Dosja “Sinanaj” Vrasësi Sinanaj zbërthen krimet, Prokuroria dorëzon fakte të reja në Gjykatë

0
146

provat-2-320x213

Alma Çuka

Tritoli që përdorte Sinanaj, i njëjtë me atë që u përdor për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Vrasësi me pagesë Julian Sinanaj ka treguar gjithçka që di në Prokurori. Një pjesë të provave ka pretenduar se do t’i rrëfejë para trupit gjykues. Krimet më të mëdha i ka bërë në qytetin e Vlorës. Ndërkohë, nuk mungojnë atentate të kryera me bombë me telekomandë edhe në qytete të tjera, kryesisht në Tiranë.

 

Tashmë Juljan Sinanaj, vrasësi me pagesë, duket se nuk ka asgjë për të fshehur. Pasi ka rrëfyer të gjitha atentatet me anë të bombave me telekomandë, Sinanaj u ka premtuar prokurorëve të Krimeve të Rënda se do të jetë më i drejtpërdrejtë para trupit gjykues. “Nuk kam asgjë për të fshehur, – mësohet se u ka thanë prokurorëve serial-killeri. – Tashmë unë e kam marrë vendimin tim, do të tregoj me hollësi veprimtarinë kriminale dhe bashkëpunëtorët, vendin ku jam furnizuar me kallëpe tritoli si dhe mënyrën se si arrija të realizoja vendosjen e bombave poshtë makinës së objektivit”.

Pagesa për ndërtimin e bombës

Vetëm për ndërtimin e bombës me telekomandë që do të shpërthente makinën e Besnik Dervishit, prefektit të Vlorës, ishte paguar me 20 mijë euro. Julian Sinanaj ka nisur të flasë për prokurorët, pasi u sigurua se do të merrte mbrojtje të posaçme dhe se e gjithë familja e tij do t’i merrej në mbrojtje. Porosia për atentatin ndaj prefektit, i kishte ardhur nga Marjon Mitro, arrestuar pas Juljan Sinanajt në aeroportin “Nënë Tereza”. Konflikti mes tij dhe prefektit nisi kur ishte vendosur prishja e parkingut të lokalit te tij tek Uji i Ftohtë, në Vlorë. Marjon Mitros i është dashur vetëm bomba me telekomandë. Me pas është kujdesur vetëm për montimin e saj poshtë makinës së prefektit. Juljan Sinanaj është rrëfyer se paratë Marjon Mitro ia kishte dhënë kohë më parë kur e kishte porositur për një tjetër ekzekutim, të cilin Sinanaj kishte refuzuar ta bënte. Ndërsa për vrasjen e biznesmenit Agron Çela, Sinanaj është paguar 35 mije euro. Ndërmjetësit kanë qenë dy kushërinjtë nga Vlora, Andon dhe Genis Mëhillaj. Në gusht të 2013-ës ai e ka pritur jashtë shtëpisë biznesmenin dhe ka ekzekutuar me pistoletë, ndërsa Çela parkonte makinën. Më tej ai është shprehur se kushërinjtë Mëhillaj e kanë porositur edhe për vrasjen e shtetasit Sokol Veizaj, me të cilin ishin në konflikt pronësie. Mosmarrëveshje killeri Sinanaj, pati edhe me të arrestuarin tjetër, Ndriçim Gjokona, i cili ka marrë statusin e të penduarit, Gjokona u dorëzua në polici, pas kërcënimit që mori nga Sinanaj, duke treguar edhe për një tjetër atentat që po përgatitej nga ai, kundër një biznesmeni të njohur në Durrës.

Blerja e tritolit

Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të mbyllur dosjen, nuk është mjaftuar vetëm me deklarimet e të pandehurve. Asaj i është dashur të shkoj përtej dhe të zbardhë emrat e personave që kanë furnizuar me tritol, Sinanaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Për këtë arsye, hetimet u shtrin në disa pista. Në shërbim të hetimit nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda u vu edhe ekspertiza shkencore. Ekspertët kanë vërtetuar se tritoli që Juljan Sinanaj ka përdorur në disa atentate, është i njëjtë me atë të përdorur për ndërtimin e Rrugës së Kombit, nga firma “Bechtel Enka”. Për të arritur në këtë përfundim janë ekzaminuar katër kallëpe tritoli. Ndërkohë që Sinanaj është shprehur se nuk e dinte origjinën e tritolit, ka shtuar se ai i blinte me 300 euro kallëpin.
Vendimi

U kap me 4 kg heroinë, dënohet me 8 vite e 6 muaj burg

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 8 vite e 6 muaj burg të pandehurin Eduart Nazeri për veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”. Ishte arrestuar që prej shtatorit të vitit të kaluar, por vetëm pak ditë më parë krimet e rënda vendosën dënimin për Nazerin, ndonëse kishte pranuar të procedohej me gjykim të shkurtuar. I pandehuri Eduart Nazeri u arrestua në flagrancë me shtatë pako me lëndë narkotike të llojit heroinë, me peshë totale 3611.6. Kjo sasi droge u vendos të digjet. Ndërkohë, Gjykata në dhënien e vendimit përfundimtar mori parasysh edhe kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, duke i ulur dënimin me 1/3. Më përfundim, Gjykata e dënoi të pandehurin Nazeri me 5 vite e 4 muaj burg. Sipas Gjykatës, dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Ndërkohë të gjitha shpenzimet gjyqësore u vendos të mbulohen nga i pandehuri, i cili në Gjykatë mbajti qëndrim pohues.

 

 

 

Hetimi
Korrupsioni te Krimet e Rënda, njësia speciale në pritje të dosjeve

Kalimi i veprës penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë për hetim dhe gjykim në Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda duket se nuk i ka përmbushur pritshmëritë e qeverisë. Gjashtë muaj nga dita kur ligji i miratuar në Kuvend me votat e mazhorancës, u botua në “Fletoren zyrtare”, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ndodhet vetëm një dosje me akuzën e korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. I vetmi që po hetohet nga kjo Prokurori është kryetari i Komunës Bërzhitë, Genc Drita. Për të forcuar grupin e hetimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pak kohë më parë u krijua edhe njësia antikorrupsion. Kjo njësi e përbërë nga tre prokurorë me përvojë, do të hetojë zyrtarët e lartë, ata vendorë dhe njerëzit e drejtësisë, të cilët do kallëzohen nga institucionet ligjzbatuese si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të korrupsionit. Burime nga krimet e rënda, thanë për “Standard” se janë në përfundim të hetimeve për çështjen e kryetarit të Komunës Bërzhitë, Genc Drita, i cili akuzohet se në këmbim të dhënies së lejeve të ndërtimit ka marrë shuma të konsiderueshme parash dhe jo vetëm kjo, por ILDKP e akuzon se ka fshehur edhe pasurinë, duke mos e deklaruar atë të plotë në bazë të ligjit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency