Nuk ka më vende/ Drejtoria e Burgjeve refuzon të arrestuarit në paraburgim

0
116

Ministria e Drejtësisë: Po, i vërtetë fakt, në dy paraburgimet e Tiranës nuk janë pranuar të arrestuar nga policia

 qeli

Tiranë

Paraburgimet në Tiranë mbyllin dyert për të arrestuarit pasi nuk ka më vend. Shkak është mbipopullimi, fakt që pranohet jo vetëm nga autoritetet zyrtare të burgjeve, por edhe nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se prej ditësh në paraburgimet “Jordan Misja” dhe “Mine Peza” në Tiranë nuk ka vend për të pranuar të arrestuar të tjerë. Referuar burimeve zyrtare, ky refuzim është konkretizuar që prej ditës së premte të javës së kaluar, kur paraburgimi 313 dhe ai 302 në kryeqytet nuk kanë pranuar nga policia të marrin të paraburgosur për shkak se nuk ka vend. Të ndodhur përballë një situate të tillë kaq problematike, zyrtarët e burgjeve mësohet se po i dërgojnë të arrestuarit drejt qelive të burgut në Durrës, Fushë-Krujë dhe Lezhë. Ky mbipopullim, sipas ministrisë, është tej normave të lejuara.

 

Mbipopullimi

Vetëm në paraburgimin “Jordan Misja” i njohur si 313-ta, ndodhen mbi 250 persona mbi kapacitetin e lejuar. Kjo gjendje alarmante por me shifra pak më të ulëta thuhet se është prezentë edhe paraburgimi “Mine Peza”. Të ndodhur në këto kushte, ministria thotë se është detyruar të rrisë buxhetin për Drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve për ta përballuar me ushqime dhe siguri këtë situatë. Ndërkohë që të njëjtat burime shtojnë se burgjet, asnjëherë që pas rënies së komunizmit, nuk kanë qenë në këtë gjendje të mbipopullimit, që në total kap një shifër mbi 1500 persona mbi kapacitetin e lejuar. Mësohet se në këto dy institucione, qelitë e të paraburgosurve janë të mbipopulluara, ku edhe pse janë të parashikuar për 4 apo 6 persona, në këto ambiente janë 8 deri 10 të arrestuar. Po e njëjta gjendje alarmante ndodhet edhe pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në kryeqytet, ku fluksi i të arrestuarve është shumë më i madh se në qarqe të tjera të Shqipërisë. Sipas ligjit në fuqi, me caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, personat e arrestuar duhet të vendosen pranë ambienteve të paraburgimit dhe jo në komisariate të policisë, pasi kjo është cilësuar shkelje e të drejtave të njeriut.

 

Shkaku

Mbipopullimi në paraburgimet e kryeqytetit e ka një shkak. Sipas burimeve zyrtare nga burgjet dhe policia, mbipopullimi ka ardhur në rritje që me nisjen e operacionit të policisë për shkelësit e rregullave të qarkullimit, ndërtimeve të paligjshme apo edhe me operacionin në vazhdim për abuzuesit e energjisë elektrike. Madje, mendohet që numri të rritet dhe shtohet frika se as paraburgimet ku po transferohet aktualisht nuk do kenë më kapacitete përballuese. Ulja e kësaj gjendje alarmante nëpër burgje thonë se do të bëhet vetëm atëherë kur do të hapet burgu i Beratit, Fierit dhe i Shkodrës.

 

Krujë/ Vjedhja e 12 mijë kallëpeve të tritolit, lihet në burg ushtaraku Hasani

Gjykata e Krujës ka caktuar dje masën e sigurisë “Arrest me burg” për tetarin Adem Hasani, i akuzuar për tri vepra penale, përkatësisht “Vjedhje”, “Prodhim, mbajtje të armëve luftarake e municioneve” dhe “Shpërdorim detyre”, në zhdukjen e 12 mijë kallëpeve tritol mangët nga depot ushtarake të ruajtjes së municioneve në fshatin Nuaj të Malësisë së Krujës. Vendimi është marrë në një seancë gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krujës, ndërsa mësohet se gjatë seancës, vetë ushtaraku Hasani si dhe avokati i tij mbrojtës nuk e ka pranuar akuzën në fjalë. Ndërkohë që për asnjë moment i arrestuari, baba i pesë fëmijëve, nuk ka pranuar akuzën duke deklaruar se koha do ta provojë të vërtetën e vjedhjes së tritolit nga depot e magazinës ushtarake. Sipas kërkesës për caktimin e masës së arrestit drejtuar gjykatës, prokurorja e çështjes argumenton se rreziku për prishjen e provave në hetimin e nisur, si dhe rreziku i eliminimit fizik të tetarit Hasani nga grupet kriminale, kanë çuar në ndalimin e menjëhershëm të tij, pasi paraprakisht rezulton se në këtë veprimtari kriminale ai ka bashkëpunuar me 6 ushtarakë të tjerë. Për këtë arsye ajo kërkoi caktimin e masës shtrënguese “Arrest me burg”, kërkesë kjo e pranuar edhe nga togat e zeza. Hetimet për ushtarakun janë ende të hapura, pasi ka dyshime të arsyeshme se Adem Hasani një pjesë të municioneve mund ta ketë tregtuar dhe për guroret e zonës. Megjithatë, sasia e lartë dhe skema e zëvendësimit të tritolit në depo me armatim jashtë inventarit ka hedhur dyshime të arsyeshme se Hasani të ketë bashkëpunuar dhe koleg të tjerë dhe grupe kriminale. Ndërkohë që bëhet me dije se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar pranë administratës ushtarake një listë me 85 vepra penale të kryera me eksploziv për të krahasuar gjurmët nëse eksplozivi i gjetur në vendngjarje është apo jo i njëjtë me atë që kishte në ruajte ushtaraku tashmë i prangosur. E nëse do të rezultojë diçka e tillë më pas dosja ku pritet të shtohen dhe persona të tjerë veç Hasanit do të kalojë për kompetencë të Krimeve të Rënda. Nga hetimet paraprake mësohet se Adem Hasani prej 18 vitesh ka kryer i vetëm inventarin e depove ushtarake ku në të shumtën e rasteve ka rezultuar se ato ishin inventar fiktiv, për t’u zbuluar më pas nga një urdhër i Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ka kërkuar inventar me grup ushtarakësh për çdo depo në pronësi të ushtrisë. Ka qenë pikërisht inventari i bërë në fund të muajit tetor në prani të një komisioni nga Ministria e Mbrojtjes që ka mungesën e municionit luftarak në depot e administruara nga tetar Adem Hasani i cili në prani të kolegëve të tij ka dëshmuar se nuk ka dijeni, ndoshta janë vjedhur natën. Ka mjaftuar kaq, për të nisur menjëherë kallëzimin e për të shkuar në prangosjen e Hasanit, i cili nga faktet ka rezultuar se jo vetëm nuk ka administruar depot si magazinier, por të ketë kryer veprën penale e ta ketë fshehur atë prej vitesh. Nga inventari ka rezultuar se vlera e dëmit të shkaktuar ndaj shtetit është 198.473.590 lekë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency