Mesazhi i kreut të PD-së / Basha, Ramës: Të ngjitesh në pushtet e vështirë, të zbresësh kollaj

0
115

10744968_398683733613449_1140509951_n

Erneta Shevroja

Kryebashkiaku: Ata që e mendojnë pushtetin si kalit që i kanë hipur e prej të cilit me arrogancë, arbitraritet nuk mendojnë se si të lehtësojnë jetën e qytetarëve, por t’ia vështirësojnë, gabohen rëndë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka përfituar rastin e përurimit të një rruge në Tiranë për t’i çuar mesazhe Kryeministrit Rama se po qeveris vendin me mjete të gabuara. Kryebashkiaku u shpreh se qeverisja ka si synim lehtësimin e jetës së qytetarëve, që, sipas tij, të kundërtën e bën qeverisja qendrore, që ia vështirëson çdo ditë e më shumë jetën popullit. Basha theksoi se asnjë nuk vjen në pushtet për të qëndruar aty.

 Qeverisja

Dje kryebashkiaku i Tiranës përuroi rrugën “Pashko Hysa” në kryeqytet, nga i përcolli disa mesazhe Kryeministrit Rama për qeverisjen qendrore, sipas tij, të gabuar. Ai tha se Rama e shikon pushtetin si një mjet për interesin e vet e për këtë arsye do të marrë edhe ndëshkimi e popullit. “Nuk ka forcë negative e agresive ta ndalë Bashkinë e Tiranës dhe mua si kryebashkiak, për t’u shërbyer deri në fund qytetit tonë, qytetarëve që e meritojnë dhe kanë nevojë për këtë përkrahje”, – tha Basha. Sipas liderit të opozitës, “ata që e mendojnë pushtetin si kalit që i kanë hipur e prej të cilit me arrogancë, arbitraritet, nuk mendojnë se si të lehtësojnë jetën e qytetarëve, por mendojnë ditë për ditë si t’ua vështirësojnë jetën qytetarëve, si t’ua bëjnë edhe më të vështirë kushtet që tashmë janë vështirësuar gabohen rëndë”. Basha tha se qeveria do të marrë atë që meriton në zgjedhjet e ardhshme. “Kam bindjen se kur të ndeshen me gjykimin popullor, me gjykimin qytetar, këtu në Tiranë e anembanë Shqipërisë do të marrin atë që meritojnë. Që të ngjitesh është e vështirë. Të zbresësh është kollaj. Le ta mbajnë mend këtë, para se të vijë hera tjetër për votimet!”
Përurimi

Ndërkaq, Basha u premtoi qytetarëve të zonës se do të punojë çdo ditë për të mirën e tyre. “Ky është qëllimi i ekzistencës së pushtetit, vendor apo qendror. T’ua bëjë jetën më të lehtë qytetarëve, t’ua bëjë jetën më të mirë qytetarëve, t’u shërbejë qytetarëve, të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Përndryshe, pse ekziston pushteti?!”, – tha Basha. Ai shtoi se rruga “Pashko Hysa” do të shërbejë si një arterie e rëndësishme urbane, e cila do të lidhë dy zona që nuk komunikonin me njëra-tjetrën. “Kjo rrugë tashmë do të shërbejë edhe si një arterie e rëndësishme urbane, do të lidhë dy zona që nuk komunikonin me njëra-tjetrën, do t’i sjellë anëtarët e këtij komuniteti më pranë qendrave dhe qendrës së Tiranës, do të rivalorizojë (rivlerësojë) pronat e tyre, do të japë akses më të lehtë dhe më të mirë shërbimesh komunitare dhe për shërbimet e tjera të shëndetësisë e arsimit. Mbi të gjitha, besoj se i bën të ndihen më shumë qytetarë të Tiranës se ç’ndiheshin pak vite më parë”, – u shpreh kryebashkiaku. Sipas Bashkisë së Tiranës, rruga “Pasho Hysa” ka një gjatësi 1208 metra linearë dhe gjerësi prej pesë metrash. Për këtë rrugë janë investuar 66.7 milionë lekesh nga Bashkia e Tiranës. Dje kryebashkiaku Lulzim Basha inspektoi punimet e kryera, ndërsa u premtoi qytetarëve ndërtimin edhe të një ure.

 

 

Vizita e Papës

Tiranë, PD: Veliaj ka përfituar 394 milionë lekë nga dekorimi. Qeveria: Akuzat, degjenerim politik

Partia Demokratike akuzoi dje ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, se ka përfituar 394 milionë lekë nga dekorimi i kryeqytetit, ditën kur Shqipërinë e vizitoi Papa Françesku. Përmes deputetit Gerti Bogdani, PD-ja bëri të ditur se “prokurimi i drejtpërdrejtë u bë për kompaninë që ka të njëjtën adresë, të njëjtin apartament me kompaninë e vëllait të Veliajt. Vetëm para pak muajsh ka ndryshuar emri nga GOGEL në EAG. Deputeti demokrat bëri të ditur se “EAG është biznesi i Erion Veliajt, për të cilën kujdeset vëllai i tij”. Bazuar në një dokument të siguruar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR), Bogdani tha se “rezulton se në një moment të historikut të tyre, kompania GOGEL, e cila ligjërisht zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i ministrit të Mirëqenies, ka të njëjtën adresë, të njëjtën rrugë, të njëjtën shkallë, të njëjtin apartament me kompaninë EAG, fituese e tenderit. GOGEL e Erion Veliajt dhe EAG e 394 milionë lekëve të vizitës së Papës, bashkohen në apartamentin 3/5 të rrugës “Ibrahim Rugova”, pallati përbri “Plus”, Tiranë. Sipas PD-së, “është Erion Veliaj, me emër tjetër dhe administrator tjetër. Ky skandal dëshmon se Edi Rama dhe të tijtë janë aty për të shfrytëzuar çdo mundësi, edhe vizitën e Papa Françeskut, për t’u pasuruar”.

Reagimi

Ndërkaq, lidhur me denoncimet e Partisë Demokratike, Kryeministria në reagimin e saj i cilësoi akuzat si degjenerim politik, moral dhe logjik të opozitës. “Përgojimi në klubin e ish-oficerëve i organizimit botërisht të suksesshëm për pritjen e Papa Françeskut është një tjetër dëshmi e degjenerimit politik, moral dhe madje edhe logjik të opozitës sonë”, – thuhet në deklaratë. Ndërkaq, edhe në këtë rast qeveria e ka parë të arsyeshme t’i bëjë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend. “I presim krahëhapur për të debatuar për problemet, sfidat dhe zgjidhjet reale që Shqipëria kërkon, pas shumë vitesh rrënim nga partia që sot nuk di ku ka kokën, nuk di ku e shpien këmbët, nuk di çfarë i nxjerr goja”, – përfundon reagimi i Kryeministrisë ndaj deklaratës së selisë blu që Veliaj ka përfituar 394 milionë leke për dekorimin e qytetit me rastin e vizitës së Papës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency