Bekenbauer: Dështimi i Italisë në 1966 anuloi kontratën me Interin

0
127

Franc BekenbauerFranc Bekenbauer rrëfen një prapaskenë interesante të shumë viteve më parë, duke zbuluar se karriera e tij mund të kishte nisur te Interi në moshën 20-vjeçare. Në një intervistë për “Bild”, legjenda e Gjermanisë e pranon se në atë kohë kishte firmosur për klubin zikaltër, por dështimi i Italisë në Botërorin e vitit 1966 bëri që gjithçka të anulohej, edhe pse dëshira e tij ishte që të luante me çdo kusht në San Siro. Në sezonin 1966-67 Interi i Faketit, Burgnishit, Korsos, Suarezit, Macolës e Domeniginit u rendit në vendin e dytë dhe humbi finalen e Kupës së Kampioneve, por nëse Franc Bekenbauer do të ishte pjesë e asaj skuadre, ndoshta gjërat do të kishin shkuar ndryshe. “Përpara Botërorit të Anglisë kisha firmosur një parakontratë me Interin me një shifër të pabesueshme për mua në atë kohë, rreth 900 mijë marka gjermane, sepse në atë kohë, oferta të tilla vinin vetëm nga Italia. Interi ishte një skuadër legjendare me një trajner si Herrera. Fola me të disa herë dhe ai më bindi për t’u larguar nga Gjermania”, – rrëfen “Kajzeri”.

 

Alonso përgënjeshtron zërat për kontratën me Mclaren-in

Fernando Alonso ka shuar spekulimet për arritjen e një akordi me skuadrën e McLaren-it. Gjatë një konference shtypi në Meksikë, piloti spanjoll deklaroi se ende nuk ka vendosur se cili do të jetë destinacioni i tij në sezonin e ardhshëm të Formulës 1. Spanjolli, që garon me Ferrarin që nga viti 2010, do ta mbyllë bashkëpunimin me skuadrën italiane në fund të këtij sezoni. “Po mendoj se cila është gjëja më e mirë për të bërë. Unë kam avantazhin dhe privilegjin që të jem i aftë të zgjedh se me cilën skuadër do të garoj çdo vit. Nuk është e lehtë. Të shoh se cili do të jetë vendimi më i mirë për vitin e ardhshëm. Do të përpiqem të zgjedh se çfarë është më mirë për të ardhmen time. Kam respekt të jashtëzakonshëm për Ferrarin, unë e dashuroj këtë skuadër. Atë që kam bërë në këto vitet e fundit të karrierës e kam bërë për Ferrarin dhe këtë do të bëj edhe në të ardhmen”, – është shprehur Alonso. Gjatë dy javëve të fundit mediat angleze dhe ato spanjolle kanë bërë të ditur se Alonso ka zgjedhur McLaren-in si skuadrën e tij të radhës, madje kanë pretenduar se mes pilotit dhe skuadrës nga Woking është arritur edhe akordi për një kontratë dy-vjeçare, por vetë Alonso e përgënjeshtron diçka të tillë duke ironizuar me spekulimet mediatike. “Nuk ka asgjë të re. Nuk kam vendosur asgjë për vitin e ardhshëm. Kam menduar për këtë, por nuk kam arritur në asnjë vendim përfundimtar. Sipas spekulimeve gjatë dy muajve të fundit unë kam firmosur me disa skuadra. Vitin e ardhshëm do të jetë vështirë që të firmos me një skuadër të re pas çdo gare”, – vijoi spanjolli. Alonso, i cili është shpallur kampion i botës në Formula një në 2005 dhe 2006 me Renault, nuk fiton një Çmim të Madh që nga maji i 2013-ës.

 

 Bate Borisov prezanton planin e stadiumit të ri

 Janë dashur 5 vjet kohë dhe 40 milionë dollarë për t’i dhënë jetë këtij objekti shumë të bukur jo vetëm sportiv, por edhe arkitekturor. “Football Stadium Arena Borisov”, i dizajnuar nga arkitektët sllovenë të “OFIS Arhitekti”, do të jetë stadiumi i skuadrës lokale Bate Borisov. Impianti përveç një kapaciteti prej 13 mijë vendesh, ka edhe një arkitektonikë interesante: një mbulesë alumini përreth rreth gjithë stadiumit duke i dhënë një formë vezore, ndërsa brenda dhe jashtë tij do të ketë dyqane, bare, shërbime, galeri, zyra dhe salla shtyp.

 

Miss Brazili, shkaku i ndarjes së Kakasë

Mediat në Brazil shkruajnë se shkaku i ndarjes së futbollistit Rikardo Kaka nga bashkëshortja e tij Caroline Celico mund të jetë Miss Brazili. Me sa duket ish ylli i Milanit ka patur një flirt me miss-in Jakelyne Oliveira gjatë kësaj vere, kur kaloi disa ditë pushimi në një ishull. Zërat këto që po vërtetojnë edhe njëherë se gjërat nuk po shkojnë mirë për lojtarin Brazilian.

 

Kristiano Ronaldo dhe dëshira për të qenë më i gjatë…

Kristiano Ronaldo është kapur sërish nga fotografët teksa tenton ta reklamojë veten më të gjatë nga çfarë është realisht. Kjo gjë u vu re fillimisht në Superkupën e Evropës Real Madrid-Sevilja, ku ylli portugez qëndronte në majë të gishtave që të dukej më i gjatë para kamerave, ndërsa së fundmi e ka bërë edhe në Champions League kundër Liverpulit. Kristiano Ronaldo është gati 1.86 m i gjatë, një shtatlartësi që do ta kishte zili kushdo dhe këto përpjekje duken të pakuptimta. Mendoni çfarë duhet të bëjë Mesi me përmasat e vogla që ka?

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency