Standard.al

Zbardhet ekspertiza/ Prokuroria: Gjashtë të shtënat me armë janë të pistoletës së Xhuvanit, ka shenjat e barutit

Alma Çuka

 Prokuroria: Kostandin Xhuvani, i rrezikshëm, të mbyllet në burg. Masakra e 4 nëntorit tashmë e ka protagonistin e saj. Kërkohet burg edhe për bashkëpunëtorin e tij. Sot paraqiten në Gjykatë

kostandin xhuvani2 Prokuroria mbylli fazën e parë të hetimeve dhe dërgoi pasditen e djeshme në Gjykatën e Tiranës dosjen me provat konkrete kundër të pandehurve Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida, akuzuar për vrasjen e katërfishtë mëngjesin e datës 4 nëntor. Për akuzën është e vërtetuar në bazë të provave të marra në vendin e ngjarjes, dëshmive dhe aktit të ekspertimit balistik të armëve se autor i vetëm I masakrës, është 25-vjeçari Kostandin Xhuvani. Hetimet e para dhe provat enë vendin e ngjarjes u kryen nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me grupin e Prokurorëve. Ndërkohë një ditë pas ngjarjes, pra në 5 nëntor, të gjitha materialet iu referuan prokurorisë, e cila i përforcoi ato me kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme dhe akteve të ekspertimit.

 

Arrestimi i Xhuvanit

Nga aktet e procedimit penal nr. 8078, rezulton se më datë 4.11.2014 rreth orës 04:20 është njoftuar salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë se në vendin e quajtur, Rruga e Elbasanit në lokalin “Ante Grand”, kishte ndodhur një konflikt i armatosur. Pas këtij momenti autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr. 1, e cila ka qenë në afërsi ka shkuar në afërsi të lokalit, në rrugën kryesore, ka konstatuar një automjet “Mercedes-Benz ML” me targa TR0250N, në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip “Mercedes-Benz ML” dhe në këtë moment një person i veshur me kostum, tuta gri, ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap, duke mbajtur një pistoletë në dorë. Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë, i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Gjergj Xhuvani, i datëlindjes 24.6.1989.

 

Rrethanat e ngjarjes

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se vendi i ngjarjes është bar “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes është konkretisht lokali i sipërcituar, i cili është një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyrë në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkallëve janë gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra- tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jahaj dhe Enea Xhaj. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë model 54, me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të ç’rregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara. Nga këqyrja e këtij ambienti janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të Rrugës së Elbasanit përballë hyrjes së lokalit është gjetur një automjet me targa TR 0250 N me dyer të hapura, ku në ndenjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj. Po kështu, në distancë 52 metra nga hyrja e lokalit në oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike me krehër të vendosur dhe pa fishekë. Vendi ku është gjetur pistoleta korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i shtetasit Kostandin Xhuvani.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Sida e Alban Ballcaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij, e cila rezulton se ishte pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka pasur një konflikt. Gjatë këtij konflikti shtetasit Kostandin Xhuvani e Arber Demiraj kanë pasur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku, roje sigurie në lokal shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas në spital edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

 

Akti i ekspertimit

Sipas aktit të ekspertimit kimik gjurmëkopjuesish. datë 05.11.2014 ka rezultuar se në natribanët objekt ekspertimi marrë shtetasve, Erald Sida, Alban Ballcaj, Arben Shuaipi, Admir Hyseni, Anton Binaku dhe Andrea Omiro, nuk u evidentuar prania e nitriteve të cilat janë të pranishëm dhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes me armë zjarri. Në naterbanin e dorës së djathtë, objekt ekspertimi, marrë shtetasit Kostandin Xhuvani u evidentua prania e nitriteve të cilat janë të pranishëm dhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes me armë zjarri.

 

Krimi me armën e Xhuvanit

Sipas aktit të ekspertimit tekniko balistik datë 5.11.2014 ka rezultuar se gjashtë gëzhojat objekt ekspertimit i përkasin pjesëve të fishekëve luftarakë të përdorura nga fishekët standardë luftarakë të modelit 54 me kalibër 7.62.

Në sipërfaqen e jashtme të gëzhojave objekt ekspertimi u evidentuan gjurmë të lëna nga pjesë dhe mekanizma të armës që i ka qitur ato.

Katër predhat objekt ekspertimi përkasin pjesëve të fishekëve luftarakë të modelit 54 kalibër 7.62. Në sipërfaqen e jashtme të këmishuar të katër predhave dhe një këmishë predhe objekt ekspertimi u evidentuan gjurmë vjaskash të lëna nga vjaskat e tytës ë armës që i ka qitur ato. Arma objekt ekspertimi është e fabrikuar pistoletë tip “TT”, model 54, kalibër 7.62, me numër trup 14053073. Ajo paraqitet në gjendje të rregullt teknike dhe është e përshtatshme për qitje. Arma objekt ekspertimi është e fabrikuar pistoletë tip TT model 54 kalibër 7.62 me numra të fshirë në trup dhe në djepin luajtës. Ajo paraqitet në gjendje të rregullt teknike dhe është e përshtatshme për qitje. Në të dy armët objekt ekspertimi u evidentua prania e faktorëve plotësues të qitjes. 6 gëzhojat objekt ekspertimi janë qitur nga arma e zjarrit tip TT model 54 kalibër 7.62 me numra të fshirë në trup dhe në djepin luajtës. Pra qitjet me të cilat është realizuar vrasja e katër shtetasve janë kryer nga arma e zjarrit, e cila i është sekuestruar shtetasit Kostandin Xhuvani.

 

Provat

Procesverbal i kapjes në flagrancë. Procesverbal për arrestin në flagrancë. Procesverbal i sekuestrimit të sendeve. Procesverbal i deklarimit të shtetasit. Vendimet e ekspertimit. Aktet e ekspertimit

Në rastin konkret, duke qenë se sanksionet ligjore që parashikon vepra penale e kryer përputhen me kriteret e parashikuara nga neni 251 e 252 të Kodit të Procedurës Penale, arrestimi në flagrancë i kryer ndaj të dyshuarit është kryer konform me ligjin.

Po kështu ekzistojnë kushtet dhe kriteret e përgjithshme e të veçanta për vendosjen e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues, që parashikohen nga nenet 228, 229 e 230 të K.Pr.Penale. Për sa i përket masës së sigurimit çmohet se masa e sigurimit arrest në burg parashikuar nga neni 238 i K.Penal është e vetmja masë që i përgjigjet nevojave të sigurimit për veprat penale të kryera dhe për rrezikshmërinë penale të autorit të dyshuar të kryerjes së tyre, person me precedentë kriminale dhe i dënuar disa herë nga Gjykata.

 

Të pandehurit dhe akuzat

 Kostandin Xhuvani, i datëlindjes 1989, lindur me banues në Tiranë, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/4 te Kodit Penal.

Erald Sida, i datëlindjes 1990, lindur dhe banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prostitucioni” parashikuar nga nenet 300/1 dhe 113/3 te Kodit Penal

 

Prokuroria: Shkak i konfliktit dyshohet të jetë droga

 Organi i akuzës dyshon se shkak për nisjen e konfliktit të ketë qenë kërkesa që shtetasi Edison Jaho i ka bërë të pandehurit Kostandin Xhuvani për një cigare lëndë narkotike. Çfarë ka ndodhur përgjatë dy orëve të qëndrimit të të rinjve në lokal, tashmë është zbardhur nga dëshmitë e rojeve dhe pronarit të lokalit. Por detaje për nisjen e konfliktit ka dhënë edhe i pandehurit Erald Sida, një prej shokëve më të ngushtë të Xhuvanit, i cili në këtë rast akuzohet për “Moskallëzim krimi” dhe “Prostitucion”. Sipas Sidës,viktima Edison Jaho njihej me Xhuvanin dhe i kërkoi atij drogë, por shoku i tij ka refuzuar. Fillimisht kanë debatuar me fjalë. Xhuvani sipas dëshmive i ka thënë Jahos: “Kërkon macja të pijë uthull”. Viktima Edison Jaho nuk e ka pranuar këtë fakt dhe kështu debate ka precipituar në grushte dhe më tej me armë.

 

Xhuvani, me masa të rrepta sigurie në qeli

 Kostandin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani, e cila u detyrua të dorëzonte mandatin e fituar në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, mbrëmjen e 4 nëntorit, pasi mësoi për vrasjen e katërfishtë të realizuar në gjakftohtësi prej të birit, mbahet në qeli nën masa të rrepta sigurie. Burime nga Policia e Tiranës, bëjnë me dije, se Xhuvani, që nga momenti i arrestimit, mëngjesin e datës 4 nëntor e në vazhdim, ka shfaqur probleme me shëndetin. Është e vërtetuar plotësisht se Xhuvani është përdorues i rregullt i lëndës narkotike dhe për pasojë gjendja e tij shëndetësore paraqitet me halucinacione të vazhdueshme. Pikërisht për këtë problem, efektivët e policisë kanë marrë urdhër që të jenë të kujdesshëm e të qëndrojnë pranë tij në çdo orar të ditës. Mësohet gjithashtu se herë pas here në qelinë ku qëndron Kostandin Xhuvani, paraqitet një mjek, i cili kujdeset për dhënien e mjekimeve dhe mbajtjen nën kontroll të tij.

 

Akuza për vrasje dhe masa e dënimit

 Prokuroria zyrtarizoi akuzën e vrasjes së cilësuar ndaj dy ose më shumë personave, kundër Kostandin Xhuvanit, marrë tashmë në cilësinë e të pandehurit. Akuza nga ana e saj shprehet se ka në dorë të gjitha provat që vërtetojnë fajësinë e Xhuvanit dhe autorësinë e vrasjes së katër personave, autorësi kjo e pakundërshtueshme. Por deri tani Xhuvani duket se ka mbajtur qëndrim mohues, edhe pse ndaj tij provat janë të qarta dhe nuk ka dilemën më të vogël se e nxjerrin jashtë kontekstit të kryerjes së këtij krimi të rëndë. Në bazë të nenit 79/dh, që prokuroria akuzon të pandehurin, dënimi i tij shkon nga 20 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Por ajo që pritet të ndodh sërish me këtë ngjarje, është fakti, se i pandehuri Xhuvani ndonëse në rastet e tjera të kryerjes së veprave penale, i ka shpëtuar dënimit duke marrë atë minimalin në një rast dhe në disa të tjera duke u fshirë nga skedat e kërkimit, Këtë herë rrezikon të paktën 20 vite burg. Rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, mënyra se si janë vrarë viktimat në lokal, kur objektiv i vetëm ka qenë shtetasi Edison Jaho, konsumimi i pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, mund të konsiderohen nga gjykata si masa lehtësuese për Xhuvanin në dhënien e dënimit përfundimtar. Në këtë rast ai do i shpëtonte burgimit të përjetshëm edhe pse Prokuroria mund ta kërkoi një masë të tillë dënimi. Xhuvani gjithashtu pritet të pranoi krimin dhe para gjykatës të kërkoi procedimin me gjykim të shkurtuar. Edhe në këtë rast dënimi me burgim të përjetshëm do të zbriste menjëherë në 25 vite burg.

 

 Neni 79

Vrasja në rrethana të tjera cilësuese

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 11;

ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 9)

Vrasja me dashje e kryer:

  1. a) ndaj të miturit;
  2. b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë

ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;

  1. c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit,

ushtarakut, funksionarët e tjerë publik, gjatë detyrës ose për shkak të

saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;

ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera

ndërgjyqëse;

  1. d) më shumë se një herë;
  2. dh) kundër dy ose më shumë personave;
  3. e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës;

ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet

me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

 

Pushimi i çështjes për Xhuvanin, skandali shkarkohet në Elbasan

 Policia e Shtetit akuzoi Prokurorinë se nuk kishte vepruar në kohë për të caktuar masën e sigurisë ndaj Kostandin Xhuvanit, akuzuar se në 25 prill të këtij viti kanosi me armë disa qytetarë në Gjirokastër. Prokuroria nga ana e saj e shkarkon përgjegjësinë në Spitalin Psikiatrik Elbasan

Pas përplasjes së dy institucioneve ligjzbatuese, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, lidhur me shpalljen në kërkim të 25-vjeçarit, Kostandin Xhuvani dhe pushimin e çështjes, një tjetër hije dyshimi këtë radhë vjen nga Spitali Psikiatrik në Elbasan. Drejtori i këtij Spitali një ditë pasi drejtuesit e policisë dhe Prokurorisë reaguan me deklaratat e tyre, duke kundërshtuar opozitën dhe duke mbrojtur punën përballë akuzave, ai që duhej të reagonte ishte Drejtori i Spitalit Psikiatrik Elbasan, Ylli Muça. Drejtori i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, Ylli Muça konfirmoi se Kostandin Xhuvani është paraqitur në spital në datën 15 prill 2014, me intoksikacion alkoolik, dehje patologjike. Sipas zotit Muça, Xhuvani ka mbërritur në spital në orën 17:00 dhe ka qëndruar për rreth një orë.

 

Mashtrimi

“Xhuvani është paraqitur tek ne, më 25 prill në orën 17:00. Kjo është e dokumentuar dhe në regjistrin e konsultave. Xhuvani qëndroi 1 orë, pasi u përmirësua u largua dhe nuk është paraqitur më pas kësaj date”, – deklaroi drejtori i spitalit. Por kjo deklaratë duket qartë se në thelb ka mashtrimin. Ndërsa dy institucionet, Policia dhe Prokuroria kishin materialet në dorë, që flisnin qartë për akuzat e Xhuvanit, i cili tashmë ishte kthyer në një person problematik, duhej patjetër të gjendej një dokument dhe një version që të vërtetonte mosqenien e tij në orën e caktuar dhe të vërtetuar nga policia në Gjirokastër. E për këtë Xhuvani, përsëri ashtu si herët e tjera gjeti alibinë, por këtë herë të dokumentuar, se si pasojë e konsumimit të pijeve alkoolike, pikërisht në të njëjtën ditë, kur akuzohej nga policia, ai ndodhej në Spitalin Psikiatrik në Elbasan. Por për çudi, në këtë spital, ku dihet se shtrohen të gjithë personat me çrregullime mendore dhe ata që gjykata i ka shpallur me të njëjtat simptoma, pas kryerjes së ekspertizës mjeko –ligjore, është paraqitur në gjendje të dehur Kostandin Xhuvani. Dokumenti i siguruar nga ky spital, i shërbeu Prokurorisë së Gjirokastrës për të mbyllur hetimet kundër Kostandin Xhuvanit.

 

Akuzat e policisë  

Policia e Gjirokastrës në njoftimin e saj zyrtar pretendon se ngjarja e 25 prillit të këtij viti në Gjirokastër, ku si pasojë e një sherri mes disa të rinjve, është qëlluar me armë në ajër, ka pas si protagonist shtetasin Kostandin Xhuvani. Këtë fakt për policinë e ka përforcuar edhe paraqitja për njohje e fotos së Xhuvanit dhe disa djemve të tjerë, personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Të gjithë, thotë policia kanë identifikuar si autorin e ngjarjes, Kostandin Xhuvanin. Por i menjëhershëm është reagimi i Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila pasi kishte marrë një dokument nga Xhuvani se atë ditë ndodhej në Spitalin Psikiatrik Elbasan, pushon çështjen dhe gjithçka shkoi në pikën zero. Kostandin Xhuvani, vazhdonte të qarkullonte i lirë. i armatosur, deri sa mëngjesin e datës 4 nëntor u mori jetën katër personave në një lokal nate në Tiranë.

 

 

Comments are closed.