Champions League/ Alegri përballë maces së zezë Olimpiakos

0
120

“Zonja e vjetër” do të ketë përballë grekët që i mundën në sfidën e kaluar

alegrriLiga e Kampioneve do të ndezë emocionet e saj edhe me sfidën Juventus-Olimpiakos. Një ndeshje e lehtë në letër duke pasur parasysh ku qëndrojnë të dyja skuadrat. Mirëpo surpriza është bërë nga grekët që me mposhtjen e Atletikos dhe Juventusit janë kthyer në një makth për skuadrat e mëdha. Alegri dhe bardhezinjtë duken shumë të mobilizuar para sfidës ndaj grekëve, për të mos lejuar surpriza që mund të sjellin largimin nga kompeticioni, siç ndodhi vjet ndaj Gallatasarajit. Ish-tekniku i Milanit ka deklaruar se janë shumë të fokusuar para ndeshjes me grekët dhe synojnë vetëm fitoren. Trajneri i kampionëve të Italisë shpreson shumë që ky trend negativ i skualifikimit nga kompeitcionit evropiane të ndryshojë duke filluar që nga ndeshja ndaj Olimpiakosit. “Për t’u përmirësuar në këtë aspekt duhet të qëndrojmë të qetë dhe nuk duhet të merremi shumë me ato çfarë thuhet jashtë për klubin tonë. Në media të ndryshme thuhet që Juvja kalon një ngërç psikologjik jo të vogël kur luan ndeshje në arenën evropiane, por, me sa di unë, të gjithë ata që flasin e shkruajnë, kanë harruar se kjo skuadër ka luajtur në shumë finale gjatë historisë së saj. Këtë të martë do të ndeshemi me një ekip që luan një futboll të mirë, duhet të jemi të përqendruar dhe të japim më të mirën tonë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta kalojmë me sukses ndeshjen me Olimpiakosin. Ky është një 90-minutësh që vlen kualifikimin në raundin tjetër dhe ne jemi të detyruar për të fituar”. Por çfarë pret Alegri nga Olimpiakosi, një skuadër që në Athinë e mposhti Juventusin me rezultatin 1-0, ndërsa sezonin e kaluar ja doli të kualifikohej përtej fazës së grupeve? “Pres pothuajse një ndeshje të ngjashme si ajo e Athinës. Ne nga ana jonë duhet të zhvillojmë një ndeshje më të mirë në aspektin teknik. Duhet të kemi intensitet në lojën tonë pasi vetëm kështu mund ta përballojmë me sukses skuadrën greke. Përpara portës duhet të jemi sa më të kthjellët në mënyrë që të shfrytëzojmë shanset që do të na jepen”.

 

 Siti në kërkim të Pepes

Mediat portugeze kanë spekuluar se Mançester Siti mendon të bëjë ofertë për mbrojtësin e Realit të Madridit, Pepe. Kampioni i Anglisë edhe në të kaluarën është interesuar për 31-vjeçarin, ndërsa “A Bola” raporton se anglezët përsëri kanë shprehur interesim për të. Qendrori madrilen vlerësohet shumë nga Karlo Ançeloti, prandaj strategu italian vështirë se mund ta lejojë largimin e tij. Pepe luan për klubin spanjoll që nga viti 2007, kur u transferua nga Portoja.

 

 Shvajnshtajger pritet të kthehet para pushimit dimëror

Mesfushori i Bajernit të Mynihut, Bastian Shvajnshtajger, pritet të kthehet në skuadër para pushimit dimëror. Gjermani u lëndua në ndeshjet parapërgatitore dhe nuk ka mundur të luajë ende këtë sezon për bavarezët, mirëpo ai shpreson të kthehet gjatë këtij viti, njofton “Telegrafi”. “Mundësitë janë të mëdha që ai të kthehet gjatë vitit 2014. Gjithçka është mirë me të. Ndoshta do të përfshihet në stërvitje me skuadrën gjatë pauzës së ardhshme ndërkombëtare”, – ka thënë kreu i klubit, Karl-Hajnc Rumenige për “Kicker”. Ndeshja e fundit e Bajernit para pushimit dimëror është kundër Majncit më 19 dhjetor.

 

 Isko: Nuk largohem nga Reali i Madridit

Mesfushori spanjoll Isko ka deklaruar se nuk ka arsye për t’u larguar nga galaktikët, pasi ndihet shumë mirë. Spanjolli shijoi një sezon të suksesshëm me Realin vitin e kaluar, pasi kaloi në “Bernabeu” nga Malaga, por ai nuk po siguron minutazh të mjaftueshëm këtë sezon. Pavarësisht kësaj mesfushori 22-vjeçar shprehet i kënaqur që ka mundësi ta veshë fanellën e bardhë dhe nuk sheh arsye pse duhet të largohet. “Mendimet e mia për karrierën te Madridi janë shumë pozitive. Jam te skuadra më e mirë në botë, ne po fitojmë tituj, ne arritëm La Decima-n dhe shpresoj të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Mendoj se vendi më i mirë për të vazhduar të fitoj edhe më shumë tituj është Reali i Madridit”, – ka thënë Isko.

 

Pelegrini: Siti nuk ndryshon stilin e lojës

Manuel Pelegrini ka deklaruar se nuk do ta ndryshojë stilin e lojës, përkundër rezultateve të dobëta të kampionit anglez. Ekipi i kilianit ndërpreu rrjedhën prej tri ndeshjesh pa fitore në Ligën Premier duke mposhtur rivalin lokal, Mançester Junajtid por nuk ishte bindës në atë triumf. “Kemi pasur një ose dy rezultate të këqija, por nuk do ta ndryshoj filozofinë e asaj që po përpiqem të bëj. Presioni është i njëjtë. Ne deshëm ta fitonim ndeshjen, sepse i donim pikët. Duam ta mbrojmë titullin dhe mendoj se presioni do të ishte i njëjtë edhe po t’i kishim fituar ndeshjet e fundit”, – ka thënë ish-tekniku i Vilarealit.

 

 Roben: Bajerni duhet të vazhdojë të punojë

Arjen Roben ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij që të vazhdojnë të përmirësohen, pasi as Bajerni i Mynihut nuk është skuadër e pamposhtshme. Bavarezët nuk kanë pësuar humbje në dhjetë ndeshje radhazi në Bundesliga dhe janë katër pikë përpara përcjellësit të parë, Volfsburgut. Përkundër formës së mirë në kampionat dhe në Evropë, anësori holandez thotë se ekipi i tij nuk guxon ta humbë përqendrimin. “Nuk jemi të pamposhtshëm. Sot është e këtillë situata, por pas dy javësh gjërat mund të duken ndryshe. Duhet të jemi kritikë dhe të përmirësohemi vazhdimisht, jo të qetësohemi dhe të mendojmë se do të marshojmë me lehtësi dhe do ta fitojmë sërish kampionatin”, – ka deklaruar holandezi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency