Fenomeni “Xhuvani”/ Masakra e 4 nëntorit rihap hetimet për ngjarjen e 25 prillit në Gjirokastër

0
126

 Alma Çuka

Sekuestrimi i pistoletës dhe i gëzhojave në vendin e ngjarjes hap dritën jeshile për të zbardhur enigmën e kanosjes me armë në Gjirokastër, për të cilën dyshohet Kostandin Xhuvani

 xhuvani vendiPolicisë dhe Prokurorisë iu desh të prisnin gjatë për të kryer veprimet procedurale ndaj të pandehurit Kostandin Xhuvani, njeri me precedentë të shumtë në të kaluarën. Ngjarja e 25 prillit në Gjirokastër, ku u kanosën disa qytetarë dhe i dyshuar për të ishte Kostandin Xhuvani, u mbyll nga Policia dhe Prokuroria për mungesë provash. Por gjashtë muaj nga kryerja e kësaj ngjarjeje, emri i Xhuvanit del sërish në skenë, këtë herë nga dora e tij dhe me armën e tij mbetën të vrarë katër persona në një lokal nate në Tiranë. Arma dhe gëzhojat e mbetura në vendin e ngjarjes pas qitjes janë sekuestruar nga Policia dhe Prokuroria, të cilat tashmë kanë në dorë një “armë” të fortë për të vërtetuar plotësisht ngjarjen e 25 prillit dhe për të hedhur dritë edhe mbi një raport të siguruar prej tij nga Spitalin Psikiatrik në Elbasan.

 

Hetimi

Prokuroria e Gjirokastrës rihap hetimin për ngjarjen e 25 prillit, ku u qëllua me armë në mes të qytetit dhe u kërcënuan tre persona, që në atë kohë u dyshua se autor ishte Kostandin Xhuvani, djali i ish-deputetes të Partisë Socialiste Luiza Xhuvani. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga burimet e akuzës, sipas të cilëve, Prokuroria do të kryejë ekspertimin balistik dhe krahasues të tre gëzhojave dhe predhës së gjetur në vendin e ngjarjes pranë lokalit “Lithiumi” në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër. Burimet thonë, se prokurorët do të krahasojnë gëzhojat dhe predhën e gjetur në makinë me gëzhojat dhe pistoletën që i dyshuari Kostandin Xhuvani vrau 4 personat në lokalin “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit në kryeqytet. Këto predha do t’i nënshtrohen ekzaminimit nga laboratori i policisë shkencore, për të parë nëse janë qitur nga e njëjta armë, pasi ditën e ngjarjes për këto të shtëna u akuzua Kostandin Xhuvani. Hetuesit thonë, se nëse këto gëzhoja rezultojnë se janë qitur nga e njëjta armë, e cila ju kap të dyshuarit Xhuvani, do të provohet fakti se ajo ngjarje është manipuluar nga policia dhe prokuroria për të favorizuar djalin e deputetes. Në vendimin e pushimit të çështjes së prokurorisë, thuhet se Kostandin Xhuvani në atë kohë nuk kishte në përdorim aparat celular, për të provuar me qelizat e telefonit saktësinë e vendndodhjes së tij në atë moment, si dhe lokali ku ndodhi ngjarja nuk kishte kamera të sigurisë. Këto elemente, bënë që Prokuroria të marrë të mirëqenë pretendimin e mjekut roje të Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, i cili ka pretenduar se në orën kur ka ndodhur ngjarja në Gjirokastër shtetasi Kostandin Xhuvani ndodhej në këtë qendër mjekësore, pasi ishte shtruar në gjendje të rënduar nga alkooli.

 

Dëshmitë

Por nuk është vetëm kjo. Personat të cilët njohën Kostandin Xhuvanin në vendin e ngjarjes dhe këtë fakt ia raportuan Policisë së Gjirokastrës, ndryshuan deklarimet në organin e akuzës. Ky dyshohet se është një tjetër veprim, që, sipas burimeve, dëshmitarët mund të jenë kërcënuar nga Xhuvani ose janë përpunuar për të mbyllur çështjen ndaj djalit të deputetes Luiza Xhuvani. Me rihapjen e hetimit, të gjitha këto dyshime do të saktësohen edhe një herë nga Prokuroria, pasi janë ngritur dyshime se kjo ngjarje është manipuluar. Por nëse vërtetohet se ka manipulim, në pranga mund të përfundojë edhe drejtori i Spitalit Psikiatrik Elbasan, i cili doli publikisht dhe deklaroi se Kostandin Xhuvani ditën e 25 prillit në orën 17:00, ndodhej në spital për një ekzaminim, për shkak të konsumimit të tepërt të pijeve alkoolike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency