Standard.al

Gjyqësori! Emergjencë kombëtare…

Brikena Bogdo

“Nuk ishte vakti me marrë inadet, por me luftue”, – tregonte një rreshper shkodran në vitin 1880, në luftën e zhvilluar nga Lidhja e Prizrenit për të mbrojtur trojet shqiptare. Për të mundësuar bashkimin kombëtar, në një luftë tejet të vështirë, u tejkaluan dy pika nevralgjike, dallimet fetare dhe marrja e gjaqeve. Krerët e mbledhur në Tuz, për kohën e gjendjes së luftës, shpallën një besë ose një pezullim të të gjitha gjakmarrjeve personale e fisnore, të quajtur “besa e paqtimit”.

Lidhja e Prizrenit është ajo çka prej muajsh po merrem, për të zhvarrosur dhe rijetësuar, në histori, Hodo Pashë Sokolin, kryekomandantin e ushtrisë së Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës. Jo pa qëllim, do të përmend më poshtë disa fakte historike, të varrosura përgjatë regjimit komunist. Më 22 prill 1880, sovraniteti osman pushoi së ekzistuari dhe viset e Hotit dhe të Grudës, mbetën de facto nën sovranitetin e Lidhjes së Prizrenit, për më tepër se 8 muaj. Organi më i lartë pushtetor ishte Komiteti i Lidhjes Shqiptare, me funksione legjislative. Pushtetin ekzekutiv e ushtronte “Komisioni”, një institucion i mirëfilltë qeveritar. Komisioni me kryetar Hodo Pashë Sokolin, kishte 8 anëtarë nga të cilët 4 myslimanë dhe 4 katolikë. Funksionet e veta qeveria e Tuzit i ushtronte nëpërmjet tre nënkomisioneve, atij ushtarak, financiar dhe gjyqësor. Autoritetin e vet pushtetor, komisioni e ushtroi plotësisht në territorin e zbrazur nga ushtria osmane. Pra, në një mini-territor, u ngrit një mini-shtet, me një qeveri të mirëfilltë.

Kujdesin e vet kryesor Komiteti e përqëndroi tek çështja e rendit publik dhe funksionimi i organeve gjyqësore, duke e kuptuar se pakujdesia e tyre dhe paaftësia për t’u siguruar banorëve jetën, nderin dhe pasurinë, do ta komprometonin seriozisht autoritetin e Lidhjes. Kështu, ata vepruan me një energji të prerë ndaj të gjithë atyre, që përpiqeshin të dhunonin rendin publik, p.sh., rreth mesit të muajit maj gjyqi shqiptar i krijuar në Tuz nga Hodo Sokoli dhe Preng Dod Biba, dënoi me varje një emigrant podgoriçan, sepse ky kishte thyer besën e paqtimit, kishte marrë gjakun. Për ruajtjen e rendit publik, Komisioni i vendosur në Tuz krijoi edhe organin e policisë, me në krye një koçobash. Si pasojë e këtyre masave, në trevën e Shkodrës, mbizotëronte një qetësi e paparë. “Ka lezet me jetue në Shkodër”, – shpreheshin asokohe vendasit.

Kjo qeveri e parë shqiptare, mbas pushtimit 500-vjeçar otoman, megjithëse jetëshkurtër (8 mujore), pati sukses, pasi si prioritet kishte gjyqësor dhe rend të fortë. Ndërsa sot, kemi mbi 20 vjet që nuk vendosim dot shtet, pasi kemi paralize, pikërisht në gjyqësor dhe rend. Nëse, para 130 vitesh, të parët tanë në një emergjencë kombëtare tejkaluan dallimet fetare dhe gjaqet, sot ne duhet të tejkalojmë dallimet politike dhe korrupsionin. Shprehja e rilindasve, pa dallim feje krahine dhe ideje, duhet sot të modifikohet pa dallime partiake, pasi nuk mban vetëm peshën kryesore në tragjedinë e gjyqësorit, por është edhe çelësi, deriçka, që nëse tejkalohet, është zgjidhësi i problemit korrupsion dhe më pas krimit. Janë të vendosur në një hierarki, me kulm dallimet politike.

Flitet për një nismë për purifikimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët e korruptuar, por, që rrugës, falë gabimeve procedurale, ligjeve ta paqarta, apo përplasjeve institucionale, krimineli rezulton i pafajshëm dhe gjyqtari i paprekshëm. Do të mbetemi përsëri tek “judges untouched” (gjyqtarë të paprekshëm).

Ndeshim çdo ditë, që politika tejkalon gjyqësorin. Deputetë që dështojnë operacione të rëndësishme, pasi marrin në makinat e tyre trafikantë, deputetë që nuk kontrollohen dot në banesat e tyre, për shkak të imunitetit. Shikon se si u shfry akuza ndaj gjyqtarit Gjoni, apo si përfundoi “çështja Prifti vs. Metës”, të cilat kalojnë në filtrin e gjyqësorit, duke e mpakur edhe çështjen më korruptive, duke kuptuar që politika sot është mburoja e krimit. (Këto raste u trajtuan me ngjyrime dhe krahë politikë). Prandaj, volitet një përmbysje e sistemit, ku deputeti të jetë personi më i survejuar dhe më i kontrolluar, pra ti hiqet imuniteti.

Pse politika nuk e zgjidh korrupsionin në gjyqësor? Në fakt, një propozim nga disa specialistë anglezë ishte që, të sillnin në Shqipëri një prokuror special, me një grup të specializuar, në mënyrë që të dërgonin gjyqtarët e korruptuar, përpara drejtësisë. Kryeministri i vendit nuk pranoi t’i përgjigjet kërkesës drejtpërsëdrejti, por zgjodhi një formë shumë filozofike për të shprehur tezën e tij, të prevalimit të sistemit mbi individin. Atëherë, le ta fillojë nga një përmbysje e sistemit gjyqësor. Ka kaluar tashmë gati një vit nga kjo deklaratë dhe nuk po shohim asnjë platformë reale për ndryshimin e sistemit. Pse? Në tryeza dhe biseda boshe shprehen për reformimin e tij, por kur duhet të marrin vendime konkrete dhe hapa konkrete, gjithçka përfundon në diskutime fiktive. Kemi një KLD, të përfolur si të paaftë për të kontrolluar gjyqtarët, çka është thelbi i mbarëvajtjes. Ndërkombëtarët akuzojnë se janë gjyqtarët që kontrollojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që korrupsioni të mbetet endemik.

Shpesh si juriste kam ngritur zërin kundër sistemit dhe domosdoshmërisë së ndryshimit të saj. Po dëgjojmë për marrje në provim të mësuesve, po gjyqtarët kush do t’i kontrollojë? KLD-ja? Duhet ndryshuar në themel zgjedhja dhe kontrolli i gjyqtarëve.

Por, historia e stërzgjatur e tranzicionit na ka mësuar tashmë që aty ku fillon politizimi mbaron dhe kontrolli eficient e funksionues. Rastin Xhuvani, nëse e trajtojmë politikisht do të gabojmë. Siç po tregoja më lart, prej disa muajsh, jam 130 vite mbrapa, në historinë legjendare të Lidhjes së Prizrenit, dhe ndërkohë ndiqja disi e distancuar lajmet e përditshme. Rutinën e prishi “çështja Xhuvani”. Pse kaq bujë? Vrasje të shumëfishta, ne ndjekim shpesh herë. Pse kjo duhet të ishte kaq e bujshme? U kërkua, pse kryeministri nuk ngushëlloi familjarët e të vrarëve. Po për të vrarët e përditshëm kush del nga politika, që të ngushëllojë familjarët?

Nëse ndjeshmëria e politikës dhe e qytetarisë ndaj vrasjeve, si dhe buja ndaj tyre, do të ishte e përditshme dhe e së njëjtës përmasë, si e çështjes Xhuvani, nuk do lejohej që gjyqësori të arrinte në përmasat e emergjencës, në të cilat ndodhet sot. Por, kur ngërthehet politika dhe interesat e saj të ngushta, atëherë ndjeshmëria vërtet rritet, por merr damkën e një gjyqësori të politizuar. Killer që vrasin dhe më pas paguajnë, për të rifituar lirinë dhe për të rifituar të drejtën që të vrasë sërish, hasim çdo ditë, tashmë e konsideruar “Historia e gjyqësorit shqiptar”. Bëhet më e rëndë tek fëmijët e politikanëve? Sigurisht. Por, do mund të zgjidhim problemin, duke u shqetësuar politikisht dhe sporadikisht?

Sot jemi të pushtuar nga krimi. Në momente pushtimesh kemi ditur të bashkërendojmë forcat. Mbase në momentet e emergjencës së gjyqësorit, kërkohet më shumë se kurrë një konsensus i gjerë. Historia e ka treguar se, një gjyqësor i suksesshëm është ngushtësisht, i lidhur me sistemin. Në vitet `90 Shqipëria u ndodh në një udhëkryq, se cilin sistem do të ndiqte. Dhe sot ne jemi shëmbëlltyrë e një sistemi italian disfunksional, por duke i shtuar doza paaftësie dhe më e keqja politizimi. Amerika i zgjedh gjyqtarët direkt nga populli. Por edhe ky sistem tejet demokratik mund të rezultojë në Shqipëri “dështim i paralajmëruar”, nëse nuk ekziston një konsensus dypalësh, për të mos lënë krimin dhe pushtetin e parasë, të dominojë sistemin e zgjedhjeve. Ndryshimet e mëdha kërkojnë edhe vullnete të mëdha. Vullnetet e mëdha, kërkojnë konsensuse të mëdha shumëpalëshe.

Na duhet një gjyqësor përtej politizimit pasi krimi nuk njeh ngjyrim politik. Ikin e vijnë qeveri dhe problemi mbetet permanent. Gjermania, përpara qindra vjetësh, kishte një mbret që vuri ligjin mbi pushtetin e tij. Ky vullnet më pas ngriti mekanizmat funksional. Fatkeqësisht, me gjithë këshillat e juristëve me emër, në fillim viteve `90-ës, Shqipëria nuk zgjodhi si model sistemin gjerman, por atë italian.

Kreu i PD-së Basha deklarohet i gatshëm për bashkëpunim në terrenin e minuar të gjyqësorit. Rama kundërpërgjigjet se, do e bëjë vetë reformën. Ministri i Drejtësisë Naço paraqet reformën në gjyqësor, e cila nuk miratohet nga ndërkombëtarët, pasi ata kërkojnë bashkëpunim dhe konsensus. Ajo shikohet si zgjidhësja e vetme e ngërçit të gjyqësorit shqiptar. Kështu do të bjerë edhe alibia e shkak-pasojës, ku vetëm njëra palë është fajtore dhe pala tjetër vuajtëse. Arsyetimi mbi shkakun dhe pasojën ka shkaktuar prej 20 vitesh një politikë konfliktuale. Gjyqësori nuk mund të trajtohet më as si faj i tjetrit, por as si trofe apo meritë e askujt. Duhet trajtuar thjesht si emergjencë kombëtare.

Shqiptarëve u mungoi liria e fjalës për 50 vjet. Sot kemi, aq liri fjale, sa për të mos mundur të ndryshojmë asgjë, pasi ndërgjegjësimi qytetar është vite drite larg. Por, nëse kërkojmë ndryshim, pa gjithëpërfshirje dhe dialog do kthehemi, tek viti zero. Shtetet nuk ngrihen mbi fasada por, mbi themele. Jemi në tragjizëm gjyqësor. Kur shqiptarët kanë tejkaluar tragjizmat si komb? Kur janë bërë bashkë, si në periudhën legjendare të Skënderbeut, apo të Lidhjes së Prizrenit.

Jetë e politizuar, politikë e politizuar, gjyqësor i politizuar dhe ajo që është më dramatikja krim i politizuar, është ajo çka po na polarizon dhe dramatizon jetët tona, në të sotmen, por frikshëm edhe në të ardhmen.

 

Comments are closed.