Dhuna në familje / Keqtrajtonte gruan në sy të fëmijëve, dënohet nga Gjykata si përsëritës në krim

0
131

 

dhuna

Alma Çuka

Nuk iu bind urdhrit të Gjykatës për të qëndruar larg bashkëshortes dhe fëmijëve. Dhuna fizike dhe psikologjike kanë lënë pasoja tek familjarët. 195 vendime që nga 1 janari janë dhënë nga Gjykata e Tiranës kundër burrave që dhunojnë gratë fizikisht

 

Dhuna në familje tashmë është kthyer në një fenomen në një pjesë të konsiderueshme të familjeve shqiptare. Në dyert e Gjykatës çdo ditë sheh gra të dhunuara që kërkojnë të mbrohen nga bashkëshortët dhunues. Institucionet ligjzbatuese kanë ngritur “kambanat e alarmit” në mbrojtje të familjeve, por me sa duket as forcimi i ligjit për rastet e dhunës në familje po e zbut dot këtë plagë të shoqërisë. Rastet e kryefamiljarëve të cilët kallëzohen penalisht nga gratë e tyre janë të shumta.

Historia
Historia e familjes Beqiri është një nga qindra historitë, të cilat nuk po mund të gjejnë paqe. Namik Beqiri, babai i dy fëmijëve, u shpall fajtor nga Gjykata për veprën penale “Dhunë në familje” dhe u dënua me 5 muaj burg. Ndaj tij në korrik të këtij viti në mënyrë të përsëritur kishte bërë kallëzim bashkëshortja. Në padinë e saj, gruaja pretendonte se mes tyre prej kohësh kishte mosmarrëveshje, por kohët e fundit gjendja ishte kthyer në makth. Bashkëshorti i saj kthehej në banesë dhe në sy të fëmijëve, për shkak të mosmarrëveshjeve, ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike. Kjo gjendje e përsëritur ishte bërë shkak që në qershor të këtij viti, pra dy muaj para arrestimit, gruaja të kërkonte urdhrin e mbrojtjes nga Gjykata. Namik Beqiri me vendim Gjykate urdhërohej të mos kërcënonte paditësen, pra gruan e tij dhe fëmijët, të largohej nga banesa e ndodhur në Shkozë duke u detyruar të banonte në banesën e prindërve të tij, të mos i afrohej paditëses dhe fëmijëve në një distancë prej 200 metrash të paguante një detyrim ushqimor për fëmijën e mitur në masën e 6 mijë lekëve. Ndërkohë që i jepej e drejta të takohej me fëmijë e tij të mitur një herë në javë.

Thyerja e urdhrit
Por i pandehuri, pavarësisht se Gjykata vendosi të mos i afrohej banesës së bashkëshortes dhe fëmijëve, ka shkuar tek banesa ku jetonte gruaja e tij duke e kërcënuar, edhe pse ajo i ka kujtuar se ndaj tij ishte lëshuar një vendim. Fjalëve të bashkëshortes i pandehuri u është përgjigjur me kërcënim: “Një pushkë italiane e kam në shtëpi sa për t’u përgjigjur ty dhe ca fishekë i kam, po ti ku do shkosh”. Kaq është dashur që Namik Beqiri të përfundojë përsëri në burg. Por përsëri dhënia e një dënimi me burg nuk e ka zgjidhur plotësisht çështjen e kësaj familjeje, ashtu si nuk kanë marrë zgjidhje dhe qindra histori të familjeve shqiptare.

Vendimet
“Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psikosocial dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet. “Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet”. “Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë, më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet”. Po këto vepra të kryera në mënyrë të përsëritur dënohen me burgim nga një vit gjer në pesë vjet”. E pavarësisht se ligji e përcakton qartë shkallën e dënimit për çdo kategori të veprës penale, personat të cilët kanosin, kërcënojnë, rrahin familjarët e tyre në mënyrë të përsëritur, nuk dënohen me masën maksimale. Ligji ka hapësira për çdo kategori vepre penale, në momentin kur thuhet se dënohet nga 1 deri në 5 vite burg. Të pandehurit rikthehen sërish duke kërcënuar familjarët dhe sërish kemi arrestimin e tyre. në dhjetë muaj Gjykata e Tiranës ka dhënë 195 vendimi, kundër personave që kanë dhunuar bashkëshortet dhe persona të tjerë në familje. Dhuna në familje në pjesën më të madhe dënohet me burg, i cili shkon nga 5 muaj deri në 2 ose 3 vite, kur kërcënimi ka qenë më armë.
Tiranë
Dogji automjetin e një polici të qarkullimit rrugor, kapet autori

Një automjet në pronësi të një punonjësi policie përfshihet nga flakët në rrugën “Bedri Karapici”. Burime nga policia të cilat shkuan menjëherë në vendngjarje, bënë me dije se zjarri dyshohet se ka qenë i qëllimshëm. Automjeti me targë CB 920 E në pronësi të Rami Hamzallari, punonjës i policisë rrugore u përfshi nga flakët dje në orët e para të mëngjesit dhe u shkrumbua brenda pak minutash. Zjarrfikëset që vajtën në vendin e ngjarjes lokalizuan flakët duke mos lejuar dëme rreth e rrotull mjetit. Pak orë pas djegies së automjetit, policia bëri të mundur edhe arrestimin e autorit të ngjarjes. Në pranga është vënë Artur Minxholli. Dyshohet se Minxholli ka kryer aktin pas konflikteve personale që ka pasur me policin Rami Hamzallari. Pas arrestimit autori i ngjarjes ka bërë deklarime para oficerëve të policisë gjyqësore, ndërkohë që lajmërohet se materialet i janë vënë në dispozicion prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Arrestimi
Vrau një vit më parë në Drenovë, arrestohet në Tiranë

Policia e Tiranës vuri në pranga një 26-vjeçar të akuzuar për vrasje. Albano Kostika ishte shpallur në kërkim nën akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe vrasjes me paramendim pasi ndaj tij Gjykata e Korçës kishte dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”. Kostika akuzohet për vrasjen e 42-vjeçarit Vason Lito, të ndodhur në vitin 2013 në Drenovë. Pas kryerjes së krimit, 26-vjeçari ishte arratisur, ndërkohë që arrestimi i tij është bërë i mundur gjatë ditës së djeshme. Burime të policisë së kryeqytetit, thanë se Albano Kostika prej disa kohësh i ishte fshehur drejtësisë, e cila kishte arritur ta identifikonte si autor të krimit, menjëherë pas ngjarjes. Pas arrestimit, Kostika është vënë në dispozicion të drejtësisë, për të zbardhur ngjarjen e ndodhur një vit më parë në Drenovë të Korçës.
Laç
Grabitet magazina, policia në kërkim të autorëve

Persona të armatosur dhe ende të paidentifikuar kanë grabitur një magazinë në qytetin e Laçit. Burime të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se magazina e cila ra pre e grabitësve ndodhet përgjatë autostradës Lezhë-Tiranë. Objekti i grabitur, i cili ishte në pronësi të shtetasit A.Kasi, kishte në brendësi materiale ushqimorë. Policia edhe pse u vu në dijeni të grabitjes nga pronarët e magazinës, ende nuk ka mundur të identifikojë dhe vërë në pranga autorët. Deri në këto momente nuk ka të dhëna mbi dëmin e shkaktuar si pasojë e vjedhjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency