Rreziku i ekonomisë globale vjen nga Eurozona

0
134

eurozona

–  Deflacioni në Eurozonë, shumë pranë dhe ekstremisht i rrezikshëm

Ekonomia botërore nuk është në gjendje të mirë. Lajmet nga Amerika dhe Britania janë më pozitive, por ekonomia e Japonisë po përballet me shumë probleme dhe rritja e Kinës aktualisht është më e ngadaltë se sa në çdo kohë që nga viti 2009. Po shfaqen shumë rreziqe të paparashikueshme, sidomos nga epidemia e Ebolës, e cila ka vrarë me mijëra në Afrikën Perëndimore dhe ka tendosur nervat edhe më tej. Por, kërcënimi më i madh ekonomik, deri më tani, vjen nga kontinenti evropian.

Tani që rritja gjermane ka ngecur në vendnumëro, Eurozona është në prag të recesionit të tretë në gjashtë vjet. Drejtuesit e saj kanë kaluar dy vjet në qetësi siguruar nga zotimi i Mario Draghi-t, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, për të bërë “çfarëdo qoftë e nevojshme” për të shpëtuar monedhën e vetme. Francezët dhe italianët kanë shmangur reformat strukturore, ndërsa gjermanët kanë insistuar për shumë masa shtrënguese. Çmimet janë në rënie në tetë vende evropiane.

Norma e përgjithshme e inflacionit të zonës ka zbritur në 0.3% dhe mund të shkojë në rënie të plotë vitin e ardhshëm. Një rajon që përbën pothuajse një të pestën e prodhimit botëror po shkon drejt staniacionit dhe deflacionit.

Optimistët, si brenda dhe jashtë Evropës, shpesh citojnë shembullin e Japonisë. Ajo ra në deflacion në fund të viteve 1990, me pasoja të pakëndshme, por jo apokaliptike, si për veten ashtu dhe ekonominë botërore. Por Eurozona paraqet rreziqe shumë më të mëdha.

Por, ndryshe nga Japonia, Eurozona nuk është një rast i izoluar: nga Kina e deri në Amerikë, inflacioni është i ulët dhe ‘i plogësht’ në një mënyrë vërtet shqetësuese. Dhe, ndryshe nga Japonia, e cila ka një shoqëri homogjene, stoike, Eurozona nuk mund të qëndrojë e bashkuar me vite me një ekonomi ‘të sëmurë’ dhe çmime në rënie. Teksa barra e borxhit rritet së tepërmi nga Italia në Greqi, investitorët do të frikësohen, politikanët populistë do të fitojnë terren, dhe – herët apo vonë – euro do të shembet.

Edhe pse shumë evropianë, sidomos gjermanët, i janë frikësuar inflacionit, deflacioni mund të jetë edhe më i egër. Nëse njerëzit dhe firmat presin që çmimet të bien, ata do të ndalin shpenzimet, dhe teksa kërkesa do të bjerë ndjeshëm, do të rriten kreditë e papaguara. Kjo ishte ajo që ndodhi gjatë Depresionit të Madh, me pasoja të tmerrshme, sidomos në Gjermani, në fillim të viteve 1930.

Pra, është brengosës fakti se, nga 46 vende, bankat qendrore të të cilëve synojnë inflacionin, 30 janë nën objektivin e tyre. Disa nga rëniet e çmimeve janë të mirëpritura. Rënia në çmimet e naftës, në veçanti, u ka dhënë të ardhurave të konsumatorëve shtysë. Por ngadalësimi i çmimeve dhe pagat e ulëta i detyrohen më shumë kërkesës së dobët në ekonomi dhe rreth 45 milionë punëtorë janë të papunë në vendet e pasura të OECD. Investitorët kanë filluar të presin inflacion më të ulët edhe në ekonomi, të tilla si Amerika, të cilat po rriten në norma të arsyeshme.

Më keq akoma, normat afatshkurtra të interesit janë afër zeros në shumë ekonomi, kështu që bankat qendrore nuk mund t’i reduktojnë ato për të rritur shpenzimet. E vetmja armë mbetet lehtësimi sasior dhe forma të tjera të shtypjes së parave.

Kërcënimi i inflacionit të ulët global përbën një arsye të mirë që shumica e bankave qendrore ta mbajë politikën monetare të lirshme. Ai është gjithashtu, në terma më afatgjatë, një nxitje për të konsideruar rishikimin e objektivave të inflacionit pak më lart. Por problemi i menjëhershëm është Eurozona.

Ekonomia e Evropës Kontinentale ka shumë dobësi të mëdha esenciale, nga demografia e dobët e deri te borxhet e rënda dhe tregjet sklerotike të punës. Por ajo ka bërë edhe gabime të mëdha politike. Franca, Italia dhe Gjermania kanë shmangur reformat strukturore që stimulojnë rritjen. Eurozona është veçanërisht e ndjeshme ndaj deflacionit për shkak të insistimit të Gjermanisë për më shumë masa shtrënguese fiskale dhe hezitimit të BQE-së.

Banka Europiane e Investimeve do të mund të nisë zgjerim të madh (të themi 300 miliardë euro ose 383 miliardë dollarë) të investimeve të tilla si lidhje më të shpejta ndërkufitare hekurudhore ose rrjete më të integruara të energjisë elektrike – dhe të rrisë shumën e parave, duke emetuar obligacione, të cilat Banka Qendrore Evropiane (BQE) do të mund t’i blejë në tregun sekondar. Një mundësi tjetër do të ishte të ripërcaktonte rregullat e deficitit të BE-së për të përjashtuar shpenzimet e investimeve, të cilat do t’i mundësonin qeverive të rrisin deficitet, sërish me BQE-në që luan një rol mbrojtës.

Pas gjithë kësaj qëndron problemi i vullnetit politik. Zonja Merkel dhe gjermanët duken të gatshëm për të ndërmarrë veprime vetëm kur monedha e vetme gjendet në prag të katastrofës. Në të gjithë Evropën, njerëzit po dëmtohen, papunësia e të rinjve në Itali dhe Spanjë është mbi 40%. Votuesit shfrynë zemërimin ndaj rendit ekzistues në zgjedhjet parlamentare të BE-së në fillim të kësaj vere, dhe arritën fare pak ndryshime. Një tjetër rënie në humnerë do të testojë durimin e tyre. Dhe pasi deflacioni të ketë mbërthyer ekonominë, do të jetë shumë e vështirë rimëkëmbja. Liderët e Evropës nuk kanë më edhe shumë kohë për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate.

 

 

Forcohet dollari, humb pikë euroja në tregun shqiptar

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë monedha vendase ka humbur pikë kundrejt dollarit gjatë fundjavës. Një dollar u këmbye me 112.17 lekë, 0.89 lekë më shumë se ditë më parë. Ndërsa valuta evropiane euro ka shënuar rënie duke u këmbyer me 139.16 lekë, 0.03 lekë më pak se ditët e mëparshme.

Edhe në tregjet ndërkombëtare treguesi i dollarit është rritur duke shënuar fitimin më të madh javor në më shumë se 16 muaj përpara raportit të qeverisë amerikane që parashikon të tregojë se punëdhënësit rritën më shumë se sa mesatarja e këtij viti numrin e të rekrutuarve në muajin tetor.

Indeksi i dollarit të Bloomberg, i cili vlerëson dollarin amerikan kundrejt 10 monedhave kryesore të tregut, ndryshoi pak në 1,098.32 në Londër, duke avancuar në 1.6 për qind këtë javë.

Euroja u rrit me 0.1 për qind në 1.2384 dollarë, pasi ra me 1.1 për qind gjatë kësaj jave.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency