Debati në grup e Kuvend/ Deputetët e PS-së kundër heqjes së akcizës, Balla dhe Braçe kryqëzojnë Canin për pijet energjike  

0
135

Gëzim Saliu

Balla: S’mund të pranohet lobingu i pronarëve të pijeve energjike. Braçe: S’mund të ndërhyjë ambasada

???????????????????? Deputetët socialistë kundërshtojnë projektligjin që parashikon heqjen e akcizës për prodhuesit e pijeve energjike. Debati për draftin e hartuar nga Ministria e Financave ka përfshirë Komisionin Parlamentar të Integrimit, ku Taulant Balla, nënkryetar i këtij Komisioni, tha dje se lobingu i pronarëve të pijeve energjike ka bërë që të bëhet ky projektligj, që, sipas tij, është i paarsyeshëm. Po ashtu, edhe deputeti tjetër socialist, Erjon Braçe, ka kundërshtuar me forcë këtë ndryshim, ku debatoi fort me ministrin e Financave Shkëlqim Cani në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë. Ndërkaq, projektligji është kundërshtuar edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku ligjvënësit e majtë kanë dalë kundër draftit të paraqitur, duke kërkuar ndryshimin e tij.

 

Debatet

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u vu dje në vështirësi për të mbrojtur paketën fiskale përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë. Duke lexuar listën që ishte rënë dakord me Komisionin më parë se cilat grupe kanë bërë propozimet për taksat e reja, kreu i Financave tha se për heqjen e akcizës për pijet energjike është marrë mendimi i biznesit dhe Ambasadës Austriake. Në këtë moment ka ndërhyrë deputeti Erjon Braçe, i cili e ka konsideruar të pajustifikueshme ndërhyrjen e një ambasade në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Më tej, kryetari i Komisionit të Ekonomisë lexoi një listë se sa tatohen pijet energjike në vendet e BE-së dhe në Austri. “Në këtë vendin ku ndërhyhet për këtë gjë, taksa doganore për të gjithë importin e BE-së është zero, akciza është 50 lekë dhe pastaj TVSH-në e paguajnë të gjithë ata që pinë pije energjike”, – tha Braçe. Po ashtu, deputeti socialist iu drejtua me tone të ashpra kreut të Financave edhe për pjesën e zhbërjes së koncesionit të pullave fiskale. “Shkon e gjitha në xhepat e këtyre zotërinjve të Sali Berishës, as qytetarëve shqiptarë, as buxhetit të shtetit. Këta, vetëm këta, i ndajnë paratë me njëri-tjetrin e pastaj i shesin mend njëri-tjetrit, duke pirë puro nëpër ballkone, nëpër podiume e nëpër tribuna”, – u shpreh ai. Në përgjigje të tij, Cani theksoi se si ministër i Financave ishte i detyruar të ndiqte rrugën ligjore. “Ligjore, por jo miqësore”, – replikoi Braçe. Ndërkaq, debati për çështjen e heqjes së akcizës për pijet energjike ishte i pranishëm dje edhe në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Integrimit, ku nënkryetari i tij, Taulant Balla, tha: “Unë mbështes vendosjen e akcizës, sepse është pije luksi. Tani t’u heqim akcizën kompanive të pijeve energjike, se lobingu i tyre është më i madh se i prindërve që duan të pinë kafe, këtë gjë nuk gjej arsye ta shpjegoj. Ju rikujtoj se pse para një viti e vumë dhe tani pse e heqim”, – deklaroi Balla. Për të njëjtën çështje shprehu kritika edhe deputetja Valentina Leskaj, e cila tha se argumentet e paraqitura nga qeveria nuk janë shumë bindëse. Nga ana e tij, zv.ministri i Ekonomisë, Ervin Mete, tha se projektligji për akcizën ndaj pijeve energjike është duke u diskutuar ende në Komisionin e Ekonomisë, duke theksuar: “Ajo që mund t’ju them është se nuk është praktikë evropiane. Në logjikë ato që taksohen, ato që janë elementet që janë impulsin janë kafja dhe sheqeri, qartësisht i ngelemi kafes”.

 

Debati te Integrimi

 Valentina Leskaj: Për heqjen e akcizës për pijet energjike, argumentet e paraqitura nga qeveria nuk është se janë shumë bindëse.

Blushi: Për shkak të reformës administrative buxheti rkonstruktohet, por ju keni ulur fondet e buxhetit vendor nga 12.6 në 11.9, mbi çfarë logjike e keni bazuar? Ne kemi pasur një traditë që projekti të ishte i alokuar me projektet, pra ku shkojnë projekte, ky buxhet nuk e ka këtë. Ju keni shifër totale të investimeve, por unë nuk shoh projekte, pra Parlamenti s’ka informacion ku do investohen paratë që ai miraton. Lidhur me arsimin, mund të na thoni sa rritet buxheti për këtë pjesë. Fondi i ri për Shqipërinë dixhitale, çfarë nënkupton ky fond, sa është ai?

Balla: Sa i përket çështjes së akcizës, një ndër gjërat që shtrohen nga raporti është ajo e pasigurisë juridike dhe ndrysim të legjislacionit. Unë bëj pjesë nga ata deputetë që kam bërë një fjalim të zjarrtë në Kuvend për çështjen e akcizës së pijeve energjike, bashkë me mua ka qenë dhe Kryeministri, edhe ministri i Financave. Realisht është një pije luksi, më mirë pi një lëng frutash sesa një pije energjike. Unë do doja që nënës dhe babait tim t’i hiqja akcizën e kafesë si deputet, se kafenë e dimë që e pinë ata që kanë nevojë, në vendet e BE-së nuk ka akcizë kafeja. Tani t’u heqim akcizën kompanive të pijeve energjike se lobingu i tyre është më i madh se i prindërve që duan të pinë kafe, këtë gjë nuk gjej arsye ta shpjegoj. Ju rikujtoj se pse para një viti e vumë dhe tani pse e heqim.

Erjon Luçi, zv.ministër i Financave: Ideja është që të shkojmë poshtë 60 për borxhin publik, e kemi si objekti afatmesëm. Një element kryesor për uljen e borxhit është përmirësimi i të ardhurave. Është e saktë që shifra ulet për vendorët, por kjo merr pritshmërinë e eficencës së kalimit tek njësitë e reja. Kjo nuk është ulje absolute është lënë mënjanë një 1.6 mld. Fondi rajonal është 12.5 mld. Shqipëria dixhitale ka 500 milionë. Ministria e arsimit është ke 3%, gjithsej ka 1.2 mld rritje.

Ervin Mete, zv.ministër i Financave: Për pijet energjike, është propozim i Këshillit të Ministrave, i cili është konsistent në qëndrimin e vet, pasi nuk e ka propozuar në 2013-ën për 2014-ën. Po e debatojmë jo pak, ku ka një investim të kryetarit të Komisionit. Ajo që mund t’ju them është se nuk është praktikë evropiane. Në logjikë ato që taksohen, ato që janë elementët që janë impulsin, janë kafja dhe sheqeri, qartësisht i ngelemi kafes. Por në qoftë se do taksojmë këtë, duhet të taksojmë edhe pije të tjera freskuese që kanë të njëjtën përmbajtje sheqeri. Debati për këtë në Komisionin e Ekonomisë.

Dokle: Domethënë arançata qenka e barabartë me Red Bullin.

 

Debati te Ekonomia

 Cani: Heqja e akcizës për pijet energjike është marrë mendimi i biznesit dhe Ambasadës Austriake dhe i mbështetur nga qeveria.

Braçe: Në këtë vendin ku ndërhyhet për këtë gjë, taksa doganore për të gjithë importin e BE-së është zero, akciza është 50 lekë dhe pastaj TVSH-në e paguajnë të gjithë ata që pinë pije energjike.

Cani: Në qoftë se e kujtoni, ne që në fillim e kemi thënë që nuk është praktikë e njohur e BE-së kjo, kështu që Ambasada ka ndjekur një rrugë.

Braçe: Të lutem mos ta kthejmë në debat këtë, se nuk ka pikë kuptimi. E kam përpara tabelën dhe unë nuk e di se cili është standardi i BE-së, 5.4 e vlerës + 21.20 euro për 100 kilogram + 10 % tatim mbi shitjet.

Cani: Zot Braçe, nuk besoj se është nevoja për të hyrë ne në debat mes nesh.

Braçe: Po pra…

Kreu i Komisionit të Ekonomisë i është drejtuar me tone të ashpra kreut të Financave edhe për pjesën e zhbërjes së koncesionit të pullave fiskale.

Braçe: Shkon e gjitha në xhepat e këtyre zotërinjve të Sali Berishës, as qytetarëve shqiptarë, as buxhetit të shtetit. Këta, vetëm këta, i ndajnë paratë me njëri-tjetrin e pastaj i shesin mend njëri-tjetrit, duke pirë puro nëpër ballkone, nëpër podiume e nëpër tribuna.

Cani: Po unë jam ministri i Financave, unë jam i detyruar të ndjek rrugët ligjore.

Braçe: Ligjore, por jo miqësore.

Cani: Zgjidhja në fillim nis në të gjitha llojet e kontratave. Në asnjë kontratë nuk kemi ku fillohet me mirëkuptim. Në qoftë se fillohet me mirëkuptim, unë jam në atë fazë që kërkoj të gjej zgjidhje dhe jam i imponuar.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency