Fëmijë dhe të moshuar, si të mbroheni nga gripi

0
131

Ftohjet-dhe-gripi

Nëse këtë vit ju zë gripi ose e ftohura, mund të “falënderoni” duart tuaja të pista. Shumë viruse përhapen në këtë mënyrë. Ju merrni baktere në gishta dhe më pas i kaloni ato në gojë dhe në sy. Zgjidhja është larja e shpeshtë dhe e mirë e duarve. Ky është çelësi për të shmangur gripin dhe të ftohurën.

 

Cilat janë simptomat e gripit?

Njerëzit zakonisht e ngatërrojnë gripin me të ftohurën, por simptomat e tyre janë të ndryshme. Gripi është ngjitës, kështu që duhet shmangur vajtja në punë për rreth një javë. Një person me grip ka shumë mundësi që të përjetojë simptomat e mëposhtme:

 

Temperaturë të lartë (38.8-40°C), ndonjëherë me të dridhura, që është shumë e rrallë për një të ftohur të zakonshëm. Dhimbje muskujsh dhe nyjesh që është shumë e pazakontë tek një e ftohur. Lodhje dhe dobësi ekstreme që është më e rëndë sesa tek e ftohura. Dhimbje koke. Kjo mund të ndodhë edhe tek ftohja, por zakonisht është më e butë. Dhimbje sysh. E ftohura zakonisht shkakton lotim të syve. Kollë që zakonisht nuk është produktive. Kolla mund të ndodhë edhe gjatë ftohjes. Dhimbje fyti. Dhimbjet e hundëve ose bllokimi i tyre zakonisht ndodhin edhe gjatë gripit. Gripi mund të shkaktojë edhe një infeksion dytësor, siç është bronkiti ose pneumonia.

 

Bëni vaksinën kundër gripit

Ju mund të mendoni se gripi është një problem fare i vogël, por kjo sëmundje mund t’ju lërë në shtrat për ditë me radhë. Gripi është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët, gratë shtatzëna apo të moshuarit. Një vaksinë e vogël mund t’ju kursejë ju dhe familjes tuaj shumë vuajtje. Mendimi se vaksinat e gripit të bëjnë me grip është thjesht një mit.

 

Bëhuni gati për stinën e ftohtë

Para se të luftoni të ftohurën dhe bakteret e gripit, sigurohuni që të keni mjetet e duhura për këtë. Mbusheni sirtarin e barnave me çdo lloj ilaçi që mund të përdorni, si p.sh. qetësuesit e dhimbjeve apo dekongjesantët. Mos harroni facoletat, sapunin dhe higjienizuesin e duarve. Sigurohuni që termometri të punojë. Mbusheni trastën e ushqimeve me lëngje, çajra bimorë dhe ushqime të thjeshta dhe qetësuese si supë pule, që mund t’ju nevojiten kur të jeni të sëmurë.

 

Jini të vëmendshëm ndaj simptomave

Grip apo e ftohur? Nuk ka një mënyrë të sigurt për t’i ndarë simptomat nga njëra-tjetra. Edhe doktori juaj mund të mos jetë i sigurt. Zakonisht të ftohurat janë më të lehta. Ju mund të keni hundë që rrjedhin apo të bllokuara. Gripi është zakonisht më i ashpër dhe vjen menjëherë (mund t’ju “presë këmbët” për disa ditë). Temperatura, dhimbjet e trupit dhe tejlodhja janë më të zakonshme tek gripi.

 

Merrni medikamentet e duhura

Ka një larmi barnash për të zgjedhur nëpër farmaci. Tregohuni të zgjuar në zgjedhjen tuaj. Barnat e kombinuara, që përfshijnë disa medikamente në një kokërr, si dekongjesantët dhe supresuesit e kollës ose qetësuesit e dhimbjeve, janë një mënyrë e favorshme për të luftuar simptomat. Zgjidhni një ilaç që trajton simptomat tuaja specifike; mos trajtoni probleme që nuk i keni. Mos merrni më shumë se një ilaç me të njëjtin përbërës. Lexoni me kujdes etiketat dhe merrni vetëm ato që ju ndihmojnë.

 

Shmangni antibiotikët

E ftohura dhe gripi shkaktohen nga viruse, kështu që antibiotikët nuk bëjnë punë. Ata funksionojnë vetëm kundër infeksioneve bakteriale. Për më tepër, nëse merrni antibiotikë kur nuk është nevoja, rrezikoni të zhvilloni mikrobe që janë rezistent ndaj ilaçeve.

 

Nëse jeni sëmurë, qëndroni në shtëpi

Mund të mos jetë e lehtë për të marrë një ditë leje por nëse jeni me grip apo të ftohur, duhet ta bëni. Nëse e forconi veten duke punuar kur jeni me grip apo të ftohur, trupi juaj do të vihet në vështirësi për të luftuar virusin. E ftohura do të zgjasë më shumë dhe mund ta përhapni tek të tjerët. Kështu që kur jeni sëmurë qëndroni në shtëpi, pushoni dhe merrni veten. Do të jetë më mirë për ju dhe të tjerët rreth jush.

 

Zgjidhni mjete dhe produkte njëpërdorimshe

Kur dikush në familjen tuaj është i sëmurë, ndërrojini produktet e banjës me produkte njëpërdorimshe deri sa personi në fjalë të bëhet më mirë. Ndërrojeni peshqirin me një prej letre dhe mbajtëset e orendive me plastike. Është një mënyrë e thjeshtë për të ndaluar mikrobet që të shpërndahen tek pjesëtarët e tjerë të familjes.

 

Trajtimet natyrale

Jeni duke kërkuar mënyra natyrale për të luftuar simptomat e gripit apo së ftohurës? Provoni me një lugë mjaltë. Mund të ndihmojë për zbutjen e kollës po aq sa një shurup. Mos u jepni mjaltë fëmijëve nën moshën 1 vjeçare. Nuk është e sigurt. Disa vitamina dhe barëra kanë treguar se mund të kurojnë simptomat e së ftohurës (një kombinim i andrografis-një bimë indiane dhe ginsengu siberian). Ekinacea (një lule karakteristike e Amerikës së veriut) dhe dozat e mëdha të vitaminës C mund t’ju vijnë në ndihmë për të trajtuar simptomat e së ftohurës. Boronica gjithashtu ndihmon për simptomat e gripit.

 

Pini sa më shumë lëngje

Nëse pini lëngje shtesë kur jeni të sëmurë, ju ndihmon për të holluar mukusin dhe për të liruar hundët. Uji, supat dhe pijet sportive janë një zgjedhje e mirë. Alkooli nuk është ide e mirë. Lëngjet e nxehta, si çaji bimor gjithashtu do ju ndihmojnë të lironi rrugët e frymëmarrjes. Nëse fëmijët tuaj nuk pinë mjaftueshëm lëngje jepini akullore, por që ta konsumojnë ngadalë. Mundohuni që fëmijët të pijnë lëngje me pipë. Gjeniçdo mënyrë për t’i dhënë atyre lëngje.

 

Kërkoni për barna kundër gripit

Nuk ka medikamente që ta kurojnë gripin, por disa mund t’ju ndihmojnë të bëheni më mirë. Ilaçet farmaceutike antivirale, do të bllokojnë simptomat dhe do ju mundësojnë të shëroheni. Çelësi është që t’i merrni brenda 48 orëve nga shfaqja e simptomave të para. Flisni me doktorin për më tepër informacione. Një nga këto medikamente mund të jetë i dobishëm për ju nëse jeni në rrezik për të pasur komplikacione nga gripi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency