Ndëshkimi / Denoncimet në numrin 129, masa disiplinore për 46 efektivë polici

0
195

policia-e-shtetit-ndertesa_3

Alma Çuka

Nuk zbatonin rregulloren në komunikim me qytetarët, nuk flisnin në mënyrë të kulturuar, pasi qytetarët denonconin shkeljen e ligjit. Për Ministrinë e Brendshme këto janë vetëm rastet e para, ndëshkimet do të vazhdojnë

 Ministria e Brendshme ndëshkon më masë disiplinore 46 punonjës policie, pjesë e sallës operative. Shkak për marrjen e kësaj mase është bërë moskomunikimi korrekt me qytetarët gjatë raportimit për raste të shkeljes së ligjit nga persona të ndryshëm. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Brendshme, e cila argumenton me hollësi edhe mënyrën se si është vepruar për të gjetur shkeljet dhe për t’i vërtetuar ato. Fillimisht kanë qenë qytetarët ata që janë ankuar për mënyrën jokorrekte të komunikimit që punonjësit e sallës operative kanë kryer me ta. Ankesat e qytetarëve janë verifikuar në terren nga Drejtoria e Inspektimit të Përgjithshëm të Ministrit të Brendshëm. Mësohet se në të gjitha rastet e ankimuara nga qytetarët dhe inspektuar nga autoritetet përkatëse, janë shfaqur mangësi apo shkelje të urdhrave të brendshëm për funksionimin e numrit 129. Menjëherë është urdhëruar ndëshkimi i punonjësve, pjesë e lojës jo të ndershme që kanë bërë me qytetarët.

Masat

Inspektimi i përket muajit tetor. Është vërejtur se disa punonjës policie me detyrë në sallat operative të drejtimit në të gjithë vendin nuk kanë zbatuar metodologjinë e komunikimit me qytetarët në numrin e telefonit 129. Policia thotë se ata nuk kanë përdorur shprehjen e përcaktuar në urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm në përgjigjen ndaj qytetarëve që telefononin në numrin 129. Po kështu në një pjesë të mirë, efektivët e policisë nuk kanë marrë mundimin të shënojnë denoncimet dhe më pas t’i referojnë ato në grupet e shpërndara në terren. Ka edhe raste, kur punonjësit e policisë kanë ofenduar qytetarët, të cilët kanë telefonuar për marrjen e një ndihme. Bazuar mbi rezultatet e inspektimit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka dhënë masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 46 punonjës policie me detyrë në sallat operative. Kontrolli i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ka prekur fillimisht 12 qarqe të vendit. Në Tiranë mësohet se kanë marrë masën e vërejtjes me paralajmërimin për largim nga detyra, 2 punonjës, në Shkodër 5, Dibër 5. Ndërkohë që vihet re se shkeljet më të rënda janë kryer në qarkun e Dibrës, ku si pasojë e moskomunikimit të rregullt me qytetarët janë ndëshkuar 6 punonjës policie. Ministria e Brendshme shprehet se do të vazhdojë inspektimet në të gjitha qarqet e vendit dhe pas identifikimit të rasteve të tilla do të shprehet për masat ndëshkuese.

 

 

Punonjësit e ndëshkuar sipas qarqeve

 

Drejtoria e Policisë Qarku Shkodër          5

Drejtoria e Policisë Qarku Lezhë              3

Drejtoria e Policisë Qarku Dibër                5

Drejtoria e Policisë Qarku Durrës             3

Drejtoria e Policisë Qarku Fier                  4

Drejtoria e Policisë Qarku Elbasan          4

Drejtoria e Policisë Qarku Berat                2

Drejtoria e Policisë Qarku Korçë               5

Drejtoria e Policisë Qarku Kukës              3

Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë                6

Drejtoria e Policisë Qarku Gjirokastër      4

Drejtoria e Policisë Qarku Tiranë              2

 

 

 

 

Përplasja

Trajleri përplas furgonin në Fushë-Krujë – Vorë, katër të plagosur

Katër persona të cilët udhëtonin me një furgon kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të ditës së djeshme në segmentin rrugor Fushë-Krujë – Vorë, në afërsi të Urës së Gjollës. Sipas burimeve të policisë, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje, furgoni me 7 pasagjerë me targa TR 5775 L, është përplasur me një trajler me targa 632 JV. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur katër pasagjerët e furgonit, të cilët janë dërguar në spitalin e Tiranës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas policisë, përplasja e dy automjeteve ka ndodhur në momentin kur furgoni i pasagjerëve po dilte nga një rrugë dytësore. Pas aksidentit, policia punoi për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes, e cila çoi në plagosjen e katër personave. U morën në pyetje shoferi i furgonit dhe ai i trajlerit dhe u bënë të gjitha matjet, me qëllim saktësimin e shkaqeve.

 

 

Vlorë

Gjendet në breg trupi i pajetë i një burri të mbytur

Policia e Vlorës, pas marrjes së njoftimit nga qytetarët, gjeti në breg të detit, trupin e pajetë të një mashkulli. Sipas burimeve nga policia e qytetit bregdetar, trupi i pajetë është parë nga qytetarët, teksa pluskonte në ujë dhe më pas është nxjerrë në breg. Pasi kanë vënë re trupin e pajetë, ata kanë njoftuar menjëherë forcat e policisë, të cilat nuk kanë vonuar të mbërrijnë në vendngjarje, bashkë me një autoambulancë, për transportimin e trupit. Pas nxjerrjes së trupit nga uji, policia njoftoi se viktima është Tomor Kiptiu, 53 vjeç, banues në Vlorë. Nga hetimet rezultoi se ai prej 8 muajsh ishte me probleme psikike. Viktima u identifikua nga familja, nuk kishte asnjë shenjë dhune.

 

 

Lushnjë

Dy të vdekur dhe dy të plagosur brenda një dite nga aksidentet

Një i vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në Lushnjë. Një makinë tip “Ford”. e drejtuar nga Olsi Velo, ka përplasur për vdekje një fëmijë rreth 6 vjeç, ndërsa ka plagosur edhe dy persona të tjerë. Fëmija gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra, ndërsa dy personat e plagosur u dërguan në spital ku ndodhen në gjendje të rëndë. Vogëlushi po udhëtonte me një karrocë me babanë e tij dhe një person tjetër, në momentin që u përplasën nga makina. Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e madhe e mjetit, çka ka çuar në aksidentimin e tre personave. Nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa Velo u arrestua në kushtet e flagrancës. Po në Lushnjë, sipas informacioneve të policisë, si pasojë e një aksidenti rrugor gjeti vdekjen një burrë rreth 75 vjeç. Policia e Lushnjës kërkon informacione për identifikimin e viktimës, duke dhënë detaje për karakteristikat e tij. Bëhet e ditur se i moshuari është i gjatë rreth 1.75 m, mban veshur një xhaketë me kuadrate shumëngjyrëshe, një triko të zezë, pantallona me kuadrate të imëta ngjyrë kafe e zbardhur, si dhe një bastun. Një tjetër karakteristikë në trupin e të moshuarit, është se në zonën e barkut mbante një qese për daljet, e cila mendohet se është pasojë e një operacioni. Lidhur me këto karakteristika, policia kërkon ndihmë për identifikimin e kufomës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency