Detajet e vizitës për 12 orë/ Prapaskenat e Beogradit, rruga e përbashkët drejt BE-së mbeti sërish në fillim

0
115

Gëzim Saliu

foto per perplasjen rama vucicNë aeroport, pritja pa flamur shqiptar, në pallatin “Serbia”, flamuri serb pranë atij shqiptar. Pse që nga nisja e vizitës e deri tek konferenca dominoi tensioni dhe ndjenja e revanshit

Përtej parashikimeve dhe pritshmërive, vizita e djeshme e Kryeministrit shqiptar pas plot 68 vitesh në Beograd tregoi edhe një herë hendekun e madh që qëndron mes dy vendeve si edhe brishtësinë e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit. Në këtë vizitë, e cila do të vazhdojë edhe ditën e sotme me takimet në Luginën e Preshevës, u shfaq dukshëm ndarja mes palëve, porse nuk mungoi nga ana tjetër edhe angazhimi për një fillim të ri, që, me sa duket, do të kërkojë edhe më shumë kohë për t’u konkretizuar.

 

Orët e para në Beograd

Avioni me të cilin udhëtoi delegacioni shqiptar u nis nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit, në orën 08:45, ndërsa Kryeministri shoqërohej prej një delegacioni që përbëhej nga: Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj si edhe nga gazetarë e biznesmenë të njohur. Kreu i qeverisë shqiptare mbërriti rreth orës 10:00 në aeroportin e Beogradit, i cili ishte blinduar nga forca të shumta policore dhe helikopterë që monitoronin nga ajri. Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u prit me ceremoni nderi në aeroport nga ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, por se në atë që konsiderohet si toka e nderit është mbajtur vetëm flamuri serb, përpara të cilit janë përkulur të dy kryeministrat. Ndërkaq ajo që binte në sy ishte veshja e Kryeministrit shqiptar, një kostum i zi dhe kollare e kuqe, duke përcjellë përmes saj ngjyrat e flamurit kuqezi. Më tej, Kryeministri shqiptar është pritur me nderime në pallatin “Serbia”, ku zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç. Gjatë momentit të pritjes si edhe gjatë të gjithë minutave në shesh nga parakalimi para gardës deri tek ekzekutimi i himnit, tek kreu i qeverisë serbe vihej re qartë tensioni, gjë që nuk mungoi as tek Kryeministri Rama, por në doza më të ulëta. Sigurisht vetë rëndësia në kontekstin historik të takimit, por sidomos atmosfera e krijuar pas ndeshjes së Beogradit, përcillte natyrshëm tek dy liderët ndjenja tensioni. Në takimin në pallatin kryeministror në Beograd, ndryshe nga ai në aeroport, flamuri shqiptar është gjendur përkrah atij serb. Në oborrin e pallatit “Serbia” janë luajtur himnet e të dy vendeve, ndërsa Kryeministri Rama mbajti dorën në zemër gjatë ekzekutimit të himnit shqiptar. Takimi i dy kryeministrave nisi rreth orës 11:00 dhe ka zgjatur rreth 40 minuta. Takimi kokë më kokë mes Ramës dhe Vuçiçit ishte parashikuar të zgjaste 20 minuta, por nisur nga kundërshtitë mes palëve për disa çështjeve të nxehta mes dy vendeve, takimi zgjati edhe për 20 minuta më shumë. Pas takimit, palët kaluan tek nënshkrimi i marrëveshje dypalëshe. Ndërkohë që jashtë selisë së qeverisë serbe rreth 100 persona shprehën pakënaqësitë e tyre për vizitën e Kryeministrit Rama në Beograd. Ata shpalosën edhe slogane të vjetra si ajo “Shkodra do të jetë prapë serbe”, por policia serbe ka reaguar në kohë dhe ka mundur të shpërndajë protestuesit. Sa i përket sigurisë, vizita nuk shënoi asnjë incident, falë edhe organizimit efektiv të mbi 3 mijë forcave policore.

 

Konferenca

Konferenca e përbashkët mes dy kryeministrave, pas përballjes kokë më kokë në takimin në zyrën e Kryeministrit Vuçiç, ishte faza që shënoi edhe pikën e kthesës në vizitën e kreut të qeverisë shqiptare. Edhe pse nuk munguan mesazhet e bashkëpunimit mes palëve në kuadër të aspiratave të përbashkëta në BE, të cilat u konkretizuan edhe me nënshkrimin e disa marrëveshjeve, palët do të ndanin qëndrime diametralisht të kundërta për çështjen e Kosovës. Edhe pse ashtu si vetë Rama e cilësoi në konferencë, Kosova përbën një realitet të pamohueshëm në rajon, Ballkan e Evropë, pala serbe e veçanërisht Kryeministri Vuçiç u ndie tejet i ofenduar nga deklarata e homologut të tij, duke pohuar me ashpërsi se nuk do të lejonte askënd të ulte popullin e Serbisë. Në këtë pjesë nuk munguan replikat mes palëve, të cilat i dhanë edhe udhë pjesë së dytë të vizitës, ajo që riktheu palët në pikën fillestare. Përmendja edhe e incidentit të dronit në ndeshjen e 14 tetorit ndikoi më shumë në tendosjen e konferencës së përbashkët, e cila u mbyll pa shtrëngim duarsh mes dy kryeministrave, për shkak se Vuçiç iu drejtua direkt daljes së sallës, duke ftuar Ramën ta ndiqte. Reagimet pas konferencës, si të Kryeministrit shqiptar ashtu edhe të atij serb ishin të njëjta me ato të konferencës së përbashkët, ku Rama pohoi se deklarata e tij kishte të bënte me një realitet të njohur e ndërsa Vuçiç theksoi se provokimi i Kryeministrit shqiptar nuk mundësoi hapjen e një faqeje të re mes dy vendeve. Nga ajo që u pa dje në Beograd, u vërtetua se do të duhet ende shumë kohë që të dy popujt të ecin në të njëjtën rrugë, me aspirata dhe interesa të përbashkëta, ato të integrimit evropian.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency