Evropa/ Juncker nën ndryshime

0
130

 Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shpreh keqardhje për praktikën e tatimeve në Luksemburg për sipërmarrjet e mëdha. Por besueshmëria ndaj fjalëve të tij vlen pak, mendon Christoph Hasselbach

Juncker Jean-Claude Juncker ka nisur një ofensivë, por bukur vonë. Ka qenë gabim që nuk është deklaruar javën e kaluar për përzierjen e koncerneve ndërkombëtare në çështjet e evazioneve fiskale në vendlindjen e tij, pranoi ai. Ai shpreh keqardhje edhe për përparësitë fiskale që u janë dhënë koncerneve të mëdha. Me ditë të tëra Juncker nuk u paraqit fare në opinion, por në emër të tij fliste zëdhënësja e tij. Tani papritur, pasi që presioni rritej gjithnjë e më shumë, vendosi të paraqitet. Komisioni i BE ka vendosur ndërkohë që të futet rregulli i shkëmbimit automatik të informacioneve për marrëveshje rreth tatimeve. Me fjalë të tjera, në rrafshin evropian duhet të luftohet ajo që Juncker ka ndërtuar më shumë se 20 vite, në kohën kur ka qenë kryeministër apo ministër i Financave në Luksemburg. Ndaj edhe fjalët e tij të fundit duken si një përpjekje e Juncker që të hedhë hijen e harresës mbi rolin e tij të mëparshëm.

 

I gjithë shteti si model i kursimeve tatimore

Duket qartë se politikani nuk e ka kuptuar mprehtësinë e kësaj çështjeje, sepse në vendin e tij kjo ishte shndërruar në një normalitet. Luksemburgu me ndihmën e konstrukteve të komplikuara financiare u ka ofruar koncerneve të mëdha lehtësime tatimore në vlerë prej miliarda euro. Fakti që Juncker ka qenë në krye të vendit gati 20 vjet, është shpjeguar me frikën për zhvillimin e këtij vendi të vogël. Krijimi i një shteti si model kursimi për koncernet e mëdha ndërkombëtare ka mundësuar që gjysmë milioni luksemburgas të kenë të ardhurat më të larta për kokë njeriu në BE. Por Luksemburgu nuk ka qenë dhe nuk është rasti i vetëm. Edhe Irlanda dhe Holanda kanë ofruar lehtësime tatimore për koncernet e mëdha. Të gjitha qeveritë e kanë ditur këtë. Para pak ditësh, më shumë se 50 vende e kanë nënshkruar një marrëveshje për luftimin e evazionit fiskal dhe shkëmbimin e informacioneve. Edhe Luksemburgu e ka nënshkruar. Por deri tani ka munguar vendosmëria për tatimet e sipërmarrjeve të mëdha.

 

Paguan qytetari i rëndomtë

Që në vitin 2013 Komisioni i BE e ka nisur procesin e hetimeve kundër Irlandës, Holandës dhe Luksemburgut. Por vetëm për çështjet e konkurrencës jolojale, e jo për marrëveshje për lehtësimet tatimore. Por pikërisht këtu qëndron edhe problemi. Këtë e pranon edhe Juncker: ajo që lejohet juridikisht nuk do të thotë se është morale. Nëse një vend i BE u ofron koncerneve të mëdha lehtësime tatimore, do të thotë se kjo bëhet mbi kurrizin e të tjerëve, të cilët nuk mund të lejojnë lehtësime të këtilla. Në fund gjithmonë janë qytetarët ata të cilët i vuajnë pasojat dhe me tatime duhet të mbushin zbrazëtirat. Dhe pikërisht ky është skandali i lejimit të kësaj gare. Kjo ka çuar ujë në mullirin e atyre që duan të shkatërrojnë idenë evropiane. Ndaj nuk befason që Marine Le Pen menjëherë ka kërkuar dorëheqjen e Juncker. Kështu do të veprojnë edhe euroskeptikët e tjerë në mbarë Evropën.

 

Dorëheqja është pak e besueshme

Megjithatë Juncker do të mbetet Kryetar i Komisionit. Ai e ka mbështetjen e shumicës në Parlamentin Evropian. Procesi ka qenë i gjatë dhe i komplikuar, ndërkohë që shumë vendime politike kanë qenë të influencuara nga zhvillimet ekonomike, politike dhe gjeografike. Do të hapej një fuçi tepër e madhe nëse fillohet nga e para. Ndërkohë që kjo do të përhapte një ndjenjë të dështimeve të elitës evropiane. Juncker ka folur për “shansin e fundit të Evropës”, kur e ka prezantuar Komisionin e tij të ri. Por ajo që ka nënçmuar është që ai personalisht do të mund të cenonte këtë “shans të fundit”. Mbetet vetëm shpresa që BE do të nxjerrë mësime nga kjo aferë dhe do t’i jep fund tatimeve minimale për koncernet e mëdha. Në këtë çështje, mbështetja e opinionit është e sigurt.

(Marrë nga “Deutsche Welle”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency