Standard.al

Takimi/ Ministri Tahiri: Pas operacioneve të drogës, ndërtimeve dhe energjisë, radha aseteve të krimit

Alma Çuka

Ministri saimir Tahiri me Prokurorin ItalianDeklaratën ministri i Brendshëm e bëri gjatë takimit të organizuar me prokurorin Kombëtar të Antimafias Italiane. Franco Roberti: Ofrojmë ndihmën dhe ekspertizën e nevojshme

 Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se Policia e Shtetit është e angazhuar në hetimin e pasurive të pajustifikuara dhe aseteve kriminale. Gjatë takimit të zhvilluar me prokurorin Kombëtar të Antimafias Italiane, Franco Roberti, gjatë vizitës së tij në Tiranë, u diskutua për çështje me interes të përbashkët të të dyja vendeve, duke e vënë theksin te hetimi i aseteve kriminale dhe pastrimi i parave me burim kriminal. Ministri Tahiri u shpreh se duhet kohë për operacionin për të hetuar asetet, të cilat vijnë si rezultat i krimit të organizuar. Aktualisht, Ministri i Brendshëm tha se janë duke u angazhuar me disa operacione, të cilat do të bëjnë të mundur parandalimin e abuzimeve me energjinë elektrike dhe ndërtimet pa leje, duke ndëshkuar çdo person që kapet duke vjedhur. Ministri gjithashtu përmendi edhe operacionin për shkatërrimin e parcelave të drogës filluar në qershor nga fshati Lazarat dhe duke vazhduar në pjesë të tjera të vendit. Sipas ministrit, pas operacionit të drogës, operacioni për hetimin e aseteve të krimit do të jetë më i madhi. Deklarata e ministrit të Brendshëm u mbështet edhe nga prokurori Kombëtar i Antimafias Italiane, Franco Roberti, i cili prej disa ditësh ndodhet për vizitë në vendin tonë.

 

Mbështetja

Prokurori i Antimafies Italiane në fjalën e tij dha mbështetje edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturë e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe pritet të hetojë rastet e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë. Por kjo strukturë ka nevojë ende për t’u konsoliduar dhe për këtë arsye, prokurori i Antimafies Italiane, Roberti, i bëri me dije ministrit Tahiri se Shqipëria është vendi parësor për Italinë dhe se mbeten të gatshëm të ofrojnë ndihmë dhe ekspertizë për konsolidimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ndërsa ministri i Brendshëm, Tahiri, theksoi angazhimin e plotë të Policisë së Shtetit që pas rezultateve në luftën kundër drogës, do të kthehet në prioritet hetimi i pasurive të pajustifikuara dhe aseteve kriminale. Ministri nënvizoi domosdoshmërinë e shtrirjes dhe forcimit të bashkëpunimit mes organeve ligjzbatuese në të dy anët e kufirit, duke thënë se mafia dhe organizatat kriminale nuk kanë barriera mes tyre. Takimi u fokusua në çështje me interes të përbashkët të të dyja vendeve, duke e vënë theksin te hetimi i aseteve kriminale dhe pastrimi i parave me burim kriminal. Prokurori Kombëtar i Antimafias Italiane, Franco Roberti, prej dy ditësh po zhvillon një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me homologun e tij Adriatik Llalla, ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe Presidentin Bujar Nishani. Në takimet e zhvilluara, Roberti u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të bashkëpunojnë në luftën ndaj krimit të organizuar.

 

 Kukës/ Grabitën në Morinë një shtetas nga Kosova, arrestohet 19-vjeçari

 Efektivat e Policisë Kukës, gjatë një operacioni për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë bërë kapjen dhe ndalimin e të riut Çapajev Muja, 19 vjeç, nga fshati Shtiqen, Komuna Shtiqen. Ky ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim”. Dyshohet se i riu në bashkëpunim me L. Ejupi dhe I. Istrefi, të cilët janë arrestuar disa ditë më parë nga Policia e Kukësit dhe Gjykata ka caktuar për ta masën e sigurisë “Arrest në Burg”, më datën 21.10.2014, kanë vjedhur me dhunë në Morinë një shtetas Kosovar. Gjatë operacionit për kapjen e 19-vjeçarit, është arrestuar edhe Lavdrim Basha, vjeç 30, pasi ka përkrahur autorin për të mos e arrestuar policia duke kundërshtuar me dhunë forcat e policisë.

 

Gjirokastër/ Ishte shpallur në kërkim, arrestohet 24-vjeçari për vjedhje

Policia e Gjirokastrës, gjatë një operacioni të befasishëm, arrestoi një person të shpallur në kërkim për vjedhje. Në njoftimin e saj zyrtar, policia e këtij qyteti bënë me dije se specialistët e seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, kanë bërë kapjen dhe ndalimin e një të riu të shpallur në kërkim, identifikuar me emrin Gëzim Vasi, vjeç 24, banues në fshatin Karjan, Gjirokastër. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor me vendim nr. 448, datë 22 tetor ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhje me dhunë”, parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal. Dyshohet se më datën 9.10.2014, rreth orës 20:00, 24-vjeçari, në bashkëpunim me tre persona të tjerë i kanë vjedhur me dhunë 150.000 lekë dhe 10.000 euro qytetarit A. G., pranë një rruge në lagjen Kodra e Shtufit të qytetit Gjirokastër. Tre personat e tjerë janë shpallur në kërkim, ku për arsye hetimi nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tyre dhe vijon puna për kapjen. Pas kallëzimit të bërë nga qytetari i dëmtuar, Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kanë bërë dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarje.

 

Shkodër/ Identifikohet autori i vrasjes së dy netëve më parë, shpallet në kërkim

24 orë pas vrasjes së Indrit Halitit në Shkodër, policia arrin të identifikojë autorin. Policia e Shkodrës njofton se ka bërë të mundur identifikimin dhe ka shpallur në kërkim ekzekutuesin e 26-vjeçarit Indrit Haliti, të vrarë mbrëmjen e së mërkurës në 5 nëntor me 15 plumba automatiku pranë shtëpisë së tij. Kështu si autor i dyshuar për vrasjen është identifikuar dhe shpallur në kërkim Denis Arrila, 26 vjeç, banues në fshatin Dobraç, të komunës Rrethina në Shkodër. Sipas policisë, Arrila është autori i dyshuar i atentatit, i cili ndodhi rreth orës 22:00 në lagjen “Partizani”. Sipas policisë së Shkodrës, e cila ka kryer hetimet e ndihmuar edhe nga Prokuroria e këtij rrethi, dyshohet se motivet e vrasjes me automatik, duke zbrazur 15 plumba mbi viktimën, të jetë grindja gjatë një ndeshje në kalçeto. Mësohet se autori pas konfliktit në fushë, ka lënë ndeshjen e kalçetos më shpejt ndërsa ka shkuar në shtëpi ku ka marrë armën me anë të së cilës ka kryer ekzekutimin e bashkëmoshatarit të tij. Indrit Haliti, u ekzekutua teksa ka qenë duke u kthyer për në banesë në këmbë, ku fare pranë tij, ka qenë një automjet nga i cili ka dalë autori. Denis Arrila ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të viktimës, mbi 15 herë duke e lënë të vdekur në vend. Pas kryerjes së krimit Arrila me automjetin e tij u largua me shpejtësi i favorizuar edhe nga errësira e rrugës. Mësohet se viktima ka qenë i arrestuar më parë për kundërshtim të forcave të policisë. Sipas burimeve viktima Indrit Haliti ka qenë shofer i ish-kryetarit të Komunës Rrethina, Kleves Muja.

 

 

 

Comments are closed.