Si ndryshojnë pensionet e minatorëve

0
158

minador4-e1345192091529Projektligji për minatorët është miratuar dje edhe në Komisionin e Ekonomisë. “Qeveria është e vetëdijshme që kushtet e vështira të punës në këtë sektor, e shoqëruar kjo me lodhje fizike, në ambiente me prezencë të pluhurave, gazrave, të cilat krahas rrezikut të shtuar për aksidente, japin dëmtime graduale të aftësive për punë, deri në dëmtime të parehabilitueshme, që sjellin paaftësinë për punë dhe uljen e jetëgjatësisë së tyre”, – tha ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të projektligjit. Sindikatat e minatorëve kanë kërkuar prej vitesh uljen e moshës së daljes në pension për punonjësit e nëntokës, por kërkesat e tyre asnjëherë nuk janë trajtuar me themel. Në vitet 1995 dhe 2001 janë ndërmarrë ligje të veçanta për t’u dhënë minatorëve pensione të pjesshme dhe trajtime financiare të cilat janë të ulëta. Sot pagesa mesatare nga trajtimi financiar i ish-minatorëve është rreth 9000 lekë në muaj. Gjithashtu, është e përcaktuar që kush nuk plotëson kushtet në vitin 2001, nuk merr trajtim dhe për rrjedhojë për 13 vite nuk është futur në trajtim financiar asnjë person veç atyre të vitit 2001.

 

Projektligji

Projektligji që është paraqitur e konsideron industrinë minerare si degë shumë të rëndësishme, prandaj nuk është sugjeruar një zgjidhje vetëm për momentin, por një zgjidhje afatgjatë, duke krijuar një skemë pensionesh profesionale, e cila do të vijë duke u forcuar financiarisht në vite. Në këtë mënyrë, miratimi i këtij projektligji jo vetëm që do të ulë me 5 vjet, nga 60 në 55 vjeç, moshën e daljes në pension të minatorëve, por edhe do të rrisë përfitimet e të gjithë atyre ish-minatorëve që sot përfitojnë trajtim të veçantë financiar. Në bazë të llogaritjeve, nga ky projektligj pritet të përfitojnë 3840 individë, pjesa dërrmuese e të cilëve, rreth 3700 individë, sot përfitojnë trajtim të veçantë financiar. Të gjithë ish-minatorët që sot përfitojnë 9,000 lekë trajtim të veçantë financiar do të shohin një rritje të madhe të të ardhurave të tyre, pasi rreth 75% e tyre, falë këtij ligji, do të përfitojnë pension në masën 14,474 lekë në muaj. Pjesa tjetër, si edhe ata minatorë që do të dalin me këtë ligj në pension, do të përfitojnë pensione mujore akoma edhe më të larta deri në masën 21,000 lekë në muaj.

 

Pagesa

“Dua të theksoj gjithashtu, faktin për të mbështetur kostot financiare të projektligjit, sipas diskutimeve të bëra në Këshillin Kombëtar të Punës, përfaqësues të industrisë minerare dhe sindikatave kanë rënë dakord për të rritur kontributin në masën 5% të pagës, nga të cilat 3% do të paguhen nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi. Ky kontribut shtesë shënon hapin e parë drejt skemave profesionale në Shqipëri ku punëtorët e një ndërmarrjeje apo një industrie kontribuojnë më shumë për të përfituar një pension më të lartë ose në një moshë më të re. Kjo masë pritet të kontribuojë në buxhetin e ISSH-së një shumë prej afro 50 milion lekë apo 500 mijë dollarë në vit”, – tha Veliaj. Efektet financiare vjetore të këtij projektligji arrijnë në 793 milionë lek ose rreth 8 milionë dollarë, por barra reale mbi buxhetin e shtetit është shumë më e ulët se kaq. Kjo për arsye se me këtë projektligj, 3680 persona nuk do të përfitojnë më trajtim të veçantë financiar, por do të përfitojnë pension pleqërie, çka do të thotë se barra prej 435 milion lekësh mbi buxhetin e shtetit nga trajtimi i veçantë financiar do të hiqet. “Nëse shtojmë edhe të ardhurat që rriten nga rritja e normës së kontributit, atëherë na rezulton se efekti vjetor i këtij projektligji mbi buxhetin e shtetit është 310 milion lek në vit, ose rreth 3 milionë dollarë. Kjo masë e propozuar nga qeveria paraqitet në një kohë që ky Kuvend sapo ka miratuar, vetëm disa muaj më parë, një reformë tërësore të skemës sonë të sigurimeve shoqërore, e cila pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në masën e pensionit që qytetarët do të përfitojnë, të sigurojë një lidhje më të ngushtë ndërmjet kontributeve dhe vlerës së pensionit, si dhe stabilizimin financiar të skemës së pensioneve në vend”, – përfundoi Veliaj. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit ranë dakord për miratimin e projektligjit për punonjësit që punojnë në nëntokë.

 

 Çfarë duhet pasur parasysh në rekrutimin e të sapodiplomuarve

Shumica e menaxherëve të punësimit tashmë janë pozicionuar fuqishëm në rekrutimin e Millenial-ëve (apo Gjenerata Y, të lindur pas viteve ‘80), por shumë firma ende bëjnë gabime të cilat mund të shmangen. Shumica e gabimeve përfshijnë praktika të vjetëruara punësimi që i armiqësojnë me Gjeneratën Y. Këtu janë tre këshilla për të siguruar të diplomuarit më të mirë të këtij brezi: Vlerësoni potencialin, jo përvojën. Studentët e universitetit nuk kanë ende një përvojë të çmuar të CV-së. Kërkoni ata që janë të pasionuar dhe kanë përshtatje kulturore me organizatën tuaj. Theksoni marrëveshjet fleksibël të punës. Gjenerata Y ka më shumë interes për mjedise sociale dhe fleksibël të punës sesa për paga të larta. Joshini ata me benefite të tilla si kohë shtesë për pushime dhe një orar më fleksibël. Shfaqni kulturën tuaj. Një proces i mirë intervistues duhet të komunikojë kulturën e kompanisë. Nëse organizata juaj ka një atmosferë rinore, inovative, sigurohuni ta përcillni atë (por kujdes mos u shtirni për diçka të tillë).

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency