Kundërshtimi/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ashpërsimi i dënimeve nga qeveria, praktikë e gabuar

0
84

Alma Çuka

Policia-rrugoreKundërshtohet ndryshimi i pjesshëm i Kodit Penal dhe praktika e ndërhyrjeve për të ashpërsuar dënimet. Kërkohet shqyrtimi në tërësi i Kodit Penal, me qëllim parandalimin e fenomeneve. Në 15 vite janë bërë 250 shtesa në Kodin Penal

 Operacionet e Policisë së Shtetit dhe ndërhyrja e qeverisë për të ashpërsuar masën e dënimeve penale për vjedhësit e energjisë elektrike, shkelësit e qarkullimit rrugor dhe ata që ndërtojnë pa leje, kundërshtohen nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Në një raport të hollësishëm, ky institucion i pavarur, i cili monitoron sistemin e drejtësisë përballë zbatimit të ligjit, rendit dhe arsyet e këtij kundërshtimi. KSHH shprehet se është dakord me përafrimin e legjislacionit vendas me atë të BE-se dhe për këtë ka bërë përpjekje konkrete për të dhënë kontributin e vet. Ky institucion është dakord edhe me kryerjen e reformës në sistemin e drejtësisë, duke shpresuar se një gjë e tillë do të japë më tepër mundësi për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por nuk është dakord me “arnimin” që i bëhet Kodit Penal për qëllime politike. KSHH shprehet se gjatë periudhës kohore 1998-2013, Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë i janë bërë rreth 250 shtesa dhe ndryshime, të cilat shpesh kanë konsistuar në ashpërsimin e masave të dënimit. Sipas saj, ka ardhur koha që këto “arnime” të Kodit Penal t’i lënë vendin rishikimit në tërësi të tij. Gjithashtu, sipas KSHH-së, duhet bërë një vlerësim adekuat i masave të dënimit, për secilën nga veprat penale, duke ruajtur raportet e nevojshme midis sanksioneve të parashikuara për to, bazuar në rrezikshmërinë shoqërore të secilës vepër, rrezikshmërinë e personave keqbërës, si dhe parimet e shtetit demokratik për këtë qëllim.

 

Kundërshtimet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehet se duhen forcuar më shumë masat parandaluese, si dhe duhet të përmirësohet kontrolli i brendshëm, sepse, sipas tij, praktika ka vërtetuar se ashpërsimi i masave të dënimit penal jo gjithmonë ka qenë masa më e drejtë për rezultatet e kërkuara. Në vazhdim të kundërshtimeve, KSHH shprehet se është dakord me luftën që duhet të bëhet për të parandaluar vjedhjen e energjisë elektrike, dëmtimin e pyjeve apo shkeljet e shumta të rregullave të qarkullimit rrugor, por sipas tij një gjë e tillë nuk mund të behet përmes deklaratave politike. Sipas tij, politika duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në sistemin e drejtësisë, duhet të lërë të lirë të veprojë ky sistem. Ky institucion dënon gjithashtu edhe deklaratat e qeverisë, e cila kohët e fundit kërkon të ndikojë edhe tek vendimet e gjykatave për caktimin e masave të sigurisë apo llojeve të dënimit për këto vepra. Ajo argumenton se së pari këto janë çështje të juridiksionit gjyqësor dhe së dyti rritja e menjëhershme e numrit të personave me liri të kufizuar do të shkaktojë kolaps të sistemit të institucioneve të burgimit dhe paraburgimit, si dhe rritje të shpenzimeve buxhetore për këto institucione. KSHH mendon se organet gjyqësore dhe të Prokurorisë, si çdo organ tjetër publik, mund të jenë objekt kritike lidhur me veprimtarinë që zhvillojnë, ose vendimet që marrin, por kjo kritikë është më mirë të zhvillohet në mjediset profesionale të vetë sistemit dhe më gjerë, por duhen evituar kritikat, ose mbështetjet, që adresohen politikisht.

 

Kakavijë/ Transportonte 107 kg drogë, arrestohet 27-vjeçari

 Një sasi prej 107 kilogramësh kanabis sativa është sekuestruar nga policia greke në dalje të Doganës së Kakavijës në territorin e shtetit grek. Lënda narkotike u gjet në një furgon pasagjerësh që drejtohej nga një 27-vjeçar banues në Gjirokastër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Automjeti i është nënshtruar një kontrolli rutinë nga policia e vendit fqinj, teksa në të u gjet edhe sasia e lëndës narkotike. Droga ishte mbështjellë me letër natriban dhe ndarë në pako të vogla, ndërsa destinacioni saj ishte tregu grek. Policia ka arrestuar 27-vjeçarin, ndërsa po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe të faktit nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në rrjet.

 

Gjirokastër/ Kapen 11 tonë mallra kontrabandë, pranga dy doganierëve

 11 tonë mallra kontrabandë janë sekuestruar dje nga Policia e Gjirokastrës në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës dhe si pasojë në pranga kanë rënë dy doganierë. Burime nga Policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se të arrestuarit nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” janë 60-vjeçari Afrim Saraçi dhe 34-vjeçari Kreshnik Dacaj, të dy me detyrë doganierë në Doganën e Kakavjës dhe banues në Tiranë. Rreth orës 04:30 të mëngjesit të djeshëm, dy doganierët gjatë kohës së shërbimit kanë lejuar futjen e disa automjeteve me mallra kontrabandë në vendin tonë. Bëhet fjalë për ullinj të pa ambalazhuar, dhe pa kryer procedurat përkatëse të zhdoganimit të mallit. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë i 6 drejtuesve të automjeteve që kishin mallin kontrabandë. Ata janë L. L. banues në Berat; D. H., banues në Fier; R. B., banues në Berat; V. K., banues në Urën Vajgurore, Berat; E. K., banues në Urën Vajgurore, Berat si dhe A. K., banues Kutalli, Berat. Po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

 

Korçë/ Dhunonte gruan dhe fëmijët, pranga kryefamiljarit

 I rrihte, i keqtrajtonte dhe nuk kursente ofendimet mbi gruan dhe as mbi fëmijët e tij të mitur. 48-vjeçari Petro Trajanovs po hetohet nga Policia e Korçës, pas denoncimit të bërë nga gruaja dhe fëmijët e tij. Burime zyrtare nga blutë e këtij qyteti thanë se u plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për E. Trajanovsin, 41 vjeçe, dhe fëmijët e saj A. Trajanovs, 15 vjeç, dhe 11-vjeçarin A. Trajanovs me banim në lagjen nr. 10. Tre anëtarët e familjes minoritare maqedonase që jetonin në Korçë, kanë denoncuar para uniformave blu se në gjendje të dehur 48-vjeçari i rrihte vazhdimisht, por së fundmi situata ishte bërë edhe më e rëndë. Kjo ka bërë që gruaja 41-vjeçare të kërkojë ndërhyrjen e uniformave blu, për të shpëtuar veten dhe fëmijët nga dhuna.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency