Vendimi/ UEFA dërgon dosjen me arsyet pse u dënuan serbët, futja e tifozëve në fushë u hoqi tri pikët

0
111

Media serbe “Kurir” ka shkruar se arsyet se pse Shqipëria humbi tre me zero në tavolinë i janë dërguar Federatës Shqiptare, edhe pse ende nuk ka njoftim zyrtar që ky raport ka ardhur

trazirat serbiLufta ligjore për ndeshjen Serbi-Shqipëri vazhdon. Pas vendimit të nxjerrë të UEFA-s, tashmë ka ardhur edhe argumenti për arsyet se pse janë dhënë dënimet për të dyja kombëtaret. Nga njëra anë qëndrojnë serbët, të cilët kanë marrë raportin e tyre, ndërsa te Federata Shqiptare nuk ka ardhur akoma. Dje, Federata Serbe e Futbollit bëri të ditur se ka marrë interpretimin juridik të vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit të kaluar, ndërkohë që ka bërë të ditur se interpretimi i vendimit është dërguar nga UEFA edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Gjithsesi, pala serbe, siç referon e përditshmja “Kurir”, nuk ka informacion në lidhje me arsyen se përse Shqipëria e humbi ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, por shpjegon arsyet e ndëshkimit për Federatën Serbe të Futbollit. Sipas arsyetimit të dërguar nga UEFA në Beograd, Serbia u ndëshkua nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës me zbritjen e tri pikëve në klasifikimin e grupit I, për futjen e tifozëve në fushë, hedhjen e fishekzjarrëve, hedhjen e sendeve të forta dhe futjen e tifozit me karrige në fushë si dhe futjen në territorin e lojës të Ivan Bogdanovit. Gjithmonë duke iu referuar lajmit të “Kurir”-it, ndeshja u fitua në tavolinë 3-0 nga Serbia, por skuadrës së tyre iu zbritën 3 pikët, për shkak të organizimit të dobët dhe gjithashtu Serbisë i duhet të luajë 2 ndeshjet e radhës pa tifozë. Zv.sekretari i Federatës Serbe, Nebojsa Ivkoviç, bëri të ditur marrjen e interpretimit të vendimit të UEFA-s, ndërsa deklaroi për “Kurir”: “Kemi marrë një shpjegim prej 24 faqesh, duhet të shqetësohemi më shumë me pasojat, por shkaku kryesor është ndërprerja e ndeshjes dhe droni me një përmbajtje politike. Në shpjegimin që i është dhënë Federatës Serbe të Futbollit nuk thuhet se përse Shqipëria humbi ndeshjen, ky shpjegim është adresuar në Tiranë. Sa për dënimin tonë, tri pikët na janë zbritur siç referohet për futjen e fansave në fushë, hedhjen e mjeteve piroteknike, futja e stolave në fushë dhe hyrja e Ivan Bogdanovit në terrenin e lojës. Skuadra jonë ligjore po punon për apelimin. Duke filluar nga sot, kemi 5 ditë kohë për të shkruar një ankesë dhe t’ia dërgojmë atë Komisionit të Apelit të UEFA-s”. Deklarata e zv.sekretarit të FSS, Nebojsa Ivkoviç, konfirmon se në vendimin e Komisionit të Disiplinës të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri nuk janë marrë aspak parasysh thirrjet raciste për gjenocid ndaj shqiptarëve, që u konstatuan gjatë gjithë kohës në stadiumin e Partizanit të Beogradit si dhe parullat e shumta politike që u shfaqën në shkallët e tij nga ana e tifozëve serbë, ku përfshiheshin thirrjet “Kosova është Serbi” apo dhe foto të kriminelëve të luftës. Pas marrjes së dosjes me 24 faqe, pala serbe, gjithnjë sipas mediave në Beograd, ka afat ankimimi në Apel deri në 11 nëntor.

 

De Biazi: Droni, çmenduri, klimë urrejtje në stadium

Xhani de Biazi ka kritikuar Serbinë për atmosferën që mbizotëroi gjatë ndeshjes së ndërprerë në Beograd. Selektori i Shqipërisë, Xhani de Biazi, ka komentuar sërish incidentet në Beograd, gjatë ndeshjes së ndërprerë kundër Serbisë në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016. “Ekzistonte një klimë e urrejtjes ndaj shqiptarëve, unë si italian e përjetoja në një mënyrë tjetër”, – deklaroi De Biazi. “Janë gjëra që nuk i kam parë kurrë më parë. Droni? Dikush që bën diçka të tillë është një i çmendur, por mundur të ketë qenë vetëm një provokim”, – u shpreh ai.

 

 Ronaldo: Dua të bëhem më i miri në botë

Kristiano Ronaldo mori të mërkurën Këpucën e Artë (çmim që e ndan me Luis Suarezin), pasi sezonin e kaluar shënoi 31 gola në kampionatin spanjoll. Kjo është hera e tretë që sulmuesi portugez e fiton këtë çmim, po aq sa e ka fituar edhe Lionel Mesi. Çmimi iu dorëzua nga presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez. Në ceremoni ishin të pranishëm drejtues të lartë të klubit madrilen dhe disa nga lojtarët e skuadrës. Në konferencën për shtyp pas dorëzimit të çmimit, Kristiano deklaroi se do të vazhdojë të stërvitet fort për t’u bërë futbollisti më i mirë në histori. “Unë dua të jem më i miri në histori, por secili ka mendimin e tij. Besoj se do ia dal mbanë. Po e shkruaj historinë time hap pas hapi dhe e sigurtë është që në fund të karrierës sime do të jem të paktën një nga më të mirët”. Sulmuesi foli edhe për “Topin e Artë 2014”, çmim që do të jepet në muajin janar. Pasi u pyet nëse do të habitej në rast se nuk do e fitonte, CR7 u përgjigj: “Nuk më habit më asgjë në futboll. Jam i përgatitur për çdo gjë. Do më pëlqente ta fitoja për herë të tretë këtë çmim, por nuk jam i fiksuar. Ka kohë deri atëherë dhe unë duhet të vazhdoj të shënoj”.

 

Rojs kërkon Barcelonën

Gjermani i Dortmundit, Marko Rojs, është para një vendimi të vështirë. Rojs flitet se është duke dëshiruar që të kalojë te Barcelona, por s’ka ofertë nga klubi katalanas. Nga ana tjetër, Bajerni dhe Mançester Siti kanë joshur lojtarin me oferta bindëse. Ëndrra apo paraja? Mbetet të shihet cilën do të zgjedhë Rojs, por Barça së pari duhet të bëjë hapa në këtë drejti

 

 Kanavaro nënshkruan me Guangzhoun

Fabio Kanavaro është prezantuar zyrtarisht te Guangzhou si trajner i ri i skuadrës. Ish-mbrojtësi i Realit të Madridit dhe Juventusit ka qenë pjesë e stafit të Al Ahlit, por tani ka marrë në duar skuadrën kineze nga ish-trajneri i tij Marçelo Lipi, i cili do të bëhet drejtor teknik i kampionit të Kinës. Evergrande ka konfirmuar caktimin e Kanavaros me anë të një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të klubit, para se më pas të publikojë foto të tij duke arritur në aeroport. Kanavaro po ashtu ka qenë pjesë e konferencës së shtypit krahas Lipit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency