Durrës/ Mbyllen hetimet, 4 pedagogë në gjyq për korrupsion

0
279

Sonila Mesareja

Përgjimet zbulojnë rastet korruptive dhe shumat që paguanin studentët te dy pedagogët për provimet

 tribunal_gjyqProkuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet për katër pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit. Sipas burimeve zyrtare nga akuza, fillimisht procedimi penal për “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” ka nisur në 8 nëntor të vitit të kaluar për pedagogen Odeta Tota. Hetimi ka filluar pasi një studente pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ka kallëzuar se në shtator 2013, ka kryer provim në kursin Kimi me lektore Odeta Totën, e cila pak minuta para se të hynte në provim i ka kërkuar dhe marrë për shkak të detyrës një përfitim të paligjshëm në vlerën 15 000 mijë lekë për të marrë notë kaluese. Lektore Odeta Tota, pasi ka marrë përfitimin e paligjshëm, i ka dhënë të fotografuar tezën e provimit, e cila është fotografuar nga studentja me aparatin e saj. Sipas burimeve nga akuza, e pandehura Tota ka filluar punë si lektore pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës më datë 1.10.2008, dhe nga kjo kohë ka dhënë disa lëndë, si Kimi, Biokimi, e Drejtë Mjedisi dhe Shëndet Mjedisor.

 

Përgjimi

Sipas akuzës, duke qenë se kishte dyshime të bazuara për këtë vepër penale është kërkuar dhe lejuar nga ana e Gjykatës përgjimi i bisedave telefonike të numrit të telefonit ……427, në përdorim të shtetases Odeta Tota. Ndërkohë me vendim të prokurorit është lejuar vëzhgimi në ambiente publike dhe me vendim gjykate përgjimi dhe vëzhgimi dhe përgjimi i bisedave ambientale në ambientet e zyrës së saj. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të mësipërme është konstatuar se shtetasja Odeta Tota, komunikonte me një shtetase të quajtur Merushe Bocerri, e cila ishte studente ne vitin e dytë për infermieri ne sistemin me kohët pjesshme. Sipas bisedave telefonike rezultonte se kjo shtetase për të gjitha provimet e ditës për lëndën e “Kimisë” në degën Infermieri, kërkonte përfitime të paligjshme nga studentët duke u kërkuar “para” për të ndikuar tek lektore Odeta Tota, për të kaluar ose për të marrë një notë maksimale. Shuma në të cilën këto shtetase kërkonin në këmbim të notave varionin nga 20.000 deri në 25.000 lekë të reja. Shpeshherë të dyja këto shtetase komunikonin në telefon me shtetasen Tota për të vendosur emrat e studentëve që kërkonin përfitim të paligjshëm kundrejt pagesës, për të cilën më vonë lektore Tota iu jepte tezat e zgjidhura.

 

Rastet e përgjuara të korrupsionit

Ndërkohë që, po sipas akuzës, gjatë ekzekutimit të vendimeve të mësipërme është konstatuar se shtetasja Odeta Tota, komunikonte me një shtetas të quajtur Endrit Sina, i cili është lektor në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe në të njëjtën zyrë me shtetasen Odeta Tota, të cilët ndikonin tek njëri-tjetri dhe merrnin përfitime të paligjshme për shkak të detyrës së tyre si lektorë pranë këtij Universiteti. Në këto kushte janë identifikuar bisedat telefonike të zhvilluara nga telefoni i shtetasit Endrit Sina me numër telefoni ……0488, dhe është aplikuar lejimi dhe zgjatja e përgjimit të bisedave telefonike dhe për këtë shtetas. Nga hetimi është provuar se shtetasja me inicialet D. Z. (inicialet e ndryshuara) studente pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në shtator 2013, ka kryer provim në kursin Kimi me lektore Odeta Tota, e cila pak minuta para se të hynte në provim i ka kërkuar dhe marrë për shkak të detyrës së saj një përfitim të paligjshëm në vlerën 15 000 mijë lekë për të marrë notë kaluese. Lektore Odeta Tota, pasi ka marrë përfitimin e paligjshëm, i ka dhënë të fotografuar tezën e provimit të zgjidhur e cila është fotografuar nga studentja me aparatin e saj celular. Shtetësia R. D. (inicialet e ndryshuara) është studente e në degën Infermieri në Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kjo shtetase ka dhënë provimin e Kimisë për semestrin e parë ne dhjetor 2013, me lektore Odeta Totën dhe është vlerësuar me notë jokaluese. Duke qenë se kishte mundësi që ta jepte në muajin shkurt, në mes të shkurtit 2014 është interesuar për të gjetur mundësi për kërkuar se si mund të takonte këtë lektore. Kishte dëgjuar se këtë lektore e njihte një studente tjetër e cila ishte “Part-Time” dhe quhej Merushe Bocerri, të cilën pasi e ka takuar, kjo e fundit i ka thënë se me lektore Odeta Tota mund të fliste por për notë kaluese ajo kërkonte si përfitim të parregullt një shumë prej 150 euro. Pasi ka biseduar me lektore Odeta Tota, shtetasja Merushe Bocerri, i ka thënë se e kishte rregulluar dhe se duhej t’i jepte shumën e kërkuar. Shtetasja Bocerri ka marrë shumën e mësipërme të cilat ja ka dhënë shtetases Odeta Tota. Shtetasja L. L. (inicialet e ndryshuara) është studente në degën Infermieri në Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kjo shtetase ka dhënë provimin e “Anatomisë Humane” për semestrin e parë të vitit akademik 2013-2014 në janar 2014, me lektor Endri Sina. Kjo shtetase kishte një të njohurën e saj e cila kishte dhënë provimin më përpara me të. Kjo e fundit i ka thënë se e njihte profesorin nga një shtetase tjetër. Shtetësia L.L, ka takuar këtë shtetase, e cila i ka kërkuar dhe marrë për provimin e mësipërm si përfitim i parregullt shumën prej 5000 lekë. Kjo shumë më pas i është dhënë lektor Endri Sina, i cili më pas e ka vlerësuar me notë kaluese. Shtetësia B. D. (inicialet e ndryshuara) është studente në degën Infermieri në Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kjo shtetase ka dhënë provimin e “Anatomisë Humane” për semestrin e parë të vitit akademik 2013-2014 në janar 2014, me lektor Endri Sinën. Kjo shtetase kishte një të njohurën e saj e cila kishte dhënë provimin më përpara me të. Kjo e fundit i ka thënë se e njihte profesorin nga një shtetase tjetër. Shtetësia B. D. ka takuar këtë shtetase e cila i ka kërkuar dhe marrë për provimin e mësipërm si përfitim i parregullt shumën prej 5000 lekë. Kjo shumë më pas i është dhënë lektor Endri Sina, i cili më pas e ka vlerësuar me notë kaluese. Shtetasja F. Z. (inicialet e ndryshuara) është studente në degën Infermieri në Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kjo shtetase ka dhënë provimin e parë të Kimisë për semestrin e parë, për vitin akademik 2012-2013 me Lektore Odeta Tota. Kjo studente e kishte dhënë disa herë provimin dhe nuk e kishte marrë. Duke qenë se kishte ngelur disa herë, në fakultet kishte dëgjuar se kjo lektore nuk e jepte provimin pa shpërblim. Duke qenë se kishte ngelur disa herë ka kontaktuar vetë me lektore Odeta Tota, të cilës i ka dhënë si përfitim të parregullt një shumë prej 150 euro. Pas marrjes së shumës së mësipërme është vlerësuar me notë kaluese. Shtetasja K. R. (inicialet e ndryshuara) është studente në degën Infermieri në Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Kjo shtetase ka dhënë provimin e parë të Kimisë për semestrin e parë, për vitin akademik 2012-2013 me Lektore Odeta Tota. Kjo studente e kishte dhënë disa herë provimin dhe nuk e kishte marrë. Në fakultet kishte dëgjuar se kjo lektore nuk e jepte provimin pa shpërblim. Në fakultet ka dëgjuar shtetasen Merushe Bocerri, e cila i ka kërkuar 150 euro për provimin e Kimisë por shtetësia K. R., duke qenë në pamundësi ekonomike nuk e ka paguar këtë shumë.

 

Përfshirja e studentes Doçi

E pandehura Melsa Doçi ka filluar studimet pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, dega Infermieri e përgjithshme. Aktualisht është në vitin e dytë master, cikli i dytë, dega Kirurgji pranë këtij fakulteti. Kjo shtetase është dyshuar se ka pranuar përfitime të paligjshme nga dy studente të tjera të sipërcituara, të cilat ja ka dhënë shtetasit Endri Sina, i cili është pedagog “Anatomisë humane”. Në funksion të kësaj vepre penale janë aplikuar metoda të posaçme hetimore, duke lejuar përgjimin e numrit te telefonit të kësaj shtetësie dhe vëzhguar në ambiente publike. Gjatë aplikimit të këtyre mjeteve të kërkimit të provës është konstatuar se kjo shtetase komunikonte me shtetasin Endrit Sina, jo vetëm për të ndikuar në mënyrë të paligjshme për vënien e notave por dhe për korrigjimin e provimeve të studentëve të tjerë. Në funksion të faktit të mësipërm me datë 21.2.2014 ora 21.00’ është ushtruar kontroll në banesën e saj në lagjen nr. 14, Shkozet Durrës. Gjatë kontrollit të banesës i janë gjendur dhe sekuestruar një numër i konsiderueshëm tezash provimi dhe çelësa e zgjidhjes për provimet, si dhe një laptop (sende të përshkruar në procesverbalin e sekuestrimit të datës 21.2.2014 ora 23.45’). E pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilës zhvillohen hetime, shtetasja Melsa Doçi ka pohuar se “pedagogu Endrit Sina, duke qenë dhe udhëheqësi im, m’i ka dhënë këto teza provimesh dhe çelësa zgjidhjesh për të bërë korrigjimet në lidhje me lëndën e tij Etik- deontologjike që ky pedagog jep në fakultet.. vlerësimi bëhej nga ana ime me porosi të pedagogut Endrit Sina…pasi mbaroja korrigjimet tezat e korrigjuara ia jepja pedagogut Endrit Sina. Laptopi që më është sekuestruar, ka pohuar ajo, është i pedagogut Endrit Sina, i cili ma kishte dhënë që të hidhja pikët e studentëve për rezultatet e provimeve”. Në nenin 14.1 e Kodit të Etikës germa “a, b, c, d & e” (miratuar me vendimin nr. 9, datë 1.6.2012 të senatit Akademik të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës është parashikuar forma e sjelljes së personelin akademik në raport me mirëmbajtjen e regjistrave, tezave të provimeve dhe përgjegjësitë e tyre. Ndërkohë dhe në nenin 30 të Rregullores së Universitetit “Aleksandër Moisiu” miratuar me vendimin nr. 35, datë 7.9.2012 të Senatit të Universitetit, janë parashikuar detyrat e personelit akademik, ku thuhet se …. të ruaj sekretin profesional, të mos jap të dhëna lidhur me detyrën që kryen ….. si dhe të plotësojë me përgjegjësi regjistrin e kursit që i është ngarkuar.

 

Të pandehurit dhe akuzat

Odeta Tota, akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (tri herë);

Endri Sina, akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (dy herë); si dhe “Shpërdorimi i detyrës”;

Merushe Bocerri, akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (dy herë);

Melsa Doçi, akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (dy herë)

 

Në sallën e gjyqit/ Arrestohet për dëshmi të rreme ish-gardisti Memia, lirohet në mbrëmje

Prokurorët e dosjes “Lamaj” kanë urdhëruar dje Policinë të arrestojë në sallën e gjyqit një dëshmitar, pasi e akuzojnë për dëshmi të rreme në Gjykatë. Burime nga Gjykata bëjnë me dije se në përfundim të dëshmisë i janë vënë prangat ish-gardistit Ylli Memia, i cili së shpejti do të përballet në Gjykatë me akuzën “Dëshmi e rreme”. Mbrëmjen e djeshme, Prokuroria urdhëroi lirimin e Memisë dhe hetimin e tij në gjendje të lirë për akuzën, për të cilën u arrestua në orët e paradites në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas burimeve brenda Gjykatës, bëhet me dije se ish-gardisti Ylli Memia është prangosur, pasi rezulton të ketë dhënë dëshmi të rreme në lidhje me provat e procesit gjyqësor ndaj biznesmenit Frroku. Sipas akuzës, dëshmitari i mbrojtur Fatmir Vladi pretendon se 2 orë pas vrasjes së Lamajt në rrugën “Dervish Hima” në kryeqytet shkurtin e vitit të shkuar, personi i parë që ai ka telefonuar dhe i ka treguar për ngjarjen është Memia. Ky i fundit ka mohuar komunikimin që, sipas akuzës, ky qëndrim konsiderohet dëshmi e rreme pasi rezulton e provuar nga tabulatet telefonike që Vladi e Memia të kenë folur me njëri-tjetrin. Në seancën e kësaj të mërkure ishte planifikuar dhe dëshmia në proces e dy ish-drejtuesve të Policisë, Agron Kuliçaj dhe Tonin Vocaj, të cilët kanë munguar për arsye private, teksa Prokuroria vendosi t’i thërriste sërish në seancën e radhës më 19 nëntor.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency