Mandalà, një edicion kritik për Matrangën

0
163

 Kastriot Marku

downloadBotimi kritik i “E mbsuame e krështerë” e Lekë Matrangës dhe fillimi i riatdhesimit të letërsisë arbëreshe, model solid që garanton një trajtim perspektiv dhe dinjitoz të letërsisë shqiptare. Matteo Mandalà: Lekë Matranga: njeriu koha vepra. Me botimin kritik të varianteve dorëshkrim e të shtypur të veprës “E mbsuame e krështerë”, 1592, Ombra GVG, Tiranë, 2012

 Më në fund shkrimtarin më të vjetër arbëresh dhe të dytin sipas kronologjisë së letërsisë shqipe, Lekë Matranga, tashmë e kemi në dorë të përgatitur në një edicion kritik dinjitoz, sikurse e meritonte, nga filologu i njohur arbëresh Matteo Mandalà. Nxënës besnik i Etërve të tij si Giuseppe Valentini, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Francesco Solano, Antonio Guxeta dhe posaçërisht Eqrem Çabej, Matteo Mandalà dëshmon më së miri me këtë vepërformimin dhe prirjen e tij strukturaliste në gjuhësi përmes një përgatitje filologjike shembullore nëpërmjet së cilës dëshmon se njeh mirë narratologjinë dhe semiotikën, duke na prezantuar kështu studiuesin solid dhe të munguar prej kohësh në studimet albanologjike. Për të mbërritur deri tek botimi i kritik i veprës së Lekë Matrangës, atij i janë dashur 20 vjet kërkime e studime përgjatë viteve 1984-2004, derisa u botua së pari në italisht në vitin 2004 dhe u ribotua pastetë vitesh i përkthyer në shqip. Që në fillesat e kërkimeve të tij albanologjike, Matteo Mandalà ka punuar për shumë vite në një nga arkivat më të rëndësishëm arbëreshë, në atë të Seminarit arbëresh të Palermos të themeluar nga Atë Gjergj Guxeta që sot ndodhet në Horën e Arbëreshëve, e ku ruhen materiale civile dhe fetare qysh nga gjysma e dytë e shek. XVI. Këtu ai ka pasur rastin të gjejë mjaft dokumente që hidhnin dritë në disa nga nyjat e pazgjidhura deri atëbotë, lidhur me jetën dhe personalitetin Lekë Matrangës, sikurse ishin akti i pagëzimit që përmbante datën e saktë të lindjes, akti i martesës apo ata të lindjes së fëmijëve të tij. Listës së këtyre dokumenteve iu shtuan me kohë edhe dokumente të tjera të cilat përmbanin të dhëna mbi detyrat e ndryshme me të cilat qe ngarkuar Matranga, si ajo e “mësuesit të shkollës” apo e kryepriftit të katedrales së Horës etj. Ky kërkim arkivor i frytshëm shërbeu si shtysë e mëtejshme për të ndërmarrë kërkime të tjera më të thelluara në arkivat e Palermos, Monreales dhe Romës, ku ai gjeti të tjera të dhëna të panjohura, ku mbi të gjitha spikatnjë kopje e librit të shtypur të Matrangës, e vetmja kopje e plotë që njohim. Ky me sa duket ka qenë rasti i duhur që studiuesi arbëresh të vendoste ndërmarrjen e hartimit të monografisë së plotë mbi jetën dhe veprën e bashkëfshatarit të tij të shquar, duke përfshirë në të edhe tekstet e “Të mbsuame e krështerë” si pjesë e projektit BETA (Biblioteka elektronike e teksteve arbëreshe), përpunuar nga miku dhe kolegu i tij në Kozencë, Francesco Altimari, i cili do t’i përfshinte në projektin e tij krahas veprave të tjera klasike të letërsisë arbëreshe. Për ta realizuar më së miri njëherazi studimin dhe botimin, atij i është dashur të bëjë një analizë rigoroze kritiko-filologjike të të gjitha botimeve pararendëse, që për fat Matrangës nuk i kanë munguar, e që secili syresh ka sjellë një cilësi të re në udhën e shkencës ekdotike në studimet tona. Por në mënyrë që të arrihej në një rezultat cilësisht të ndryshëm nga sa ishte mbërritur nga botimet e mëparshme, duke korrigjuar mjaft gabime në punën e studiuesve pararendës, duhej medoemos një botim i ri. Shqyrtimi i vëmendshëm kritik i të gjitha studimeve pararendëse të realizuara nga Marko La Piana (1912), At Justin Rrota (1931), Mario Roques (1932), Kolë Ashta (1957, 1965, 1998), Selman Riza (1960, 1962, 2002), botimi kritik i Matteo Shambrës në vitin 1964, deri tek botimi i plotë diplomatik i Fadil Sulejmanit (Prishtinë, 1979), kanë sjellë të ndërtuar kështu një histori redaksionale të kësaj vepre, studime të cilat nuk i kishin shteruar dhe zgjidhur të gjitha çështjet, pra kishin lënë të hapura ende shtigje studimore të cilat janë përthelluar dhe u çuar më tej, duke propozuar, argumentuar dhe interpretuar të gjitha ato çfarë ishin thënë në botimet dhe studimet pararendëse nga pothuajse të gjithë studiuesit e mësipërm që janë marrë më këtë vepër, por që sipas Mandalasë duke qenë se me sa duket nuk kanë punuar me tekstin origjinal, kjo ka bërë që të ketë pasur lëshime të natyrave të natyrshme, sepse nuk është ndjekur më vëmendje këshilla e Eqrem Çabejit e dhënë në vitin 1959, rreth interpretimit filologjik të teksteve, udhë e cila të çon tek përgatitja e botimit kritik. Për të gjitha këto arsye ndjehej nevoja e një rimarrje rrënjësore për të mbërritur tek një botim i ri kritik i veprës së Matrangës, çfarë do të thoshte se botimet e mëparshme nuk e kishin tagrin e plotë të botimit kritik sipas vullnetit të fundmë të autorit. Ndaj pikërisht prej këtij procesi historik të përfunduar, lindte si domosdoshmëri nevoja e një botimi të ri kritik të veprës së Matrangës, që tashmë e kemi në duar.

Botimi i ri në fakt, përveç dokumenteve dhe të dhënave të reja arkivore përmban edhe interpretime të reja tekstore që kanë përcaktuar dy rezultate: nga njëra anë, një rishqyrtim të analizave të kryera ndër vite dhe, nga ana tjetër, një rindërtim të historisë dhe të procesit të shkrimit të dorëshkrimeve dhe të botimit të librit të shtypur, duke nxjerrë në pah kufizimet që kishin karakterizuar botimet pararendëse, duke ndrequr të metat dhe defektet që i kanë karakterizuar ato, për ta sjellë kështu në një perspektivë të re inovative dhe solide bazuar në kërkimet e fundit arkivore bibliofilike dhe mbi të gjitha duke e stabilizuar metodologjikisht mbështetur mbi filologjinë dhe praktikën tekstore, e cila garanton një trajtim dinjitoz këtyre teksteve. Pas gjithë këtij itinerari të gjatë pune Lukë Matranga vjen i hijshëm në duart e lexuesve dhe studiuesve të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Vepra është e ndarë në dhjetë kapituj, të paraprirë nga një parafjalë dhe një hyrje e titulluar çështje paraprake (f. 13-26),në të cilën Mandalà shqyrton tre variantet dorëshkrimore të përmbledhura në Codice Barberini Latino 3454, i përbërë ky nga 86 fletë gjithsej e që ruhen në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, të cilat i përshkruan imtësisht duke dalluar ndërhyrjet e disa (katër) duarve anonime në këto dorëshkrime dhe bashkë me to edhe llojet e ndryshme të letrës, bojës, grafisë etj. Kështu vërtetohet se Lekë Matranga ka shkruar Letrën e kushtimit, Këngën e Përshpirtshme, dhe Tekstin e katekizmit në italisht e në shqip, Bartolomeo De Miranda ka nënshkruar lejen miratuese zyrtare të shtypjes (ìmprimatur), dhe Tomaso Raggio ka dhënë lejen e botimit (nihil obstat). Nga ky përshkrim fizik ai selekton disa të dhëna me rëndësi të cilat flasin për disa faza të shkrimit të teksteve përkatëse dhe që përfaqësojnë njëkohësisht edhe tri fazat e punës për përgatitjen e veprës për shtyp, shkrimi i veprës në dorë të parë, rishikimin e parë, rishikimin e dytë prej të cilit edhe doli teksti i shtypur, ndërkohë që mbeten anonimë tre personazhet që shkruan përkatësisht dorëshkrimin e dytë dhe të tretë. Më pas merr në shqyrtim botimin e shtypur, duke rindërtuar plotësisht kështu historinë e të vetmit ekzemplar të shtypur që njohim deri më sot, i cili më pas rezultoi i vjedhur në Bibliotekën e Vatikanit, por që fatmirësisht një kësombël e këtij ekzemplari ruhej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, lënë aty nga Zef Skiroi, nipi i Imzot Pal Skiroit. Studiuesi, bazuar në krahasimet e kësaj kopjeje me një tjetër kopje që gjeti përgjatë kërkimeve në “Bibliotekën Angelica” në Romë, mendon se këta dy ekzemplarë (dy emisione të ndryshme), dëshmojnë dy gjendje të ndryshme të të njëjtit botim. Pra forma dhe përmbajtja e tekstit është parë duke hetuar dhe ndjekur një punë zanafillore që ka nisur me ndjekjen e marrëdhënieve mes parateksteve (dorëshkrimeve) dhe teksteve (të botuara) për të mbërritur më në fund tek ndërtimi i tekstit autentik.

Në kapitullin e parë me titull “Lekë Matranga dhe koha e tij” (f. 27-56), merret në shqyrtim jeta e Matrangës. Mësojmë se të parët e familjes së Lekë Matrangës erdhën me grupin e parë të refugjatëve në Horë në vitin 1493, vetëm pesë vjet më vonë kur arbëreshët kishin themeluar këtë fshat në vitin 1488. Mandalà ka rishqyrtuar me rigorozitet kontributet e mëparshme të studiuesve të tjerë që janë marrë me jetën e Lekë Matrangës, e më pas ka kryer hulumtime sistematike mbi jetën e këtij shkrimtari në arkivat më të rëndësishëm arbëreshë, sidomos në atë të Seminarit arbëresh të Palermos që gjendet në Horën e Arbëreshëve, ku ruhen materiale civile dhe fetare qysh nga gjysma e dytë e shek. XVI, hulumtime që veçohen për një rreptësi shkencore e cila e më në fund ka mundur ta inkuadrojë mjaft qartë personalitetin e këtij shkrimtari në kontekstin historiko-kulturor të kohës në të cilën ai jetoi e punoi. Kërkimi nëpër arkivat famullitare të kryesisht në Arkivin e Katedrales së Shën Mitrit në Horë në regjistrat e pagëzimit por edhe në Monreale, kërkimet e thelluara më pas në arkivat e tjerë të Palermos, Monreales dhe Romës, shqyrtimi, rishikimi dhe rileximi i vëmendshëm dhe kritik i materialeve dokumentare të nxjerra prej tyre, skajimi i interpretimeve të përcipta të bëra më parë nga studiues të ndryshëm ardhur si pasojë e mosnjohjes së ngjarjeve të historisë lokale ka bërë që jo vetëm të hidhet dritë por edhe të ndërtohen rishtas disa nga momentet deri asokohe të panjohura të jetës dhe të personalitetit të Lekë Matrangës. Ai është mbështetur në dokumente duke na paraqitur kësisoj të ilustruar dokumente si akti i pagëzimit, akti i lindjes, si dhe mjaft përsaktësime rreth martesës, pagëzimit të tetë fëmijëve, qëndrimit në Romë dhe formimit në Kolegjin grek (1582-1587), punën si mësues dhe pozitën dhe prestigjin e lartë që gëzoi në jetën shoqërore të Horës, shugurimin si prift i ritit bizantin (1601), ushtrimin e detyrës meshtarake dhe atë të famullitarit,vikarit dhe kryepriftit të katedrales (1613), një profil i plotë ky shumë me rëndësi, përmes të cilit ndërtohet konteksti historiko-kulturor jo vetëm i Lekë Matrangës, por i të gjitha zhvillimeve kulturore arbëreshë në Sicili dhe Italinë e Jugut në përgjithësi në shekujt XVI-XVII.

Vepra e Matrangës E mbsuame e krështerë, si dëshmia më e vjetër pas Meshari-t të Gjon Buzukut dhe njëkohëshit si dëshmia e parë në toskërishten jugore, përbën një dokument me vlerë të madhe gjuhësore dhe letrare për njohjen dhe rindërtimin e kësaj faze arkaike të gjuhës shqipe edhe njëherit si një ballafaqim i dy kryedialekteve të shqipes. Pasi përshkruan sistemin alfabetik të dorëshkrimeve, variantin autograf të autorit, Mandalà merret me përkthimin e Matrangës, sidomos greqizmat, të cilat sipas tij janë përdorur pa nevojë. Në fund të këtij punimi, një vend të posaçëm zë Canzona spirituale, e njohur nga studiues të ndryshëm si i pari krijim poetik në letërsinë shqipe, për të cilin Mandalà pajtohet me mendimin se “...megjithëse rrethanat historike e ngritën në nivelin e krimit të parë poetik të letërsisë së kultivuar shqipe, në krye të herës kishte qëllime krejt të ndryshme nga ato letrare” (f. 58). Ajo ishte pjesë e këngëve të përshpirtshme të shek. XVI, ku teknika e krijimit letrar dhe ajo e ekzekutimit muzikor ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, por njohja dhe aplikimi i rregullave dhe teknikave themelore të vjershërimit bënë që me këtë këngë të përshpirtshme të nisë tradita e mirënjohur letrare arbëreshe.

Botimi i veprës së Matrangës ka ndodhur në një kohë trazirash sikurse ishte ajo e Reformës dhe Kundërreformës, në kryqëzimin e të cilës u gjenden Buzuku dhe Matranga. Studimi sjell në studimet mbi Matrangën dhe letërsinë e vjetër shqipe aspekte të panjohura më parë, jo vetëm sa i takon jetës dhe personalitetit të Lekë Matrangës, formimit të tij kulturor, kushteve historiko-kulturore dhe fetare të kohës në kontekstin Kundërreformës, të cilat ndikuan në një masë të konsiderueshme në veprimtarinë e tij përkthimore dhe botuese modeste për nga sasia vëllimore, por edhe të mjedisit arbëresh të asaj kohe, parë në kontekstin e sotëm si me rëndësi të madhe në historinë kulturore gjuhësore e letrare gjithëshqiptare. Pra studimi ngërthen të gjithë gjeografinë kërkimore studimore sikurse e përmendëm nga shkrimi i tekstit, botimi e deri tek përdorimin i tij pra leximi. Arsyet që e shtynë Matrangën të përkthente në gjuhën shqipe katekizmin e Ledezmës si dhe udhënyjet që lidheshin me marrëdhëniet mes tekstit origjinal në italisht dhe atij të përkthyer nga Matranga janë trajtuar me një hollësi vështrimore origjinale, tërësisht kritike duke përvijuar kështu një planvendosje konkretësie historiko-kulturore të kontekstit të një libri të vetëm, çfarë të bën të mendosh se në gjendjen e sotme të kërkimeve shqipe nuk ka mbetur asgjë e paprekur rrënjësisht dhe po ashtu i është përcjellë në mënyrën më të detajuar dhe më profesionale të mundshme, prej ku studimet e pritshme në të ardhmen mund ta përvijojnë udhën e tyre në një taban tërësisht të sigurt. Libri i Matrangës ka ushtruar ndikimin e tij të rëndësishëm në ngjarjet dhe zhvillimet e mëvonshme kulturore ndër arbëreshët e Sicilisë dhe jo vetëm. Mandalà ka shtënë në dorë të gjithë aksesorët e mundshëm pjesëmarrës në punën kritike për rindërtimin e historisë së shkrimit të teksteve për realizimin e këtij projekti modest editorial të shek. XVI,një proces ky që në rastin e “E mbsuame e krështerë” ka qenë fort i vështirë e që ka përfshirë shumë aktorë që tërthorazi direkt apo indirekt janë bërë pjesë e tij dhe mbi bazën e tyre ka ndërtuar pothuaj të gjithë veprimtarinë e këtyre “personazheve” që kanë “prodhuar” këto tekste sikurse porositësi i librit Ludoviku II Torres dhe nënshkruesi i deklaratës së pajtueshmërisë së përkthimit të tekstit të veprës me origjinali Tommaso Raggio, autori i veprës origjinale (Diege da Ledesma), përkthyesi (Lekë Matranga), rishikuesi që kreu rishikimin e tekstit autograf(simbas gjasave një shqiptar anonim me prejardhje gege), kopistiqë shkroi kopjen për shtypshkronjën,punëtorët e shtypshkronjës,radhitësi, tipografindreqësi i bocave që hodhën në karaktere shtypi tekstin dorëshkrim, shtypshkronjën Faccioti e cila shtypi librin dhe më në fund lexuesin që mori në dorë veprën e Matrangës, për t’u përplotësuar më tej edhe me të dhëna të tjera ndihmëse jashtëtekstore, të cilat kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme në shtrimin, shpjegimin dhe kuptimin e një seri operacionesh dhe aspekteve të mirëfillta të punës filologjike që e bëjnë në një kuptim tjetër procesin shkrimit, atë editorial të prodhimit të librit dhe më pas atë të horizontit të pritjes nga publiku të këtij libri,një rast unikal dhe fatlum njëherësh në historinë tekstologjisë shqipe. Në shekullin e Gutenbergut, pas futjes se shkrimit me karaktere mobile, përmes kësaj vepre lexuesi dhe studiuesit i jepet mundësia të ndjekë të gjithë procesin e hartimit dhe shtypjes së librit.“E mbsuame e krështerë” e Matrangës i përmbush të gjitha kriteret për t’iu përgjigjur pyetjeve që shtrojnë zakonisht studiuesit e filologjisë së librave të shtypur, sidomos atyre që i përkasin shek. XVI.

Autori përmes studimit përvijon të gjithë udhën e ndjekur deri në finalizimin e tij duke nisur nga shqyrtimi i të vetmes ksombël të botimit të shtypur që njihej deri atëherë e që ruhej në Bibliotekën e Vatikanit para se të vidhej, më pas merr në konsideratë e fotokopjen e saj që ruhej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, e cila për të rezultonte të ishte e pamjaftueshme për një analizë korrekte filologjike, më tej gjen e variantin autograf në Romë dhe shqyrton marrëdhëniet mes këtyre dhe botimit të shtypur; arrin të gjejë një tjetër kësombël të shtypur në bibliotekën “Angelica” në Romë, kopje kjo e cila nuk përputhej me atë që humbi; merr në shqyrtim dy variantet e mëvonshme jo autografe dhe marrëdhëniet mes këtyre me botimin e shtypur;merr në shqyrtim veprimtarinë përzgjedhëse lidhur me shtypshkronjën e më pas qarkullimin dhe shpërndarjen e librit të shtypur për të përfunduar me përdorimin e tij praktik në mësimdhënien e doktrinës së krishterë në mjediset arbëreshe të Sicilisë. Qasja e veprës dhe autorit në një kontekst gjithëpërfshirës historik, ndjekja e kujdesshme hap pas hapi deri në imtësi përmes këqyrjes tejet të vëmendshme të dorëshkrimeve dhe të veprimtarisë së mundshme dhe reale të të gjithë aktorëve pjesëmarrës në këtë proces, jo vetëm kanë rezultuar më rëndësi parësore në studimin e tekstit të Matrangës, por njëkohësisht ka dhënë një strukturë studimore model në trajtimin e ngjashëm të teksteve të vjetra. Modeli i studimeve filologjike shqiptare i çelur në mënyrë të shkëlqyer nga Eqrem Çabej, propozuar fillimisht si platformë metodologjike e më pas realizuar konkretisht përmes botimit kritik të Mesharit të Gjon Buzukut, tashmë mund të themi me bindje të plotë se është përplotësuar në një version të përditësuar pothuajse krejtësisht të ri nga Matteo Mandalà. Studiuesi nuk është kufizuar vetëm në natyrën e brendshme të teksteve, por edhe në trajtime të natyrës historiko-kulturore mbi veprimtarinë e arbëreshëve duke dalë prej andej me mjaft përsaktësime me rëndësi për të riparë pleksjet problemore filologjike të bëra më parë nga studiues të ndryshëm. Janë rindërtuar kronologjikisht të dhëna për datimin e shkrimit të secilit prej dorëshkrimeve, rishkrimit, kopjimit, botimit dhe ribotimit të teksteve të shtypura, duke rindërtuar kështu një histori të redaktimit të veprave sikurse e meriton botimi kritik. Janë përcaktuar kufijtë kohorë të saktë e të përafërt të shkrimit të tyre, për aq sa ka qenë e mundur, duke ndjekur një sistem rigoroz studimi. Që të arrinte në përfundime bindëse, autorit i është dashur para së gjithash të shqyrtojë me imtësi sikurse e përmendëm më sipër burimet arkivore, të veçojë të gjitha njësitë arkivore, të identifikojë autorësinë dhe kohën e realizimit të dorëshkrimeve, kopjimeve dhe mbi bazën e vërejtjeve filologjike të përftuara nga lidhja e dëshmive të ndryshme që ka konsultuar, si dhe shqyrtimit të imtësishëm të karakteristikave gjuhësore, leksikore, grafiko-alfabetike, të arrijë në rindërtimin e burimeve dhe transmetimit të teksteve, të cilat në shkallën e njohjes së gjertanishme në dijen albanologjike e konsiderojmë absolutisht më të vlershmin derisa prirje të reja arkivore të mundshme të kërkojnë rishikimin e tyre, gjë që me sa duket do të jetë tejet e vështirë sikundër e thamë për vetë itinerarin hulumtues, pothuajse shterues që ka kryer Mandalà. Mandalàsë i është dashur të kapërcejë mjaft vështirësi, falë duresës në gjetjen dhe krahasimin e dëshmive tekstuale të të gjithë burimologjisë dokumentare dorëshkrimore dhe atë të botuar shkoqitjes së hollësishme të saj duke mbërritur deri në atë pikë sa të na sjellë para nesh të gjithë procesin e editimit të librit jo vetëm të Matrangës, për të kohës mesjetare. Ky proces ka synuar rindërtimin tekstor gjuhësor mbështetur në burimologjinë dokumentare dorëshkrimore dhe atë editoriale paraprirë dhe shtjelluar kjo në duke rindërtuar thuajse të plotë kontekstin historik, kulturor, gjuhësor dhe letrar me të gjitha ndikimet, dallimet, interferimet e mundshme që ka mundur të shkoqisë në sajë të dhënave gjuhësore të luhatura për të mos thënë kontradiktore, të cilat në rastin më të keq të mundshëm do të mund kompromentonin rindërtimin e këtij teksti ashtu sikurse duhej, duke hamendësuar luhatjet mes ushtrimesh të pasigurta të autorit me problematikën editoriale, qasje e cila ka arritur të na japë të shpaluar një provë bindëse origjinale të historikut diakronik të botimit të këtyre teksteve. Çështjeve që kanë të bëjnë me përcaktimin e autorësisë së secilit tekstit, datimin e burimeve etj, autori u ka dhënë përgjigje me kontributet e tij ekdotike si qasje kritiko-filologjike të përthelluara për secilin punim, autor e vepër, duke e kthyer hullinë e kësaj pasurie dorëshkrimore në një korpus editorial shembullor në botimet albanologjike.

Mandalà ka rindërtuar në këtë vepër edhe sistemin arsimor që zbatoi Lekë Matranga, i cili zgjati së paku deri në gjysmën e parë të shekullit XVIII. Prej letrës së kushtimit të veprës “E mbsuame e krështerë” si prej dokumenteve arkivore që ruhen në Horën e Arbëreshëve dhe në Monreale të nxjerra në dritë nga Mandalà, Lekë Matranga konfirmohet se ka qenë edhe mësues shkolle i cili ka dhënë mësim lëndë të ndryshme të kulturës greke dhe latine, si dhe “katekizmin në gjuhën shqipe. Sipas të gjitha gjasave historia e veprës “E mbsuame e krështerë” lidhet pazgjidhshmërisht me veprimtarinë mësimore që zhvillonte Matranga në mjediset arbëreshe të Sicilisë për të edukuar fëmijët arbëreshë me mësimet dhe vlerat e doktrinës së krishterë, sipas udhëzimeve të Koncilit të Trentos. Shkolla katekistike e Matrangës, në të cilën mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe, lejuar kjo nga autoriteteve fetare siciliane i bie të jetë e para shkollë shqipe e dokumentuar në rend kronologjik. Po ashtu hipoteza e tij se “…ka të ngjarë që “nxënësi i Kolegjit Ilir” që shoqëroi Komuloviçin dhe Raggio-n gjatë vizitës së tyre e që duhej të niste me mësimdhënien e doktrinës së krishterë në Shqipëri, të ketë qenë pikërisht Pjetër Budi”. (f. 236), përbën në të vërtetë një shteg të ri me shumë interes në qasjen e studimeve historiko-letrare pasbuzukiane. Me sa shihet nëse vijohet kërkimi i mëtejshëm, me shumë gjasa do të ridimensionohet historiku i arsimit dhe shqip, i cili me sa duket duhet të nisë i dokumentuar pikërisht me shkollën e doktrinës së krishterë të Leke Matrangës në qerthullin e viteve 1588-1602, i përsaktësuar qartazi në vitet 1591-1592, por edhe i librit shqip me gjasë. Sillen dëshmi të drejtpërdrejta dhe të pakontestueshme se vepra E mbsuame e krështerë u përdor pa ndërprerë për një kohë të gjatë edhe pas vdekjes së Matrangës, madje në të mirë të këtij fakti studiuesi sjell disa mbishkrime shqipe të shek. XVII që janë shkruar me alfabetin e veçantë që shpiku Matranga; e që rrjedhimisht nënkuptojnë se autorët e tyre kishin mësuar ta shkruanin shqipen duke studiuar librin e Matrangës. Vetvetiu prej fakteve dilet në përfundimin se funksioni që ka kryer libri i Matrangës ka qenë të mësuarit e katekizmit në gjuhën shqipe nga ana e fëmijëve arbëreshë, që në kontestin historik, social, kulturor dhe gjuhësor të kohës i njihte për të parën herë shqipes së bashkësisë arbëreshe statusin e një “gjuhe kombëtare”, të ndryshme “nga italishtja në mes të së cilës kjo bashkësi etnike gjallonte. Mbi bazën e ndërtuar nga kjo shkollë, në fillim të shek. XVIII u themelua Seminari arbëresh i Palermos nga At Gjergj Guxeta, i cili në anën tjetër është me siguri pararendësi i konceptit të sotëm të “identitetit kulturor” shqiptar që lindi pikërisht në mjediset arbëreshe, për të kaluar më pas matanë Adriatikut në Ballkan, prej nga ku mori jetë Rilindja Kombëtare, një dëshmi faktografike kjo tashmë e provuar e që hedh poshtë pikëpamjet e studimeve shqiptare të derisotme lidhur me fillesën e kësaj periudhë historike.

Libri përbën në vetvete një kryevepër të librit shqip në të gjitha përmasat dhe kuptimet të kësaj fjale. E themi këtë me plot bindje sepse të gjithë përbërësit e saj, qoftë ato fizikë (kapaku, letra, paraqitja grafike e tekstit, pranëvënia e riprodhimit të teksteve të dorëshkrimeve dhe botimit të shtypur), por mbi të gjithë ata përmbajtësorë që jemi munduar t’i përmendim sa më sipër, na bëjnë të kuptojmë se përkushtimit të përveçëm “prindëror” të autorit i është bashkangjitur edhe botuesi OMBRA GVG, në aspektin e projektimit grafik të tekstit dhe vetë librit në pikëpamje fizike, i cili paraqitet si një ndër botimet më elitare të realizuar në Shqipëri, duke bërë të mundur që publiku të gëzojë në dorë një kryevepër bibliofilike, një kryelibër luksi, të pashoqe në bibliotekën e librit shqip e cila do të nderon te çdo librari, çdo bibliotekë madje edhe çdo koleksionist. Libri për Matrangën është përgatitur për botim dhe botuar sipas një zgjedhje të studiuar e cila ka marrë parasysh studimin autorial dhe tekstet dorëshkrim dhe ato të botuara origjinale të Matrangës. Përkthimi i shkëlqyer i librit, realizuar ky nga Gëzim Gurga, pedagog pranë universitetit të Palermos, vjen si një dhuratë e bukur për cilindo që është i dhënë pas librit.

Tek arbëreshët e Italisë e kanë zanafillën shumë punë tona, njëra prej të cilave është edhe ftillimi i shkrimit të Historisë së Letërsisë Shqiptare. Ka shumë gjasa se prej andej pritet shkrimi i saj ashtu sikurse e meriton ajo.

*Titulli është redaksional

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency