Champions League/ Garsia: Ndaj Bajernit nuk përsëritet ndeshja e kaluar. Guardiola i frikësohet hakmarrjes

0
118

Përpara ndeshje midis Romës dhe Bajernit, trajnerët e skuadrave përkatëse kanë deklaruar se janë më se të përgatitur, teksa më të motivuarit duken ata të Romës, që janë gati për hakmarrje

rudi garciaPërballja Bajerjn Mynih-Roma është edhe sfida më emocionuese e ndeshjes së sotme në mbrëmje. Jo vetëm sepse janë dhe dy ekipe të forta, por sepse bënë histori në ndeshjen e kaluar. Gjermanët për mirë, ndërsa italianët për turp. Romanët u mundën 7-1 nga bavarezët, që vërtetuan se ishin më të fortët, ndërsa kësaj radhe skuadra e Garsias do të kërkojë hakmarrje. Filozofia e Romës nuk do të ndryshojë, edhe pse të mërkurën skuadra italiane viziton stadiumin “Allianz Arena” për të kërkuar hakmarrjen e humbjes 7-1. Këtë e bën të ditur trajneri Rudi Garsia në prag të sfidës së katërt në grup. “Përballemi me një skuadër që nuk do të na lejojë të bëjmë lojën tonë, por kemi mësuar nga humbja e parë dhe do të kërkojmë të korrigjohemi. Nuk do të përsëritet ajo që ndodhi në “Olimpico”. Jemi të sigurtë te forca jonë dhe këtë duam ta tregojmë në fushë me kundërshtarin më të fortë të grupit”. Roma nuk po kalon një moment pozitiv, pasi edhe në kampionat ka humbur terren pas humbjes në Napoli dhe tekniku francez e pranon këtë. “Ky është një moment delikat, sepse edhe në ndeshjen e fundit nuk arritëm të tregonim forcën tonë. Nuk arrijmë të japim maksimumin, por duhet të vazhdojmë punën dhe kam shumë besim se do të rikthehemi me lojën tonë dhe rezultatet pozitive”. Por a ka frikë skuadra e Romës pas rezultatit të frikshëm të ndeshjes së parë?” Jo, aspak. Rezultati i atij takimi nuk është treguesi më i qartë i diferencave mes dy skuadrave. Ata janë shumë të fortë dhe na pret një ndeshje e madhe por kanë edhe pika të dobëta që duhet t’i shfrytëzojmë”. Në fund, Garsia shkëput një koment edhe për Bajernin e Mynihut. “Ata kanë në listën e Topit të Artë 6 lojtarë, madje Ribery mungon. Gjithsesi, lojtarët e skuadrës sime janë profesionistë dhe e dinë shumë mirë se Bajerni nuk është i paarritshëm”. Ndërsa në kampin gjerman Pep Guardiola nuk i beson fitores së ndeshjes së parë, duke kërkuar që Bajerni i Mynihut ta harrojë atë sukses, sepse, sipas tij, Roma do të kërkojë hakmarrjen në “Allianz Arena”. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, sepse verdhekuqtë kërkojnë të marrin hak për atë humbje. Ata duan të nderojnë fanellën, prandaj mund të na krijojnë shumë probleme”. Tekniku katalanas preferon të ruajë një profil të ulët edhe pse kjo është ndeshja ku skuadra e tij mund të sigurojë matematikisht kualifikimin. “Do të jetë një ndeshje e madhe ku ne kemi mundësinë të sigurojmë kalimin për më tej, nëse fitojmë. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se pas avantazhit tonë në ndeshjen e parë, Roma kishte 3-4 raste për të barazuar. Nëse do të kishin qëndruar në prapavijë, ndoshta nuk do të kishin pësuar një humbje të tillë. Nga ndeshja e parë, Roma nuk humbi asgjë më tepër se tre pikë”. Në vijim, Guardiola analizon sfidën dhe kundërshtarin. “Ata do të kërkojnë fitoren këtu në Mynih, por ne duhet të përqendrohemi te loja jonë, edhe pse i dimë pikat e forta dhe të dobëta të Romës. Mentaliteti me të cilin hyjmë në fushë është thelbësor, sepse ata kanë në skuadër lojtarë me cilësi, si: Keita, De Rosi, Toti, Gervinjo, Manolas apo Naingolan”. Më pas fjalën e mori mbrojtësi Mehdi Benatia, i cili flet me petkun e një ish-lojtari verdhekuq. Marokeni theksoi fjalët e trajnerit të tij, duke theksuar se Roma është një kundërshtar i rrezikshëm, pasi kërkon të zhvillojë një ndeshje pozitive disfatës së thellë në “Olimpico”.

 

Berisha: E meritoj të jem titullar

Portieri shqiptar, Etrit Berisha, ka kërkuar që t’i jepet edhe një herë shansi për të qenë kryesori te Lacio. 25-vjeçari e ka humbur vendin e titullarit te kryeqytetasit, por ai kërkon një mundësi të dytë. Berisha ka thënë se e meriton të rikthehet edhe një herë titullar para Federiko Marketit, pas paraqitjes që dha në fillimin e këtij sezoni. “Unë kurrë nuk jam dorëzuar. Gjithmonë kam pasur vetëbesim dhe kur Marketi ishte i lënduar në fillim të stinorit, unë luajta. Unë e meritoj një shans tjetër”, – ka deklaruar portieri shqiptar.

 

 Uallkot dhe Arsenali pranë rinovimit

Tekniku francezi Arsen Venger ka konfirmuar bisedimet e nisura për vazhdimin e kontratës së Teo Uallkotit. 25-vjeçari, i cili u rikthye nga lëndimi pas pauzës së gjatë 10-mujore, ka kontratë me “gunners” deri më 2016. Teo u aktivizua në 10 minutat e fundit në fitoren e Arsenalit (3-0) kundër Bërnleit në fundjavën e kaluar dhe menjëherë shfaqi paraqitje të mirë, duke impresionuar edhe të gjithë tifozët e klubit. Uallkot është pjesë e Arsenalit që nga viti 2006, që kur erdhi nga Sauthempton, ndërsa për klubin konsiderohet si një lojtar shumë i rëndësishëm për organikën e ekipit.

 

De Gea në planet e afërta të Realit të Madridit

Reali i Madridit do të bëjë përpjekje maksimale që ta transferojë David de Gean gjatë afatit kalimtar veror. “Los Blancos” duan që portieri i Mançester Junajtidit të zërë vendin e Iker Kasijasit nga sezoni i ardhshëm. “Mbretërit” janë të bindur se mund ta transferojnë portierin spanjoll në rast se “djajtë e kuq” dështojnë të kualifikohen në Ligën e Kampioneve. Ndërkohë, vazhdojnë spekulimet se Junajtidi po këmbëngul për blerjen e Gareth Bejlit. “Daily Express” ka raportuar se Reali ka filluar kontaktet me Çelsin për Eden Hazardin, i cili mund ta zërë vendin e uellsianit.

 

 Dinamoja e Zagrebit shfaq interes për Cikalleshin

Sokol Cikalleshi mund të ndryshojë skuadër. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili aktivizohet në radhët e RNK Splitit, kërkohet nga gjigantët kroatë të Dinamos së Zagrebit. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kroate, të cilat shkruajnë se presidenti i klubit nga Zagrebi, Zdravko Mamiç, ka shfaqur hapur pëlqimin e tij për ish-lojtarin e Kukësit. Raportohet gjithashtu se numri një i klubit kroat është i gatshëm të paguajë deri në 1 milion euro për të pasur shërbimet e Cikalleshit. 24-vjeçari shqiptar po kalon një formë të mirë në kampionatin kroat, duke realizuat gola të bukur dhe të rëndësishëm për ekipin e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency