Detajet e axhendës për vizitën / Serbia i heq Ramës takimin me Nikoliçin dhe shëtitjen në Beograd. Vuçiç: Presheva, pa vendim

0
132

rama-vucic222

Gëzim Saliu

Shtypi serb i ka kushtuar më shumë hapësirë kthimit të radikalit Vojisllav Sheshel nga Haga, sesa vizitës së Kryeministrit shqiptar

Zyrtarizohet axhenda e takimeve që do të zhvillojë Kryeministri Rama në Beograd, ku dyshimi i vetëm i pakonfirmuar nga pala serbe mbetet vizita në Preshevë. Kështu, nesër, kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në kryeqytetin e Serbisë rreth orës 10 e 30 dhe më pas në 11 të paradites, ai do të zhvillojë takimin dhe konferencën për shtyp me homologun e tij Vuçiç. Më pas, axhenda do të vijojë me një takim me gazetarët dhe forumin e biznesit, ndërsa në orën 18 të pasdites së nesërme, Kryeministri do të vizitojë Bashkinë e Beogradit. Ndërkaq, axhendës së parapërgatitur pala serbe i ka hequr pjesën që parashikonte takimet me Presidentin Nikoliç, i cili mësohet se do të udhëtojë jashtë Beogradit gjatë këtyre dy ditëve, me qëllim që të mos takohet me kreun e ekzekutivit shqiptar; si dhe shëtitja në këmbë në kryeqytetin serb. Këto dy ndryshime të axhendës mësohet nga burime pranë Kryeministrisë se janë pranuar nga Rama. Ndërkohë, gjatë kësaj vizite pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje, kryesisht për çështje që lidhen me aspektin ekonomik nga ministrat përkatës që do të shoqërojnë kryeministrat në takim. Ndërkaq, dita e dytë e vizitës ka në plan tërësisht pjesën që lidhet me udhëtimin në Preshevë, ku në orën 05:00 është parashikuar nisja në rrugë tokësore drejt qytetit dhe më pas në orën 11 pritet të zhvillohet takimi me autoritetet vendore. Kjo pikë mbetet ende në dyshim, pasi pavarësisht se axhenda tashmë mund të quhet e zyrtarizuar, pasi pala shqiptare e ka ridërguar atë në Beograd, nuk ka ardhur ende konfirmimi i palës serbe, e cila dyshimin më të madh e ka pikërisht për vizitën në Preshevë. Lidhur me këtë çështje, Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç tha dje se nuk ka pasur kohë të merret me vizitën e homologut të tij, Rama, për shkak të axhendës së ngarkuar, duke pohuar se asaj do t’i kushtohet gjatë fundjavës. I pyetur përkatësisht nëse kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Luginën e Preshevës, përgjigjja e Vuçiçit ishte: “Unë nuk e di”. Në këtë kushte, përfaqësuesit e protokollit të të dyja vendeve janë munduar të harmonizojnë axhendën, por sërish çështja e vizitës në Preshevë po has vështirësi dhe duket se ajo do të vendoset vetëm në momentet e fundit. Ndërkaq, pavarësisht nga “zhurma” që ka prodhuar kjo vizitë, shtypi serb i ka kushtuar më shumë hapësirë kthimit të radikalit Vojisllav Sheshel nga Haga, sesa vizitës së Ramës. Shesheli pritet të kthehet thuajse në të njëjtën kohë me vizitën e Ramës, ku njëkohësisht në datat 10-11 nëntor, Serbia ka edhe festë kombëtare.

 

Kreu i Komunës Preshevë

Ndërkohë që dyshimet për vizitën në Preshevë mbeten, kreu i kësaj Komune, Ragmi Mustafa, deklaroi dje në një intervistë se “Ramën do ta presin si Kryeministrin e tyre të dytë”. Deklarata e Mustafës ka ngjallur polemika në mediat vendase, ku agjencia “Kurir” sjell në vëmendje intervistën e kreut të Komunës së Preshevës, duke e cilësuar deklaratën e tij si skandal. “Vizita e Kryeministrit Rama në Preshevë do të jetë e hapur dhe do të jetë e drejtpërdrejtë me popullin, sepse krerët e vendit janë takuar me qindra herë, por populli është i interesuar që të prekë Kryeministrin dhe të presë mesazhet që do t’i japë në sheshin kryesor para qytetarëve, që do të dalin me një entuziazëm të madh, duke e konsideruar Edi Ramën si Kryeministrin e tyre”, – citon “Kurir” Mustafën. “Nga ana tjetër, kreu i Komunës së Preshevës ka deklaruar se Beogradi zyrtar po bën përpjekje që të pengojë vizitën e Kryeministrit shqiptar në Preshevë, duke e treguar qartë urrejtjen edhe në incidentin në stadium”, – thekson më tej “Kurir”.

 

 

 

E hënë 10 nëntor

Ora 11:00 – Takimi dypalësh Vuçiç – Rama, i pasuar nga takimi mes dy delegacioneve

Ora 12:30 – Konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrave

Ora 16:00 – Takimi i Kryeministrit Rama me gazetarët shqiptarë

Ora 17:00 – Forumi i biznesit Serbi-Shqipëri, me pjesëmarrjen e dy kryeministrave dhe ministrave të Ekonomisë

Ora 18:00 – Takimi në Bashkinë e Beogradit

 

E martë 11 nëntor (Pjesë e pavendosur e axhendës)

Ora 05:00 – Nisja në rrugë tokësore për në Luginën e Preshevës

Ora 11:00 – Takimi në Preshevë me autoritetet vendore

 

 

Takimi

Meta me nënkryetaren e Parlamentit serb: Vizita, kontribut për të ardhmen e rajonit

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe nënkryetarja e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Gordana Čomić, e vlerësuan vizitën e Kryeministrit Rama në Serbi si kontribut pozitiv për të ardhmen e përbashkët evropiane të të dyja vendeve. Meta rikonfirmoi vullnetin për forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ai dhe Čomić ndanë bindjen e përbashkët se bashkëpunimi konstruktiv mes të dyja vendeve është i domosdoshëm për qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë.

 

 

Intervista për “LSEE”

Bushati: Ata që mendojnë Shqipërinë e Madhe, jetojnë në një tjetër botë

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, komentoi dje vizitën e Kryeministrit Rama ditën e nesërme në Beograd, duke thënë se pret që ajo të rrjedhë normalisht. Në një intervistë për “LSEE”, kryediplomati shqiptar, në përgjigje të pyetjes nëse mbledhjet e përbashkëta me Kosovën janë një prelud i bashkimit të mundshëm politik iu përgjigj duke pohuar: “Ata që ende mendojnë për Shqipërinë e Madhe, jetojnë në një tjetër botë nga realiteti i sotshëm. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik me Kosovën këtë vit, në të cilën ekzistojnë dispozita të qarta sa u përket kufijve të të dyja vendeve. Projekti ynë madhor është anëtarësimi në BE. E njëjta gjë vlen dhe për Kosovën”. Më tej, lidhur me vizitën, Bushati tha se në rajon tashmë ka një kontekst të ri gjeopolitik. “Ne jemi të vendosur të hapim një kapitull të ri marrëdhëniesh me Serbinë dhe të punojmë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të lëna pezull. Ndaj unë pres një vizitë normale të shoqëruar nga i njëjti sens realizmi nga ana e Serbisë ne duhet të ecim përpara dhe të punojmë për projekte të interesit të përbashkët. Një hap i rëndësishëm përpara do të ishte nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe ngritja e një qendre rinore për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë – propozim i diskutuar gjerësisht gjatë konferencës së Berlinit në muajin gusht”, – theksoi ministri i jashtëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency