Superliga Shqiptare / Partizani humbet ndaj Skënderbeut, Tirana fiton derbin e Shqipërisë

0
122

Skenderbeu-feston-2014

Dy nga ndeshjet më të rëndësishme të Superligës Shqiptare në ditën e djeshme kanë qënë ato midis Partizanit e Skënderbeut dhe Vllaznisë e Tiranës. Dy sfida të mëdha që përballnin rival direkt dhe historik. Në sfidën midis Tiranës dhe Vllaznisë heshtja në tribunat e “Qemal Stafës” ishte më shumë sesa prezente në minutat e para të sfidës dhe të dyja skuadrat pa mbështetjen e tifozëve të tyre e kishin shumë të vështirë për të krijuar hapësirat e nevojshme në fushë, në mënyrë që të rrezikonin portat kundërshtare. Për të parë rastin e parë në këtë sfidë duhej pritur minuta e 24-t. Krosim i Bulkut nga goditja e dënimit dhe topi u arrit nga Bakaj që provoi me kokë nga brenda zonës por asnjë vështirësi për portierin Selimaj. Tirana mori masat duhura kur hyri në dhomat zhveshjes pasi lojtarët bardheblu kur zbritën sërish në fushë ishin më të motivuar se kurrë për të gjetur rrugën e rrjetës. Sinjalin e parë në këtë pjesë e dha Morina por sulmuesi i kryeqytetasve nuk i dha dot forcën e duhur topit për ta kaluar atë pas shpatullave të portierit Selimaj në minutën e 57-të. goli i shumëpritur për Tiranën do të vinte në minutën e 64-t kur Afrim Taku devijoi drejt rrjetës një pasim të saktë nga e djathta e sulmit të Bushic. Prekja e mesfushorit bardheblu ishte më se e mjaftueshme për t’i ndryshuar drejtimin topit dhe për ta dërguar atë në rrjetë. Goli i disavantazhit ndryshoi disi lojën e Vllaznisë që gjithsesi nuk kishte forcat e duhura për ti bërë dëm Tiranës. Madje bardheblutë mund të kishin dyfishuar në të 69-ën, por goditja potente e Morinës nga distanca u ndal nga Selimaj. Gjithçka u mbyll me shifrat 1-0 në favor të Tiranës rezultat ky që u jep të drejtë bardhebluve të kryesojnë të vetëm kampionatin në kuotën e 25 pikëve në pritje të ndeshjes së Kukësit.

 

Skënderbeu-Partizani

Gjithçka ka shkuar keq, ndërsa Skënderbeu është rikthyer seriozisht në garën për titull. Korçarët arritën të fitonin 2-0 ndaj të kuqve që i çon kështu në ndjekje të Tiranës me një pikë më pak. Atmosferë e denjë për kryendeshjen e javës së 12 të Kategorisë Superiore në stadiumin Skënderbeu të Korçës ku ndihej prania e tifozëve vendas, ndërkohë që nuk mungonin të shumtë në numër dhe mbështetësit e Partizanit. Loja nisi më e vrullshme nga ana e Skënderbeut që dha sinjalin e parë që në fillim me Bernard Berishën, ndërkohë që në minutën e 12-të Tefik Osmani nuk arriti të çonte në portë topin e nisur nga Shkëmbi në goditje këndi, gjithsesi më pas ritmi u ul disi për të dhuruar goditjen klasike të skenës në minutën e 24. Kthim i Topit pas nga Vrapi që nuk u menaxhua mirë nga Xhika, Olianika ishte gati për të rrëmbyer topin duke e detyruar gardianin e kuq të kryente një ndërhyrje të parregullt. Për kryesorin Laver Alla nuk kishte dyshim, penallti për Skënderbeun dhe karton i kuq për Xhikën, por vendimi ishte përgjysmë i gabuar pasi pamjet filmike tregojnë se ndërhyrja e mbrojtësit ekstrem të Partizanit erdhi jashtë zonës. Duro i detyruar të fuste në lojë portierin e tretë Fabio Gjonikaj që zëvendësoi kapitenin Nderim Nexhipi që nuk e fshehu aspak kënaqësinë për largimin nga fusha, ndërsa shkoi drejt dhomave të zhveshjes. Detyrë e rëndë ajo për 19-vjeçarin Gjonikaj në një duel ballë për ballë me Shkëmbin nga 11 metrat dhe një rekord pathyeshmëria për të ruajtur në portën e kuqe por futbolli është shkenca e të papriturave. Portieri i tretë i Partizanit grushtoi goditjen e kapitenit korçar duke realizuar mrekullinë, të cilën tifozët e kuq nuk patën fatin ta shijonin as një minutë, pasi menjëherë më pas në goditjen e këndit të Shkëmbit, Arapi kaloi topin te Diego Martins që i pamarkuar i mjaftoi të shtynte topin me gjoks në shtyllën e dytë për të realizuar golin e avantazhit. 1-0 për Skënderbeun, porta e Partizanit u thye pas plot 850 minutash rezistencë, festa është e gjitha për korçarët. Në disavantazh rezultati por dhe të forcave në fushë Partizani u bë i rrezikshëm për herë të parë në minutën e 42 kur një krosim nga skaji i Cuculit vuri në rrezik portën e Orges Shehit. Pjesa e dytë nisi me Partizanin më kërkues të hedhur në kërkim të barazimit, por gjithsesi ne superioritet numerik Skënderbeu rimori kontrollin e lojës. Për Skënderbeun do të vine edhe goli i sigurisë kur në minutën e 72-të Osmani mori topin në qendër të topit për t’ia kaluar Diego Martins që e pati gjithçka të lehtë për të shënuar golin e sigurisë. Partizani i çoroditur nuk mundi të shfrytëzonte as rastin më flagrant me Shabanin që përparoi i vetëm në krah nuk gjeti dot Fazlliun në qendër të zonës, dhe topi shkoi te Osmanaj që me portën bosh bëri më të vështirën duke e çuar topin jashtë. Vërtet e pabesueshme, nuk ishte ditë për të kuqtë, dhe në minutën e 90 erdhi dhe goli që vulosi rezultatin me protagonistë lojtarët e ardhur nga stoli, krosim i Dimos për Fatjon Sefën me lushnjarin që shënoi me kokë golin e 3-0.

 

 

Murinjo: Çelsi ndaj Liverpulit, fantastik

Tekniku i bluve të Londrës, Hoze Murinjo, e ka quajtur fantastike skuadrën e tij, pas fitores në derbin e javës ndaj Liverpulit të fituar në shifrat 2-1. Lideri i Premier Ligës u gjend në disavantazh në fillim të takimit nga goli i Emre Can, por golat e Geri Kahill dhe Diego Kosta, rikthyen gjithçka në ndeshje. “Nuk e përjetuam presionin e Liverpulit, sepse skuadra ime është fantastike. Ata bënë çmos në këtë ndeshje, por Çelsi ishte skuadër më e mirë. “Kjo është skuadër e re, një epokë e re për Çelsin. Jemi shumë të lumtur me skuadrën dhe kualitetin që kemi, por asnjë skuadër nuk hyn në histori pa trofe, dhe momentalisht, kjo skuadër nuk ka asnjë, sepse është shumë e re”, – ka deklaruar Murinjo. Çelsi vazhdon kryesimin në tabelë me katër pikë larg nga pozita e dytë që mbahet nga Sauthemptoni.

 

 

Barcelona përmbys rezultatin dhe fiton ndaj Almerias

Barcelona ka arritur me mund të madh të mposhtë Almerian 2-1 në “Estadio de los Juegos Mediterraneos”. Ekipi vendas luajti më mirë në gjysmën e parë, duke bërë presion ndaj kundërshtarit dhe duke mos i lënë “blaugranët” që ta zhvillonin lojën e tyre. Ky angazhuam u shpagua me shënimin e golit të epërsisë. Vendasit shfrytëzuan një gabim të Mesit dhe Soriano dërgoi një pasim të përsosur drejt Tivi Bifumasë, i cili ndëshkoi Bravon në të 37-ën. Katalanasit bënë përpjekje maksimale në gjysmën e dytë dhe krahas goditjes së shtyllave nga Suarez e Mesi, nuk munguan golat. Suarez pranoi një top dhe pasoi në drejtim të Nejmarit, i cili realizoi përkundër përpjekjes së Ximos për ta ndalur në të 73-ën. Goli i fitores u shënua nga Hordi Alba pak minuta nga mbarimi ndeshjes, ndërsa edhe ky gol ishte meritë e Luis Suarezit, cili dhuroi asistimin. Kjo fitore e rikthen Barcelonën në maje të tabelës, me një pikë më shumë se Real Madridi që këtë javë luan kundër Rajo Valekanos.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency