Fondi me 142.5 mln lekë/ Partitë e vogla marrin paratë e PS-së dhe PD-së, ja sa përfiton secila forcë politike

0
155

Gëzim Saliu

 KQZ shpërndan fondet për partitë, propozimi i Ndokës i heq PD-së e PS-së nga 2 mln lekë

mbledhja e KQZ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rishpërndau dje fondet vjetore për partitë politike, ku ndryshe nga më parë, të vegjlit kanë arritur të fusin duart ligjërisht në xhepat e partive të mëdha, duke përfituar më tepër para nga buxheti i shtetit. Katër forca joparlamentare kanë arritur t’u marrin rreth 20 milionë lekë dy forcave kryesore në vend, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Konkretisht, Partia Social-Demokrate e drejtuar nga Skënder Gjinushi, Partia Demokracia Sociale me kryetar Paskal Milon, Partia Demokristiane e kryesuar nga Nard Ndoka dhe Aleanca Kuqezi me kryetar Kreshnik Spahiun do të përfitojnë me shpërndarjen e fondit të KQZ-së nga 2.3 milionë lekë secila. Ndërkaq, Partia Socialiste, si forca më e madhe politike në vend, do të përfitojë 55 milionë lekë, Partia Demokratike do marrë 42 milionë lekë e LSI 15 mln lekë. Lidhur me këto ndryshime që u miratuan në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësuesit e partive të mëdha nuk u shfaqën të shqetësuar nga humbja e fondeve, të cilat u kaluan partive të vogla joparlamentare.

 

Propozimi i Ndokës

Rishpërndarja e fondeve erdhi pas ndryshimeve ligjore në ligjin për financimin e partive politike, kur u pranua propozimi i deputetit Nard Ndoka, sipas të cilit, para do të përfitojnë edhe partitë që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare. Përkatësisht më datë 30 dhjetor të vitit kaluar, në Kuvendin e Shqipërisë u paraqit zyrtarisht projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike” të ndryshuar, ku deputetët nismëtarë të këtij projektligji ishin Nard Ndoka, Taulant Balla, Vangjel Dule, Petrit Vasili, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri. Amendimi i ligjit uli numrin e nevojshëm të votave që i duhen një partie të vogël për të marrë fonde nga buxheti i shtetit. Ndryshe nga ligji i kaluar, i cili parashikon një numër të nevojshëm votash prej 1 për qind të totalit të votave për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, rreth 17 mijë vota, me ligjin e ri të ndryshuar kjo shifër zbriti në 10 mijë vota. Me këtë amendim të ligjit, nga shpërndarja e fondeve të buxhetit për partitë politike, sivjet përfituan edhe PSD e Skënder Gjinushit, PDS e Pakal Milos, AK-ja e Kreshnik Spahiut, si edhe PDK-ja e Nard Ndokës.

 

Partitë politike të cilat përfitojnë nga rishpërndarja e fondeve janë:

  1. Partia Socialiste e Shqipërisë 55.257.463 lekë
  2. Partia Demokratike 42.884.900 lekë
  3. Lëvizja Socialiste për Integrim 15.431.990 lekë
  4. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 5.638.535 lekë
  5. Partia Republikane Shqiptare 4.974.058 lekë
  6. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 3.097.903 lekë
  7. Partia Kristian-Demokrate e Shqipërisë 3.097.903 lekë
  8. Fryma e Re Demokratike 2.617.250 lekë
  9. Partia Demokracia Sociale 2.375.000 lekë
  10. Partia Socialdemokrate 2.375.000 lekë
  11. Partia Demokristiane e Shqipërisë 2.375.000 lekë
  12. Aleanca Kuqezi 2.375.000 lekë

 

 

Votimi i dekreteve të Presidentit/ “Rebelët” e LSI-së, Vasili: Sensibilitete personale. Pa opozitën, qeveria s’ka ritmin e duhur

 Rrjedhja e pesë votave nga grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në votimin e dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë është cilësuar si një çështje e sensibilitetit personal nga ana e kryetarit të grupit kuvendor të kësaj force, Petrit Vasili. Përmes një konference për mediat, ai bëri të ditur se qëndrimi i mazhorancës nuk ka ndryshuar lidhur me këtë pikë, duke vendosur theksin te kriteret shtesë dhe konsultimin me mazhorancës për kandidatët. “Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të gjithë mazhorancës, e cila është shumë e qartë për këtë çështje. Një votë e caktuar është një sensibilitet thjesht personal, nuk ka asnjë rëndësi, nuk ka asnjë lidhje absolutisht me qëndrimin e mazhorancës. Mazhoranca është shumë e qartë dhe e kthjellët për këtë çështje. Kemi komunikuar dhe jemi po të asaj linje, që ndërtimi i procesit konsensual objektiv, të drejtë e transparent me të gjithë kriteret shtesë që u i duhen kësaj çështjeje na çon natyrshëm edhe në kandidaturat më të mirë”, – tha Vasili. Nga ana tjetër në deklaratën e tij, ai u përqendrua tek thirrja ndaj opozitës për të qenë pjesë e Kuvendit, si detyrë e kësaj të fundit për të përfaqësuar oponencën e atyre njerëzve që e kanë votuar. “Asgjësimi i dialogut dhe debatit në Parlamentin shqiptar, gjë që ka ndodhur përmes mos pjesëmarrjes së opozitës, sigurisht krijon një disbalancë të rëndësishme dhe do të thosha, problematike, sepse edhe aksioni qeveritar nuk ka mundësi të ketë gjithmonë ritmin e duhur në mungesë të një debati dhe të një oponence. Por, njëkohësisht edhe qytetarët mungojnë që të bëjnë oponencën e tyre përmes opozitës, dhe njëkohësisht salla e Parlamentit humbet kuptimin. Salla nuk është pronë as e mazhorancës, as e opozitës, por është pronë e qytetarëve shqiptarë të cilët i kanë dhënë detyrat përkatëse secilit deputet dhe secilit krah politik”, – u shpreh Vasili, ndërsa kërkoi konsensus mes Presidentit të Republikës Nishani dhe kryeministrit Rama për zgjedhjen e guvernatorit të ri të BSH-së.

 

Firmoset deklarata/ Haxhinasto në Bullgari: Të caktohet koordinator evropian për Korridorin VIII

Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi dje një Sofje një takim pune me ministren bullgare të Transportit, Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimeve, Nikolina Angelkova, dhe ministrin e Transportit dhe Komunikimit të Maqedonisë, Mile Janakieski. Duke e cilësuar infrastrukturën e transportit, si shtyllë mbështetëse kryesore të ekonomisë, ministri Haxhinasto kërkoi shtrirjen e bashkëpunimit për arritjen e objektivave të përbashkëta në të gjitha nivelet, gjatë planifikimit, aplikimit për burime financiare, si edhe optimizimit të shërbimeve të mirëmbajtjes dhe eliminimin e barrierave jo-fizike të transportit të mallrave. Për këtë ai ritheksoi kërkesën e caktimit të një koordinatori evropian për Korridorin VIII, i cili do të shërbejë për intensifikimin e përpjekjeve për përfshirjen e Korridorit VIII, në rrjetin e korridoreve evropiane TEN-T. Në përfundim, tre Ministrat firmosën deklaratën e përbashkët, që do të jetë baza e krijimit të një sekretariati që do të ndjekë interesat e realizimit të Korridorit VIII.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency