Rritja e taksave 2015/ Basha me studentët : Qeveria u merr shqiptarëve 670 mijë lekë më shumë, në protestë

0
125

Erneta Shevroja

Paketë klienteliste dhe luksi, qeveria tenton t’u marrë taksapaguesve kacidhen e fundit

 Kreu i opozitës: Vitin që vjen, çdo familje shqiptare do të paguajë 670 mijë lekë më shumë taksa

basha me studentet 2Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje se paketa fiskale e vitit të ardhshëm do të zhysë ekonominë në recesion dhe ta fusë në një paralizë të plotë. Sipas Bashës, qeveria po harton politika që t’u marrë shqiptarëve çdo të ardhur nëpërmjet rritjes progresive të të gjitha taksave. Sipas tij, çdo familje shqiptare do paguajë 670 mijë lekë më shumë taksa vitin që vjen. Për më tepër, sipas Bashës, paketa e re fiskale është hartuar sipas interesave klienteliste të qeverisë.

 

Bashkëbisedim me studentët

Kryetari i Partisë Demokratike ka zgjedhur studentët e Fakultetit të Ekonomisë që të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me paketën e re fiskale që rrit pothuajse të gjitha taksat. Paketën e re fiskale Basha e vlerësoi si paketa e varfërimit dhe e paralizimit të ekonomisë. “Qeveria rrit sërish barrën fiskale mbi taksapaguesit shqiptarë pa përjashtim, ndërkohë që vendet e punës nuk janë shtuar por pakësuar, të ardhurat nuk janë rritur por ulur, ekonomia nuk është rritur qoftë edhe sadopak, nuk ka qëndruar as në vendnumëro, por ka rënë në kufijtë e recesionit”, – tha Basha. Në këtë kontekst, sipas kreut të opozitës, kjo paketë “synon t’u marrë taksapaguesve, të vegjël, të mesëm apo të mëdhenj, kacidhen e fundit, mundësinë e fundit. Është një paketë klienteliste e diktuar nga interesat e grupeve të lidhura me qeverinë që për të marrë monopolet në tregjet e disa mallrave të konsumit të gjerë, nuk janë menduar dy herë të godasin egër dhe vdekshëm prodhimin vendas. Është një paketë e shpenzimeve të tipit “për rrush e kumbulla”, siç thotë populli, ku qeveria ka rritur shpenzimet e veta, për policë e inspektorë të INUK-ut”, – tha kreu i opozitës. Duke rritur taksat, Basha shprehet se qeveria po largon investitorët. Me një taksë të rritur për të ardhurat nga 10 në 15 për qind, sipas Bashës, frenon qytetarët të ndërmarrin iniciativën për të hapur një sipërmarrje të tyre. “Qeveria nuk i lë njerëzit të punojnë, por u sul policinë, u shkatërron pronat dhe u ngre taksat. Vjet hyri taksa progresive dhe goditi të gjithë elitën profesionale të vendit. Sivjet po përgatitet rritja e taksave mbi të ardhurat nga 10 në 15%. Po mbytet iniciativa e lirë, po dekurajohen investitorët potencialë, vendas dhe të huaj”, – u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike veçoi faktin se qeveria ka ndërmend t’i marrë çdo familjeje shqiptare 670 mijë lekë më shumë taksa vitin që vjen. Sipas tij, kjo është paketa e “taksimit më të rëndë, e varfërimit, gjithashtu paketa e klientelës dhe e luksit qeveritar. Basha theksoi se rritja e mëtejshme e taksave që ka parashikuar qeveria do të thellojë recesionin, do të fusë ekonominë në një paralizë të plotë.

 

Kërkesat për qeverinë

Pas kërkesës së shprehur qeverisë për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike, Partia Demokratike vjen sot me një tjetër kërkesë: për të mos rritur asnjë taksë për vitin 2015. “Ekspertët tanë kanë bërë publike se vetëm nga rritja e karburanteve dhe çmimit të energjisë, fuqia blerëse në vend do të jetë 4% më e ulët, duke çuar vendin në staniacion. Po bëjmë çmos t’u themi kundërshtarëve tanë në qeveri “Mos e bëni”. Jo për politikë, as për kunj, pasi përsëritin të njëjtat gabime duke pritur rezultat të ndryshëm. Megjithëse rritin taksat, nuk u ofrojnë asgjë shqiptarëve. Kemi shpallur paketën tonë të plotë dhe të pakushte, kundër rritjes së çmimit të energjisë. Kësaj i shtojmë edhe kërkesën tonë të dytë, asnjë rritje taksash për vitin e ardhshëm”, – tha Basha.

 

Ftesa për protestë

Pas pasqyrimit të rezultatit që pritet të japë paketa e re fiskale në ekonomi dhe në xhepat e secilës familje, kryeopozitari i ftoi studentët të protestojnë. Ai u shpreh se të rinjtë kanë përgjegjësi të dorës së parë sa herë kërcënohet demokracia e një vendi. “Studentët kanë një përgjegjësi të dorës së parë për çdo problem madhor të vendit, studentët vendosin, studentët prijnë, studentët ia dalin, studentët janë shpëtimi, aty ku në lojë është humbja e të gjithëve”, – u shpreh Basha. “Ju ftoj të gjithëve në protestë, të mbrojmë të drejtat tona, ligjin dhe demokracinë. Studentët u kanë dhënë gjithnjë qeverive autoritare leksione demokracie, kanë qenë gjithnjë një forcë e madhe lëvizëse në zhvillimin e kombeve. Sot është koha të tregojmë veten, t’u dalim zot punëve të vendit, të sjellim shpresë në zemrat e qytetareve të këtij vendi”, – ka vijuar Basha deklaratat para studentëve të Fakultetit të Ekonomisë.

Në fund të fjalës së tij, Basha u ka premtuar studentëve që janarin që vjen do t’i kërkojë qeverisë dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë. “Do të kërkojmë nga janari 2015 dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë në Shqipëri. Arsimin e lartë e quajnë luks dhe jo të mirë publike. Shteti duhet të jetë partner në krah të secilit”, – tha Basha.

 

 PD: Arroganca e qeverisë, përgjegjëse e vetëvrasjes së inxhinierit pas largimit nga puna

Partia Demokratike akuzoi dje qeverinë për vetëvrasjen që kreu një inxhinier pasi është larguar nga puna. Sipas PD-së, ai ishte kryefamiljar, baba i dy fëmijëve dhe bashkëshort i një gruaje të papunë. Akti ekstrem i vetëvrasjes, sipas PD-së, ka ardhur pasi e larguan nga puna pa asnjë motiv. “Një inxhinier pyjesh nga Mati, baba i dy fëmijëve, bashkëshorti i një gruaje të papunë, është vetëvrarë sot, pasi e larguan nga puna pa motiv, nga puna ku shërbente prej vitit 1995. Sami Hani kishte mbaruar shkollën pyjore dhe e ushtronte detyrën me të cilën mbante familjen prej 19 vitesh. Inxhinieri pyjor po kalonte një periudhë mjaft të vështirë ekonomike pas largimit nga puna dhe familjarët tregojnë se pavarësisht gjendjes së rëndë ku gjendej me gruan pa punë dhe njërin nga djemtë me sëmundje të rëndë, sërish qeveritarët lokalë e hodhën në rrugë”, – tha deputeti demokrat Bedri Hoxha. Për këtë ngjarje të rëndë PD akuzon qeverinë “oligarkike”. Kjo ngjarje e rëndë është realiteti i kësaj qeverisjeje, është shëmbëlltyra e sistemit që kanë instaluar Edi Rama dhe Ilir Meta. Oligarkët e vegjël në rrethe u ngjajnë shefave të tyre dhe janë njësoj të pandjeshëm, arrogantë, të pashpirt. Për këtë, ata kanë licencën për të hedhur këdo në rrugë, pavarësisht përvojës, profesionalizmit apo kushteve ekonomike. Edhe më e rëndë bëhet ngjarja, kur inxhinieri profesionist zëvendësohet me një militant të pashkollë. Kjo qeveri, sipas PD-së, ka larguar pa motiv mbi 6 mijë punonjës nga puna.

 

Tabaku: Buxheti, anti-zhvillim dhe i dështuar

Deputetja Jorida Tabaku, eksperte e ekonomisë, tha se nga janari që vjen çdo shqiptar do të paguaj më shumë ndrësa projektbuxhetin e quajti të dështuar dhe pa asnjë baznë të ekonomisë së tregut. “Nga 1 Janari, qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë për arsimin, më shumë për faturat e energjisë elektrike, do të paguajnë më shumë taksa, do të marrin më pak shërbime, më pak investime, do të kenë cilësi jete më të keqe! Duket se qeveria është duke e shtyrë ne ekstrem çdo gjë dhe me siguri është duke arritur rekorde në shtrëngimin fiskal ku çdo gjë që prodhon ky vend e merr shteti Sigurisht që ne nuk mund ta quajmë këtë një sistem fiskal të mirëfilltë, por një krim që i bëhet qytetarëve duke qënë se në vite ky është buxheti në mënyrë absolute më anti-antizhvillim, dhe është i dështuar në parim! Sepse nuk niset nga themelet e ekonomisë së tregut, nuk niset nga nxitja dhe stimulimi i ekonomisë, por nga penalizimi i kapitalit”, tha Tabaku.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency