Standard.al

Operacioni/ Nuk arkëtuan paratë e taksave për 60 automjete, arrestohen 3 ish-zyrtarë

Sonila Mesareja

arrest 2 Prokuroria: Qytetarët kallëzuan tre ish-punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, rezultonin debitorë në sistem

 Tre ish-punonjës të Drejtorisë së Transportit Rrugor janë prangosur në orët e vona të dy netëve më parë, pas vendimit të Gjykatës për akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Mësohet se tre ish-punonjësit janë nën akuzë për vjedhjen e 5.5 milionë lekëve të reja nga taksat e të paktën 60 automjeteve, të cilat janë derdhur nga drejtuesit e automjeteve por nuk janë derdhur në arkën e institucionit nga këta ish-punonjës. Të akuzuarit janë R. Vezelaj, ish-arkëtar, dhe K. Kaca e A. Murataj, ish-faturistë, ndërsa pagesa e paderdhur në arkën e institucionit i përket periudhës 2013 për taksën vjetore të vitit 2012.

 

Akuza

Prokuroria ka kërkuar “Arrest me burg” për 3 ish-punonjësit e Drejtorisë së Transportit Rrugor. Ata dyshohen se kanë vjedhur rreth 5.5 milionë lekë nga taksat e automjeteve. Pas një hetimi të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë (Njësia Task-Forcë), Gjykata ka vendosur masën e “Arrestit me burg” për tre ish-zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, Tiranë, të akuzuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, ndërsa në orët e vona të së mërkurës është ekzekutuar nga policia vendimi i gjykatës. Sipas burimeve zyrtare nga akuza, Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshimet të arsyeshme se shtetasit R. Vezelaj (ish-arkëtar), K. Kaca dhe A. Murataj (ish-faturistë) nuk kanë derdhur në arkën e institucionit taksat që kanë paguar pronarët e rreth 60 automjeteve, në vlerën e rreth 5.5 milionë lekëve të reja.

 

Kallëzimet

Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të disa qytetarëve, të cilët kanë deklaruar se kanë bërë pagesën e taksës vjetore në vitin 2012, dhe në vitin 2013 janë vënë në dijeni se taksa e paguar prej tyre nuk është arkëtuar në arkën e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë dhe si rrjedhojë nuk figuron e hedhur në sistem. Nga hetimet kanë rezultuar se kallëzuesit janë pronarë të automjeteve të ndryshme dhe kanë kryer rregullisht pagesën e taksave dhe vjetore dhe kolaudimin e automjeteve sipas rregullave të përcaktuara në aktet nënligjore. Gjatë vitit 2013 dhe 2014 ata janë paraqitur pranë sporteleve të Drejtorisë Rajonale Tiranë dhe kanë konstatuar se në sistemin kompjuterik rezultonin debitorë për vitin (ose vitet) paraardhëse. Për të vërtetuar faktin se ata kanë paguar detyrimet përkatëse të vitit paraardhës, ata kanë paraqitur dokumentacionin që vërtetonte pagesën e detyrimit nga ana e tyre.

 

Vendimi më 17 nëntor/ Mbyllet procesi, kryebashkiaku Gjika kërkon pafajësi

Pas kërkesës së organit të akuzës për dënimin e kreut të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, me 4 vite burgim dhe me 3 vite heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike, Gjika kërkon nga Gjykata pafajësi. “Kërkoj drejtësi dhe nëpërmjet drejtësisë kërkojë pafajësinë time”, – tha Gjika dje në sallën e gjyqit. Pas 26 seancave, gjyqtari Arben Micko vendosi që të shprehej me vendim më 17 nëntor, ndërsa Shpëtim Gjika dhe 5 persona të tjerë nën hetim, sipas Prokurorisë, u gjetën fajtorë për “Falsifikim dokumentesh zyrtare”, “Ndërtim të paligjshëm”, vepra penale këto të kryera në bashkëpunim. Vetë kreu i bashkisë së Vlorës prej fillimit të procesit gjyqësor ka mohuar akuzat ndaj tij, duke pretenduar pafajësi, por tashmë gjithçka i takon gjykatësit Micko ku me vendimin që do të japë më 17 nëntor, do të vendosë nëse do të burgoset apo jo Gjika, nëse do t’i hiqet e drejta e funksioneve publike, si dhe nëse do prishen apo jo dy pallatet pa leje, kërkesa këto të bëra nga akuza.

 

Tiranë/  Klinikë Ligjore falas në Fakultetin e Drejtësisë, 15 raste të trajtuara në 1 vit

Në Fakultetin e Drejtësisë është zhvilluar dje një ceremoni me rastin e 1-vjetorit të hapjes së Klinikës Ligjore falas, e cila u asistua nga USAID-i. Gjatë këtij viti rezulton që studentët të kenë asistuar falas rreth 15 raste, për gra të dhunuara, persona të diskriminuar, etj. Ndërkohë që edukojnë brezat e ardhshëm të juristëve, avokatëve, atyre që do të drejtojnë instancat e larta të drejtësisë në të ardhmen, stafi i këtij fakulteti e ka ndjerë veten të përjashtuar nga reforma në drejtësi. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Altin Shegani, u shpreh se është e rëndësishme që stafet akademike duhet të jenë pjesë e tryezave dhe diskutimeve për reformën në drejtësi. Ka reaguar rreth këtij konstatimi ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili deklaroi se prej muajit tetor të gjitha grupet e interesit janë të lira të marrin pjesë në reformë dhe të japin mendimet e tyre. Nëpërmjet Klinikes së Ligjit studentët do të kenë mundësi për zhvillimin e mendimit kritik ligjor dhe aftësive praktike, si dhe në angazhimin e tyre në dhënien e shërbimeve ligjore për qytetarët në nevojë.

 

 

Comments are closed.