Mustafa Greblleshi e malli për Tiranën

0
283

Alba Kepi

Mustafa Greblleshi e malli për Tiranën Viti 1949, burgu i Tiranës, qelia numër 79. Brenda saj shikon qiellin e qytetit të kryqëzuar pas hekurave i biri i Hamit Greblleshit, patriotit të pushkatuar, pa gjyq e pa faj nga komunistët në vjeshtë të 1944-ës. Kur është diell, ajo fije e hollë rrezeje i pikturon buzëqeshjen në cepin e djathtë të buzës. Në ditët e vrenjtura me shi, errësira shkon e vjen sipas zemërgjerësisë së hijes. I biri i Hamitit ka mall për qytetin e tij, ka mall për Tiranën. Me bishtin e një lapsi plumbi nis e shkruan… “Gjithnjë të shoh nga hekurat ku jam ndry, O Tirana ime. Sa herë shpirti shpërthen n’trishtime, nostalgji kam për ty…” Poeti e shkrimtari Mustafa Greblleshi qan me vargje. Lotët i janë tharë 4 vjet më parë në rrugën e Tabakëve, teksa shihte trupin e vrarë të të atit, një ish oficer i xhandarmërisë së shtetit, pushkatuar me urdhër të Qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën.

Pena i shfrynte dufin, dëshpërimin, trishtimin, mallin. Pak ditë më parë kish shkruar elegjinë “Qetësi, o Baba”, pas një nate të ëndërruar në bisedë me të. Ndërsa sot kishte mall për Tiranën. Ndjehet i vetmuar e i lutet kujtimeve të mos e lenë vetëm; “Përmallshëm lutem në përfytyrime, endem rrugëve si endesha dikur e gjithkah shëtis…” Tirana e Mustafait është plot nur, e magjishme, natën merr flakë nga xixëllimat e ai është i trishtuar se nuk mundet ta shoh.

Poetët e shkrimtarët kanë me qytetin e tyre një lidhje të thellë, të veçantë. Herë janë muza frymëzuese, herë vendi simbolik i shpirtit e herë ai këndi i përkohshëm mbrojtës nga një vorbull e pakuptimtë qeniesh e objektesh që lëviz kohën. Nju Jorku i Withmanit, Madridi i Lorkës, Triestja e Svevos, Qyteti i Bukovskit është vetë poezia, me shtëpitë, pusetat, shiun, pijetoret e cigaret, të çmendurit e heronjtë, policët e të dashuruarit. Poezia e Greblleshit është Tirana që i jep frymë dhe dihat aty ku iu ndal jeta…” Por kur vegimi ndal veprimin te një shtëpi, ku kam zemrën time, njerëzit e mi, Sa ndjehem i mjerë! Pse hekurat m’sjellin n’mend si përherë, m’kujtojn se dergjem n’burg sa mot, e qaj prap me lot…”

Mustafa Greblleshi u mbyll në atë burg më 1948, pasi u arrestua bashkë me Petro Markon e Andrea Varfin. Humbja e të atit ia kishte kufizuar penën e në këtë vit kishte humbur dhe qytetin, atë gjendje shpirtërore që e frymëzonte në shkrimet e tij në revistat “Njeriu” e “Bleta”, në novela e satira. O Tirana ime! Sa herë shpirti shpërthen n’trishtime, nostalgji kam për ty. Natën kur digjesh n’mijëra xixëllime e shkëlqen magjike n’errësirë plot nur. I vetmuar të sodis”.

Kur doli nga burgu arti i tij gjeti shfryrje tek përkthimi. Njohës i mirë i gjuhës italiane, me një Universitet të lënë përgjysmë në Torino, në Fakultetin e Letërsisë, Mustafa Greblleshi përktheu në shqip novelat e Pirandelos dhe dramat e Eduardo de Filipos. Në vitet `60 më në fund iu dha e drejta e botimit e përveç përkthimeve, solli në shtyp dhe vëllimet e tij me tregime “Shalli i kuq” e “Albumi i një bojaxhiu”. Por nuk zgjati shumë, deri më 1967 kur në qendër të Tiranës, qytetit të tij, Partia Komuniste i vari një fletërrufe. I tronditur e i lodhur nga padrejtësitë Mustafai hodhi në zjarr çdo dorëshkrim të tij, mes të cilave 12 romane. Bashkëshortja mundi të shpëtoj dhe pse të cunguar romanin “Muzgu i bregut tjetër”dhe përkthimin e plotë të kryeveprës klasike botërore “Një mijë e një net”. Ky libër u botua më vonë nga shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, pa emrin e përkthyesit Mustafa Greblleshi.

Tirana, qyteti i tij, qe një thirrje e brendshme për shkrimtarin e nuk mund të rrinte dot pa i shkruar. Kujtimet ndaj saj i sjell dhe në tregimin “Kukulla”, në vëllimin “Albumi i një bojaxhiu”, botuar nga shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës më vitin 1971.

 

“Tirana e hershme dhe fëminia jonë e mjerë”

 Mustafa Greblleshi

E kam të gjallë Tiranën e vogël me një grusht shtëpish qerpiçi e me një hotel të vetëm po prej qerpiçi, po me nji emën me nam: “Hotel Stambolli”. Se qysh i ka qëndrue furisë së moteve e ka mbetë në kambë edhe sot e kësaj dite, i qofsha falë. E ke aty mbas Mapos ushqimore, ku po ngrihen apartamentet e reja, ku nis Rruga e Durrësit. Konaqe me oxhakë kishin vetëm Toptanasit. Elektriku nuk njihej. Edhe llamba me vojguri e rrallë ish. Atë e gjeje vetëm në zyrat e hyqymetit e në odat e shtëpive me oxhak. Te votrat tona, ku ngrihej tymi fjollë, mu aty te carani, ngjat flakës së druve, digjej pishtari a flaka e bishtukut. Nji fjollë e zezë tymi, ngjitej përpjetë përtueshëm e me përdredhime… Elektrik nuk kish as xhadeve. Kandila me voj, rrallë e tek, xixëllonin rrugëve e ndriçonin nji sofër vend. Në do drushta të shtrembta vareshin fenerët, Mbramjeve, nji rrogtar i ngarkuem, me nji vojnik në dorë, i qasej drushtave. Ulte fenerin me anë të nji sixhimi, e ushqente me voj, e ndizte e kalonte te tjetri, tue shkelë me hap të randë nëpër gurët e shrregullt të kalldrameve. Kalldrame, vija uji, vorre e ullij ka pasë motit Tirana. Vorrezë e ullij ish i gjithë Pazari i Ri. Vorrezë e ullij, Sheshi Skënderbej, vorrezë e selvi Sheshi i monumentit të Partizanit. Gjithkund vorrezë. Në çdo lagje. Më kujtohen mirë ato fushat e vorreve, se unë e moshatarët e mij i vizitojshim shpesh, për të mos thanë për ditë.

-A di përse na të vegjlit silleshim vorreve? – vijoi Shyqri Beqir Fuga -Te hymja e vorrezëve, me të perënduem të diellit, do të takojshim patjetër ndonji plakë të mbështjellun me napën e bardhë. Plaka e mbështjellun me napë të bardhë dhe e ulun kambëkryq, shtronte përpara nji kuze të madhe me topa hallve dhe pranë kuzes nji ibrik dheje me ujë. Me zanin e saj të mekun e të mbytun ajo ftonte kalimtarët e rrallë të marrin “rahmet” për të afërmin e saj, që kish shkue kësaj bote. Kalimtari kthehej, përkulej mbi kuzen, merrte nji shuk hallvë, pinte edhe nji hurm ujë me atë çyçën e trashë t’ibrikut si kaçarrum dhe largohej në punë të vet, si i lëshonte nji rahmet shpirtit të të vdekunit. Po kështu përkuleshim edhe na të vegjlit, përlanim sikush nga nji shuk hallvë të ngrohtë e nga nxitimi voji na rridhte nëpër buzë. Pijshim nga nji herë ujë e me radhë i lëshojshim nga nji rahmet atij që kish shkue me të shumtët. Ja kështu bridhshim vorrezë me vorrezë. Ku të gjejshim ndonji plakë me tepsi përpara se ishim, si thonë, me lugë në brez. Nji grue tjetër, po e shtëpisë së përzishme, e mbështjellun gjithë me napë të bardhë e me tepsi përpara, rrinte në krye të rrugës së lagjes. Edhe ajo u kish zanë shteg kalimtarëve e i priste si në pritë. Na të vegjlit, si të mëdhajt, dy herë në nji tepsi nuk bajshim kabull me marrë, se e kishim për keq e për gjynah. Dy herë i urojshim prehje e paqe të vdekunit, po të marrim dy topa hallvë në nji tepsi, s’e pat thanë Zoti.

Prani e dalldisi në mendime Shyqri Beqir Fuga. Si të rrekej me i renditë në mend kujtimet e largëta që i vijshin me vrull. Ai pat folë si nji nxanës i përgatitun mirë, që s’don ta ndërpresish. Po ashtu nisi e foli sërish:

-Rrallë e tek u çelën do dyqane në Rrugën 28 Nandor. Në njanin syresh, në nji dyqan me harqe përballë Sahatit, pashë nji natë nji grumbull njerzish që ishin mahnitë si u mahnita edhe unë, prej dritës së fortë të nji llambe që s’patëm pa kurrë parandej. Ish nji petromaks. S’ngiheshim tue soditë ato dy mëshikza mëndafshi, që ndriçojshin aq fort, e s’dijshim si me e spjegue atë zhurmë si zhuzhurima e bletës. Elektrik si sot pamë për herë të parë kur patën qenë këtu austriakët, nemselitë si i quejshim na. Kur ndizeshin elektrikët e nemselive, nana ime binte në shehadet, se i ngatërronte me shkreptimat. Asokohe shkeli së pari kalldramet tona automobili. I madh e i vogël, të rij e pleq, i shkojshin mbas automobilit të parë. Ish nji automobil me rrota të nalta, si qerre. Pat edhe asish që e quejtën qerrja e qoftëlargut e i ndërsyen qentë e lëshuem, qent e kasapëve. Po kështu i fuguen pas edhe Shazivar beut kur pat sjellë nga Vjena biçikletën e parë.

E tillë ish Tirana kur kremtohej Nevruzi, Moti i Ri allaturka, kur njerëzit vritshin mendjen për të sajue nji byrek me lakna e s’u shkonte ndërmend se do të vijë nji ditë që do të rendin rrugëve e dyqaneve për të ble ambëlsina, fruta, lojna e kuklla për fëmije – tha Shyqri Beqir Fuga tue e pa me të qeshun shokun e tij. – Për të kremten e Nevruzit e kisha fjalën. Na të vegjlit e pritshim darkën me padurim, vetëm për atë byrekun me spinaq që e bajshim derë për derë e që e quejshim byrek me pare. Thërriste hoxha në minare, ja niste me gjëmue lodra me topuz e tallamazi me kaish. Uleshim të gjithë rreth e qark byrekut. Ndërmjet petëve të laknorit fshihej nji koron sermi, i mbështjellë me nji shuk brumi. I pari i shtëpisë e sillte vërdallë tri herë tepsinë. Mandej zejshim fill me hangër. Kujt t’i takonte për rrisk koroni kishte të drejtë me e përvetësue. Hej ç’kismet kishte ai që peshkonte atë koron të mbështjellë me nji guaskë brumi, si karavidhe! Ajo pare e vogël sermi të bante zot për disa çaste, se me ballin nalt, e ndaloje në vend, në daç sheqerxhiun, në daç simitxhiun. Kur ta shihshin në dorë atë pare sermi, si njani tjetri, ishin gati me të shërbye si t’ishe ti bir oxhaku. I pari ulte tavllën e të lente të zgjedhish, me dorën tande, copa hallve, mollë sheqeri të kuqe, tasa hashuresh, lule Stambolli. Tjetri i kthente simitet përmbys, për me të prishë mendjen me avullin e ngrohtë e me erën e kandshme të qiqrës.

Gjellë për darkë e për davet ish byreku me spinaq, byreku me pare sermi. Bam bum e dum dum, bubullonte tej e përtej daullja me topuz e Zhing zhang, tallamazi me kaish. Tak tak, trokitte zemra jonë e vogël që dridhej e dëshirueme për të gjetë, në petat e byrekut me spinaq, paren e vogël prej sermi. Atë pare sermi, që të bante me hangër simite të ardhuna me brumë qiqre e copa hallve me susam, kurrë nuk e pata gjetë në petat e byrekut me spinaq. Më kujtohet ashtu si nëpër gjumë se nji moti e gjet nana ime. Mirëpo ajo nuk u krenue si bajshin të tjerët, heshti dhe me marifet e vu në pjesën e laknave të mija. Që të gëzohesha edhe unë. Se i pat mbetë gozhdë në zemër kur më pat rrejtë disa herë: kur kalonte sheqerxhiu me tavllën plot hallvë, hashure e lule Stambolli. Zani i fortë i hallvaxhiut buçiste e ushtonte së largu e na e dridhte shpirtin ne të vegjëlve.

“Sheqerxhiu!” ulërija unë së vogli, tha Shyqri Beqir Fuga – e doja pa derman nji grosh, se goja më lëshonte larg për të lëpimë një aso mollësh sheqeri, gjak të kuqe. Po nana, dritë i pastë shpirti – se të thashë o Maksut vdiq e re; nuk vdiq, plasi – nana, me atë zanin e saj të ambël e gjithë ankim më thosh: “Jo bir, nuk asht sheqerxhiu, asht hoxha”. Thërret hoxha në minare, se u ba vakt dreke. Hajde të të jap nana nji copë bukë! Me çka e do, me gjizë apo me ullij? “Me gjizë, jo me ullij, e doja bukën. Se ullijt i kisha mbledhë vetë, kokrra kokrra, kur i shtronte era përmbi vorret. Më pëlqejshin fort ullijt e regjun me krypë e me voj, po nuk i haja. Më dukeshin ullij të vdekunish. Ullij të njomun me vesë vorresh. Nji ditë tjetër, kur nana ish shtrue – e s’u çue ma – në rrugë buçiti sërish zani i fortë i sheqerxhiut. Ajo u drodh e më pa me ata sy të fikun. Mandej nxori nga gjini nji grosh e ma dha:

“Merre bir e shko blej nji mollë sheqeri”.

– Ai grosh ish i ngrohët. M’u ba sikur ma dogj e ma përvëloi dorën. Ja ktheva prapë e i thashë: nuk e due nanë. Nuk asht sheqerxhiu. Po thërret hoxha në minare. Nana nuk foli. Veç nga ata sy të fikun, riguen çurk lotët e zbritën faqeve të zbehta. Me faqen time ja tera, e zjarri i etheve që digjte atë, më dogji edhe mue. Ky zjarr më dogji mirë nji ditë, kur te kryet e rrugës sonë, nji plakë e mbështjellun me napë të bardhë, me tepsi hallve përpara e me ibrik dheje, me za lutës u kujtonte kalimtarëve të marrin nga nji top hallvë për t’i lëshue rahmet shpirtit të nji grueje të re. Kjo grue e re që u fik përgjithmonë e që më la rrugëve, ishte nana ime. Ajo i mbylli sytë zemërplasun.

Ja Tirana e hershme dhe fëminia jonë e mjerë, – përfundoi Shyqri Beqir Fuga – Byreku me spinaq ish gjellë e rrallë. Sot kalamajt tonë e presin Motin e Ri të veshun e të qeshun. E presin me të gjitha të mirat. Kur qesh i vogël, i vogël si Ndue Gjokë Frroku, s’u gjet kush të më sjellë nji peshqesh. Sot, edhe pse im bir asht midis të gjitha të mirave në Kinë, unë mendoja ç’dhuratë t’i çoj, se më mbetej peks po ta ndaja nga këta pesë të tjerët. Ashtu si ti, që s’po të pritet gjersa të blejsh nji kukull të bukur për vajzën tande. Kujtoj se u çlodhëm, o Maksut Hasan. Shi nuk po bie ma. Çohemi e shkojmë bashkë dyqaneve për të zgjedhë nji kukull të bukur.

Në Rrugën e Postës, përballë magazive të valutës, qenë grumbullue plot njerëz. Qëndruen edhe të dy bojaxhinjtë.

– Me fal shoqe, ç’farë ka dalë këtu?

– Kukulla shok, kukulla të bukura për fëmijë.

Hynë. Shitsja hapte kutitë dhe nxirrte gjithfarë kukullash të bukura, me flokë të gjatë e të shkurtën, me flokë të zes e të verdhë. Nji palë me fustane të gjata, nji palë me tuta, nji palë me veshje marine.

– Sa kushtojnë? – pyeti Maksut Hasani nji grue të re, e cila tue dalë nga dyqani i buzëqeshte kukllës ashtu si nji nanë e re i buzëqesh bebes.

– Katërqind lekë – tha grueja e re. -E vlen për gazin që i fal fëmijës.

Maksut Hasani iu vardis shitëses:

– Të lutem shoqe, më jep nji kukull! Atë me flokë të zes e me përparse të bardhë. Duket kukull punëtore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency