Pan(O) shqiptar /  A mos po përsëritet viti 1924 i Shqipërisë, në vitin 2014 në Kosovë?!

0
122

Milazim KRASNIQI

Ashtu siç Noli nën këmishën e kuqe të bolshevizmit mbante këmishën e zezë të fashizmit, edhe disa nga liderët gjaknxehtë të vendit tonë duket se nën këmishën e propagandës e kanë të fshehur këmishën e terrorit. Propaganda e tejzgjatur e tyre kundër Hashim Thaçit, si gjoja simbol i të gjitha të këqijave të këtij vendi, është si përpjekja e dikurshme e bashkimxhinjve kundër Ahmet Zogut, në mënyrë që të përligjet yryshi eventual për marrjen e pushtetit me dhunë.

 

Kërcënimi me protesta nga ana e Lëvizjes “Vetëvendosje!” (me çka fillimisht duket se po solidarizohej edhe lideri i AAK-së) për largimin nga pushteti të kryeministrit Hashim Thaçi, domosdoshmërisht duhet të na e sjellë në kujtesë një ngjarje të njohur e tragjike nga historia e shtetit shqiptar, grushtshtetin e vitit 1924. Në vitin tashmë të largët, por që ka mbetur shumë i freskët në kujtesën e shqiptarëve edhe pas njëqind e katërdhjetë vjetëve, për shkak të pasojave të rënda që prodhoi, forcat që humbën në zgjedhjet parlamentare, nuk e pranuan rezultatin e zgjedhjeve. Humbësit e zgjedhjeve morën qëndrim për marrjen e qeverisë me mjete të dhunshme. Morën pushtetin me dhunë dhe e shpërbënë parlamentin. Kryetar qeverie u emërua Fan Noli, sigurisht njëri nga frymëzuesit kryesorë të grushtit të shtetit. Për ta krijuar një paralele me paralizën e sotme të parlamentit të Kosovës nga mosnjohja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është interesante deklarata e kryeministrit Noli lidhur me parlamentin. Në një intervistë që i kishte dhënë gazetës greke, Scrip” (cituar sipas tekstin brilant të dr. Aurel Plasarit, “Këmisha e zezë nën këmishën e kuqe”), Noli deklaronte me cinizëm: “E shpërndamë parlamentin, që të bëjmë disa kursime të nevojshme…”. (Me keqardhje duhet të shkëputem nga teksti Dr Plasarit, të cilin do të duhej ta lexonte secili shqiptar, që të mësonte se si janë përthyer ndër shqiptarë, sado që janë maskuar, modelet fashiste të marrjes së pushtetit me dhunë.) Dhe duhet të shkëputemi nga historia e hidhur se çfarë prodhoi ai grushtet për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që u përfshinë me përdhunë në një luftë civile dhe pastaj edhe në një hemorragji të politikanëve e intelektualëve që e braktisën shtetin, nga frika e hakmarrjes, duke i hapur ashtu rrugë edhe penetrimit dhe pushtimit fashist të Shqipërisë, disa vite më vonë.)

Pra, t’i kthehemi realiteti puçist e revolucionar të Kosovës në vitin 2104 dhe të shohim se si po përthyhet tendenca e shkatërrimit të parlamentit e të parlamentarizmit dhe të mbajtjes së shtetit peng të një bllokimi të tejzgjatur nga humbësit e zgjedhjeve 8 qershorit 2014. Mosrespektimi faktik i rezultatit të zgjedhjeve, u proklamua më 9 qershor, ( vetëm një ditë ka ndryshim nga grushti i shtetit i vitit 1924!) duke shpallur një koalicion paszgjedhor të katër grupimeve, që i kanë humbur zgjedhjet. Këto katër grupime (LDK, AAK, Nisma dhe VV) kishin bërë një luftë bukur të ashpër mes vete gjatë fushatës, por në mëngjesin e 9 qershorit 2014, Mustafa, Haradinaj e Limaj (Kurti u bashkua pak më vonë) u bënë bashkë, siç u bënë bashkë më 10 qershor 1924 Fan Noli, Sylejman Delvina, Rexhep Shala e Kasem Qafëzezi (me ndoca të tjerë ambiciozë të çartur rreth sahanit të pushtetit të marrë me dhunë) edhe pse kishin shumë kundërthënie mes vete. Liderët tanë të vitit 2014 u bënë bashkë, jo vetëm kundër PDK-së dhe koalicionit të saj parazgjedhor, po edhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me të drejtën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar parazgjedhor, faktikisht kundër konstituimit të parlamentit. Por, këtyre burrave ky pozicionim antikushtetues nuk u mundësoi formimin e qeverisë, ashtu si patën bërë Noli e shokët e tij të armëve, po vetëm sa e shkaktoi paralizën e Kuvendit dhe pamundësoi formimin e qeverisë së re. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nominimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit i takon ekskluzivisht koalicionit parazgjedhor, të udhëhequr nga PDK-ja dhe kjo gjë nuk mund të tjetërsohet e as të konsumohet nga ndonjë grup tjetër parlamentar, as parazgjedhor e as paszgjedhor. Por, në momentin kur ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk respektohet, vendi faktikisht është në një gjendje potenciale të instalimit të pushtetit e dhunë. Në këtë mes nuk ndihmon thirrja e seancave të Kuvendit, siç lamentojnë disa prej tyre, nëse paraprakisht nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të kryesisë së tij. Duken joseriozë dhe bile qesharakë edhe ata politikanë, që deklarojnë se PDK mundka të propozuaka njëqind e njëzet kandidtaë, deri sa ta konsumojë listën. Askush nuk e shfrytëzon në dëm të vetin favorin kushtetues që ka, nuk ka se ta bëjë as PDK-ja. Prandaj, nga Blloku mund të bëhet zhurmë politike e mediale pa pushim, mund të bëhet propagandë e edhe hallakamë në rrugë, por veprimet e tilla vetëm sa e krijojnë ambientin jotolerant, ama nuk mund ta ndryshojnë vendimin strikt të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, iniciativa si kjo e “Vetëvendosjes!”, që të fillojnë protestat “për largimin e Thaçit nga pushteti”, pashmangshëm asocojnë me iniciativën puçiste të vitit 1924 për marrjen e pushtetit me dhunë. Nuk ka emërtim tjetër kjo punë. Ose ata janë aq joseriozë, sa që nuk e dinë peshën e fjalëve e të veprimeve të veta!

Besoj se për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet kjo iniciativë për stabilitetin e vendit dhe investimin ndërkombëtar në Kosovë, ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Trejsi Jakobson, foli me tone aq të ashpra kundër kësaj iniciative. Ndoshta pas këtij reagimi të fortë të ambasadores Jakobson do të ketë një tërheqje nga iniciativa që të fillojnë protestat e dhunshme (sepse pa dhunë nuk merret asnjëherë pushteti me anën e rrugës) por virusi i marrjes së pushtetit me dhunë do të mbetet me virulencë të lartë në mendjet e disa politikanëve gjaknxehtë të këtij vendi. Ata do të përpiqen t’i ridizajnojnë iniciativat e tyre, por duket se nuk janë të gatshëm ta pranojnë rezultatin zgjedhor të 8 qershorit 2104 dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ata duket se do të vazhdojnë të mbajnë institucionet të paralizuara dhe qytetarët në presion psikologjik e propagandistik, duke shpresuar se në atë mënyrë do ta “ukarainizojnë” kauzën e tyre. Ashtu siç Noli nën këmishën e kuqe të bolshevizmit mbante këmishën e zezë të fashizmit, edhe disa nga liderët gjaknxehtë të vendit tonë, duket se nën këmishën e propagandës e kanë të fshehur këmishën e terrorit. Propaganda e tejzgjatur e tyre kundër Hashim Thaçit, si gjoja simbol i të këqijave të këtij vendi, është si përpjekja e dikurshme e bashkimxhinjve kundër Ahmet Zogut, në mënyrë që të përligjet pastaj yryshi eventual për marrjen e pushtetit me dhunë.

Për habinë e të gjithëve, deri dje askush nuk ua ka thënë taksativisht se çfarë janë duke bërë me këto bllokime të Kuvendit dh veçmas me iniciativën e rrezikshme të protestave për rrëzimin e qeverisë me dhunë. Dje ua tha ambasadorja amerikane me një gjuhë të rëndë, nënçmuese për secilin lider, që i ka mbetur qoftë dhe vetëm një grimë dinjitet. Nuk do të ishte lajm i mirë për lirinë tonë nëse ata e kuptojnë vetëm këtë gjuhë. Çka mund të bëjnë sërish, bllokuesit që duan ta përsërisin në një version të ri historinë tragjike shqiptare të vitit 1924, kur ajo gjuhë eksplicite e ambasadores Jakobson, të rikthehet në stilin standard diplomatik?

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency