Ndërtimi i buxhetit familjar, si të llogarisni shpenzimet dhe harxhimet

0
1264

worried-familyBuxheti duhet të jetë elastik. Meqenëse disa prej shpenzimeve tuaja mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, atëherë edhe buxheti duhet t’i reflektojë dhe të ndryshojë së bashku me ato. Buxheti duhet të jetë i thjeshtë. Buxheti nuk duhet menduar si diçka tepër e komplikuar që vetëm ekonomistët mund ta bëjnë. Ai duhet të paraqitet sa më i lehtë dhe duhet parë si diçka argëtuese. Buxheti duhet të reflektojë realitetin e të ardhurave dhe shpenzimeve tuaja. Duhet të jeni sa më realistë për sa u përket shpenzimeve tuaja dhe në qoftë se doni të kurseni, duhet të hiqni dorë nga ato shpenzime që duket se janë të tepërta.

 

Llogarisni

Gjëja e parë që duhet bërë kur vendosni të mbani një buxhet është të llogarisni se sa të ardhura arrini të siguroni në një muaj. Për të llogaritur këto të ardhura ju duhet të mendoni të gjitha burimet e tyre, qofshin këto të qëndrueshme apo të rastit. Pasi keni llogaritur të ardhurat tuaja mujore, hapi i dytë që duhet të ndërmerrni është të llogarisni shpenzimet tuaja. Mbani parasysh të jeni sa më realistë në këtë paraqitje. Lënia mënjanë e disa shpenzimeve apo “mbyllja e syve” ndaj disa të tjerave, nuk do të mashtronte askënd tjetër përveç vetes tuaj. Më e mira do të ishte paraqitja e shpenzimeve në dy kategori, në shpenzime të domosdoshme dhe jo të domosdoshme. Kjo ju jep mundësinë të planifikoni ato shpenzime që janë shumë të rëndësishme për të siguruar një jetesë normale dhe gjithashtu, të kontrolloni disa prej shpenzimeve tuaja jo aq të domosdoshme (për shembull argëtimin).

 

Shpenzimet

Sigurisht që shumë prej shpenzimeve tuaja nuk jeni në gjendje t’i kontrolloni (për shembull, qiranë e shtëpisë). Megjithatë, edhe pse nuk jeni në gjendje ta bëni diçka të tillë, ju gjithmonë mund të kërkoni mënyra për të minimizuar këto shpenzime (për shembull, ta ndani apartamentin me dikë tjetër). Kështu, duhet të gjeni gjithmonë një zgjidhje për të arritur një kontroll financiar sa më të mirë për shpenzimet tuaja. Siç përmendëm më lart ekzistojnë dy kategori shpenzimesh. Së pari, janë shpenzimet e domosdoshme mujore – ato të cilat ju i kryeni çdo muaj. Së dyti, janë edhe shpenzimet jo të domosdoshme – ato që ju i kryeni në mënyrë të parregullt, të papritur për të cilat paguani nga një deri në disa herë në vit. Edhe pse është e vështirë të parashikohen me saktësi, shpenzimet jo të domosdoshme duhet të jenë pjesë e buxhetit tuaj, në mënyrë që të jeni gjithmonë të përgatitur për këto lloj harxhimesh.

 

Disiplinë

Tregohuni të rreptë me shpenzimet tuaja që në hapat e parë të buxhetit. Pasi të arrini të krijoni një panoramë të qartë dhe të detajuar të shpenzimeve tuaja, atëherë do ta keni më të lehtë që në buxhetet e ardhshme të jeni më të sigurtë, se ku duhen bërë lëshime dhe ku jo. Gjithsesi, asnjëherë mos e konsideroni buxhetin si një sakrificë por shiheni atë si një mjet për të arritur qëllimet tuaja.

 

Mblidhni informacion

Buxheti personal duhet të jetë sa më elastik dhe të paraqesë të gjitha ndryshimet që mund të vijnë si në kategorinë e të ardhurave ashtu dhe në atë të shpenzimeve. Për këtë, jini të vëmendshëm ndaj çdo informacioni që prek financat tuaja personale dhe reflektojeni atë në buxhetin tuaj. Ndiqni tregun se çdo të ndodhë me çmimet e mallrave të konsumit, çfarë vendimesh do të marrë qeveria për taksat dhe çdo gjë që ndikon në shpenzimet tuaja.

 

Siguroni mjetet

Mbajtja e buxhetit personal nuk kërkon programe të sofistikuara kompjuterike. Për mbajtjen e tij mjafton një mendje e mprehtë dhe një regjistër të ardhurash dhe shpenzimesh.

 

 Si duhet t’ia ‘nisin’ liderët e rinj të ekipit?

Udhëheqësit e rinj të ekipit shpesh anashkalojnë bazat e ndërtimit të ekipit ndërsa nxitojnë të fillojnë punë në arritjen e objektivave. Por veprimet tuaja në javët dhe muajt e parë kanë një ndikim të madh nëse ekipi juaj do të japë apo jo rezultate. Këtu do të gjeni mënyrën se si ti përcaktoni veprimet për të pasur suksesin e kerkuar: Përpiquni të njihni njëri-tjetrin. Rezistoni kërkesës për tu hedhur drejtë e në aksion dhe në vend të kësaj përqëndrohuni për të nxitur shoqëri përmes ushtrimeve të ndërtimit të ekipit. Shfaqni vlerat tuaja. Shpjegoni se çfarë vjen pas cdo vendimi tuaj, cilat janë prioritetet tuaja, dhe se si do të vlerësoni performancën e ekipit. Shpjegoni se si dëshironi që të funksionojë ekipi juaj. Jo të gjithë i njohin mënyrat më të mira për të kërkuar ndihmë apo kryer sic duhet detyrat. Përcaktoni pritshmëritë dhe shpjegoni proceset. Vendosni ose qartësoni objktivat. Bëni të qartë se ekipi po punon në drejtim të këtyre objektivave dhe mënryën se si ju prisni që ai të arrijë realizimin e tyre. Përcaktimi i hershëm i objektivave hedh bazat për të ndërtuar një ekip me anëtarë të përgjegjshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency