosllavia, të cilës i kishim hequr nga duart titullin e Ballkanit në vitin 1946, na mposhti dy herë: 2-0 në Tiranë dhe dyfishin në Beograd, 4-0. 19 lojtarë përdori trajneri i madh shqiptar Loro Boriçi gjatë katër takimeve, ku spikasin 3 portierë të ndryshëm: Mikel Janku (portier), Koço Dinella (portier), Jani Rama (portier), Fatmir Frashëri, Ali Mema, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Josif Kazanxhi, Niko Xhaçka, Skënder Hyka, Panajot Pano, Sabah Bizi, Bahri Ishka, Frederik Gjinali, Lin Shllaku, Medin Zhega, Lorenc Vorfi, Foto Andoni e Gani Xhafa. Në vitin 1934, kur Italia fitoi për herë të parë Kampionatin Botëror, një përqindje në trofeun e fituar kishte edhe klima fashiste e regjimit të Benito Musolinit, por fitimi i titullit të parë të Kampionatit Evropian, ishte krejtësisht një çështje fati. Edhe në këto finale vetëm katër vende morën pjesë për të diskutuar titullin. Edhe pse ishin parashikuar 4 takime, u luajtën 5 të tilla, me të veçantën se u luajtën dy takime finale. Përveç dy gjysmëfinaleve dhe një ndeshje për vendin e tretë. Shorti e vuri Italinë përballë Bashkimin Sovjetik. Pas 120 minutave ndeshja në “San Paolo” të Napolit (68 mijë shikues) përfundoi pa gola: 0-0. Për të vendosur fituesin u aplikuan jo gjuajtjet e penalltive, një rregull i vendosur më vonë, por hedhja e monedhës, duke e përcaktuar më parë secili kapiten anën e saj. Pra një lojë “kokë a pil”. Fati i buzëqeshi Italisë, pasi kapiteni rus Albert Shesternvoi zgjodhi anën e gabuar. Rendimenti i golave ishte shumë i ulët: në total 5 gola në katërt takime, ndërsa jugosllavi Dragan Xhajiç ishte edhe shënuesi më i mirë me 2 gola. Në gjysmëfinalen tjetër Jugosllavia fitoi 1-0 me Anglinë me golin e vonshëm të Xhajiç (87’), i cili fitoi edhe “këpucën e artë”, me vetëm dy gola të realizuar. Vendi i tretë u fitua nga Anglia, që mposhti Bashkimin Sovjetik: Bobi Çarlton në të 39’ dhe Geof Hurst në të 63’. Edhe finalja Itali-Jugosllavi është një histori më vete. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë: Xhajiç realizoi për jugosllavët në minutën e 39-të, ndërkohë që Italia barazoi vetëm dhjetë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt me Domenghinin (80’). Shtesat nuk e ndryshuan rezultatin, dhe në vend të zgjedhjes së fituesit me hedhjen e monedhës, dy ditë më pas u luajt një finale e dytë, po në Romë. Italia e udhëhequr nga legjendari Xhaçinto Faketi e Dino Xof në portë fitoi takimin e dytë Jugosllavisë 2-0, me gola të Rivës dhe Anastasit. 55 mijë shikues ishin të pranishëm në stadiumin “Olimpik” të Romës, në triumfin e parë të Italisë në Evropë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency