Flet kreu i PD-së/ Basha: S’përjashtoj rikandidimin në Tiranë, më 22 nëntorprotesta për rritjen e çmimeve e taksave

0
108

S’ishim kundër ikjes së Ramës në Beograd, mungoi mirëpërgatitja.Vizita: U mbars mali e polli një mi

 Basha: S’ka kthim në Kuvend pa u plotësuar kushtet. Më 22 nëntor, protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe rritjes së taksave. Brenda 10 ditësh mblidhet Këshilli Kombëtar

 1002684_10152542867592198_4231588121540384091_nKreu i Partisë Demokratike dhe opozitës, Lulzim Basha, nuk përjashtoi dje rikandidimin në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se për këtë do të merret vendimi me forcën që ai drejton dhe partitë aleate. I ftuar në emisionin “Opinion” në “TV Klan” të gazetarit Blendi Fevziu, Basha komentoi edhe vizitën e Ramës në Beograd, ku theksoi se mbështeste kryerjen e saj, porse kundërshtonte nxitimin dhe mungesën e një rezultati konkret nga ana e saj. Po ashtu, kryedemokrati komentoi edhe mundësinë e rikthimit të opozitës në Kuvend si edhe aksionet ndaj vjedhësve të energjisë dhe ndërtimeve pa leje.

 

Do rikandidoni në Bashkinë e Tiranës?

Ky është një vendim që do merret brenda një kohe të shkurtër, do merret vendimi mbi bazën e konsultimit me forcën politike dhe aleatët.

 

Nuk e përjashtoni si mundësi rikandidimin?

Nuk e përjashtoj mundësinë që të rikandidoj sërish.

 

Mbas vizitës së tij, a keni ndryshuar mendim për vizitën e Kryeministrit?

Qëndrimi ynë ishte i qartë, në kushtet e nxehjes së marrëdhënieve pas ngjarjes në stadium, ishte që vizita të shtyhej. Ajo u shty, por sërish ajo nuk ndodhi në kushte.

 

Përse nuk ndodhi?

Sepse duhej të ishte e mirëpërgatitur me një axhendë konkrete dhe jo një vizitë për ekzibicion. Nuk jam dhe nuk kam qenë kundër takimit të Kryeministrit shqiptar dhe atij të Beogradit.

 

Po vizita?

Në qoftë se ju thoni se vetëm shkuarja atje ia vlente, unë nuk jam dakord. Një vizitë pas 68 vitesh nuk mund të jetë vizitë për ekzibicion, por duhet të ketë thelbin. Ka një histori marrëdhëniesh, e cila në funksion të zhvillimeve të Kosovës, ka pasur ulje-ngritjet e veta.

 

U nënshkruan tri marrëveshje…

Për një vizitë që u shpall si hapja e një faqeje të re janë shumë pak… ndërsa lidhur me Kosovën ishte e pamendueshme që Kryeministri të shkonte në Beograd dhe të mos përmendte pavarësinë e Kosovës. Ka 15 vjet që Kosova është çliruar, ka 7 vjet që është e pavarur, ka më shumë se një vit që ka filluar dialogu Kosovë-Serbi dhe Rama e ka për detyrë që të futet për ta avancuar këtë realitet, me propozime konkrete. Ato që i tha, i kishte për detyrë, ai duhet t’i thoshte më shumë në funksion të njohjes së Kosovës. Pyetja tjetër është se a i ka ngritur në takimin bilateral dhe nëse nuk e ka bërë është turp i madh. Ka një teknikë diplomatike, që këto çështje të ngrihen në takim biletaral. N.q.s. nisesh me mendimin se do bësh surpriza para gazetarëve, kjo nuk është serioze. Në forumin e biznesit u braktis, në atë nuk kishte asnjë përfaqësues të qeverisë së Serbisë, kjo është e turpshme.

 

Pra, e cilësoni si të dështuar vizitën?

Në kuptimin historik si pas 68 vitesh mund të cilësohet si e tillë, por nuk është produktive, as për marrëdhëniet mes dy vendeve, as për Kosovën e as për shqiptarët në Preshevë. Për këta duhet të kishte gjëra konkrete në takimin dypalësh dhe marrëveshje muaj përpara se të bëhej vizita

 

Po si e përkufizoni vizitën?

U mbars mali e polli një mi. U nis i papërgatitur, u kthye vetëm me një deklaratë për shtyp.

 

Djali i deputetes kishte pasur dy precedentë dhe kishte qenë i kërkuar. Si e gjykoni dorëheqjen e saj?

E mira do kishte qenë që pas vrasjes së parë të mos kishte kandiduar, por nuk është znj. Xhuvani pjesa më e zezë e deputetëve të kandiduar nga z. Rama në zgjedhjet e 23 qershorit. Ai ka bërë një aleancë me botën e krimit dhe të malavitës, ky standard ka bërë që deputetë të mazhorancës strehojnë në makinat e tyre trafikantë, gjatë një aksioni antidrogë. Këta e bëjnë ligjin sot. Ai ka bandën e tij të narkomanëve që kanë edhe të tjerë të afërm të PS-së, sot Policia është në urdhrat e tyre. Përderisa ministri i Brendshëm mbahet peng nga kriminelët më të rrezikshëm në këtë vend, ai është në presionin e vazhdueshëm në vendimmarrje nga kriminelët. Kjo polici është bërë partiake, dje janë bërë transferime në shkelje, para një jave janë bërë konkurse me telefon. Policia e Shtetit po bëhet gati që të jetë banda që do të godasë zgjedhjet e ardhshme politike. Në më shumë se 1 orë deklaratë dhe nuk ngushëlloi asnjë nga katër familjet e të vrarëve.

 

Standardi i dorëheqjes së znj. Xhuvani?

Nuk ka standard largimi, se kjo zonjë e nderuar nuk duhej të ishte në pistë pas asaj që ndodhi. Mos ta vinte atë ky kur e ka mbushur listën me të dënuar me vrasje, kriminelë trafikantë. Këta janë njerëz që janë zgjedhur nga Rama, me këtë po keqqeveris vendin. Këtu shteti qelbet era krim.

 

A mund të m’i thuash me emra?

Kemi një listë të plotë, ditë për ditë i denoncojmë, por problemi qëndron se nuk i dëgjon qeveria. Ka një mekanizëm që i ka hapur dyert krimit.

 

Rama tha hajde bëjmë marrëveshje për dekriminalizimin e Kuvendit…

Nuk tha ashtu ai, tha nuk e di çfarë kërkon opozita. Marrëveshja domethënëse mes mazhorancës dhe opozitës përmes çmontimit të mekanizmit të krimit, fshehja pas dëshmisë së penalitetit është turpi më i madh.

 

Ka pasur negociata nga ndërkombëtarët?

  1. Kryeministër nuk pranon të angazhohet në këtë proces, nuk pranon ndërkombëtarët. BER duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje, sepse me Ramën nuk ka garanci. Rama refuzon dhe për dy kushtet tona thotë nuk e di se çfarë janë.

 

Ka pasur negociata konkrete nga ndërkombëtarët me mazhorancën për të risjellë opozitën në Kuvend?

Sipas meje, ata e kuptojnë fare mirë paligjshmërinë që ka sjellë mazhoranca, ka një ndërgjegjësim për problematikën, ka pasur deklarata nga ndërkombëtarët që i bëjnë thirrje shumicës e në këtë kuptim unë jam optimist.

 

Kanë ardhur nga ndërkombëtarët të thonë se cilat janë kërkesat tuaja për të negociuar?

Po, kanë ardhur nga BE dhe SHBA.

 

Me çfarë kushtesh konkrete, PD kthehet në Parlament?

Asgjësohen të gjitha kërkesat e opozitës, ato për interpelancë edhe ato për komision hetimor. Na e rrëzuan kërkesën, e fituam në kushtetuese dhe pastaj nuk e morën parasysh. Në 10 korrik Kryeministri është filmuar që jep urdhër për dhunë ndaj një deputeti. Tani kushtet janë fare të qarta për rikthimin në Kuvend. Opozita nuk është kafsha shtëpiake e shumicës. Duam garanci që shumica kurrë më të mos vërë në pikëpyetje vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe sovranitetin e Kushtetutës. Shumica të mos e trajtojë si një zënkë, por si një sulm i mirorganizuar ndaj opozitës, por të angazhohet për ta çmontuar krimin në Kuvend. Ta bëjë këtë marrëveshje me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

 

Pra, s’do ktheheni në Parlament?

Nuk ka për të pasur kthim në Parlament derisa të plotësohen kushtet tona.

 

Kur pritet që PD të ketë një lidership të ri?

Procesi i zgjedhjeve po shkon drejt përfundimit. Me një udhëzim që ka për qëllim hapjen për postet drejtuese, brenda 10-ditëshit të ardhshëm do mblidhet Këshilli Kombëtar, do zgjedhë krerët e departamenteve, sekretarët funksionalë, sekretarët e përgjithshëm dhe nënkryetarët. Synojmë ta mbyllim brenda nëntorit.

 

Për prishjet e ndërtimeve dhe energjinë elektrike?

Njerëzit po vuajnë për bukën e gojës. Ku t’i gjejnë lekët ato për faturën e energjisë, s’ka asnjë familjar në punë. Nuk duhet të ketë një plan shteti këtu apo duhet vetëm të sillet si xhandar e të presë dritat se ky është dënim kolektiv. Shteti ka përgjegjësi të krijojë kushte për vende pune, ka rritur taksa, po i rrit sërish. Ky po prish shtëpi njerëzish.

 

Po për gjobat?

Unë kam qenë vetë ministër i Brendshëm dhe kërkova rritjen e gjobave, por a mund t’i thuash një shqiptari që të lërë rrogën e gjithë muajit për një gjobë? Ku është parë kjo në Evropë? Gjobat janë rritur dhe ti ke pasur 10 të vdekur vetëm në 7 ditë. Ne do dalim me amendamentet tona sërish për buxhetin, të mos rritet çmimi i energjisë, të mos rriten taksat. Këta nuk dëgjojnë dhe e vetmja mënyrë për t’u përballur është protesta. Çdo qytetar që është i prekur nga politikat e keqqeverisjes t;i bashkëngjitet protestës më 22 nëntor, në Tiranë, para Kryeministrisë.

 

Kjo do jetë e vetmja protestë?

Do jetë fillimi i protestës, e cila nuk do ndalet derisa qeveria të ndalet në rrugën e saj. Shqiptarëve po u përgatitet viti i qepës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency