Standard.al

Masakra në Tiranë/ Akuza: Xhuvani vrau 4 personat në lokal. Zbardhen rrëfimet në qeli

Alma Çuka

arber-300x162Lihet i lirë kushëriri i viktimës Arbër Demiri, Albano Ballcaj. Kostandin Xhuvani, sipas akuzës, do të përgjigjet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese”, ndërsa shoku i tij, Erald Sida, për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Shfrytëzim të prostitucionit”. Kostandin Xhuvani rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

 Prokurorisë së Tiranës i janë dashur vetëm pak orë në dispozicion për të zyrtarizuar akuzat ndaj Kostandin Xhuvanit dhe Erald Sidës, dyshuar si autorë të vrasjes së katërfishtë mëngjesin e katër nëntorit në një lokal nate në Rrugën e Elbasanit. Burime nga organi i Prokurorisë bëjnë të ditur se Kostandin Xhuvani është tashmë i dyshuari kryesor i vrasjes së katër personave në lokalin “Ante Grand” dhe para Gjykatës do të përgjigjet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese, ndaj një apo më shumë personave ”, akuzë që parashikon një dënim nga 20 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Ndërsa shoku i tij, Erald Sida, i cili mendohet se e ka mbështetur në çdo veprim, do të përgjigjet për “Përkrahje të autorit pas krimit”. Ndaj këtij të fundit rëndon edhe një tjetër akuzë, ajo e “Shfrytëzimit të prostitucionit”, për të cilën policia ka pasur materiale të mëparshme. Dy të dyshuarit do të njihen të premten në Gjykatën e Tiranës me akuzat dhe provat për ekzekutimin e katër personave në lokalin pranë rrugës së “Elbasanit”.

 

Hetimet

Hetimet paraprake kanë provuar se Xhuvani është autor i të 4 vrasjeve, mes tyre edhe shokut të tij Arbër Demiri. Gjatë marrjes në pyetje, mësohet se Xhuvani ka qenë kontradiktor, pasi ndodhej edhe nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike. Burime nga grupi i hetimit pohuan se Xhuvani nuk ka dashur të japë deklarime, ndërsa në disa raste është shprehur se nuk mban mend asgjë se çfarë ka ndodhur. Gjatë dhënies së dëshmisë, Xhuvani është munduar të hiqet i paaftë mendërisht dhe të mbulojë masakrën me pluhurin e harresës. Por ka pasur momente, kur ai është tradhtuar dhe ka pyetur nëse shoku i tij Arbër Demiri ishte mirë apo jo. Kushëriri i parë i viktimës Arbër Demiri, shtetasi Albano Ballcaj, u lirua nga qelia me urdhër të Prokurorisë, pasi nuk provohet të ketë konsumuar elemente të veprës penale dhe ka ndihmuar hetuesit në zbardhjen e ngjarjes.

 

Ngjarja sipas akuzës

Sipas Prokurorisë, katër shokët, Kostandin Xhuvani, Albano Ballcaj, Erald Sida dhe viktima Arbër Demiri në orën 02:00 të mëngjesit kanë hyrë në lokalin “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit. Ata janë ulur në një tavolinë pranë asaj ku qëndronin Edison Jaho dhe Enea Xhaji, të dy punonjës të Inspektoratit Sanitar Shtetëror. Sipas akuzës, ata njiheshin dhe kanë komunikuar. Diku rreth orës 04:15 minuta, mes dy grupeve ka nisur një debat, pasi viktima Edison Jaho ka kërkuar nga Xhuvani një sasi lënde narkotike për konsum. Por meqë nuk kishte para, Jaho i ka hedhur në tavolinë të rinjve kartën e identitetit, si garanci që të nesërmen do t’i paguante. Ka mjaftuar ky moment, që mes Xhuvanit dhe Jahos të niste një lumë sharjesh dhe fyerjesh. Prokuroria thotë se nga dëshmitë del e provuar se ka qenë roja i lokalit ai që ndërhyrë dhe ka nxjerrë jashtë Xhuvanin dhe shokët e tij. Kjo provohet edhe nga kamerat e sigurisë së Rrugës së Elbasanit. Enea Xhaji është përpjekur të sqarojë keqkuptimin dhe të ulë gjakrat e ndezur. Në këtë moment, Xhuvani dhe Demiraj kanë rihyrë brenda, duke e shtyrë Xhajin dhe në momentin që Jaho i ka dalë përpara, Xhuvani i ka shkrepur menjëherë armën në kokë dhe trup. Si pasojë e të shtënave tejshpuese, plumbat kanë goditur për vdekje Enea Xhajin, Arbër Demirin dhe italianin Giampaolo Azzola. Pas vrasjes, Kostandin Xhuvani ka hedhur pistoletën e shokut të vrarë Arbër Demiri pranë dy viktimave të tjera Edison Jaho dhe Enea Xhaji, ndërsa kanë futur në makinë trupin e pajetë të shokut të tyre. Ka qenë kjo koha, kur kanë parë afrimin e forcave policore dhe Xhuvani është nisur të largohet për nga Fakulteti Ekonomik, ndërsa Sida për nga pjesa e Parkut të Liqenit. Vetëm Ballcaj ka pritur pranë makinës, ku ndodhej trupi i kushëririt të tij Demiri. Pas arrestimit, ka qenë Ballcaj ai që ka treguar të gjithë skenën e krimit, së bashku me Sidën dhe dëshmitarët e tjerë, që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes.

 

Rrëfimet/ Xhuvani dhe Sida në polici, rrëfehen në qeli të ndara për vrasjen e katër personave

 Zbardhen detaje nga deklarimet e të dyshuarve. Policia administron provat në vendin e ngjarjes dhe pamjet e marra nga kamerat e sigurisë vendosur në një shtyllë përballë lokalit ku ndodhi ngjarja. Futen në fashikullin e hetimit dëshmitë e kamerierëve dhe personelit të lokalit

 48 orë pas arrestimit të Kostandin Xhuvanit dhe Erald Sidës, Policia e Tiranës dokumenton dëshmitë e para, duke hedhur dritë plotësisht mbi vrasjen e katërfishtë në lokalin “Ante Grand”, në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Përveç të dyshuarit kryesor të masakrës, Kostandin Xhuvani, dhe bashkëpunëtorit të tij Erald Sida, policia ka arritur të pyesë edhe 9 persona të tjerë, që në momentin e krimit janë ndodhur në vendin e ngjarjes. Në pyetje janë marrë edhe familjarët e të pandehurve, ndërsa pritet të dokumentohet edhe dëshmia e familjarëve të viktimave, nga të cilët Policia dhe Prokuroria pretendojnë të mësojnë më shumë detaje rreth njohjes së mëparshme mes tyre.

 

Xhuvani

Kostandin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani, e cila dorëzoi mandatin pak orë pasi policia konfirmoi se ai ishte i dyshuar i vetëm i vrasjes së katër personave, nuk ka preferuar të flasë shumë. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, Xhuvani ka dhënë deklarata kontradiktore. Burime të besueshme nga policia bëjnë me dije se i dyshuari Xhuvani fillimisht ka deklaruar se nuk mbante mend asgjë dhe gjatë gjithë kohës është ankuar se nuk ndihej mirë nga shëndeti. Ndërkohë, po të njëjtat burime shprehen se në një moment tjetër, i dyshuari i masakrës ka kërkuar të dijë për shokun e tij Ardër Demiri, nëse ishte mirë me shëndet. Përsëri ka rënë në heshtje. Nuk ka preferuar t’u përgjigjet as prokurorëve që kanë hyrë në qeli për të mësuar më shumë rreth ngjarjes. Madje, Kostandin Xhuvani mësohet se nuk ka marrë as avokat mbrojtës. E detyruar nga rrethanat e ngjarjes, policia është mbështetur në dëshmitë e personelit të lokalit dhe kushëririt të 19-vjeçarit të vrarë Arbër Demiri, Albano Ballcaj.

 

Ballcaj

Ka qenë i vetmi që ka shpjeguar me hollësi çfarë ka ndodhur në pak minuta mëngjesin e datës 4 nëntor në lokalin “Ante Grand”, ku humbën jetën Arbër Demiri, Enea Xhaji, Edison Jaho dhe italiani Giampaolo Azzola. Albano Ballcaj u lirua mëngjesin e djeshëm nga policia, pasi nga hetimet rezultoi se nuk ishte i përfshirë direkt në ngjarje. Ai i tha Policisë dhe Prokurorisë se para se të ndodhte konflikti, ka qenë në tavolinë së bashku me Arbër Demirin, Kostandin Xhuvanin dhe Erald Sidën. Dy viktimat Edison Jahon dhe Enea Xhajin ai është shprehur se nuk i njihte, por nga bisedat ka kuptuar se Edisoni kishte njohje me Xhuvanin. Ka pranuar edhe faktin se Xhuvani kishte konsumuar pije alkoolike dhe lëndë narkotike të llojit kokainë. Duket se droga ka qenë edhe “molla” e sherrit. Viktima Edison Jaho ka kërkuar nga Xhuvani një dozë kokaine, por nuk kishte para të paguante, duke i afruar kartën e identitetit. Xhuvani nuk ka pranuar dhe mes tyre ka lindur një debat me fjalë fyese, që më pas është shndërruar në grushte. Ballcaj është shprehur se ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, por nuk ka mundur të bëjë dot gjë, pasi Xhuvani ka dalë nga lokali me shpejtësi, ka marrë armën, duke qëlluar në kohë rekord mbi viktimat. Aty mbeti i vrarë dhe kushëriri i tij, Arbër Demiri.

 

Dëshmitarët

Policia mori në pyetje gjatë dy ditëve edhe shumë dëshmitarë që panë nga afër masakrën brenda në lokal. Një prej dëshmitarëve është roja i lokalit. Ky i fundit ka rrëfyer për grindjen, duke qenë në sinkron me dëshmitarin tjetër Ballcaj. Bashkë me rojën, i cili ka treguar se Kostandin Xhuvani ishte i vetmi që qëlloi mbi viktimat janë pyetur edhe 9 persona të tjerë. Të gjithë vërtetuan se shkak i sherrit ka qenë droga dhe konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike. Roja ka shpjeguar edhe lëvizjet që kishte bërë i dyshuari Kostandin Xhuvani, nga momenti i sherrit deri tek goditja me armë. “Djemtë ishin duke pirë alkool dhe drogë në lokal. Unë i shihja, por nuk mund të ndërhyja. Ashtu si unë i shihnin edhe personat e tjerë që ndodheshin në lokal. Ishte ora rreth 04:20 minuta e mëngjesit, kur dëgjova të shara dhe pashë që djemtë po shtyheshin me njëri-tjetrin, ndërhyra për t’i qetësuar dhe ndarë. E nxora jashtë djalin që më pas qëlloi me armë edhe shokët e tij. Mendova se dy djemtë që ishin më të mëdhenj në moshë do të largoheshin, se një gjë të tillë po ia kërkonte dhe një djalë tjetër. Por ata, me sa më kujtohet, nuk patën mundësi të dilnin nga dera, pasi djali që doli jashtë, erdhi brenda pak sekondave me një armë në dorë. Ai qëlloi drejt djalit të parë, me të cilin bëri sherr, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas ndaj të dytit. Aty u bë një kasaphanë e vërtetë. Situata doli jashtë kontrollit. Pronari i lokalit dhe personeli ishin në gjendje të keqe dhe nuk dinin ç’të bënin. Kur pashë këtë situatë, kam marrë menjëherë në telefon sallën operative. E gjithë ngjarja besoj ka ndodhur për rreth 2 ose 3 minuta”.

 

Kamerat e sigurisë

Policia dhe Prokuroria nuk kanë vetëm deklarimet e dëshmitarëve si provë kundër Kostandin Xhuvanit. Dy pistoleta tip “TT” janë sekuestruar në vendin e ngjarjes. Njëra prej tyre i përket të dyshuarit kryesor, Kostandin Xhuvani, dhe Policia shprehet se në momentin e sekuestrimit ka qenë e zbrazur. Një tjetër armë u gjet në mjediset e brendshme të lokalit. Për këtë armë dyshimet e Policisë janë se i përkiste viktimës Arbër Demiri, por që ende nuk është dalë me një përfundim konkret. Të dyja armët i janë nënshtruar ekspertizës balistike dhe përfundimi pritet të dalë shumë shpejt. Ndërkohë, e fortë është edhe prova tjetër, kamera e sigurisë e vendosur në një shtyllë përballë lokalit. Në kasetën e sekuestruar tashmë, ndodhen të gjitha hyrje-daljet dhe veprimet që të dyshuarit kanë kryer jashtë mjediseve të lokalit.

 

 Reagimi/ Mbyllen hetimet për Xhuvanin, Policia dhe Prokuroria, shpjegime kontradiktore

Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Gjirokastrës reagojnë ndaj akuzave të ngritura nga opozita se shtetasi Kostandin Xhuvani, autori i dyshuar i vrasjes së katër personave, ka qenë person në kërkim dhe qëllimisht është lënë i lirë. Dy institucionet ligjzbatuese, nga njëra ana Ministria e Brendshme dhe ana tjetër Prokuroria e Gjirokastrës, japin fakte të ndryshme për të njëjtën çështje, ku objekt është shtetasi Kostandin Xhuvani. Policia konfirmon me anë të njoftimit të saj se Kostandin Xhuvani është vërtetuar se ka qenë në 25 prill 2014 në Gjirokastër dhe është protagonist i një sherri të ndodhur mes disa të rinjve, për shkak të ngacmimit të disa femrave. Policia thotë se këtë fakt e ka provuar me anë të paraqitjes për njohje. Personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, u është paraqitur për ballafaqim fotografia e Kostandin Xhuvanit dhe e disa personave të tjerë dhe, sipas policisë, në të tria rastet, ata kanë identifikuar me emër personin në fotografi që korrespondonte me Xhuvanin. Xhuvani, thotë policia, është shpallur person në kërkim dhe dosja me emrin e tij dhe provat konkrete iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës. Por, thotë policia, akuza nuk mori asnjë veprim për të dërguar dosjen e Xhuvanit në Gjykatë dhe caktuar ndaj tij masën e sigurimit. Policia shprehet në reagimin e saj se kur kishte kaluar një muaj nga data e shpalljes në kërkim përmes listave rozë dhe Prokuroria nuk kreu asnjë veprim, emri i Kostandin Xhuvanit u hoq nga skeda e personave të shpallur në kërkim. Paralelisht me shpjegimin e policisë vjen edhe reagimi i Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila ndryshe nga policia, shprehet se Kostandin Xhuvani nuk ka lidhje me ngjarjen e 25 prillit në Gjirokastër. Prokuroria i kundërvihet policisë, duke thënë se ka kryer hetimet dhe në përfundim të tyre rezultoi se Kostandin Xhuvani, i cili pretendohej nga policia se në 25 prill ka qenë në Gjirokastër dhe ka qëlluar me pistoletë në ajër, ndodhej i shtruar në Spitalin Psikiatrik Elbasan.

 

Reagimi i Prokurorisë së Gjirokastrës

Prokuroria e Gjirokastrës ka zhvilluar hetime lidhur me dyshimet se shtetasi Kostandin Xhuvani ka kanosur tre shtetas dhe ka qëlluar me armë në ajër në ambient publik, një ngjarje e ndodhur në orën 19:00 në dt. 25.4.2014, në Gjirokastër. Referimi për këtë person është kryer pasi, tre shtetasit e kanosur kanë bërë njohjen e të dyshuarit nëpërmjet fotografive. Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se shtetasi Xhuvani, në kohën që pretendohet se ka qenë në Gjirokastër dhe ka kanosur tre shtetasit, si edhe ka qëlluar me armë në ajër, ka qenë në Elbasan. Kjo vërtetohet nga kartela mjekësore e spitalit psikiatrik të Elbasanit, në të cilin ai është dërguar pasi kishte konsumuar shumë alkool. Fakti që ka qenë në spitalin e Elbasanit provohet nga kartela mjekësore, si edhe nga stafi mjekësor. Sipas kartelës mjekësore, shtetasi Xhuvani është paraqitur para trupës mjekësore në datë 25.4.2014, në orën 17:00, pra në të njëjtën ditë dhe përafërsisht në të njëjtin hark kohor ku pretendohet se ka qenë në Gjirokastër.

 

Përcillen për në banesën e fundit viktimat e masakrës së katër nëntorit

 Janë përcjellë në banesën e fundit dy nga viktimat e masakrës së ndodhur mëngjesin e katër nëntorit në një klub nate në kryeqytet. Rreth orës 14:25, familjarë, miq e shokë kanë përcjellë mes lotësh në varrezat e kryeqytet 19-vjeçarin Arbër Demiri. Xhaxhai i 19-vjeçarit u shpreh se vdekja e mori nipin e tij në lulen e rinisë, i mori dritën e syve. Prindërit humbën gjakun e tyre dhe një pjesë të shpirtit. Ndërsa në një tjetër ceremoni mortore në qytetin e Beratit, është përcjellë në banesën e fundit edhe 38-vjeçari Klodian Xhaji, i njohur si Enea Xhaji. 38-vjeçari Klodian Xhaji, një nga katër viktimat e masakrës në lokalin “Antre Grand” në Tiranë, është përcjellë nga familjarë e të afërm në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes, në Berat. Ai së bashku me familjen e tij prej pak vitesh ishte zhvendosur në Tiranë, por kthehej shpesh në qytetin e lindjes në Berat, në varrezat e të cilit do të prehet. Të afërmit refuzojnë të komentojnë ngjarjen e rëndë dhe mbi të gjitha faktin nëse kanë dijeni për detajet apo se Klodiani që njihej edhe me emrin Enea, të kishte edhe ndonjë konflikt të hapur. Ndërkaq, komshinjtë e përshkruajnë Klodianin si një njeri të qetë dhe familjen e tij si një ndër më të respektuarat në qytetin e Beratit. Klodian Xhaji prej vitesh kishte jetuar në emigracion dhe ishte baba i një fëmije të mitur. Ndërkohë, trupi i pajetë i shtetasit italian është përcjellë për në vendin e tij. Lamtumira e fundit i është dhënë edhe viktimës Edison Jaho. Asnjë prej familjarëve nuk dëshiron të flasë për atë çfarë ndodhi mes viktimave dhe të dyshuarve, që tashmë ndodhen nën arrest.

 

Comments are closed.