Denoncimi / PD: Bashkia e Gjirokastrës zapton pronat e Çabejve, dëshmi e arbitraritetit të qeverisë

0
136

denoncimi ERVIN SALIANJI

Gëzim Saliu

Salianji: Po nëpërkëmben të drejtat e qytetarit. Bejko: Të respektohet ligji, ose shpronësim, ose negociata

Partia Demokratike denoncoi dje zaptimin e pronave të Çabejve në qytetin e Gjirokastrës. Sipas demokratëve, bashkia e këtij qyteti, e drejtuar nga socialistët, po uzurpon me forcë pronat që u takojnë trashëgimtarëve të familjes Çabej, duke kërkuar njëkohësisht zbatimin e ligjit. Koordinatori për denoncimet në PD, Ervin Salianji, dhe kreu i degës së demokratëve në Gjirokastër, Roland Bejko, u njohën nga afër me problemin dhe denoncuan atë që e cilësuan si shkelje ligjore dhe sjellje arbitrare. “Kjo qeveri që u tund prangat dhe i çon buldozerët dhe fadromat qytetarëve të varfër, qytetarëve të pamundur, të cilët nuk kanë mundësi që të ndërrojnë çatitë e tyre apo të suvatojnë muret rrethues, i grabit në mes të ditës nëpërmjet oligarkut të saj lokal, kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës. I grabit trashëgimtarëve të familjes Çabej 11.500 m2 pa asnjë dokument dhe në mes të ditës. As duke i lajmëruar, as duke i kthyer përgjigje, por duke i sorollatur. I kërkon nëpërmjet shkresave përgjigje Bashkisë, nuk merr përgjigje. I kërkon ministrit dhe qeverisë përkatëse, ministrisë së linjës, ajo nuk i jep zgjidhje. Kjo qeveri sillet si një bandë mafioze duke zaptuar dhe grabitur pronat e qytetarëve”, – tha Salianji. Më tej, ai i bëri thirrje Prokurorisë që të marrë denoncimin e qytetarëve që kanë 4 muaj që i janë drejtuar këtij organi, për të nisur hetime: “Dhe për të çuar para përgjegjësisë penale kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, sepse prona e qytetarëve mund të shpronësohet vetëm për dy raste. Vetëm për interes publik dhe vetëm sipas një shpërblimi të drejtë, përcaktuar në ligj. Por kjo qeveri, me ç’duket, i ka armiq pronarët. Kjo qeveri i ka armiq bizneset. Kjo qeveri i ka armiq qytetarët”.

 

Problematika

Sipas trashëgimtarit të familjes Çabej, ankimimet deri më tani kanë qenë në shumë instanca të shtetit por nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Jam nga trashëgimtarët e familjes Çabej dhe zotërojmë në bazë të gjithë dokumentacioneve ligjore pronësinë në zonën që ndodhet pas nesh. Deri në këtë moment, këtu po zhvillohet një projekt për të cilin nuk kemi marrë, për muaj me radhë, asnjë përgjigje, asnjë vendim shpronësimi, siç kërkon ligji, asnjë partneritet siç na ishte premtuar verbalisht për palën tonë. Kemi marrë kontakte me një sërë organesh shtetërore dhe deri më sot nuk po gjejmë zgjidhje”, – u shpreh ai. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Sarandës, Roland Bejko, kërkon respektimin e ligjit pa asnjë lëshim. “Partia Demokratike e Gjirokastrës, në fakt është pro investimit. Shumë mirë që janë dhënë disa fonde për të bërë një restaurim, i vonuar natyrisht sepse qeverisja lokale ka gati 14 vjet pa ndërprerje që drejtohet nga kryebashkiakët socialistë, por ne jemi për respektimin e ligjit. Të bëhen investimet publike por jo në dëm të interesave të qytetarëve. Ligji e ka parashikuar qartë. Në momentin që kryen investime publike, për interesa publike, me vendim të këshillit të Bashkisë kryhet shpronësimi ose hyhet në negociata për të bërë një investim të përbashkët”, – tha ai, duke shtuar se për këtë rast, ka interesa klienteliste të drejtuesve të Bashkisë Gjirokastër. “Ne kërkojmë të respektohet ligji sa më parë, ashtu si shteti kërkon që qytetarët të respektojnë të drejtat e tyre dhe ne duam që shteti mos të jetë pushtues dhe sundues në dëm të interesave të qytetarëve të Gjirokastrës”, – pohoi Bejko.

 

 

Kreu i AMA-s

PD: Ndjekim rrugën ligjore për të anuluar zgjedhjen, mashtroi me CV-në

Partia Demokratike akuzoi dje mazhorancën se ka kapur institucionin e mediave audiovizive. Kreu i Komisionit të Medias, Genc Pollo, tha nga selia blu se opozita do të ndjekë rrugën ligjore për të anuluar zgjedhjen e kreut të ri të AMA-s, Gentian Sala. “Të enjten mazhoranca Rama-Meta e përmbylli sagën e mundimshme një vjeçare të kapjes së Autoritetit të Medias Audiovizive për llogari të klient-padronit mediatik të tyre. Duke shkelur me dy këmbët ligjin për përzgjedhjen e kryetarit të AMA-s. Duke shkelur çdo rekomandim e këshillë të komunitetit ndërkombëtar pasi bënë be e rrufe se do i pranonin ato. Edi Rama, i dha urdhër deputetëve delebindur të votojnë ish-drejtorin e Digitalbit, Gentian Salën, agjent i klient-padronit mediatik e monopolistik të Edi Ramës. Edi Rama emëroi drejtorin e Digitalbit në krye të AMA-s jo për të zbatuar ligjin shqiptar e standartet europiane por me detyrën afatshkurtër që të verë tregun mediatik nën kontrollin e plotë dhe unik të tij dhe të Digitalb, çdo televizion të këtij vendi, të eliminoje pluralitetin e medias”, – u shpreh Pollo. Ndërkaq, ai akuzoi kreun e ri të sapozgjedhur të AMA-s se ka fshehur nga CV-ja e paraqitur në Kuvend punën e tij si drejtor i Digitalbit. “Gentian Sala ka fshehur marrëdhënien prej punëmarrësi me Digitalb, edhe në CV e dorëzuar në Komision e Edukimit e Medias edhe në dy dëgjesat para komisionit në datat 21 korrik e 28 tetor 2014. Kjo përbën një vepër penale e shkelje të rëndë civile që kudo në botën normale do të mjaftonte për të mos e votuar apo edhe për të reaguar duke e shkarkuar. Ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe apelojmë publikun, operatorët mediatikë e më gjerë se kanë të bëjnë me një autoritet të paligjshëm e jolegjitim”, – përfundoi deklaratën deputeti i PD-së.

 

 

Turi i takimeve

Basha në Lushnjë, diskutohet papunësia, çmimi i energjisë dhe prishjet e ndërtimeve

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar dje një tur takimesh me banorë të rrethit dhe qytetit Lushnjë. Takimet u organizuan nga strukturat e PD-së në kuadër të marrjes së mendimeve të qytetarëve për problemet që shqetësojnë opinionin publik dhe në to kryedemokrati ka dëgjuar nga afër të gjitha shqetësimet e qytetarëve. Kryefjala e diskutimeve, në të cilat nuk ka munguar prania e shumtë e qytetarëve lushnjarë, ka qenë papunësia, rritja e çmimit të energjisë në pritje dhe prishjet selektive të ndërtimeve. Turi i kreut të PD-së në nënprefekturën e Lushnjës ka nisur në Komunën Tërbuf, Grabian, në Bashkinë Divjakë si edhe me banorët e zonave përgjatë autostradës drejt Lushnjës. Turi ka përfunduar në një takim në sheshin “Demokracia” të Lushnjës dhe është mbyllur në Komunën Kolonjë. Mësohet se këto ture takimesh, kreu i PD-së do t’i zhvillojë në vazhdimësi, ku pritet të marrë reagimet e qytetarëve lidhur me problematikat e ndryshme që i prekin ata.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency