Fjala në erë – kultura

0
143

Retro-kult/ Mendimi i viteve ‘30 përballë socio-kulturës së sotme. Ese nga kjo plejadë, Tajar Zavalani, me “Fjala në erë-kultura”, botuar në vitin 1938, përmbledhur në “Antologji e mendimit shqiptar”, 1870-1945, botimet “Plejad”

 picasso man and woman

 Tajar Zavalani

Ideali i njeriut të mësuar është në ditët tona specializimi në një degë. Disa vjet shkollë të mesme, pakë vjet në universitet, një periudhë studimi të ethshëm për të kaluar provimet dhe, me të vënë diplomën në xhep, puna merr fund për shumicën tonë. U bëmë specialistë, mësuam një zanat, siguruam një mjet jetese dhe qëllimi u arrijt. Kush u bë nëpunës, kush çeli një zyrë private, kush një klinikë, kush një dyqan.

Nëpunësin, që e kanë halë në sy të gjithë ata që kanë punë me shtetin, e cilësojnë si burokrat dhe me këtë fjalë duan të shprehin përbuzjen e mëshiruarëshme për këtë njeri të zhytur në pluhrin e akteve. Me fjalën burokratizmë theksohet mëndësia e atij që i janë mykur trutë së bëri gjithmonë po atë punë. Aty përmblidhet gjykimi i cekët dhe mendja, “me qoshe” e atij që nuk shef me tutje nga nenet e ligjës dhe paragrafet e rregullores.

Por atë tharje të shpirtit dhe ngjyrosje të mendjes që pëson nëpunësi duke u kthyer në burokrat, mund t’a pësonjë specialisti i çdo dege tjetër. Edhe profesori i shkollës së mesme që përsërit në klasë gjithmonë po atë mësim mund të bëhet një farë burokrati në degën e tij. Kjo mund t’i ndodhë gjithashtu edhe kimistit që nuk ngre kryet nga mikroskopi, ose avokati që nuk çel libër tjetër përveç kodit a mehelesë.

Kushdo që bën një punë të përditëshme për të fituar krodhën e bukës është në rrezik të bëhet skllav i punës së tij, të katandiset në një farë maqine që punon pa u menduar, po të jetë se nuk e shtrin interesimin e tij intelektual jashtë degës ku është specializuar. Herë herë kur ndodhet në një bisedim ku preket një çështje diturie të përgjithëshme ay e ndjen se ka ngelur mrapa, vuan në sedrën e tij pse nuk mund të çfaqë një mendim të vlefshëm që t’i shërbejë skiarimit të çështjes. Për një kohë ay e humbet qetësinë e shpirtit, sukseset e vogla në punën e tij nuk e kënaqin më, shikon mjetin për të dalë nga pellgu i monotoisë dhe automatmës profesionale ku është zhytur. Këtu në Shqipëri zakonisht fajin i a hedhin ambientit që të thëthin si balta e moçales dhe të shuan çdo energji. Duke parë gjithë këta njerës, të katandisur nga pikëpamja intelektuale si kufoma të gjalla, që dergjen kafeve dhe “vrasin” kohën me letra e bisedime të zbrazëta, edhe ata që vijnë nga jashtë me një farë enthuziazmi humbasin dal nga dale çdo interes për çështjet e përgjithëshme dhe i plakos apathia. Është e vërtetë se deri diku konditat e veçanta të vendit tonë bëjnë më të veshtirë përpjekjen që duhet të bëjmë për të shpëtuar vehten nga rreziku i burokratizmit. Por gabohen ata që kujtojnë se kjo ngjet vetëm në Shqipëri. Edhe në viset më të qytetëruara të botës çoroditja mendore e specialistit është një plagë që bën kërdinë. Për të luftuar formimin burokratik të mendjes ka një mjet të sigurtë. Këtë mjet e gjejmë në Shqipëri aq lehtë sa edhe në çdo vend të botës. Mjeti është kultura, ay grumbull njohurish eprore që njeriu mëson për kënaqësin e vet, pa ndonjë qëllim përfitimi material.

Çdo njeri prej nesh e ka në dorë të shpëtonjë nga automatizmi i specialistit duke u bërë njeri me kulturë. Kultura është thesari më i çmuarshëm i njeriut të qytetëruar; ajo është stolia e mendjes, lartësimi i shpirtit, shkathtësia e ndjenjave, freskia e spiritës…

Themelet e kulturës hidhen qysh në bankat e shkollës. Nxënësi pesëmbëdhjetë vjeçar që shkon të vizitonjë një muze ose shkon në bibliotekë të lexonjë një libër jashtë programit, hedh çapin e parë në botën e kulturës. Ky pasurim i shpirtit që do të jetë burim begatije të pa njohur në të arthmen, s’kushton veçse pak mundim edhe kohë. Por sa e lartë është ajo prirje që e shtyn njerinë të smadhojë personalitetin e tij duke gjurmuar çdo mendim të lartë, çdo vepër të madhe, çdo krijim të bukur që është bërë përmes botës dhe gjatë shekujve.

Por kultivimi i vet-vehtes nuk është një send që mësohet në shkollë. Seicili duhet t’a gjejë vetë mënyrën më të mirë për të mos e humbur interesimin për çështjet e mëdha që kanë lidhje me fatin e njeriut dhe zhvillimin e shoqërisë, për të mos vdekur për së gjalli në rutinën e një pune mekanike.

Rruga më e provuar që kanë ndjekur titanët e mendimit është kureshtja e gjallë që nuk na len të kënaqemi me atë që dimë. Asgjë nuk duhet të na lërë indiferentë. Të kemi syrin e çelur dhe një etje të pashuar për dituri. Të mos kërkojmë zhurmën e poteren për të hutuar vehten dhe për të harruar andrallat. Të mos kemi frikë të ngelim vetëm me vehten tonë, të shqyrtojmë vet-vehten deri në thellësinë e instinkteve që buçasin atje mbrenda, të analizojmë ndjenjat tona, të ndjekim një mendim, të radhitim në një çip të mendjes ose mbi një copë letër përshtypjet që na kanë lënë leximet, udhëtimet, kontakti me njerëzit. Të kontrollojmë vehten duke parë se si kanë menduar, kane ndjerë, kane jetuar njerëzit e çquar të çdo kohe, të dijmë të shijojmë andjen që ndjen njeriu me kulture kur ndjek rrymën e mendimeve që i kalojnë nëpër mendje jashtë vullnetit të tij, si një film sinematografik.

Kjo është rruga. Mjetet janë gjithë aq të lehta për atë që ka vendosur t’a ndjekë përnjimend. Baza e kulturës është leximi. Nuk është puna të lexosh shumë, por si e si të lexosh mirë. Substanca e ushqimit të mendjes duhet të përbëhet sidomos nga veprat e pavdekëshme të atyreve që janë munduar t’i japin një kuptim jetës në këtë botë. Pastaj vinë bisedat me njerës të kulturës dhe udhëtimet e bëra me qëllim që të mësosh diçka. Nuk është nevoja të shkosh me doemos deri në “Çin ma Çin” për të mësuar diçka. Edhe nëpër Shqipërinë tonë të vogël ka shumë sende që vlejnë të mësohen.

Abuzimi i kulturës asht gjithë aq i dëmshëm sa dhe haja e tepër për llupësin e babëzitur. Qëllimi nuk është të ngarkojmë trurin me çdo lloj diturie. Kulturën duhet t’a kundrojmë si një mjet për të lartësuar vehten nga pikëpamja intelektuale e morale, ashtu edhe për t’u bërë një mis së më i vlefshëm i shoqërisë. Kultura është kondita e domosdoshme e çdo përparimi të vërtetë të individit në lidhje me kolektivitetin. Ajo është zana hyjnore që i jep kuptimin lirisë. Të kesh dijeni për shumë sende nuk është vetëm një kënaqësi në vet-vehten, një mjet ideal për të mos u mërzitur, por edhe një mjet për të mos e ndjerë vehten si të huaj, si të izoluar në botën ku jetojmë. Njeriu me kulturë nuk është vetëm ay që interesohet për letraturë, për muzikë, për tablora e skalitje të stërhollur. Kultura e vërtetë

na çel rrugën e së vërtetës. Ajo na jep kuptimin e thellë të relavitetit që është ligja e çdo ekuilibri në këtë jetë. Në vend që t’a qullosnjë e t’i shuanjë energjinë, kultura i ngjall njeriut në shpirt pasionet më të zjarrta. Përmes kulturës neve çmojmë vlerën e mendjes që është e para nga vlerat shpirtërore; shofim se nëpër çfarë kallëpe kalon e vërteta për të triumfuar, stërvitemi të urrejmë gënjeshtrën e falsitetin ndën të gjitha petkat që i mvesh moda e ditës: konformizmë, rutinë, snobizmë dhe shumë… izme kësilloji.

Kultura ndofta nuk të bën të lumtur, por të jep ndërgjegjien e cilësisë s’ate si njeri, të largon nga çqetësime e vuajtje të kota, të jep fuqi të luftosh kundër lakmive që vënë nderin dhe dignitetin në rrezik. Nuk duhen shumë të ardhura për t’u bërë njeri me kulturë. Këtë luks mund t’ia lejojë vehtes edhe më i varfri njeri, mjafton të ketë pak zgjim edhe vullnet. Sepse nuk ësht nevoja të mplakesh nëpër bibliotekat e muzetë. Mjafton të keqyrësh rreth e rrotull, të vëzhgosh, të krahasosh, të vrasësh mendjen për të kuptuar si është ndërruar kjo gjë, pse punon kjo maqinë, e tjera. Vetëm se interesimi për të tilla çështjë hyp nje farë modestie. Prandaj kultura e vërtetë duhet të jetë modeste, mbasi ajo nënkupton që çdo njeri për vehten e tij të ndjejë nevojën për të ditur gjithçka kanë vepruar dhe kanë menduar të gjithë njerëzit e tjerë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency