Pritje me flamuj në Preshevë/ Rama: Liria dhe të drejtat e shqiptarëve, të paprekshme, s’jemi për Shqipëri të Madhe

0
114

Gëzim Saliu

 foto e dites, Rama ne PresheveRama: Liria dhe të drejtat e shqiptarëve, të paprekshme, do t’i mbrojmë. Kërkojmë sa na takon

 “S’jemi në betejë për Shqipëri të Madhe, por për Evropë të madhe, që t’i përfshijë të gjithë shqiptarët dhe të tjerët. Negociatat me Vuçiçin, arrihet marrëveshja: Njohje reciproke e diplomave të studentëve”

Mes entuziazmit të qytetarëve të Preshevës, flamujve kombëtarë kuqezi si edhe pritjes përmes valleve e këngëve, Kryeministri Edi Rama mbërriti dje në sheshin “Liria”. Para se të futej në sallën e Pallatit të Kulturës, ku edhe mbajti fjalimin e tij, kreu i qeverisë është përshëndetur me të pranishmit në shesh, ku dallohej qartë ndjenja e thellë e patriotizmit tek qytetarët, të cilët përmes parullave të shumta si edhe brohoritjeve, nuk ngurruan ta prisnin Ramën si Kryeministrin e tyre. E gjithë kjo atmosferë është përcjellë edhe brenda sallës, ku merrnin pjesë vetëm një pjesë e qytetarëve të Luginës, shumica të rinj e ndërsa pjesa tjetër priti jashtë derisa Kryeministri shqiptar mbaroi fjalimin për ta përcjellë atë në largimin nga Lugina, ku nuk mungoi edhe banderola: “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë Shqipëri”.

 

Fjalimi

Në nisje të fjalës së tij para shqiptarëve të Preshevës, Rama tha se ndihej i privilegjuar që si Kryeministër i Shqipërisë vizitonte këtë vend, duke siguruar që qeveria nuk do të reshtë në punën e saj për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari kudo ku ai jeton. Në këtë kontekst, ai bëri të ditur se tashmë është arritur një marrëveshje me Kryeministrin serb Vuçiç dhe ekipin qeveritar serb për njohjen e ndërsjellë të diplomave. Kryeministri tha se qeveria shqiptare do të dyfishojë kuotat në mjekësi dhe do të heqë limitin e kuotave në të gjithë fakultetet e tjera për shqiptarët e Luginës së Preshevës. “Pas një diskutimi intensiv me Kryeministrin e Serbisë dhe me ekipin qeveritar serb ne në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, dhe për njohjen reciproke të diplomave. Kemi hapur një faqe të re për gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do duan të realizojnë ambicien e tyre. Diploma e Shqipërisë do jetë një dokument i njohur edhe në Serbi, është i barasvlershëm me të”, – tha Rama. Më tej, kreu i qeverisë shqiptare, Rama, ftoi shqiptarët e Preshevës të bëhen pjesë e evropianëve të rinj të këtij rajoni, duke theksuar nga ana tjetër se është kushtetues që qeveria e Shqipërisë dhe çdo kryeministër të mos e harrojë se liria dhe të drejtat e çdo shqiptari kudo që jeton janë të paprekshme dhe duhet ti mbrojmë pavarësisht pengesave. “Duke shfrytëzuar këtë moment paqeje, ne do ti shuajmë brengat e së shkuarës, do t’i zhbëjmë vështirësitë. Jini të bindur, kini besim se do heqim të gjitha pengesat që një djalë me kombësi shqiptare të ndjehet i barabartë me çdo evropian pavarësisht ku jeton. Unë dua që sot të nënvizoj se është një kohë e re, të jemi të vetëdijshëm, të punojmë me njëri-tjetrin për tu sjellë ashtu siç i ka hije kësaj kohe të re, kush ka të vështirë të ndahet nga e shkuara nuk jemi ne, ne duam të jemi evropianët e rinj të këtij rajoni, i ka ardhur koha të bashkohet përfundimisht me Evropën”. Ndërkaq, Rama bëri të ditur se në takimin me Vuçiç kishte bërë të qartë se shqiptarët nuk janë në betejë të përbashkët për Shqipëri të Madhe por për Europë të madhe që duhet ti përfshijë të gjithë shqiptarët bashkë me gjithë të tjerët. “Ne të gjithë jemi krenarë se atë që duam për veten tonë nuk ia mohojmë tjetrit, por atë që ia japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na e mohojë ne. Këto territore ka mundësi të kthehen nga një zonë e vështirë, hedh sytë dhe kupton se ka një dallim të madh në një zonë ku dallimi duhet të jetë i padukshëm. Brenda përbrenda Serbisë nuk duhet të ndjehet e kundërta e pjesës tjetër të territorit të Serbisë”, – u shpreh Kryeministri. Sipas Ramës, shqiptarët janë sot më të dëgjuar dhe më të respektuar seç kanë qenë ndonjëherë më parë, sepse siç tha ai, “ata nuk kanë kërkuar kurrë diçka që i takon tjetrit dhe janë treguar të njerëz të besës me aleatët strategjik”. “S’ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, më pak liri dhe të drejta se serbët e veriut të Kosovës. Ashtu si dhe të gjithë minoritetet etnike apo kulturore nuk mund më të diskriminohen për shkak të origjinës, nëse jemi të gjithë serioz që kësaj mundësie fantastike për të mbyllur një shekull ndasish t’i përkushtohemi jo me fjalë por me vepra”, – theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

 

Festa dhe organizimi/ Presheva, në një ditë ndryshe mes flamujve kuqezi dhe sfidës së të drejtave

Ishte një ditë feste dje për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, komunës serbe me shumicë shqiptare. Ashtu siç edhe ishte parashikuar, pritja për Kryeministrin shqiptar ishte e mirorganizuar, ku mes këngëve, valleve e flamujve të shumtë kuqezi, të cilët edhe pse u tentuan të shmangeshin nga policia u valëviten mes turmës që priste në sheshin “Liria”, nuk mungoi për asnjë çast entuziazmi dhe euforia e qytetarëve të pranishëm në shesh. Që prej orës të para të mëngjesit mijëra qytetarë të Luginës së Preshevës, kishin dalë rrugëve të këtij qyteti për ta pritur kreun e qeverisë shqiptare dhe delegacionin që e shoqëronte. Rama mbërriti në Preshevë rreth orës 12:00, ku u prit me tapet të kuq në Komunë, ndërsa qytetarët e grumbulluar në sheshin qendror të Luginës ishin të paduruar për ardhjen e tij. Në shesh si edhe në rrugët e qytetit ishin të shumta parullat e vendosura, si ato për mikpritjen e Kryeministrit ashtu edhe “sloganet” e ndryshme, si: “Presheva, Bujonaci dhe Medvegja janë Shqipëri”. Valëvitja e flamujve kuqezi dhe parullat e ndryshme u shfaqën edhe para policëve me uniformë serbe, por këtë herë ndryshe nga më parë, nuk u fol për provokim. Ashtu si edhe në rastin e Beogradit, vizita në Preshevë ka thithur interesin e madh të medias shqiptare, serbe, si edhe asaj botërore, ku numri i gazetarëve që ndoqën të gjithë aktivitetin arrit në 200. Por pikërisht pak orë para mbërritjes së Ramës në Luginë, nuk munguan as incidentet, pasi policia serbe bllokoi për rreth 40 minuta autobusin me 28 gazetarë dhe operatorë shqiptarë, rrugës për në Preshevë. Policia serbe nuk dha asnjë shpjegim për arsyet e bllokimit të autobusit me gazetarë dhe të gjitha automjeteve që udhëtonin në drejtim të Preshevës. Autobusi u lejua të vijonte rrugën vetëm pasi ka kaluar eskorta e Kryeministrit Rama.

 

Takimi

Rreth orës 11:45, Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte mbërriti në Preshevë, ku më parë autostrada ndërkombëtare Beograd-Preshevë-Shkup-Tiranë u bllokua derisa kaloi vizita. Më mbërritjen në Preshevë, Rama u prit me tapet të kuq në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës, ku mori edhe titullin “Qytetar Nderi” i kësaj Komune. Por pjesa kulmore e të gjithë vizitës, duke përfshirë edhe fjalimin në sallën e Pallatit të Kulturës, ishte entuziazmi i qytetarëve të Preshevës, kur Kryeministri dhe delegacioni që e shoqëronte zgjodhi të kalonte pranë tyre në sheshin “Liria”. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e pritën Kryeministrin me muzikë e valle shqiptare, ndërsa në duar mbanin flamurin kombëtar. Ndërkaq e gjithë Lugina ishte e rrethuar nga forca të shumta të policisë, mbi 400 të tillë, të cilët siguruan vizitën e Ramës në Preshevë dhe Bujanoc. E ndërsa mesazhet për bashkimin në Evropë nuk munguan nga ana e kreut të qeverisë shqiptare, sigurisht që thelbi i të gjithë çështjes së Luginës së Preshevës mbetet ende respektimi i të drejtave. Për këtë Rama kërkoi që pala serbe të zbatojë as më pak e as më shumë të njëjtën politikë që ndjek Kosova me minoritetin serb, gjë të cilën ai tha se e kishte diskutuar me Kryeministrin Vuçiç. Edhe pse mbetet për t’u parë nëse do të ndryshojë politika e Serbisë me shqiptarët e Luginës, ajo që vlen të nënvizohet është e drejta e plotë e minoriteteve që duhet të ndiqet me përpikmëri edhe për ta. Në rast se kjo nuk ndodh, e para që duhet të përgjigjet pas palës serbe, është Tirana zyrtare, që ka detyrimin e mbrojtjes së shqiptarëve kudo që jetojnë e më pas institucionet ndërkombëtare, të cilat e kanë të vendosur si prioritet kyç për integrimin në BE respektimin e minoriteteve. Për momentin kjo mbetet ende një sfidë…

 

Nderimi/ Rama shpallet “Qytetar Nderi” i Preshevës

Kryeministrit Edi Rama iu dorëzua dje në mënyre solemne titulli “Qytetar Nderi” nga Këshilli Komunal i Preshevës”. 33 këshilltarët e Preshevës votuan unanimisht që Kryeministrit shqiptar t’i akordohej titulli “Qytetar Nderi”. “Me vizitën e sotme ai pa asnjë dyshim ka përmbushur edhe një obligim kombëtar dhe kushtetues si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë për t’u kujdesur në lidhje me pozicionin e shqiptarëve kudo që jetojnë”, – tha kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Mulsiu, i cili i dorëzoi Kryeministrit shqiptar titullin. Ndërkaq, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, përgëzoi kreun e qeverisë shqiptare për qëndrimin e tij në Beograd në konferencën për shtyp me Kryeministrin e Serbisë, Vuçiç, dhe për përkushtimin për të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht në Luginën e Preshevës. Nga ana e tij, Kryeministri Rama në Kuvendin Komunal të Preshevës tha se ishte i ndërgjegjshëm për situatën, sakrificat dhe varfërinë. “Do mbrojmë interesat e vëllezërve dhe motrave tona në këto troje. Barrën e ndiej tani më shumë pas këtij nderimi. Tani ndihem një nga qytetarët e këtyre territoreve. Do të mbrojmë interesat e motrave dhe vëllezërve tanë në këto troje etnike”, – u shpreh Rama.

 

Pritja/ Rama kalon në këmbë kufirin Kosovë-Serbi, ndalesë në Gjilan e Prizren

Pas vizitës dyditore në Serbi, Kryeministri Edi Rama mori dje pasdite rrugën e kthimit për në Shqipëri, por duke kaluar nga Kosova. Pas vizitës në Preshevë, Kryeministri Rama hyri në Kosovë në këmbë, përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë, për t’u takuar edhe me qytetarët e Gjilanit, të cilët kishin organizuar një pritje për të. Në pjesën e territorit të Republikës së Kosovës, Kryeministri shqiptar është pritur me ovacione nga qindra qytetarë që mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe mbishkrime të ndryshme. Rruga kryesore nga pika kufitare Dheu i Bardhë e deri në Prizren ishte në shumë vende e dekoruar me flamuj shqiptarë, amerikanë dhe të Kosovës, ndërsa për çdo kilometër ndodheshin nga dy policë të Kosovës. Por qytetaret e Gjilanit ishin përgatitur që në orën 16:00 ta prisnin Kryeministrin e Shqipërisë, por ndryshimi i agjendës së tij dhe mbërritja e Ramës në Kosovë rreth dy orë më herët sesa ishte parashikuar bëri që vetëm një numër i vogël i gjilanasve ta përshëndesin atë. Ndërkohë, pas Gjilanit, Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u ndal edhe në Prizren. Gjatë ndalesës në këtë qytet, Kryeministri Rama është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, me të cilin edhe ka drekuar ditën e djeshme, së bashku me delegacionin. Pas drekës, Rama ka hyrë në territorin shqiptar rreth orës 18:10 minuta, ku nuk ngurroi që të përçonte edhe një mesazh në rrjetin social për këtë ditë. “Per Shqiperi permes Kosoves me zemren plot, fale mijera shqiptareve qe dolen pergjate rruges per te na pershendetur”, – shkruante Rama.

 

Ish-ministri i Jashtëm italian/ Frattini: I heq kapelen Vuçiçit për reagimin pas deklaratës së Ramës

Ish-ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, u shpreh dje i impresionuar nga reagimi i Kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë konferencës për shtyp me Kryeministrin shqiptar Edi Rama. “I heq kapelen Kryeministrit Vuçiç! Vetëm në qoftë se ju jeni një lider i fortë, siç është ai, mund të reagoni ashtu”, – ka shkruar Frattini në llogarinë e tij në “Twitter”. Reagimi i Frattinit erdhi pas deklaratës së Kryeministrit Rama për pavarësinë e Kosovës, që nga ana e Vuçiçit u konsiderua si një provokim.

 

Takimi me ambasadorët/ Vuçiç: S’mund ta godisja Ramën me shkop, do të vijë sërish në Beograd në dhjetor

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka nxituar të ankohet te komuniteti ndërkombëtar në Beograd për thyerjen e protokollit nga ana e Kryeministrit Rama gjatë vizitës së djeshme në Serbi. Ai ka thërritur në takim ambasadorin amerikan Majkëll Kirbi, atë gjerman Hajnc Vilhelm, atë britanik Denis Kif, atë franceze Kristinë Moro, atë italian Xhuzepe Manx dhe atë të Bashkimit Evropian, Majkëll Davenport. Ndërkohë, agjencia e lajmeve “Tanjug” e citoi Vuçiçin të jetë justifikuar pas kritikave të marra nga disa segmente të politikës serbe, se duhet të kishte reaguar më ashpër ndaj thënieve të Ramës. “Nëse dikush mendon se është politikë serioze po të kisha marrë një shkop për ta goditur Ramën, atëherë e kanë gabim. Kjo nuk është politikë serioze dhe ata që duan të më japin leksion se po të kishin qenë në vendin tim do të kishin vepruar në këtë mënyrë, dyshoj se do ta bënin këtë gjë”, – ka theksuar ai. Nga ana tjetër, Vuçiç theksoi gjithashtu se Rama do të rikthehet në Beograd në dhjetor për samitin sino-rajonal dhe se edhe në atë rast dikush duhet t’i thotë “Mirëdita!”

 

Mediat serbe, qesharake/ “Kurir”: Rama, me këpucë të trasha për t’u dukur më i gjatë se Vuçiç

Mediat serbe vazhdojnë sulmet e tyre ndaj delegacionit shqiptar dhe kreut të qeverisë shqiptare, ku pas komenteve për ngjyrën e kostumit dhe kravatës së Kryeministrit Rama, një zgjedhje për të përfaqësuar ngjyrat e flamurit kombëtar, kësaj here këpucët e tij, sipas “Kurir”, ishin me platformë. Për agjencinë kryesore të lajmeve në Serbi, me këpucët e trasha, Rama ka dashur të ngajë më i gjatë se homologu serb Vuçiç.

 

Ministri i jashtëm serb/ Daçiç: Njohjen e Kosovës nuk e kërkoi as Klinton në Beograd

Mesazhi i Kryeministrit Edi Rama në Beograd që Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm, nuk po i lë të qetë krerët më të lartë të Serbisë. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, deklaroi se mesazhi i Ramës nuk ishte në përputhje me objektivat e vizitës. “Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd nuk e përmbushi qëllimin e saj. Njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk e ka kërkuar as ish-sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton. Këtë gjë e bëri Kryeministri i Shqipërisë dje në Beograd”, – tha Daçiç.

 

Itinerari i vizitës së Ramës

 10:00– Sheshi “Liria” i mbushur nga qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët ishin përgatitur për pritjen e Kryeministrit shqiptar.

11:45– Rama mbërrin në Preshevë, ku pritet në sallën e Kuvendit Komunal të Komunës, ku merr titullin “Qytetar Nderi”.

12:55– Rama dhe delegacioni mbërrin në sheshin “Liria”, ku pritet mes këngëve, valleve dhe flamujve kuqezi.

13: 10- Kryeministri shqiptar mban fjalimin në pallatin e Kulturës së Komunës Preshevë.

15: 00-Kryeministri shqiptar Edi Rama kalon në këmbë kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, në pikëkalimin Dheu i Bardhë në Kamenicë.

18: 10 – Rama hyn në territorin shqiptar, pas vizitës në Serbi dhe takimeve në Kosovë. Rama ndoqi rrugën tokësore për t’u kthyer nga Serbia. Rama kaloi përmes pikës kufitare të Morinës, ku shoqërohej nga forca të shumta policie.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency