Miqësoret/ De Biazi dhe Cana, të gatshëm për të fituar ndaj Francës dhe Italisë

0
109

Tekniku italian dhe kapiteni kuqezi janë shprehur se këto ndeshje janë mjaft të rëndësishme dhe e ndihmojnë shumë skuadrën për të përparuar në lojën e saj në grup

de biasiPërballjet miqësore kundër Francës dhe Italisë do t’i shërbejnë kombëtares kuqezi për të fituar sa më shumë përvojë. Një grup, i cili ka në përbërje lojtarët e formacionit bazë, por edhe disa elementë të rinj që pritet të provohen nëse janë të aftë për të qenë në ndeshjet eliminatore ose jo. Italiani De Biazi u shpreh se është mjaft i bindur që këto ndeshje do t’i shërbejnë shumë skuadrës, pasi përfitojnë përvojë shtesë. ”Duhet të fitojmë sa më shumë përvojë, pasi luajmë ndaj dy skuadrave të forta. Kur luan ndaj ekipeve të këtij niveli, ka shumë rëndësi paraqitja. Do të kërkojmë të mos pësojmë gola dhe të shfaqemi në fushë siç kemi bërë ndeshjet e fundit. Kam disa mungesa të rëndësishme, si Xhaka e Kaçe, prandaj nuk kam marrë një vendim për formacionin”. Çështja “Meha” është një ndër debatet që qarkullon për përzgjedhjen e trajnerit, por De Biazi është shprehur se është i qartë për situatën e mesfushorit të Paderbornit, i cili nuk është grumbulluar për këto dy përballje. Kur kanë kaluar 11 ndeshje nga kampionati gjerman, Meha nuk ka luajtur në pesë të parat, ndërsa në të gjashtën u aktivizua vetëm 12 minuta. “Kur e grumbullova për Danimarkën dhe Serbinë, e kuptova që nuk ishte në kondicionin e duhur fizik. Tani po luan në vazhdimësi dhe ka shënuar një gol, por nuk besoj se është në gjendje të mirë me vetëm 150 minuta aktivizim. Meqë këto janë dy miqësore, mendova për të mirën e klubit, lojtarit dhe kombëtares, por dikush te Paderborni është ankuar. Gjithsesi, ky është problemi i tyre”. Gjithashtu, ai deklaroi se këto dy sfida ndihmojnë grupin të ambientohen dhe për këtë fakt janë të një rëndësie të veçantë. “Në këto dy sfida nuk do të shkojmë për shëtitje. Ne do të kërkojmë të mos humbasim, madje po të na jepet mundësia, do të kërkojmë edhe fitore”. I të njëjtit mendim është edhe kapiteni Lorik Cana, i cili thekson se ndeshjet me kombëtaren nuk i konsideron asnjëherë si miqësore. Ai zbulon edhe një detaj interesant të vitit 2006, edhe pse 3 vjet më parë kishte zgjedhur të përfaqësonte Shqipërinë. “Të përfaqësoj Shqipërinë në Francë është një gjë e veçantë për mua. Në vitin 2006 Raimond Domenek më tha që nëse do të luaja për Francën, do të kisha shkuar në Botëror, por unë nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë”. Si kapiten në fushën e lojës, Cana drejton djemtë kuqezi, por karriera e tij një ditë do të përfundojë dhe ai shikon një kandidat në veçanti si pasardhësin e tij më të mundshëm. “Do të luaj sa të kem mundësi fizikisht. Besoj se pas meje shiritin e kapitenit do ta marrë Mërgim Mavraj, pasi ai është një lider në fushën e lojës”. Cana gjithashtu u shpreh se dëshiron që përvojën e tij ta përcjellë te të rinjtë. “Unë nuk jam më i vjetri në moshë, por lojtari më me përvojë në kombëtare. Që nga viti 2003, luaj me Shqipërinë. Tani kam 79 ndeshje me kombëtaren dhe kundër Francës do të thyej rekordin në këtë aspekt. Unë po përpiqem për ta vënë përvojën time në shërbim të të rinjve, për t’i ndihmuar ata”, – ka thënë kapiteni.

 

Kombëtarja fiton çmimin “Hasan Prishtina”

Në ditën e dytë të përgatitjeve të kuqezinjve në kuadër të miqësoreve me Francën dhe Italinë, përfaqësuesja shqiptare mori një dhuratë të bukur nga Shoqata për Kthimin e të Shpërngulurve në Trojet e Tyre. Kreu i kësaj Shoqate, Jahja Lluka, i dorëzoi kapitenit Lorik Cana, si përfaqësues i kuqezinjve, çmimin “Hasan Prishtina”, për merita të veçanta në mbrojtje të simboleve kombëtare, identitetit dhe dinjitetit shqiptar në ndeshjen e 14 tetorit në Beograd, Serbi – Shqipëri. Ky çmim u është akorduar personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe botërore, ndër të cilët mund të veçojmë ish-presidentin e SHBA-së, Bill Klinton. Ndërkohë, kombëtarja kuqezi e shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke i dhuruar kësaj Shoqate fanellën me numër 5 të Lorik Canës, e firmosur nga të gjithë futbollistët e kombëtares.

 

 Shqipëria U-19 humbet ndaj Danimarkës

Ekipi kombëtar i Shqipërisë, në kategorinë U-19, e ka nisur me humbje garën eliminatore për Kampionatin Evropian për këtë grupmoshë, “Greqia 2015”. Shqipëria u mposht nga Danimarka me rezultatin 1-0. Ndeshjet e grupit 7 zhvillohen në Portugali. Me këtë humbje Shqipërisë i janë minimizuar gjasat për kualifikim, pasi ndeshjet e ardhshme do t’i zhvillojë kundër dy favoritëve të këtij grupi, Portugalisë e Uellsit. Shqipëria drejtohet nga trajneri dhe ish-futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala, që njëherësh debutoi me humbje në postin udhëheqës të ekipit U-19.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency