Standard.al

Vendimi / Operacioni për lojërat e fatit, dënohen 75 persona në dhjetë muaj

url

Alma Çuka

Gjykata në të shumtën e çështjeve ka vendosur dënimin me gjobë, që varion nga 60 deri në 150 mijë lekë të reja. Vendimet me burg janë deri në 2-3 muaj dhe ato pezullohen me afat deri 2 vjet

 Operacioni “Fundi i marrëzisë”, ndërmarrë nga Ministria e Brendshme tetorin e vitit 2013, për kryerjen e të cilit u angazhuan 6 mijë forca policore në mbarë vendin, duket se nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Nisur me bujë se do të arrestoheshin të gjithë personat që ushtronin veprimtarinë e paligjshme në këtë fushë, tashmë kur kanë kaluar të paktën 1 vit, statistikat flasin për një dështim total të tij. Jo vetëm kaq, por shifrat e referuara nga Ministria e Brendshme në Prokurori dhe kjo e fundit në Gjykatë janë të papërfillshme, krahasuar me operacionin, gjatë ditëve të të cilit raportoheshin në gjithë vendin arrestime të bujshme.

 

Statistikat

Sipas të dhënave zyrtare të marra nga faqja e Gjykatës së Tiranës, që prej janarit të këtij viti deri sot rezultojnë të dënuar për veprën penale “Organizim i lojërave të fatit”, vetëm 75 persona. Ndërkohë, Ministria e Brendshme do të raportonte në fillimet e operacionit arrestime të qindra personave dhe dërgimin e tyre për hetim në Prokurori. Vetëm për Tiranë, ku aksioni ishte edhe më i madh, numri i personave të arrestuar për këtë vepër penale ishte tepër i madh. Ndërkohë, Prokuroria raporton se ka proceduar vetëm 90 prej tyre. Pjesa tjetër e personave të raportuar se ishin nën hetim, u proceduan në rrugë administrative. Por sipas Prokurorisë, vetëm një numër i vogël pronarësh të lojërave të fatit, janë kapur me shkelje.

 

Vendimet

Gjykata e Tiranës në dhjetë muaj ka dhënë 75 vendime. Pothuaj të gjitha rastet janë zgjidhur brenda një ose dy seancave gjyqësore. Palët e kallëzuara nga Ministria e Brendshme kanë pranuar akuzën duke përfituar nga ligji, uljen e menjëhershme të masës së dënimit. Nga tabelat e vendimeve publikuara në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës, konstatohet lehtë se pjesa më e madhe e dënimeve është me gjobë që varion nga 60 deri në 150 mijë lekë të reja. Në pak raste gjykata ka dhënë dënime me burg deri në dy muaj. Por dënimi është pezulluar pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri.

 

 

 

Izolimi

Vrau katër persona, Xhuvani izolohet në burgun e Fushë-Krujës

Kostandin Xhuvani, 25-vjeçari, i cili për organin e Prokurorisë është autori i vetëm i vrasjes së katër personave në datë 4 nëntor në një lokal nate në Tiranë, dërgohet në burgun e Fushë-Krujës. Mësohet se menjëherë pas dhënies së masës së arrestit nga Gjykata e Tiranës, Xhuvani, nën masa të rrepta sigurie, është dërguar në burgun e Fushë-Krujës. Një nga arsyet e largimit të tij nga Tirana, sipas informacioneve jozyrtare nga burgjet, është ruajtja e tij nga frika e eliminimit. Ndërkohë, në burgun e Fushë-Krujës, Kostandin Xhuvani do të mbahet nën mbikëqyrje për 24 orë pa ndërprerje. Punonjësit e regjimit të brendshëm në këtë burg kanë marrë udhëzimet përkatëse për të qenë të gatshëm në çdo moment, me qëllim shmangien e ndonjë eliminimi apo tentative vetëvrasje. Dihet se 25-vjeçari është përdorues i rregullt i lëndës narkotike. Madje, nga ekspertiza e Prokurorisë rezultoi se konsumonte sasi të konsiderueshme të pijeve alkoolike. Problemet që krijojnë përdorimi i lëndëve psikotrope, ndikojnë drejtpërdrejt në çrregullimin e tij nervor dhe kryerjen e veprimeve të pakontrolluara. Burme nga burgjet bëjnë me dije se kanë marrë të gjitha masat për të pasur në kontroll Kostandin Xhuvanin. Ky i fundit është veçuar edhe nga shoku i tij Erald Sida. Ndaj Kostandin Xhuvanit, Prokuroria e Gjirokastrës ka rinisur hetimet lidhur me ngjarjen e 25 prillit të këtij viti, ku pas shpalljes në kërkim nga policia, hetimet u mbyllën nga Prokuroria e Gjirokastrës me arsyetimin se atë ditë Xhuvani nuk ndodhej në Gjirokastër, por i shtruar në Spitalin Psikiatrik.

 

 

Durrës

Bie nga kati i tretë i banesës, humb jetën 17-vjeçari

Një 17-vjeçar ka humbur jetën pasi ra nga tarraca e katit të tretë të banesës ku jetonte. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e ish-Kënetës në qytetin e Durrësit.

Burime nga policia bëjnë me dije se 17-vjeçari me iniciale F. L. ndërroi jetë pasi u dërgua në spital. Ende nuk dihet nëse rënia e të riut ishte si pasojë e ndonjë aksidenti apo është hedhur vetë. Nga të dhënat e policisë, mësohet se i riu njihej si person që vuante nga problemet e depresionit dhe se kishte tentuar edhe herë të tjera t’i jepte fund jetës. Pas ngjarjes janë pyetur pjesëtarët e familjes për të mësuar më tepër për shkaqet e vdekjes së 17-vjeçarit.

 

 

 

Comments are closed.