Standard.al

Hetimi / Zhdukja e kallëpeve të tritolit në Krujë, Prokuroria, hetim destinacionit

tritol

Alma Çuka

Vetëm në muajin tetor është konstatuar zhdukja e 12 mijë kallëpeve të tritolit 200-gramësh. Prokuroria e Krujës akuzohet për neglizhencë në hetim. Dyshohet se tritoli është përdorur për akte terroriste

 Prokuroria e Përgjithshme po heton për të zbuluar destinacionin e 12 mijë kallëpeve të tritolit, zhdukur ndër vite nga magazinat e ushtrisë në fshatin Nuaj të Krujës. Burime nga organi qendror i hetimit konfirmojnë faktin se kanë marrë në dorë tashmë dosjen me kallëzimin e bërë direkt nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Bëhet fjalë për të hetuar një prej skandaleve më të mëdha të ndodhura në ushtri me vjedhjen e tritolit, për të cilin ka dyshime se mund të jetë përdorur për kryerjen e akteve të shumta terroriste që kanë përfshirë vendin vitin e fundit. Prokuroria shprehet se për të hetuar do të ngarkohen prokurorët e Krujës, që, sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, kanë neglizhuar përmbushjen e kësaj detyre, ndonëse janë vënë në lëvizje kohë më parë.

 

Nisja e hetimit

Fillimisht pritet të hetohet lidhur me kohën e zhdukjes. Prokuroria ka marrë në dorë dokumentacionin, në bazë të të cilit do vërtetojë se kur është bërë inventarizimi i fundit në këtë magazinë, për ta krahasuar më faktet konkrete. Më pas akuza do të mundohet të gjej destinacionin e lëndës plasëse, pronë e ushtrisë. Prokuroria beson se për të zbardhur zhdukjen e 12 mijë kallëpeve të tritolit, do t’i vijë në ndihmë dëshmia e rojës së magazinës, tashmë i arrestuar, Adem Hasani. Nga kjo magazinë dyshohet se janë zhdukur edhe materiale të tjera ushtarake, për të cilat akuza shprehet se do japë informacion në ditët në vazhdim.

 

Dyshimet

Kjo sasi lënde plasëse dyshohet që mund të jetë shitur për shpërthimet në guroret e zonës, por edhe për kryen e akteve terroriste në të gjithë vendin kohët e fundit. Prokuroria thotë se për shkak të akteve të shtuara të atentateve me lëndë plasëse në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, janë ndërmarrë hetime të gjithanshme për të zbuluar origjinën dhe itinerarin e tritolit që është përdorur në shpërthime kundër bizneseve, shtëpive banimi dhe ambienteve të tjera private.

Rezulton se materiali ushtarak që mungon në magazinat nën përgjegjësinë e shtetasit të ndalur, krahas dyshimit se mund të jetë përdorur për qëllime keqbërëse, i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerë shumë të konsiderueshme, e cila llogaritet në rreth 200 milionë lekë të reja. Na magazine raportohet se mungonin fishekë, lëndë plasëse, djegore, kallëpe tritoli, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore nëse bien në duart e personave me precedent penal apo grupe terroriste.

 

Reagimi

Pas nisjes së hetimeve me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i menjëhershëm ishte dhe reagimi i ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Në një deklaratë për shtyp ajo vlerëson angazhimin e tij personal lidhur me këtë problem të konstatuar.

Ministria e Mbrojtjes deklaron se evidentimi i zhdukjes së një sasie të madhe lënde plasëse nga magazinat e ushtrisë në fshatin Nuaj të Krujës, erdhi pas nisjes së inventarizimit të plotë e të detajuar të të gjitha aseteve të ushtrisë në mbarë vendin. Gjatë muajit tetor sipas Ministrisë së Mbrojtjes është bërë edhe identifikimi në magazinën e fshatit Nuaj, ku hapur rezultoi se mungonin një sasi e madhe e kallëpeve të tritolit. Pas këtij fakti, strukturat e FA-së vunë nën vëzhgim shtetasin Adem Hasani, magazinier në këto grup-depo, si dhe kontaktuan me Prokurorinë e Policinë e rrethit Krujë, duke kërkuar ndalimin e tij në flagrancë. Ministria e Mbrojtjes shprehet se është ndodhur përballë mosreagimit nga Prokuroria e Krujës, për shkeljet e konstatuara dhe informacionet që disponoheshin për largim të mundshëm nga vendi të këtij shtetasi, në bazë të ligjit të disiplinës ushtarake, komanda u detyrua të bëjë ndalimin e Adem Hasanit në Policinë Ushtarake në 4 nëntor.

 

 

Fushë-Krujë

Shpërthimet me tritol rriten ndjeshëm, në dhjetë muaj 19 raste

 

Viti 2014 mban numrin më të lartë të shpërthimeve me tritol në zonën e Fushë-Krujës. Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Brendshme, bëhet me dije se kjo zonë përgjatë këtij viti ka qenë në qendër të sulmeve me lëndë plasëse. Nga 1 janari deri në tani numërohen jo pak, por rreth 19 shpërthime me tritol në Fushë-Krujë. Objekt i shpërthimeve me lëndë plasëse në jo pak raste ka qenë edhe Posta e Policisë e këtij qyteti, ndërkohë që nuk kanë munguar atentate, edhe ndaj bizneseve të ndryshme, familjarëve, stacionit hekurudhor, shtyllave të tensionit të lartë, oficerëve të policisë gjyqësore, punonjësve të burgjeve. Bëhet e ditur se për shkak të specifikës që kanë atentatet me lëndë plasëse, policia nuk ka arritur të zbardh plotësisht ngjarjet e shumta të ndodhura në këtë zonë. Ndërkohë krahasuar me një vit më parë, shpërthimet me lëndë plasëse këtë vit, kanë pësuar rritje të frikshme. Për vitin 2013 kanë qenë 10 shpërthime. Posta e policisë ka qenë më shpesh në qendër të shpërthimeve me tritol. Prokuroria e Përgjithshme, në informacionin e dërguar për zhdukjen e 12 mijë kallëpeve të tritolit, shprehet se në sitën e hetimeve do të futen të gjitha ngjarjet e ndodhura në Fushë-Krujë, ndër vite.

 

Shpërthimet nga 1 janari në Fushë-Krujë

 

1 janar- tritol një shtylle të tensionit të lartë në Milot

20 janar- tritol rajonit të policisë Fushë-Krujë

24 janar- tritol një mobilierie në Larushk

25 janar- tritol një lokali në Qafë-Shtamë

28 shkurt- tritol një autoveture në Fushë-Krujë

3 mars- tritol rajonit të policisë Fushë-Krujë

17 mars- tritol Bashkisë Fushë-Krujë

26 mars- tritol veturës së policit në fshatin Halil

19 prill- tritol rajonit të policisë Fushë-Krujë

22 prill- tritol një fugoni pasagjereësh në Fushë-Krujë

5 maj- tritol një banese në Arrameras, Fushë-Krujë

10 maj- tritol një fuoristrade në Fushë-Krujë

6 qershor- minë antitank tregtarit të biçikletave

13 korrik- kapet në Krujë një 27-vjeçar me tritol

22 korrik- tritol një objekti në Fushë-Krujë

14 shtator- tritol vilës 3-katëshe 20 metra larg rajonit të policisë Fushë-Krujë

15 shtator- tritol veturës së kryetarit të Bashkisë Fushë-Krujë

19 shtator- tritol lokalit 2-katesh në fshatin Larushk

7 nëntor- tritol lokalit në qendër të Fushë-Krujës

 

 

Vlorë

“Hajdutët e energjisë”, prangoset një biznesmen, një tjetër në kërkim

 

Operacionet e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me OSHEE, për të ndëshkuar abuzuesit me energjinë elektrike, çuan në prangosjen e një biznesmeni në qytetin e Vlorës. Ndërkohë, një tjetër është shpallur në kërkim, për të njëjtën akuzë. Burime nga policia bëjnë me dije se kanë arrestuar shtetasin Baro Bregun ndërkohë që është shpallur në kërkim Farudin Bregu. Sipas policisë, personat e mësipërm akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Të njëjtat burime sqarojnë se vjedhja u konstatua në biznesin e tyre një magazinë me lëndë drusore. Në të njëjtën ditë edhe Policia e Durrësit ka vënë në pranga një biznesmen për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike. Burime nga policia bëjnë me dije se kanë arrestuar Nikoll Dhaskalin, 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen 13 të qytetit bregdetar. Sipas policisë Dhaskali ka vjedhur energjinë elektrike në mënyrë sistematike për vite me radhë, duke iu shmangur detyrimeve të plota ndaj shtetit.

 

 

 

 

Comments are closed.