Standard.al

Vjedhja e Thesarit/ Gjykata e Lartë ndryshon masat, urdhëron lirimin e Fullanit dhe Golemit

Sonila Mesareja

Vendimi i Kolegjit Penal, pas kërkesës së Prokurorisë për rikthimin në burg të ish-guvernatorit dhe lënien në burg të ish-inspektores së Përgjithshme

 fullani dhe golemiArdian Fullani dhe Elivar Golemi rifitojnë lirinë. Vendimi u dha dje nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili shqyrtoi masat e sigurisë për dy ish-zyrtarët e lartë të Bankës së Shqipërisë, për të cilët Prokuroria kishte kërkuar rikthimin në burg, të ish-guvernatorit dhe lënien në burg të ish-inspektores së Përgjithshme. Ky vendim i dhënë nga Kolegji Penal i përbërë nga Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi vjen 2 muaj pas prangosjes së Fullanit dhe Golemit. Gjykata vendosi caktimin e masave “Detyrim paraqitje” për Fullanin dhe Golemin, duke urdhëruar në këtë mënyrë lirimin e tyre të menjëhershëm, Fullanin nga masa “Arrest shtëpie” dhe detyrimin për të qëndruar brenda ambienteve të shtëpisë dhe Golemin nga qelitë e paraburgimit 313, ku qëndronte e izoluar prej 2 muajsh. Menjëherë pas vendimit të Gjykatës kanë reaguar dy avokatët mbrojtës, Maks Haxhia e Fatos Shanaj, për të cilët Gjykata e Lartë korrigjoi vendimin e dy gjykatave të tjera, asaj të Shkallës së Parë dhe Apelit, ndërsa në ambientet e kësaj Gjykate si përherë janë gjendur edhe familjarë të ish-inspektores Golemi.

 

 

Vendimi

Kolegji Penal i kësaj Gjykate shfuqizoi dje vendimin e Gjykatës së Apelit dhe rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për rikthimin në burg të ish-guvernatorit Fullani. Sipas vendimit, hetimi në gjendje të lirë për Fullanin, nuk ndikon në prishjen apo ndërhyrjen në gjetjen e provave për prokurorin, nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe ish-guvernatori nuk ka tentuar të largohet nga vendi. Kolegji argumentoi në vendim se nga të dhënat edhe të prokurorisë, Fullani është personi që ka kallëzuar Ardian Bitrajn për vjedhjen e bankës dhe ka qenë bashkëpunues me organin e akuzës para arrestimit të tij. Këto arsyetime u përdorën edhe nga avokatët mbrojtës në fjalën e tyre. Pas vendimit, avokatët e cilësuan të drejtë vendimin e Gjykatës. Më herët, po i njëjti trup gjykues dhe me të njëjtin argument ligjor, urdhëroi lirimin nga paraburgimi të ish-inspektores së Përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi. Kjo e fundit ndodhej e izoluar në qelin e paraburgimit 313 me vendim të dy shkallëve të gjyqësorit, në kohën kur dosja penale ndaj saj ka përfunduar në Gjykatë dhe pritet që më 20 nëntor trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Martin Deda të nisë procesi gjyqësor. Sipas Prokurorisë, ish-guvernatori Fullani dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, por ende nuk i është komunikuar zyrtarisht kjo akuzë, pasi çështja vijon të jetë duke u hetuar. Ndërsa Elivar Golemi tashmë do të gjykohet për këtë vepër penale nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë së bashku me 15 zyrtarë të tjerë të Bankës së Shqipërisë.

 

 

Akuza

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Madrid Kullolli, nuk mundi dje të bindte Gjykatën e Lartë se ku qëndronte rrezikshmëria e Fullanit dhe aq më tepër të argumentonte se përse ishte e nevojshme masa e arrestit në mungesë ndaj tij, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndaj pyetjes së gjyqtarit Shkëlzen Selimi se në çfarë forme të fajit e ka shpërdoruar detyrën Fullani, prokurori reagoi me fjalët: “Refuzoj të përgjigjem”. Më të qartë kanë qenë avokatët e Fullanit në këtë seancë, duke deklaruar se Prokuroria është kontradiktore, kur nga njëra anë shprehet se 15 të pandehur kanë shpërdoruar detyrën, se nuk zbatuan aktet e nxjerra nga guvernatori Fullani, dhe nga ana tjetër Fullanit i thotë: “Pse nuk ka nxjerrë urdhra”. Në përfundim të procesit, avokati i Fullanit tha se do të kërkojë pafajësinë për të. “Ne jemi në pritje të vazhdimit të procesit, të përballemi me drejtësinë deri në fundin e saj dhe kemi shpresën dhe bindjen që do të marrim atë çfarë na takon”, – tha Maks Haxhia, avokati mbrojtës i ish-guvernatorit. Ndërkohë lidhur me rastin e ish-inspektores së Përgjithshme, avokatet thanë se zonja Golemi nuk është thirrur asnjëherë nga Këshilli Mbikëqyrës për të raportuar dhe se ajo nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. “Gjykata mori një vendim që korrigjoi gabimet e gjykatave më poshtë, sipas meje, dhe me të drejtë urdhëroi lirimin e Elivar Golemit, sepse masa e sigurimit ishte në papërshtatshmëri të dukshme lidhur me personalitetin dhe me rrezikshmërinë e saj”, – tha avokati Fatos Shanaj në fund të seancës.

 

Lufta kundër krimit të organizuar/ Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes Prokurorisë dhe Antimafias

 

Bashkëpunim në luftën kundër fuqizimit të krimit të organizuar, sofistikimit të tij dhe pastrimit të produkteve kriminale. Ky ka qenë angazhimi i ndërmarrë mes dy vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Italisë, përmes një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar dje nga kreu i akuzës në vendin tonë, kryeprokurori Adriatik Llalla dhe kreu i Antimafias së Italisë, Franco Roberti. Ajo që u evidentua nga dy homologët, ishte fakti se sofistikimi dhe fuqizimi i krimit të organizuar kërkon një përgjigje po kaq të fortë, duke i dobësuar ata ekonomikisht përmes sekuestrimit të aseteve të tyre financiare. “Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Kjo rrugë kërkon vendosmëri përballë krimit të organizuar. Prokuroria është e fokusuar në hetimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtarinë kriminale. Është rritur së tepërmi nga viti në vit numri i konfiskimeve të pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare të personave dhe grupeve të përfshirë në krimin e organizuar. Nga ana tjetër, autoritetet hetimore e kanë të qartë se për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar, ai duhet goditur në burimin financiar. Italia ka një përvojë shumë të rëndësishme në këtë drejtim dhe ka shërbyer edhe si orientim për institucionet shqiptare”. Po ashtu, edhe z. Roberti theksoi rëndësinë që ka forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për luftën kundër krimit të organizuar. “Organizatat kriminale janë ashpërsuar edhe më tej, janë të pranishme dhe veprojnë në të gjithë vendet tona. Marrë shkak nga këto zhvillime që kanë njohur veprimtaritë apo organizatat kriminale nënshkruam dhe këtë memorandum. Kjo parashtron dhe nevojën e veprimtarive të përbashkëta hetimore. Për të dalë nga kriza ekonomike që ka përfshirë botën dhe dy vendet tona si dhe për të shmangur presionet e ndryshme nga organizatat e ndryshme kriminale, mund të dalim duke bashkëvepruar së bashku dhe jo secili për llogari të vet. Pastrimi i parave, përpjekja e organizatave kriminale që të ardhurat e paligjshme t’i qarkullojnë në kuadër të tregut të ligjshëm pengon zhvillimin ekonomik të vendeve tona dhe BE”, – tha ai.

 

 

Krimet e Rënda/ I pandehuri Frroku, debat me dëshmitarin, shtyhen dëshmitë e Kuliçajt e Vocajt

 

Nuk kanë mundur të dëshmojnë dje dy ish-zyrtarët e lartë të policisë të thirrur nga akuza si dëshmitarë, Agron Kuliçaj dhe Tonin Vocaj. Shkak është bërë një debat i ashpër mes të pandehurit Arben Frroku dhe një dëshmitari, ish-gardistit Ylli M. për dëshminë e këtij të fundit, çka solli edhe ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen për të mërkurën e ardhshme. Në seancën e radhës, dy ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit do të dëshmojnë lidhur me njohjen që kanë pasur me të pandehurin, dreka e publikuar në media ku të gjithë janë në një tavolinë, duke drekuar në një lokal në zonën e Dajtit, si dhe rolin e tyre në ndryshimin e pozicionit të kryekomisarit të vrarë, si dhe dijenitë që kishin mbi konfliktet që ky i fundit ka pasur me biznesmenin Frroku. Këto dëshmi vijnë menjëherë pas asaj të dhënë nga dëshmitari i mbrojtur i akuzës, Fatmir Vladi, i cili i qëndroi besnik përballë Frrokut deklarimeve të para dhe identifikimit të të pandehurit si një nga personat që gjendej në makinën që qëlloi Dritan Lamaj.

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.