Dështimi i takimit të dy kryeministrave

0
104

Nga Ermal SHEHU

colaboration2Askush nuk do të ishte në gjendje të mohonte faktin se ndeshja e 14 tetorit midis Shqipërisë e Serbisë ka prodhuar faktikisht një klimë të dukshme tensioni ndërmjet fqinjëve ballkanikë. Kjo u perceptua nga opinionet publike të dy vendeve kur fill pas saj nuk vonuan të citoheshin në media nga politikanët më të lartë përkatës deklarata, me karakter parullash, të nxitura nga nacionalizmi ekstrem që prodhon zakonisht ekzaltimi i turmave. E për t’u vënë sa më shpejt në rolin e prijësit të këtyre “kopeve” entuziaste, liderët kryeministra të dy vendeve, Rama e Vuçiç, duke mos dalë dot nga kornizat e liderëve të ngurtë ballkanik, vendosën bashkërisht shtyrjen e takimit të tyre të paracaktuar në Beograd. Gjithë ai “preokupim” politiko-institucional për një incident në një fushë futbolli dukej si një skenar i filmit “Koncert në vitin 36” ku gjakrat ndizeshin edhe për një këngë! Mbi këtë tablo popullore-politike u organizua takimi i 10 nëntorit. Duhet theksuar se ky takim nisi si i tillë me një seri incidentesh “të vogla” të karakterit diplomatik, duke përmendur “mungesën” (padëshirën) e Presidentit Nikoliç (në cilësinë e kryetarit të shtetit serb), për të vazhduar me mënjanimin nga protokolli i pritjes të flamurit shqiptar, duke nderuar përulësisht vetëm atë të Serbisë. Nuk dihet nëse kjo e fundit i ka shpëtuar “vëmendjes së syrit krenaro-estetik të Kryeministrit tonë”! Ajo çka dihet gjithsesi, është gjuha ekstremisht e kundërt si kahet e njëjtë të një magneti që përherë shtyjnë, pandryshueshmërish faktorëve kohë e hapësirë, njëri-tjetrin. E në fakt shumëkush mund të jetë ndier i çuditur për çka takimi prodhoi, fill pas deklaratave, edhe pse cektësia e dozat e larta të nacionalizmit kuazi-ekstrem që duket se ka kapluar së fundmi qytetarinë shqiptare, ka bërë jo pak dallkaukë të ndihen krenar për një kryeministër që është i zoti ta “zhveshë shpatën” edhe në mes të Beogradit. Por a ishte ky në fakt, qëllimi i vizitës së Kryeministrit tonë në fqinjin verior?! Absolutisht jo (këtë nuk do ta pranonte publikisht as vetë Rama). Nëse siç në kulisat politike e mediatike u trumbetua që më herët se kjo vizitë kishte së pari e më së shumti bekimin dhe ngulmimin e Kancelares së Gjermanisë Merkel, atëherë patjetër që çdo dozë e theksuar e nacionalizmit fondamental gjatë vizitës, për mentoren dhe aspiratat e saj në rajon, do të rezultonin të papranueshme. Sepse, në fakt, iniciativa e kësaj vizite u formulua më së pari në samitin që u mbajt në Berlin për Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit Kancelarja Gjermane u bëri thirrje liderëve ballkanikë për bashkëpunim reciprok, dialog e krijim urash ndërlidhjeje bashkëpunimi. Qartësisht pas takimit të 10 nëntorit shihet se arsyeja parësore e kryesore e vizitës së Kryeministrit tonë në Beograd, minimalisht ka devijuar nga konteksti i zanafillës. Shumëkush, pas deklaratave për shtyp, mendoi se ishte Kryeministri i Serbisë ai që kaloi masën sa u përket ideve të shprehura lidhur me mbarëvajtjen gjeopolitike të rajonit. E megjithatë përpos këtyre nuk duhet të harrojmë se palët gjendeshin në një takim dysh ku edhe përgjegjësia diplomatike për mbarëvajtjen ndahet kryesisht si e tillë (më dysh). Dukshëm u vu re se ndasia kryesore mes palëve pjesëmarrëse u bë “çështja e Kosovës” (e cila për hir të së vërtetës ka kohë që nuk trajtohet më si e tillë), për të cilën, me të vërtetat e një gjuhe tejet të drejtpërdrejtë dhe jashtë çdo konteksti diplomatik që përmban leksiku i fushës, Rama foli, duke ndezur te homologu mikpritës reagimin thuajse shovinist të një nacionalisti ekstremist. Për të gjetur një reagim të këtij lloji në nivele kaq të larta të hierarkisë politike serbe, lidhur me qëndrimin e tyre për pavarësinë e Kosovës, pa dyshim që do të na duhej të kthenim optikën larg në të kaluarën (ndoshta kohës së Millosheviçit). Kjo, pasi së pari gjithkush duhet të kujtojë se ajo çka Rama tha gjatë takimit të Beogradit, se pavarësia e Kosovës nuk mund të vihet në diskutim dhe se është një realitet i pamohueshëm, është thënë fillimisht në të njëjtin kontekst nga Kryeministri i Kosovës, Thaçi, në Bruksel gjatë takimeve me homologun e tij serb të asaj kohe, Ivica Daçiç. Dhe për hir të së vërtetës pas takimeve Thaçi-Daçiç askush (përfshi këtu si opinionin e brendshëm, ashtu dhe atë ndërkombëtar) nuk mund të ketë pasur edhe hijen më të vogël të dyshimit se ato mund të kenë rezultuar të dështuara, pasi konkretisht janë shoqëruar me marrëveshje bashkëpunimi dypalësh. Pra, në këtë kontekst, del se Serbia de facto e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe Sovran, e cila si e tillë është në gjendje të ketë sistemin e saj diplomatik duke mos i varur fatet te asnjë shtet tjetër, qoftë kjo edhe Shqipëria. Nëse takimi i Beogradit dhe klima që ai prodhoi nuk do të kishin rrjedhur atij konteksti, Kosova në një klimë diplomatike më të favorshme, ndoshta do të mund ti kërkonte dhe ti merrte Serbisë Reparacionet e luftës, gjë që duket se do të jetë e vonuar në kohë pas deklaratës agresioniste të Vuçiçit se “Kosova është Serbi”. Kjo është padyshim një “meritë” e pamohueshme e Kryeministrit tonë. Duket qartë se Rama kur ka shkuar në Serbi, gjënë e fundit që ka pasur në mendje ka qenë porosia e Kancelares Merkel. Ai duket të ketë mbërritur atje krejtësisht i pa interesuar për marrëdhënie dypalëshe me Serbinë, e tërësisht i pa intimiduar për fatet e Kosovës. Kjo, pasi për paralelizëm ai (Rama) nuk ka guxuar të jetë kaq i drejtpërdrejtë më herët me përfaqësuesit e lartë të shtetit Grek, sa i përket çështjes çame, e cila gjithashtu rezulton historikisht të jetë një realitet plagëhapur i pamohueshëm shqiptar ! Përse ky dystandard diplomatik…?! Gjithsesi duhet theksuar se përpos dështimit të takimit të dy kryeministrave (gjatë të cilit mbizotëruan mjeshtëria demagogjike dhe egomania dypalëshe), sa i përket qëllimit të tij kryesor, atij të ndërtimit të urave lidhëse për bashkëpunim, padyshim që atyre ky takim për “diçka” u shërbeu. Në rrafshin personal sot të dy kryeministrat përfliten nga turmat si heronjtë e momentit në vendet përkatëse. Njëri për faktin se nuk lejon t’i ulet dinjiteti i vendit të vet, tjetri që shihet si një dron me mesazhe thumbuese që më së paku fitoi “ndeshjen” 3 me 0 në tavolinë, në fushë kundërshtare. Në këtë kuadër, qytetaritë e të dy vendeve mbahen sot të presuara në istikamet ekstreme nacionale, duke harruar problematikat e përditshme jetësore, pasi që politika kësaj radhe vetë ofrohet (madje bën çmos) t’i dehë “falas” me një kupë të vjetër patriotizmi, nga qilari i psikotropëve për popullin! S’ka dyshim që Ballkani nuk shquhet si një rajon tradicionalisht i qetë, le të shpresojmë se kësaj radhe si rezultat i kësaj diplomacie nuk vegjetojmë në kufijtë e shprehjes që historia rezervon për këtë gadishull!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency