Tryeza/ Reforma në drejtësi, Naço: KLD, institucioni kyç nga duhet të fillojë reforma

0
141

tryeza per drejtesine 31 tetorAmbasadori amerikan jep recetën e tij për reformën në drejtësi: Ja gjashtë rekomandimet e mia për aktorët politikë

 Kreu i Gjykatës së Lartë sugjeron: Jo vetëm ndryshime ligjore sa i takon sistemit të drejtësisë, por edhe kushtetuese dhe institucionale

 

Tiranë

Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformim, por KLD është institucioni kyç nga ku duhet të fillojë reforma. Këtë e ka shprehur ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në tryezën e mbledhur dje për reformën në drejtësi në kuadër të hartimit të “Strategjisë sektoriale 2014-2020”, ku kanë qenë të pranishëm Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i PD-së, dhe Gazmend Bardhi, këshilltar i grupit të PD-së. Sipas kreut të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nevojë për reformim të thellë dhe imediat. Ministri Naço ka theksuar se kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa ka vlerësuar edhe rolin dhe kontributin e ndërkombëtarëve në realizimin e reformës. Ndërsa, ambasadori i SHBA në Tiranë ka dhënë 6 rekomandime për të gjithë aktorët politikë në vend, për të realizuar një reformë të suksesshme në drejtësi. Sipas tij, ka disa hapa të nevojshëm që duhen ndjekur për të pasur një reformë të suksesshme në drejtësi. Më tej e ka marrë fjalën kreu i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, i cili duke u ndalur tek problematikat që shfaq sistemi gjyqësor në vend, tha se duhet të bëhen jo vetëm ndryshime ligjore sa i takon sistemit të drejtësisë, por edhe kushtetuese dhe institucionale. Pas tij ishte përfaqësuesi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi i cili konfirmoi dhe njëherë se opozita do të jetë e pranishme në tryezën për reformën në drejtësi, paçka se, sipas tij, shkarkimi i numrit dy të KLD-së, Elvis Cefa ishte i paligjshëm. Më 6 tetor, Presidenti Nishani mblodhi të gjithë aktorët në një tryezë të përbashkët për reformën në drejtësi, duke vënë theksin në rëndësinë e gjithëpërfshirjes, ndërsa i kërkoi edhe ministrit Naço të mblidhte një tryezë për këtë reformë. Pjesëmarrës në tryezë ishin edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj; Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj; përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësia diplomatike në Tiranë, si dhe ekspertë shqiptarë e të huaj. Të ftuarit morën pjesë në diskutime, duke dalë me sugjerime konkrete në shërbim të dhënies së rekomandimeve për hartimin e një plan veprimi. “Kjo tryezë pune vlerësohet si një nismë efektive për realizmin e reformave në drejtësi, por edhe si një kontribut tjetër i rëndësishëm në rrugën e procesit të reformës kushtetuese e ligjore, si kusht për suksesin e integrimit të plotë të vendit në BE. Gjatë tryezës, e cila e konceptuar në dy pjese kohore, u parashtruan temat e Reformës në Gjykatën Kushtetuese, Reformës në Gjykatën e Lartë, Reformës në Shkollën e Magjistraturës dhe Edukimit Juridik, Reformës në Organizimin e Sistemit Gjyqësor, Reformës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Reformës në Konferencën Gjyqësore Kombëtare dhe në Prokurori dhe të Këshillin e Prokurorisë”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

 

Naço: Reformë rrënjësore, ndërhyrje edhe në Kushtetutë

Reforma në drejtësi do të jetë rrënjësore dhe do të prekë të gjitha institucionet që lidhen me drejtësinë. Në fjalën e tij në tryezë, ministri Naço theksoi se kjo tryezë është mjaft e rëndësishme dhe vjen si përgjigje ndaj tryezës së mbajtur më 6 tetor nga Presidenti i Republikës dhe konkluzionet e saj do t’i bashkëngjiten konkluzioneve të nxjerra më 6 tetor. Sa i takon reformës në drejtësi, ministri Naço nuk përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes në Kushtetutë, por kjo, tha ai, do të bëhet vetëm ne bashkëpunim me opozitën. “Reformë do të ketë në të gjitha institucionet. Reformë do të ketë në Shkollën e Magjistraturës, në Konferencën Gjyqësore, në KLD, Gjykata, etj. Të diplomuarit në Shkollën e Magjistraturës duhet të motivohen duke u emëruar menjëherë në prokurori apo gjykatë dhe jo siç ka ndodhur deri më sot. Konferenca Gjyqësore është një organ, kompetencat e të cilit duhet të rriten, duke e kthyer në një kontrollor të KLD-së dhe anëtarëve të saj, emërimi i të cilëve duhet të ketë kritere edhe më të forta”, – tha Naço. Ministri i Drejtësisë u shpreh më tej se reforma do të shtrihet edhe në Gjykata. “Gjykatat kanë një fluks të lartë pune dhe kjo e bën të domosdoshme ndërhyrjen për të rritur shpejtësinë e dhënies së drejtësisë. Rritja e kontrollit të gjyqtarëve dhe ndarja më e mirë e punës do të jenë primare në reformën që do të prekë këtë pjesë të sistemit të gjykatave. Gjykata Kushtetuese gjithashtu do të jetë pjesë e reformës”, – u shpreh Naço. Ministri i Drejtësisë shtoi se edhe sistemi i ankesave, ndërmjetësimit, si dhe zyrat e Përmbarimit duhet të marrin një rol më të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë. “Duke qenë se kjo do të jetë një nga reformat më të mëdha të sistemit të drejtësisë, prania e opozitës dhe të gjithë aktorëve është thelbësore”, – tha ministri.

 

Arvizu: Reforma në drejtësi një maratonë, jo një vrapim shpejtësie

Ambasadori amerikan në Shqipëri Aleksander Arvizu ka theksuar rëndësinë e realizimit të reformës në sistemin gjyqësor në vendin tonë, duke u shprehur se ky është edhe një nga prioritetet për anëtarësimin në BE. Por ndërsa vuri theksin tek gjithëpërfshirja dhe realizimi i një reforme të thellë, ambasadori Arvizu përmendi edhe 6 hapa kyçe që të gjithë aktorët politikë duhet të ndjekin për të realizuar një reformë të suksesshme në drejtësi. “Reforma gjyqësore është koncept i thellë dhe i gjithanshëm, si dhe është kusht për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ka një pritshmëri nga shqiptarët dhe bashkësia evropiane, që kjo reformë do të sjellë ndryshime të vërteta. Është koha që të ndërtohet ky besim me një proces të matur dhe jopolitik. Është e rëndësishme që mazhoranca të vendosë tonin e duhur, duke iu përqasur të gjitha grupeve të interesit, si dhe opozitës në mënyrë të sinqertë. Ne e nxisim qeverinë që të ndjekë udhërrëfyesin e BE-së. Gjithashtu, i takon opozitës që të mbajë një situatë të shëndetshme. Kjo konferencë është dëshmi që ka mundësi për ndryshime pozitive. Është e qartë se mbështetja kombëtare dhe ndërkombëtare është e disponueshme për këtë reformë. Burimet e EURALIUS, OPDAT, USAID, Komisionit të Venecias etj, janë të disponueshme dhe duhet të shfrytëzohen maksimalisht. Në përfundim, dua t’ju lë një recetë. Së pari, duhet që të merrni hapa të matur, sepse reforma është një proces dhe jo një maratonë shpejtësie; Së dyti, procesi për reformën në drejtësi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës; Së treti, udhërrëfyesi i BE-së duhet të jetë orientuesi kyç; Së katërti, reforma duhet të përfshijë të gjithë aktorët; Së pesti, të kërkohet pjesëmarrja e Komisionit të Venecias; dhe së gjashti, procesi nuk duhet të politizohet, por të jetë konsekuent me nevojat e qytetarëve shqiptarë”, – tha ambasadori Arvizu. Ndërkaq, ambasadori amerikane, rikonfirmoi mbështetjen e SHBA për realizimin kësaj reforme dhe garantimin e shtetit ligjor, ndërsa tha se “duhet pjesëmarrje e të gjithë aktorëve për realizimin e një reforme të mirëfilltë gjyqësore”.

 

Zaganjori: Gjyqësori, duhen jo vetëm ndryshime ligjore, por edhe kushtetuese e institucionale

Duke u ndalur tek problematikat që shfaq sistemi gjyqësor në vend, kreu i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori tha se duhet të bëhen jo vetëm ndryshime ligjore sa i takon sistemin të drejtësisë, por edhe kushtetuese dhe institucionale. “Ne e mbështesim këtë reformë, sepse ajo synon që të shërojë sëmundjen që në tërësi ka sistemi i drejtësisë në vendin tonë dhe synon që t’i japë zgjidhje problemeve konkrete që kemi. Në një shtet ku nuk funksionon siç duhet sistemi i drejtësisë, ku jo gjithnjë krimineli shkon në burg dhe drejtësia i jepet më të fortit, rezulton se qytetari i thjeshtë mbetet i pambrojtur nga shteti. Ne kemi disa avantazhe dhe nuk kemi pse të huazojmë nga shtete të tjera. Shtetet me demokraci të konsoliduar japin shembuj të mirë, por nuk mendoj që është rasti që të merren si modele apo të bëhen eksperimente për zgjidhjen e situatës. Kjo reformë me shumë gjasa do të ketë sukses, por ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe institucionale, qoftë edhe në lidhje me Konferencën Gjyqësore, për të cilën mendoj që duhet shtuar pesha e saj dhe po ashtu, mënyra sesi duhet të funksionojë KLD dhe Gjykata e Lartë, mendime që ne ia kemi përcjellë ministrit. Problem mbetet numri i çështjeve që gjykon Gjykata e Lartë dhe unifikimi i vendimeve që kjo gjykatë jep. Jemi të gatshëm që ta mbështesim këtë reformë për të garantuar suksesin e saj”, – tha Zaganjori.

 

Xhafaj: Parlamenti ka rol kyç në koordinimin e reformës

Gjatë fjalës së tij në pjesën e parë të diskutimit, kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj u shpreh se Parlamenti luan rol kyç në koordinimin e reformës në drejtësi. “Pjesëmarrja dhe kontributi ynë në konferencën e 6 tetorit dhe në këtë tryezë sot tregon vullnetin tonë qeverisës për ta mbështetur procesin e reformës. Ka ardhur momenti të flasim më pak dhe të bëjmë më shumë. Në konferencë u theksua se Parlamenti ka rol kyç në koordinimin e reformës. Perceptimi i qytetarëve për funksionimin e sistemit të drejtësisë ka kapur nivelet më të ulëta vitet e fundit, pasi drejtësia konsiderohet një mall që blihet dhe shitet dhe e fiton ai që paguan më shtrenjtë”, – tha deputeti Xhafaj.

 

Rekomandimet e ambasadorit amerikan

1- Merrni hapa të matur, pasi reforma gjyqësore është një maratonë, jo një vrapim shpejtësie.

2- Procesi duhet të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës.

3- Udhërrëfyesi i BE duhet të shërbejë si parimi drejtues kyç.

4- Reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe mbështetjes së gjithë aktorëve përkatës.

5- Duhet të kërkohet imput dhe pjesëmarrje nga Komisioni i Venecias.

6- Procesi nuk duhet të politizohet, por duhet të jetë konsekuent me nevojat e qytetarëve shqiptarë

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency