Operacioni “Diploma”/ Siguronin diploma gjimnazi false, “Arrest me burg” për 5 shtetas

0
200

Alma Çuka

 arrest 2Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës arriti të vinte në pranga pesë persona, pas një hetimi 9-mujor. Policia e Shtetit: Vazhdon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë, dyshuar si bashkëpunëtorë

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës pas nëntë muaj hetime intensive, arritën të finalizojnë operacionin “Diploma”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i pesë personave. Operacioni u drejtua nga Policia e Shtetit, ndërkohë hetimet disamujore, u kryen nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Shtetasit e arrestuar janë Afete Koka, Gramoz Shehu, Arber Pelo, Andrea Hoxha, drejtor i një gjimnazi publik në Fier dhe Aleksia Troka, sekretare e një gjimnazi Publik në Fier.

 

Masa e arrestit

Për të pestë personat e lartpërmendur Gjykata e Tiranës dhe ajo e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” . Ata akuzohen se shpërndanin diploma false të shkollës së mesme kundrejt shumave të konsiderueshme. Vendimi i gjykatës për arrestimin e këtyre shtetasve është ekzekutuar nga forcat e Policisë së Shtetit. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin, në bazë të materialit referues nga Drejtoria Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave. Këta persona akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të “Ushtrimit të ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe të “Falsifikimit të dokumenteve shkollorë” nga personi që ka për detyrë të lëshojë ato, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 187/2-25, 245/1 e 259 te K. Penal.

 

Hetimet

Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një grup që siguronte diploma gjimnazi false për persona të ndryshëm në këmbim të shumës 1800 – 4000 euro. Sipas skemës së zbërthyer nga Prokuroria e Tiranës, rezulton se këta shtetas, 3 prej të cilëve nga Tirana, viheshin në kontakt me persona që kërkonin të pajiseshin me diploma të shkollës së mesme dhe më pas komunikonin me drejtorin dhe sekretaren e gjimnazit publik në Fier për t’i pajisur me dokumentin që dëshmonte se kishin përfunduar studimet e mesme. Zyrtarët arsimorë, pasi i përfshinin në mënyrë fiktive si të regjistruar në shkollën e tyre, u kërkonin personave që kërkonin diplomë gjimnazi të merrnin pjesë në Provimin Shtetëror të Maturës. Lidhur me rezultatet e kërkuesve të diplomës në këtë provim, zyrtarët e gjimnazit ndërhynin në rezultatin përfundimtar, duke u dhënë atyre notë kaluese. Për këtë shërbim, të gjithë personat e përfshirë ndanin shumën e përfituar në mënyrë të barabartë. Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Tiranës shprehen se po kryejnë ende hetime me qëllim identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në skemën e mashtrimit me diplomat false.

 

 Akuzat/ Tiranë, dorëzohet në polici ish-drejtori i ALUIZNI-t Sarandë

 Ish-drejtori i ALUIZN-it në Sarandë, njëkohësisht nënkryetar i Partisë Demokratike në këtë qytet, Vesel Koçia, është dorëzuar dje në Policinë e Tiranës. Koçia akuzohet për shpërdorim detyre tek ALUIZNI. Por ai vet shprehet se akuzat janë të motivuara politikisht. “Nuk kam kryer shkelje siç pretendon prokuroria. Nuk kam legalizuar në zona arkeologjike”, – është shprehur Koçia. Akuzat nga ana e prokurorisë, kundër ish-drejtorit Vesel Koçia, u formuluan pak ditë më parë. Ndërkohë u tha se ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit, ai që kishte vërejtur shkeljet dhe abuzimet e kryera nga personat tashmë të marrë në përgjegjësi penale. Koçia kërkoi të dorëzohet në polici, me qëllim shpjegimin e pozicionit të tij përballë akuzave të ngritura. Ndaj ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t muajt e fundit janë lëshuar shumë urdhra arrestesh, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Pothuaj të gjitha drejtoritë në rrethe janë përfshirë në hetimin e prokurorisë, ndërsa Policia e Shtetit është vënë në dispozicion të ekzekutimit të urdhër-arresteve të lëshuara nga organi i akuzës. Në të gjitha rastet Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të lënë në burg ish-zyrtarët e ALUIZNI-t me argumentin se kanë legalizuar ndërtime të paligjshme në zona të mbrojtura, zona turistike, muzeale dhe ato bregdetare.

 

Droga/ Fier, arrestohen dy persona për trafik droge

Policia e Fierit arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim një të tretë me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Në pranga përfunduan shtetasit Eduard Murataj dhe Romeo Allkja. Në automjetin e Muratajt policia sekuestroi një sasi të vogël droge të llojit hashash, ndërsa në mjetin e Romeo Allkes u sekuestruan 25 kilogram po hashash. Policia njoftoi se ka shpallur në kërkim një shtetas që udhëtonte me Eduard Muratajn, ndërkohë që ka nisur procedurat për dokumentimin e veprës penale.

 

Operacioni/ Trafiku i heroinës, pranga biznesmenit nga Fieri

 Një biznesmen nga Fieri u arrestua ditën e djeshme për trafik heroine në një operacion të përbashkët nga antidroga e Policisë së Shtetit dhe Krimet e Rënda. Bëhet fjalë për biznesmenin Orven Hebeja. Burime të policisë theksojnë se në janar 2014, është kapur me 60 kg heroinë edhe shoferi i biznesmenit Hebeja. Por pas hetimit rezultoi që droga i përkiste biznesmenit.

Shoferi u kap teksa po e transportonte lëndën narkotike nga Turqia në Shqipëri. Destinacioni i heroinës ishin vendet e Bashkimit Evropian. Në lidhje me këtë ngjarje policia po heton edhe për përfshirjen e personave të tjerë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency