Vdekja e 69-vjeçarit në Tepelenë, shoqërohen në polici shtatë persona

0
133

 Alma Çuka

Policia, pas kryerjes së autopsisë, dyshon se i moshuari nuk ka vdekur aksidentalisht. Mendohet se Qemal Zeka është vrarë për shkaqe pronësie

 trupi vrasjePolicia e Tepelenës ka intensifikuar punën për të zbardhur vdekjen e 69-vjeçarit Qemal Zeka. Sipas burimeve të Policisë, vrasja është pista ku është përqendruar puna për zbardhjen e vdekjes së 69-vjeçarit, i cili u gjet i pajetë mbrëmjen e së hënës në një kanal pranë shtëpisë së tij në fshatin Luftinjë të Tepelenës. Veprimet e para hetimore, për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë, detyruan uniformat blu të bëjnë shoqërimet e disa personave. Dyshohet se i moshuari është vrarë nga persona, të cilët gjatë viteve kanë pasur konflikt pronësie me familjen e tij.

 

Shoqërimet

Lidhur me këtë ngjarje policia ka shoqëruar shtatë persona. Dy prej të shoqëruarve janë pjesëtarë të fisit Nihasi, më të cilët fisi i të moshuarit prej vitesh ndodhet në një konflikt pronësie. Kjo është pista e parë mbi të cilën po heton policia. Emrat e personave të shoqëruar janë dhënë nga familjarët e viktimës, të cilët gjatë marrjes në pyetje, janë shprehur se 69-vjeçari nuk vuante nga asnjë sëmundje dhe në këto kushte nuk mund të kishte humbur jetën nga shkaqe natyrale apo si pasojë e ndonjë infarkti. Një tjetër veprim i policisë, është edhe dërgimi i kufomës për kryerjen e ekzaminimeve. Trupit të pajetë, që u gjet në një kanal, iu bë autopsia, nga ku rezultoi se vdekja nuk kishte ardhur si pasojë e ndonjë sëmundje, apo infarkti. Të shoqëruarit së bashku me familjarë të viktimës janë marrë në pyetje lidhur me faktin nëse kanë dijeni lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

 

Dyshimet

Dyshimet paraprake janë se 69-vjeçari është qëlluar ose me dru ose me gurë pas koke, goditje që i kanë sjellë edhe vdekjen e menjëhershme. Megjithatë, një grup hetimor po punon ende në vendngjarje për mbledhjen e provave. 69-vjeçari, Qemal Zeka, u gjet i pajetë në një kanal rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij. Nga këqyrja paraprake e kufomës nga ekspertët mjeko-ligjor ka rezultuar se, viktima kishte një frakturë në pjesën e pasme të kokës. Trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit Tepelenë dhe gjatë ditës së djeshme i është bërë autopsia. Pas veprimeve të para hetimore në vendin e ngjarjes dhe marrjes së dëshmive nga familjarët dhe të dyshuarit, Policia pritet të dalë me një vendim përfundimtar.

 

 Ekstradimi/ Ishte dënuar me 22 vite burg, ekstradohet nga SHBA-ja 41-vjeçari

 Një 41-vjeçar shqiptar, i dënuar me 22 vjet burgim për vrasje me paramendim, është ekstraduar ditën e djeshme nga Nju Jorku. Ekstradimi i Altin Hasanit, banues në Tiranë, u bë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 272, datë 29.4.1999 e ka dënuar këtë shtetas në mungesë me 22 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas njoftimit të policisë thuhet se në datën 23.10.1999, rreth orës 13:00, në lokalin e Ish mensës së Uzinës Traktori Shkozë – Tiranë, shtetasi Altin Hasani, ka vrarë me thikë shtetasin N. B. Sipas policisë viktima N.B kishte qenë i martuar me motrën e autorit dhe më pas e kishte ndarë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Uashingtonin, u bë i mundur arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tone. Altin Hasani iu dorëzua në aeroportin e Rinasit përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ndërkohë në të njëjtën ditë Interpol Tirana ekstradoi drejt Beogradit shtetasin Afrim Nuredini, 38 vjeç, lindur në Preshevë, Serbi. Gjykata e Beogradit me vendimin Nr. N.Okz 1.br.2407/13, datë 11.6.2013 dhe Gjykata e Vranjës, me vendimin Nr. No.K.br210/10, datë 9.9.2013 e kanë dënuar me 5 vjet për veprën penale të “Prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”dhe me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve. Shtetasi Afrim Nuredini, është arrestuar më datë 3.8.2014, gjatë kontrollit të pasaportave në P. K. K. Rinas.

 

Kontrolli/ Sekuestrohen në doganë 5500 kg mallra kontrabandë

 Një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë është sekuestruar në Doganën e Hanit të Hotit nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Sipas burimeve nga Dogana mësohet se sekuestrimit u krye pas një kontrolli të ushtruar në mjetin me targë PG GD 963 / PG107GA. Ngarkesa vinte nga Italia, transit nëpërmjet kufirit me Malin e Zi me pronar dhe shofer një shtetas malazez, me subjekt pritës “ASHEL” sh.p.k, Shkodër. Në ngarkesë u gjetën të padeklaruara rreth 5500 kg artikuj. Mallrat e sekuestruara janë shishe vere dhe shampanjë që nuk ishin të pajisura me pullë fiskale, lëngje frutash, kafe e bluar dhe e pjekur, miell gruri, detergjentë, si dhe mallra të tjera ushqimore. Malli është sekuestruar nga ana e autoriteteve doganore të cilat po kryejnë procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa detyrimi doganor i shmangur dhe gjoba arrin vlerën 1 105 560 lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency