Një film që nuk lëviz për 100 minuta

0
165

Violeta Murati

filmi bota 8 kmNjë dramë shqiptare e mbetur në kënetën e Divjakës, histori internimi me skenar e regji të Iris Elezit me Thomas Logorecin, kanë guximin të propozojnë se nëse do të hapen dosjet e persekutimeve, do t’u jepej fuqi tjetër personazheve të filmit “Bota”, por e kundërta i përgjigjet realitetit të sotëm

Në pedonalen e Tiranës ka pak postera, por deri te porta e kinemasë “Millenium” nuk ka asnjë për filmin e ri shqiptar, “Bota”, që mban premierën. Një film që ka kushtuar në total 750 mijë euro, prej tyre 170 mijë euro dhënë nga Qendra Kombëtare Kinematografike, nuk ka vendosur asnjë zë në preventiv për promovimin apo strategji konkrete distribucioni.

Me këtë “vizion” se si ky film do marketohet jo vetëm brenda tregut kinematografik shqiptar, por edhe atë të huaj dje para mediave u shfaq premiera, por edhe u fol me një presion të lehtë për një nga plagët më të rënda që prek këtë pjesë, se paratë që hidhen nga taksapaguesit as kanë gjasa të rikthehen sërish në arkën e buxhetit të shtetit.

Kjo nuk është përvojë e parë. Në këta 24 vjet të gjitha filmat e financuar nga shteti mbyllen pas premierave në “arkiv”. Në këtë rast “këshilla” u jepen vetëm mediave, pse ka vdekur kritika në këto të fundit, duke e keqmenduar sikur të jetë ndonjë servis kinemaje.

Në këto punë aq të cekëta të gjithë kineastët, pa përjashtim nuk bëjnë gjë tjetër veçse lavdërojnë punët e njëri tjetrit, me të drejtën se takohen rrallë, se i tillë është edhe produksioni shqiptar!

Kjo parantezë, si paraprijë në “traumën” që ka kinemaja shqiptare pos faktit se ende nuk po goditet me skenarin e mirë, historinë. Skenariste dhe regjisore, në bashkëpunim me Thomas Logorecin, Iris Elezi provon për herë të parë filmin artistik, duke iu përgjigjur këtij shqetësimi me premierën e filmit “Bota”.

Në 100 minuta ka sjellë historinë, një javë në kënetë, në një vend statik, pa çuar kamerën gjëkundi, në asnjë qytet tjetër, në asnjë vend tjetër, veç në një vend, në një kasolle, në një “fshat” me tri pallate të zymta trashëguar nga diktatura ku nuk ndodh asgjë. Në 100 minuta qëndron aty, të perëndojë dielli, të bëhet natë e të zbardhë prapë dita në shi e baltë. Një grusht personazhesh që mbajnë ngjarjen, fabulën brenda një kioske, një lokal që e lidh me të shkuarën një rrugë e gjatë, ku dëgjohet muzika, një muzikë e kaluar, me tekstin ironik të kohës e një tjetër me pak romantizëm “të vjedhur”. Ky vend dhe këta personazhe sjellin një histori, ç’ka mbetur nga diktatura, njerëz të harruar në internim, në pamundësi për t’i ikur.

Duket si kthjellim politik kjo trajtesë, por jo Elezi mbetet tek njerëzit sot, pa treguar përmes tyre. Gjen dy rrëfimtarë, një të huaj e një shqiptar që nuk i përkasin këtij “vendi”. Historia ka gjasën të godasë. Rikthehet pas gjashtë vitesh aktori Artur Gorishti, në rolin e Benit, njeriut që mashtroi mbi viktimën, duke u marrë paratë e dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë kushërirës e në fund kjo pason krimin e tij, të fshehur. Gorishti i zhveshur nga “detyrat” për ta mbajtur dramën, për të mbërritur tek “aksioni” i tij, mashtrues, abuzues. Një personazh i beftë, herë i fajshëm, herë i pafajshëm e në fund mbytës i së vërtetës, si fundi në gjithë këto histori të sotme. Realist, Gorishti mbron një natyralitet aktorial, por që i jep një karakter kësaj historie.

Juli Toma, në rol Flonja Kodheli, ka thjeshtësi, aty bëhet e gjithë historia, fshihet e mbarset e zhduket në formën e saj më natyrale. Ajo ikën pasi gjithçka vetërrënohet, shembet pa asnjë forcë të detyrueshme nga jashtë, pa asnjë shenjë hakmarrjeje, rebelimi. Natyra romantike e këtij personazhi e shpëton herë-herë filmin nga zymtësia fragmentare e fillimit. Shpesh teksti dhe dialogët nuk kanë zhdërvjelltësinë e mendimit, në pak raste episodet tingëllojnë të stisura për të krijuar disa situate të qëllimshme. Por, kjo mundet prej karaktereve krejt të qarta që kanë personazhet, gjë që shfaqen më shume si ngucje mentale se saj defekte të tekstit.

Kjo kinema ka pavarësinë autoriale, krejt të dukshme kur sakrificat çojnë në përpjekjen për të vërtetën. Juli Toma e merr vesh në fund të filmit historinë e vërtetë të familjes së saj; nëna e pushkatuar, e internuar në Divjakë, ndërsa ishte divorcuar kur u dënua.

Historia e rreme, rrëfyer asaj; nëna vdiq nga infarkti në zemër. Zbulimi ndodh në fund kur aktori Guljem Radoja çon letrat e së vërtetës tek Juli Toma. Në këtë vend s’flitet për këto ngjarje të diktaturës, është një jetë rutinë e ditëve të sotme, pas së cilës kuptohen pasojat, “dënimi” për të jetuar aty ku nuk ndodh asgjë. Aty njerëzit gëzohen, jetojnë si në çdo vend tjetër të botës, në “botën” e vogël e të izoluar. Kjo është trauma që i ndjek, por që në film nuk i jep peshë të fortë, nuk ka të lënduar, e pranuar si një gjë e natyrshme. “Të dëmtuar, por të gjallë”, “ato pak gjëra të bukura nuk dinë se çfarë të bëjnë”… derisa e “vërteta”, sjellja e fundit fatale.

Mbi një përvojë një përvojë personale, sa koshiente ka qenë për internimet, persekutimet e diktaturës dhe për postraumat e saj Elezi, sa ka hulumtuar mbi histori konkrete?! Kësaj pyetje dhe pse pati afri klishe, Elezi ka pak vështirë të artikulojë atë realitet që vetëm sa e ka lënë tangjent në filmin e saj, duke kërkuar më shumë të shpëtojë një skenar filmi, dhe regjisorit të eksperimentojë mbi një formë dramatike që nis vakët, shpërthen dhe lë entuziazëm në party-in e “botës”, ku muzika si rrallë herë tërheq filmin si një shilarës magjik drejt shpëtimit. Filmi nuk ka mundime shpirtërore, as gjurmë trauma që të shkaktojë tek aktori tensionin psikologjik sa për të përmbytur gjendjet qoftë shpirtërore aq dhe psikike. “Bota” preket lehtas si mendim. Nuk ka ndonjë indipedencë autoriale për të kërkuar estetikën epike, traumën si një gjë e errët, porse filmi merr vlerë falë logjikës së stilit.

Prej nesër projeksionet do të jenë te “Millenium”, fati i një premiere që vjen nga të parat me çmim nga Lindja për Perëndimin, por nuk dihet nëse me këtë kinemaja shqiptare do të fitojë audiencën e humbur. Producentja e filmit, Sabina Kodra, thotë se ka një hendek mes filmit dhe shfaqjes së tij në kinema; një mision i pamundur e një plagë e madhe distribucioni!

Kjo është një nga dramat shqiptare, e mbetur në kënetën e Divjakës, histori internimi, të cilën Elezi thotë se pati guximin të propozonte se, nëse do të hapen dosjet e persekutimeve do t’u jepte fuqi tjetër personazheve të filmit “Bota”, por e kundërta i përgjigjet realitetit të sotëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency