Paketa fiskale/ Rritja e tatimit mbi depozitat u heq shqiptarëve 12 mld lekë 

0
223

Ervin Kaduku

depozita ne sportel banke– Masa më e pamenduar në kuadër të paketës fiskale 2015 është ajo që rrit taksimin e fitimit nga kursimet … me 1 miliard lekë në muaj!

– Ulet automatikisht interesi i klientëve për të ruajtur paratë në bankë. Veprim arbitrar ndërkohë që ka filluar tërheqja e depozitave nga bankat

 Qeveria “Rama” synon të heqë nga xhepat e shqiptarëve, pikërisht në kohën kur të ardhurat e tyre po shënojnë rënie të ndjeshme, 12 miliardë lekë të vjetra, vetëm me “rregullimin” e një takse. Kjo ka të bëjë me rritje në masën 50 për qind të tatimit mbi të ardhurat personale, që do të prekë depozitat bankare, konkretisht tatimin mbi fitimin që kursimtarët shqiptarë arrijnë të marrin nga lënia tek bankat e kursimeve të tyre.

Pjesë e paketës fiskale të sapoprezantuar nga qeveria për vitin e ardhshëm është edhe rritja e tatimit për të ardhurat nga depozitat. Aktualisht, të ardhurat nga interesi i depozitave tatohen me 10%, ndërsa pritet që nga 1 janari të tatohen në burim me 15%. Kjo rritje nuk është 5%, sikurse duket në vështrim të parë, por 50% (nga niveli 10 në nivelin 15 kemi rritje me gjysmën!).

Ky vendim do të prekë në masë të konsiderueshme kursimet dhe në veçanti ato të individëve, duke qenë se depozita bankare është instrumenti kryesor i mbajtjes dhe investimit të parave. Rritja e tatimit vjen në një moment kur interesat kanë zbritur në nivelet më të ulët historikë, për shkak të politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga banka qendrore, gjendjes së mirë të likuiditetit të sistemit bankar dhe kërkesës ende të dobët për kredi.

Rritja me 50% e masës së tatimit do të godasë akoma më shumë depozituesit dhe do ta bëjë akoma më pak të leverdishëm kursimin. Impakti i përafërt financiar i kësaj mase mund të llogaritet duke u mbështetur në shpenzimet e bankave për interesa, që në masën dërrmuese janë pikërisht interesa të depozitave. Vitin e kaluar bankat shpenzuan për interesa afro 35 miliardë lekë, ku 10% e shumës ose 3.5 miliardë lekë ishte vlera e tatimit.

Gjatë këtij viti, shpenzimet e bankave kanë rënë ndjeshëm për shkak të uljes së normave të interesit. Deri në fund të 9-mujorit, sistemi bankar shpenzoi për interesa 18 miliardë lekë. Nëse llogarisim se shpenzimet për interesa do të jenë në nivele të përafërta edhe në tremujorin e fundit, atëherë ato do të arrijnë në rreth 24 miliardë lekë, nga të cilat 2.4 miliardë lekë do t’i shkojnë buxhetit të shtetit në tatime.

Duke e llogaritur tatimin më 15%, vlera e arkëtimeve nga ky tatim do të rritej me 1.2 miliardë lekë ose rreth 8.6 milionë euro. Nëse sasia dhe interesat e depozitave nuk do të kenë luhatje të mëdha edhe vitin e ardhshëm, ky pritet të jetë efekti i përafërt në buxhet nga kjo masë.

 

Debat edhe tek mazhoranca

Vendimi i qeverisë për të rritur me 50 për qind taksimin e depozitave hasi që në fillim në kundërshtitë e forta edhe të vetë deputetëve të mazhorancës, nisur nga absurditeti i logjikës së Financave. Ndryshe nga argumentimet e ministrisë së Financave se kjo masë do të ndikojë pozitivisht në ekonomi pasi nxit investimet dhe rrit likuiditetin në treg, disa prej anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë u shprehën javën e kaluar, se i druhen efektit të kundërt që kjo masë mund të japë. Pas rezervave të shprehura nga deputetët e mazhorancës, numri dy i Ministrisë së Financave, Ervin Mete, tha se kjo masë vjen e paralajmëruar që një vit më parë, kur u ndryshua modeli i taksimit mbi të ardhurat.

 

Ndryshimi

Nenet 2, 3 dhe 11 të projektligjit për të ardhurat personale propozojnë ndryshimin e normës së taksimit mbi të ardhurat personale përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga. Të ardhurat e përfituara nga paga do të tatohen njësoj, pra progresivisht, duke i qëndruar kështu programit të qeverisë, që kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë.

Ndërkohë, dividendët (fitimi nga aksionet në shoqëritë aksionere), të ardhurat që rrjedhin si fitim i ortakut, qoftë ky ortak i vetëm, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera që nuk parashikohen ndryshe në dispozita të tjera të këtij ligji, do të tatohen me 15 për qind.

Po kështu, edhe fitimi mbi shitjen e të patundshmeve do të rritet me po këtë masë.

Rritja nga 10% në 15% e tatimit mbi të ardhurat nga dividendët, interesat, huatë etj. vjen në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale, theksohet në relacionin shoqërure të projektligjit në fjalë. “Kjo masë fiskale mbështetet në marrëveshjen dhe memorandumin e bashkëpunimit me FMN-në dhe, nën konsultimin e saj, qeveria shqiptare, vit pas viti do të arrijë objektivat e synuar.

Me anë të kësaj mase synohet të barazohet tatimi mbi të gjitha llojet e të ardhurave përveç atyre mbi pagat që u ulën vitin e kaluar me paketën fiskale 2015. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015”.

 

Rënia e lirë e depozitave

Kjo masë merret në kohën më pak të përshtatshme, pikërisht kur depozitat bankare të shqiptarëve po ulen, ndërkohë që gjithnjë kanë ardhur ne rritje. Edhe këtë vit, pas një rritjeje prej katër muajsh radhazi, edhe depozitat i janë rikthyer rënies. Sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të shtatorit arriti në 959.4 miliardë lekë, duke u tkurrur me 2.9 miliardë lekë, apo 0.3%, në raport me muajin e mëparshëm. Kjo tendencë negative erdhi nga rënia e kursimeve, si në lekë ashtu dhe në valutë. Si për lekun ashtu dhe valutën, kjo është tkurrja e parë në që nga shkurti 2014.

Me bazë vjetore (shtator 2014/shtator 2013), depozitat në total janë shtuar vetëm me 0.35%, ritmet më të ulëta të rritjes vitet e fundit, që nga 2009-ta, kur sistemi u përball me një valë tërheqjeje depozitash, si rrjedhojë e panikut të krijuar në atë kohë nga kriza financiare globale.

Interesat e ulëta të depozitave, nën 2% për ato 12-mujore, po i largojnë individët nga bankat. Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se politika e saj lehtësuese monetare do të vazhdojë çka nënkupton se dhe interesat e depozitave do të vijojnë të jenë të ulëta.

Natyrshëm, masa e propozuar do të ulë edhe më tej interesin e klientëve individë e subjekte për të depozituar paratë në institucione bankare.

 

Pakënaqësia e biznesit

Paketa Fiskale e vitit 2015 sërish ka qenë objekt diskutimi dje. Në Komisionin e Ekonomisë janë mbledhur grupet e interesit për të diskutuar mbi të.

Kreu i Dhomës së Tregtisë Tiranë, Nikolin Jaka, u shpreh se propozimet e dhëna nuk janë marrë në konsideratë, madje asnjë prej tyre. Më tej vijoi duke thënë se priten përmirësime në disa kushte, që ekonomia të mund të zhvillohet dhe jo të rëndohet më tepër. Ndërkaq, kreu i Biznes Albanias, Luan Bregasi, u shpreh se shoqata ka qenë e ndërgjegjshme për propozimet e bëra dhe kjo do të ndihmonte për bërjen e biznesit dhe zhvillimin e saj.

“Ne kemi kërkuar uljen e taksave lokale dhe atyre vendore. Gjithashtu përmirësimin e disa ligjeve që rrisin kostot e bizneseve dhe ndër më të rëndësishmen, që gjithashtu është rekomanduar nga disa ekspertë të Harvardit, uljet e TVSH-së në sektorin e turizmit”, – deklaroi Bregasi. Ai vlerësoi se paketa e 2015 ka përmirësime të dukshme, sidomos në reduktimin e procedurave tatimore, por nuk la jashtë vëmendjes listimin e disa pikave, që sipas tij, ishin negative në peshën që i jepet biznesit shqiptar.

“Në fushën e ndërtimit, është përkeqësuar tatimi pasi bie pesha vetëm mbi sipërmarrësin, duhet të paguajë edhe pronari i tokës. Tatimi është shtuar me 15%, këtë propozim e kemi bërë edhe më parë dhe nuk është pranuar. Tjetër pikë, në turizëm, kemi kërkuar uljen e TVSH-së, mesatarja e rajonit është 7%, ne e kemi 20%. Kjo do rriste investimet në turizëm, është shumë vështirë të fitosh në këtë sektor. Në fushën e pijeve, të ulet kostoja e pullave fiskale, sidomos për birrën vendase, Arsyet janë të qarta: nuk aplikohen në asnjë vend në Evropë dhe ka kosto të lartë. Është propozuar që të bëhet në Shqipëri vendosja e pullave: ka kosto më të ulët brenda vendit tonë, nxitet punësimi, pullat e vendosura jashtë kufizojnë eksportin në rajon. Këto janë sugjerime që duhen pasur kujdes”, – u shpreh më tej Bregasi. Një tjetër çështje që u përmend, ishte edhe ai i taksave vendore, është rritur taksa e godinave të biznesit nga 200/m2, në 400/m2. “Kemi propozuar uljen për ambientet fasone pasi kanë hapësira të mëdha dhe u kushton shumë. Nuk është e drejtë. Ne kërkojmë që ata ta kenë 100/m2”, – deklaroi Bregasi. Për faturat tatimore, Bregasi u shpreh qartazi që të penalizohet tatimpaguesi që nuk lëshon faturë të rregullt, jo ne që e marrim. Gjithashtu, së fundmi, ai u ndal në pajisjet fiskale. “Pse duhet të kontrollohet një herë në vit kasa? Kur nuk është e prishur, ne humbasim 3 miliardë lekë. Për më tepër, të gjithë e marrin 50 euro kasën, në Shqipëri 400euro. Ekonomia dhe sipërmarrja ka nevojë për oksigjen”, – përfundoi Bregasi, kreu i Biznes Albanias.

 

Agrobiznesi kundër tarifave të energjisë

Heqja e fashës 300 kilovat-orë për energjinë elektrike do të jetë një kosto e rëndë për fermerët dhe bizneset agroindustriale. Rritja e kostos së prodhimit për këto biznese mund të çojë në falimentin e tyre dhe është një goditje për bujqësinë, si një ndër sektorët që ka ndikimin më të madh në rritjen ekonomike të vendin. Shqetësimi është ngritur nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, i cili kërkon nga qeveria që për këtë kategori të mos ketë ndryshime.

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar paraqet rezerva edhe për paketën fiskale për sektorin bujqësor të prezantuar javën e kaluar. Lidhur me grantet e dhëna për bujqësinë KASH thekson se deri më tani janë shpërndarë vetëm 30 për qind e tyre dhe fondet nuk kanë shkuar tek fermerët, por janë favozizuar biznese të caktuara.

 

INSTAT: Tetor, vijon inflacioni i ulët

Inflacioni ra përsëri gjatë muajit tetor, në nivelin 1.4%, niveli më i ulët prej pothuajse një viti dhe gjithnjë nën nivelin minimal të parapëlqyer nga Banka qendrore, që është 2-4%.

Niveli i ulët i inflacionit shton shqetësimet se rimëkëmbja e kërkesës së brendshme mund të jetë më e ngadaltë nga sa pritej, me gjithë optimizmin e Bankës Qendrore. Ndikimin kryesor në rënien e inflacionit gjatë tetorit e dha grupi i ushqimeve, që zbriti në 1.6%, nga 2.1% që kishte qenë në shtator. Brenda këtij grupi, efektin kryesor në rënie vazhdojnë ta japin çmimet e ushqimeve të përpunuara. Çmimet e nëngrupit “Vajra dhe yndyra” u ulën me 7.5%, pasuar nga nëngrupi “Sheqer e ëmbëlsira” me 2.7%, “Kafe, çaj e kakao” me 3.4%. Edhe shumica e grupeve të tjera vazhdojnë të ruajnë vlera mjaft të ulëta të inflacionit. Nivelin më të ulët edhe për tetorin e regjistroi grupi i shëndetit, ku inflacioni ishte -5.7%. Ndër grupet e paktë ku çmimet rezultuan në rritje vjetore ishin “Pije alkoolike dhe duhan” me 7.4% dhe “Shërbimet arsimore”, me 11.5%.

Në rastin e duhanit, rritja lidhet me shtrenjtimin spekulativ pas paralajmërimit të rritjes së akcizës. Gjatë verës, inflacioni ishte rritur deri në kufirin e poshtëm të objektivit prej 2%, duke e çuar rritjen e çmimeve pranë niveleve të shëndetshme për ekonominë dhe duke sinjalizuar përmirësimin e kërkesës së brendshme. Por, muajt shtator dhe tetor sollën sërish hapa mbrapa, që dëshmon se ndoshta rimëkëmbja e qëndrueshme e kërkesës do të kërkojë ende kohë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency