Lojë e rrezikshme me guvernatorin e bankës qendrore

0
162

Ervin Kaduku

bsh 2 –  Emri i Denada Priftit po lakohet më kot nga qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste në opinion si kandidaturë e mundshme për BSH, ajo është shtetase gjermane!

–  Mazhoranca përgatit goditjen e Presidentit të Republikës

 Ditët e fundit, po rritet shqetësimi se zgjedhja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë mund të ngelet peng i mosmarrëveshjeve mes shumicës qeverisëse dhe presidentit. Megjithëse që nga shkarkimi i ish-Guvernatorit Fullani janë zhvilluar disa takime mes Presidentit dhe Kryeministrit, nuk ka shenja të gjetjes së një marrëveshje për emrin e Guvernatorit. Ngërçi lidhet edhe me një përcaktim jo plotësisht i qartë ligjor lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së Guvernatorit. Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” përcakton se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen nga Kuvendi, pesë me propozimin e vetë Kuvendit, tre me propozimin e Këshillit të Ministrave dhe një me propozimin e Këshillit Mbikëqyrës. Ligji shprehet gjithashtu se Guvernatori është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, çka duket që nënkupton se ai duhet zgjedhur mes nëntë anëtarëve të tij.

Megjithatë, neni 44, pika 2, që rregullon procedurën për propozimin e Guvernatorit, nuk e thotë shprehimisht diçka të tillë dhe sanksionon vetëm se “Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës”. Kjo dispozitë lë shteg për një interpretim tjetër, që po mbrohet edhe nga presidenti, sipas të cilit Guvernatori propozohet nga Presidenti dhe miratimi i tij nga Parlamenti e bën atë automatikisht anëtar të Këshillit Mbikëqyrës. Kjo hapësirë për interpretim mund të jetë një ndër dispozitat e ligjit që kanë nevojë të saktësohen.

Deri tani, procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të Ri dhe i anëtarëve të këshilit Mbikëyrës ka qënë i ngadaltë. Për vendin e anëtarit që propozohet nga Këshilli i Ministrave u zhvillua një procedurë për shprehje interesi, në përfundim të të cilës duket se qeveria ka zgjedhur kandidaturën e Denada Priftit. Denada Prifti, e diplomuar në Gjermani, aktualisht është eksperte për tregjet financiare në Komisionin Europian, ndërsa në të shkuarën ka punuar në Ministrinë e Financave dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Finaciare në Gjermani.

Kryeministri ka lënë të kuptohet se kjo është kandidatura e mbështetur nga qeveria për postin e Guvernatorit. Nga CV e saj rezulton një eksperiencë e respektueshme si tekniciene, por jo një profil i lartë drejtues, që do të përligjte ambicien e Kryeministrit Rama për një emër me reputacion ndërkombëtar

 

Shtetësia e huaj

Por, ajo që nuk po përmendet fare në këtë mes është fakti që, sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, jo vetëm guvernatori, por edhe të gjithë anëtarët e Këshillit të saj Mbikëqyrës, madje edhe ata që kandidojnë për këtë institucion, duhet të jenë shtetas shqiptarë. Citojmë nenin 42 të këtij ligji, pika 4: “Kandidatët për anëtarë të këshillit mbikëqyrës duhet të jenë shtetas shqiptarë, persona që gëzojnë reputacion të mirë, zotërojnë grade universitare dhe kanë përvojë profesionale në çështje monetare e bankare, ndaj të cilëve nuk mund të gjenden arsye për t’i hequr”.

Po si qendron puna me kandidaturën e Denada Priftit? Për këtë, mjafton të kërkosh në librarinë ligjore dhe emri i saj del në një dekret presidencial.

 

DEKRETI I PRESIDENTIT REXHEP MEJDANI

Nr. 2462, datë 22.10.1999

 

PËR LËNIE TË SHTETËSISË SHQIPTARE

Në mbështetje të nenit 92 pika “c” të Kushtetutës, të neneve 15, 19 dhe 20 të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, bazuar edhe në propozimin e Ministrit të Rendit Publik,

 

DEKRETOJ

 Neni 1

 U hiqet shtetësia shqiptare me kërkesë të tyre personave të mëposhtëm:

 

  1. Jani Thimjo Peço
  2. Nevruz Ahmet Luca
  3. Artur Lami Rrapi
  4. Manuel Viktor Komnino
  5. Alban Shpëtim Menkolli (Heibel)
  6. Namik Avdi Kanto
  7. John Namik Kanto
  8. Arben Skënder Lulolli
  9. Sarah Franc Pavaci
  10. Fatime Baudin Kazani (Seif)
  11. Sabina Abaz Danjolli (Freyberg)
  12. Ndue Nik Nikaj
  13. Kevin Ndue Nikaj
  14. Ferit Xhemal Isufaj
  15. Myzejen Hakik Pira (Wiedon)
  16. Denada Vangjel Prifti
  17. Pranvera Myri Perona (Volz)
  18. Soni Xhavid Vorpsi
  19. Xhane Boro Taraj (Bajrami)
  20. Edgar Robert Prifti
  21. Dilaver Rait Musaraj
  22. Diamant Ismail Cengu
  23. Lorel Diamant Cengu
  24. Fitnet Arif Cengu (Terziu)
  25. Severina Diamant Cengu
  26. Bujar Reshit Zela
  27. Deand Bujar Zela
  28. Christian Bujar Zela
  29. Margarita Ndrek Zela (Jaku)
  30. Robert Koço Rapo
  31. Eduina Robert Rapo
  32. Livia Roberta Robert Rapo
  33. Arjana Qemal Gjinali

 

Neni 2

 

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Rexhep Mejdani

 

Denada Prifti prej vitesh jeton në Gjermani dhe, sipas këtij dekreti, duket se nuk i plotëson kushtet ligjore për të marrë këtë detyrë. Kjo sepse ajo që prej vitit 1999 e ka lënë nënshetësinë shqiptare, sepse Gjermania nuk të jep shtetësinë nëse nuk heq dorë nga ajo e origjinës.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama dy ditë më parë ka informuar grupin parlamentar të PS për ecurinë e bisedimeve me presidentin Bujar Nishani në lidhje me plotësimin e vendeve vakante në Bankën e Shqipërisë. Kryesocialisti Rama u ka shpjeguar deputetëve se deri në këto momente të gjitha takimet me kreun e shtetit janë zhvilluar për të diskutuar kriteteret në përzgjedhjen e kandidaturave për Këshillin Mbikëqyrës të bankës. “Pas përfundimit të procesit përzgjedhës për anëtarin e këshillit që propozohet nga qeveria ne e kemi një emër”, ka pohuar Rama, i cili ka theksuar se bëhet fjalë për një grua e cila prej vitesh kontribuon në sistemin financiar të një shteti të huaj.

Kryesocialisti nuk e ka përmendur emrin e saj gjatë mbledhjes së grupit, por të gjithë treguesit çojnë tek emri i zonjës Denada Prifti, e cila ka punuar në Ministrinë e Financave të Gjermanisë dhe aktualisht punon për Komisionin Europian në Bruksel.

Gjithsesi, Presidenti Nishani ka lënë të kuptohet se nuk e përkrah këtë kandidaturë. Nga ana tjetër, Komisioni Kuvendor i Ekonomisë ka nisur procedurat për zgjedhjen e dy anëtarëve të tjerë të Këshillit Mbikëqyrës. Vendi i fundit vakant duhet të propozohet nga vetë Këshilli Mbikëqyrës, por kjo nuk do të ndodhë para zgjedhjes së Guvernatorit të ri.

Është njoftuar tashmë se të enjten do të ketë një takim zyrtar midis kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe presidentit të Republikës Bujar Nishani. Mbetet të shihet në se Kuvendi do të ndjekë linjën e mazhorancës, që synon të bllokojë çdo propozim nga Presidenca. Në qoftë kështu, shqiptarët duhet të përgatiten për të përballuar një skenar aspak serioz të një ngërçi të pashembullt institucional…

 

 Ulet ndjeshëm interesi i kredisë bankare për individë e biznese

Bankat kanë ulur normat e interesit të kredive dhe në mënyrë më të tjeksuar për individët por janë lehtësuar edhe kushtet dhe interesat e kredisë për bizneset. Konkluzioni i Bankës së Shqipërisë vjen pas analizës së ecurisë së intersave të aplikuara për kredinë e re në lekë të cilat kanë rënë në muajt korrik-gusht 2014. Arsyet sipas Bankës lidhen me reflektimin e lehtësimit të vazhdueshëm të politikës monetare ashtu edhe rritjen e konkurrencës në tregun e kredisë. “Normat e interesit të kredisë në lekë janë ulur më tepër për individët dhe më pak për bizneset. Interesi afatmesëm, i cili lidhet kryesisht me kredi konsumatore, ka rënë në mesatarisht 11.19% në muajt korrik-gusht nga 12.18% në tremujorin e dytë” bëhet e ditur nga raporti i politikës monetare të tremujorit të tretë të Bankës qendrore. Krahas faktorëve të tjerë, thekson raporti, -ky segment është ndikuar dhe nga faktori sezonal. Interesat afatgjata gjithashtu kanë pësuar rënie me 0.74 pikë përqindje, në nivelin 7.82%, dhe kanë mbështetur si kredinë hipotekore për individët ashtu dhe kredinë për investime për bizneset.

 

Ngushtohen diferencat mes interesave të kredisë dhe depozitave në lekë

Banka e Shqipërisë vëren se interesat për depozitat në lekë janë rritur në muajt korrik-gusht si efekt i sezonit veror që zakonisht shoqërohet me dalje të depozitave. Interesi mesatar rezulton 1.89% në muajin gusht nga 1.79% në muajin qershor. Që prej një viti ai luhatet mesatarisht rreth 0.70 pikë përqindje nën normën bazë dhe reflekton situatën likuide të sistemit bankar. Si pasojë primet e kërkuara mbi normat e interesit për instrumente me rrezik më të ulët kanë shfaqur prirje rënëse. Diferenca midis interesave afatgjatë të kredisë së re dhe yield-eve të obligacioneve 5-vjecare është ngushtuar në 1.19 pikë përqindje në muajt korrik-gusht nga 1.94 pikë përqindje në tremujorin e dytë. Diferenca midis interesit të kredisë dhe atij për mbledhjen e fondeve gjithashtu ka rënë në dy muajt e fundit. Ky tregues është 6.7 pikë përqindje, nga 7.1 pikë përqindje. Interesi mesatar i depozitave në lekë llogaritet 1.89% në muajin gusht nga 1.79% në muajin qershor dhe rritja e lehtë e tij nënkupton një efekt sezonal të lidhur me stinën e verës.

Interesat e kredisë në euro kanë rezultuar më të ulëta në muajt korrik-gusht duke ndjekur rënien e ngadaltë të normave të euribor-it 12-mujor. Marzhet e kërkuara mbi to kanë mbetur të pandryshuara në dy vitet e fundit dhe reflektojnë primet e larta të rrezikut për kreditimin në këtë segment.

 

Rritet diferenca mes interesave të depozitave dhe kredisë në euro

Sipas bankës qendrore diferenca midis interesit të kredisë dhe atij të depozitave në euro ka vijuar të zgjerohet si pasojë e reduktimit të shpejtë të këtyre të fundit. “Në mungesë të kreditimit në euro dhe në një ambient me norma interesi në euro negative, është synuar ulja e kostos për mbajtjen e depozitave në këtë monedhë. Interesi mesatar i depozitave në euro ka zbritur në 0.61% në muajin gusht nga 0.74% në muajin qershor”, shkruan raporti.

 

 Hidhen në qarkullim monedha të reja metalike

Banka e Shqipërisë njoftoi publikun se duke filluar nga data 1 dhjetor 2014 do të hidhen në qarkullim monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale 1 Lek dhe 10 Lekë, me kurs ligjor, emetime të vitit 2013. Monedha e re metalike, me vlerë nominale 1 Lek, emetim i vitit 2013, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me monedhën metalike me vlerë nominale 1 Lek, emetim i vitit 2008, hedhur në qarkullim më 21 korrik 2010. Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit në trupin e monedhës, i cili në monedhën e re do të jetë “2013”.

Monedha e re metalike, me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2013, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë, me monedhën metalike me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2009, hedhur në qarkullim më 26 mars 2010. Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit në trupin e monedhës, i cili në monedhën e re do të jetë “2013”.

 

Pritet falje e kamatëvonesave të kontributeve shoqërore në fshat

Qeveria po përgatit një amnisti për kamatat e atyre që nuk kanë paguar në kohë kontributet e sigurimeve shoqërore në fshat. Vendimi tashmë është gati dhe pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave në mënyrë që të hyjë në fuqi para 1 janarit të vitit të ardhshëm kur edhe do të nisë të aplikohet skema e re e pensioneve. Këtë deklaratë Veliaj e bëri dje gjatë shqyrtimit të projektligjit që ul moshën e daljes në pension të minatorëve.

 

 Biznesi: Të na pyesin edhe ne për paketën fiskale

Komuniteti i biznesit kërkon të jetë më shumë i pranishëm në politikat vendimmarrëse të qeverisë. Edhe pse qeveria kishte premtuar një frymë të re bashkëpunimi me sipërmarrjen, tashmë e ka dërguar në Kuvend paketën fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe komuniteti i biznesit nuk është njohur akoma me këtë draft. Kreu i biznesit kryeqytetas, Nikolin Jaka, shprehet për median se nuk ka patur anjë konsultim apo diskutim me ta në lidhje më atë çka prek më tepër sipërmarrjen, ndryshimi i taksimit.

Mosnjohja, por edhe ndryshimet e shpeshta në mënyrën e taksimit do ta bëjnë më të vështirë klimën e biznesit në vend gjatë vitit të ardhshëm. Edhe pse jashtë kameras, edhe përfaqësues të tjetë të biznesit vendas dhe të huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me mos diskutimin e paketës fiskale. Sipas tyre, qeveria i ka vënë tashmë para një fakti të kryer dhe sugjerimet e tyre nuk janë marrë parasysh.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency